Rexhep Ismajli: Ideja për shkëmbim territoresh, e rrezikshme për Kosovën

Intervista

Rexhep Ismajli: Ideja për shkëmbim territoresh, e rrezikshme për Kosovën

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 10:56
Rexhep Ismajli

Akademik Rexhep Ismajli, njëri ndër autoritetet supreme në fushë të shkencës e dijes, kujton se ideja për ndryshim kufijsh midis Kosovës e Serbisë, e plasuar nga presidentët e të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, është ide e moçme e Serbisë.

Në një intervistë për “Illyria”, të përqendruar në idenë për shkëmbim territoresh, profesor Ismajli e vlerëson atë si ide të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën.

Ai shpreh bindjen se Serbia nuk e synon “paqen afatgjatë me shqiptarët”, siç po propagandohet, por synon komprometimin e shtetësisë së Kosovës dhe përvetësimin e pasurive të Kosovës.

Profesor Ismajli e vështron idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës ose të një pjese të saj jo vetëm në kontekst të interesit të shqiptarëve që jetojnë atje, por në kontekst të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve.

Mbi të gjitha, ai kujton se negociatat për kufijtë e Kosovës janë kundërkushtetuese.

“Hëpërhë kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ndalon shprehimisht çdo ndarje të territorit të Republikës së Kosovës, çdo dhënie të një pjese për bashkim me shtet tjetër dhe çdo marrje të një territori të një shteti tjetër për ta bashkuar me tonin”, thotë profesor Ismajli.

***

Profesor Ismajli, këto ditë po zhvillohen diskutime një debat i nxehtë rreth idesë për shkëmbim të territoreve midis Kosovës e Serbisë, të promovuar nga presidentët e dy shteteve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiqi. Tashmë është e qartë se në thelb të idesë është shkëmbimi i territoreve me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës me territore me shumicë serbe në veri të Kosovës. Si e vështroni këtë ide?

Ismajli: Nuk e kam shumë të qartë se ç’domethënë ‘shkëmbim i territoreve’ konkretisht, sepse kjo nuk është elaboruar askund. Çka po shkëmbejmë: një diçka ‘të tyre’ me një diçka ‘tonën’? Kush po shkëmben? A janë të barabartë shkëmbyesit? A e njohin njëri tjetrin si të tillë? Nga ajo që po shohim në mjetet e informimit, sepse vetëm ato kemi në dispozicion, ka një kakofoni të përgjithshme lidhur me të gjitha çështjet që janë hedhur ‘në diskutim’. Për të pasur një qëndrim ne si opinion do të duhej të kishim qoftë edhe vetëm një mendim të formësuar nga një instancë e shtetit tonë (pra, një qendër për strategji, një instancë qeveritare, etj.). Hëpërhë kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ndalon shprehimisht çdo ndarje të territorit të Republikës së Kosovës, çdo dhënie të një pjese për bashkim me shtet tjetër dhe çdo marrje të një territori të një shteti tjetër për ta bashkuar me tonin. Si qytetarë kemi këtë bazë, që mbrohet dhe nga instancat ligjore.

Nga ana tjetër, është thënë dhe po thuhet se duhet të shkëmbehet Lugina e Preshevës me diçka në Kosovë (më shpesh përmenden 4 komunat në veri). Llogaria elementare do të duhej të na tregonte a janë të barabarta ato. Edhe më shumë, a do të merreshin komunat e Luginës Preshevë, Bujanoc e Medvegje në tërësi, apo do të bëhej një ndarje e mëtejme, duke lënë përtej hekurudhën e nyjet e komunikimit në Preshevë e Bujanoc, duke e shndërruar kështu atë zonë në një zorrë qorre, duke e copëzuar dhe zhbërë përfundimisht? Në anën tjetër, çka do t’i merrej Kosovës si vlerë dhe pse ndonjë pjesë e saj po shpallet qysh tash si diçka që mund të jepet? Më në fund, a ka mundësi dhe a duhet të bëhen shtete etnikisht të pastra?

Ideja për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë e rihap çështjen e kufijve shtetërorë të Kosovës, të cilët nuk janë pranuar asnjëherë nga Serbia dhe aleatët e saj. A mund të ketë kjo pasoja për shtetësinë e Kosovës, në planin ndërkombëtar?

Ismajli: Republika e Kosovës ka pasur një sukses të madh në rrugën e saj të stabilizimit ndërkombëtar dhe ia ka dalë të sigurojë 116 njohjet në kufijtë që ka (që kanë qenë të vlefshëm para vitit 1989). Në këto përmasa i ka përcaktuar kufijtë me Republikën e Maqedonisë, me Republikën e Malit të Zi dhe me Republikën e Shqipërisë. Mbi këto baza funksionon edhe kufiri me Republikën e Serbisë, edhe pse ajo e quan gjithnjë kufi administrativ. Ka dy-tre vjet, ose edhe pak më herët (ndoshta me fillimin e dialogut me Serbinë) ka pasur një stagnim të njohjeve ndërkombëtare. ‘Rishikimi’ i kufijve me shtetet që na kanë njohur si Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria mund të ishte një proces midis të barabartësh, ndërsa ‘rishikimi’ i kufijve me Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj Kosovën e sheh si pjesë të pandashme të territorit të Republikës së Serbisë mund të sillte për ne pasoja të rrezikshme: ndalimin e procesit të njohjeve, orientimin e vëmendjes së atyre që na kanë njohur në drejtime të tjera nga rruga që kanë ndjekur deri tash, emetimin e sinjaleve shumë të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Kuptohet, të gjitha këto vlejnë sa kohë që nuk po shohim asgjë të qartë prej projekteve të tilla dhe nuk jemi në gjendje t’i dimë përmasat e vërteta të këtij rreziku.

Mbështetësit e idesë për shkëmbim territoresh thirren në vullnetin politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me referendum. Çfarë do të sillte bashkimi i Luginës me Kosovën për shqiptarët atje dhe për tërësinë gjeografike të shqiptarëve, në planin ekonomik, social, kulturor, etj?

Ismajli: Kush ka lexuar sadopak për të kaluarën, nuk duhet të mos e shohë se Serbia si shtet po ndjek vijën e depërtimit drejt jugut tash dy shekuj: më 1878 i zgjeroi kufijtë deri në Ristovc (afër Vranjës), ndërsa prej hapësirës përtej shpërnguli qindra fshatra shqiptare, përfshirë popullatën shqiptare të Vranjës në jug të atij kufiri për të krijuar hapësira të mëdha me ‘muhaxhirë’ në tërë Kosovën, po edhe në Preshevë, në Maqedoni e në Turqinë evropiane e tjetër. Pas 1912 mori tërë Maqedoninë dhe nga e gjithë kjo hapësirë shpërnguli jo pak në Turqi (në Lyleburgas sot gjallon ende një Preshevë e tërë), në Shkup e Kosovë, në Zvicër a Gjermani, por ajo që nga të huajt (për t’i dhënë një legjitimitet) u quajt ‘Lugina e Preshevës’ deri sot qëndroi. Asnjëherë nuk u shtrua seriozisht kërkesa me mbështetje të mjaftueshme kombëtare e ndërkombëtare që ai popull të mbahej aty dhe t’i gëzonte të gjitha të drejtat e zhvillimit normal të potencialeve të veta, përfshirë dhe të drejtën e mosndarjes nga tërësia etnografiko-gjeografike, kulturore e kombëtare (Lugina e Preshevës kufizohet me Kosovën, me pjesët shqiptare të Maqedonisë, me Serbinë dhe në një pjesë që, si shumë pak e banuar arrin deri te kufiri me Bullgarinë). Mbijetesa e saj është e lidhur ngushtë me nyjat e komunikimit (hekurudha dhe autostrada), po edhe me kontaktin e papenguar me Kosovën dhe Maqedoninë. E tërë kjo mund të ketë pasoja dhe për shqiptarët e Maqedonisë nga kufiri e deri në Shkup, që përbëjnë një tërësi etnogjeografike rreth Karadakut, e që edhe pas pavarësimit të Maqedonisë i kanë ruajtur kontaktet dhe shkëmbimet me këtë popullatë. Kemi të bëjmë, pra, me një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve (shteteve – të Kosovës, të Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, për aq sa kanë shtet të vetin atje, po edhe shqiptarëve të Malit të Zi).

Promovuesit e idesë për shkëmbim territoresh po e plasojnë atë si përpjekje për “vendosjen e paqes” mes serbëve e shqiptarëve. A besoni se prapa kësaj nuk fshehen synime të tjera të Serbisë?

Ismajli: Mendoj se Serbia përmes një procesi të këtillë po synon të arrijë disa qëllime. Në një anë synon (për aq sa po mund të dëgjojmë në opinion) ta bëjë publikisht të pranueshëm opinionin e saj se Kosova nuk është shtet i themeluar si duhet, pra, ta problematizojë atë. Në këtë proces ajo synon të marrë sa më shumë nga begatitë e Kosovës. Në të njëjtën kohë ajo do ta bëjë legjitim synimin e saj dhe të Republika Srpska-s për bashkim, çka në fakt do të ishte dobia më e madhe për ata që synojnë Serbinë e Madhe. Kuptohet, po synon përmbushjen e kushtit për integrim europian. Më tej ajo po mëton ta realizojë atë që Qosiq e të tjerë e kanë artikuluar ka kohë e që në gjuhën e tyre e kanë quajtur ‘razgrani?enje s Albancima’. Kush e di historikun e shpërkufizimeve të tilla në Ballkanin e sh. 20 e ka të qartë se kjo do të shoqërohet me shpërngulje popullatash, veprime gjenocidale, fatkeqësi të reja. Kush do ta pësonte më shumë në një proces të tillë? Po sigurisht ai që është më i dobët, në radhë parë më i dobët si shtet.

Sipas raportimeve të medies, John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të nuk do të kundërshtonin një marrëveshje për shkëmbim paqesor të territoreve mes Kosovës e Serbisë. A e shihni këtë si shenjë të ndryshimit të qëndrimit të Uashingtonit ndaj Kosovës?

Ismajli: Për qëndrimet dhe deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm ne po informohemi vetëm pjesërisht, aq sa po na serviret. SHBA është shteti më i rëndësishëm dhe ndër të parët fare që e ka njohur Republikën e Kosovës (për më tepër, e ka ndihmuar rritjen dhe pavarësimin e saj), dhe e ka njohur në kufijtë që ka ajo sot. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë është detyrë e jona që t’u japim miqve mundësinë që të na mbështesin edhe më tej. Deklaratat që po përmendni duhet të na shpërgjumin në punën tonë. Nuk po shohim veprimtari koherente, të organizuara të subjekteve politike që sundojnë skenën tek ne, sado që ato subjekte duhet të jenë shumë më të informuara se ne si qytetarë për gjendjen, prapavijat dhe lojërat që ushqejnë ‘pazaret’, siç po thuhet në opinion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat