Kelmendi: Nuk jemi të gatshëm për koncesione në emër të mbështetjes politike - Bota Sot
Kelmendi: Nuk jemi të gatshëm për koncesione në emër të mbështetjes politike

Intervista

E diel, 23 shtator 2018

Kelmendi: Nuk jemi të gatshëm për koncesione në emër të mbështetjes politike

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 gusht 2018 Në ora: 17:27
Ramiz Kelmendi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ramiz Kelmendi,  ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, sjellë rreziqe të reja.. Kelmendi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për përfshirjen e deklaratës së presidentit Ibrahim Rugova rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, duke thënë se ka tentime që të ulet autoriteti i përjetshëm i tij.

Deputeti i LDK-së ka folur edhe për mocionin e opozitës ndaj qeverisë PANA-Lista serbe, duke treguar arsyen se pse nuk po mund të mbledhin votat e nevojshme për rrëzimin e koalicionit qeverisës. Ai po ashtu ka treguar se si do të mund të zgjidhej problemi me listat e veteranëve të UÇK-së.

“Bota sot”: Si i keni parë zhvillimet e ditëve të fundit, ku sërish kufijtë e Kosovës, janë vënë në diskutim, pas një dekade të pavarësisë së shtetit?

Kelmendi: Çdo vonesë në zgjedhjen e statusit të Kosovës, sjellë rreziqe të reja, siç është rasti për shkëmbim territoresh apo ndërrim kufijsh. Ne kemi ngecur me kërkesa për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve tanë të Luginës së Preshevës duke ndërtuar tema për zgjidhje të përgjithshme të çështjes shqiptaro-serbe dhe me këtë raport jemi në disavantazh. Në anën tjetër, kemi palën serbe që ka realizuar qëllimet me bisedime teknike, duke ruajtur territore të manastireve dhe monumenteve tjera historike serbe dhe tani si të pangopshëm, shprehin kërkesa tjera të dhimbshme për Kosovën, për të dërguar bisedimet në qorrsokak dhe për të mundësuar ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare për zgjidhje kërkesash. Në këtë mes, duket se Kosova nuk ka asnjë kërkesë. Pra, rreziku qëndron se pala që ka kërkesa, çdoherë përfiton më shumë nga ana e ndërmjetësuesit.

“Bota sot”: Në media po qarkullon një deklaratë e vitit 1994 e Presidentit Ibrahim Rugova rreth një ideje të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Cili ka qenë qëndrimi i vetë Rugovës për këtë çështje?

Kelmendi: Po mendoj që përfshirja e presidentit historik në këtë temë, është  vazhdimësi e tentimit të uljes se autoritetit të përjetshëm të presidentit Rugova. Presidenti Rugova ka qenë politikan dhe burrështetas i zgjuar dhe me politikën e tij ka arritur të sjellë intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë, duke mundësuar krijimin e shtetit të Kosovës. Pas vdekjes së presidentit Rugova, pozita politike e Kosovës po degradohet.

“Bota sot”: Në rast se pajtohen të dyja shtetet në një të ardhme të afërt, a do të duhej të bashkohej Kosova me Shqipërinë?

Kelmendi: Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë është në të ardhmen e  afërt dhe kjo do të jetë një e mirë për rajonin dhe Ballkanin. Do të mundësohet që liderë të dy shteteve t’i qasen zhvillimit ekonomik. Në të ardhmen e afërt nuk do ketë fare kufij mes nesh. Zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi i ndërsjellë do të krijojë opinion se ne duhet të jemi si një shtet me politikë identike, pjesë e BE-së dhe e NATO-s dhe në miqësi me SHBA-të.

“Bota sot”: A do t’i bashkohet LDK-ja, partisë tjetër opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, në protestat e paralajmëruara për të ndaluar presidentin Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë?

Kelmendi: Paralajmërimi i Vetëvendosjes për protesta të përgjithshme për të ndalur Hashim Thaçin, është një paravan për të përmbysur këtë elitë politike dhe për të promovuar një shtet të së drejtës që unë  e quaj një shtet komunist. LDK ka strukturat e veta dhe kryetarin, të cilët dinë të vendosin në raste të veçanta me interes për Kosovën, por mendoj se shumë qytetarë do t’i bashkëngjiten këtyre  protestave dhe këto protesta do e arrijnë qëllimin e tyre, por ka edhe rrezik se nga këto protesta, të fitojë iniciativa politike e kuqe që kishte me qenë e pafalshme nga Bashkësia ndërkombëtare.

“Bota sot”: Zyrtarë nga partia juaj, kanë përmendur në vazhdimësi mundësinë e një mocioni ndaj Qeverisë Haradinaj. Kur do të mund të shohim veprime konkrete?

Kelmendi: Mocioni ndaj qeverisë Haradinaj po pamundësohet nga mungesa e numrave dhe nga pamundësia për t’u bërë bashkë me Listën serbe, sepse duke e ditur se sa herë ata japin diçka, ne duhet të bëjmë  koncesione. Pra, në këtë rast ne nuk jemi të gatshëm për koncesione në emër të mbështetjes politike. Nuk i kemi numrat, por shpresoj që Parlamenti duhet të bojkotohet derisa vet Qeveria të kërkojë mocion votëbesimi që është praktikë e shteteve demokratike, e nëse kjo nuk ndodhë, ishte dashur që më pas Parlamenti të bojkotohej në tërësi.

“Bota sot”: A e keni përkrahjen edhe të partive tjera për kërkesën e LDK-së që në Kuvendin e Kosovës, të miratohet një Rezolutë, sipas së cilës presidenti Thaçi, nuk do të ketë të drejtë të negociojë për territorin e Kosovës?

Kelmendi: Përkrahja e partive politike opozitare qëndron që presidenti Thaçi të mos dalë jashtë kompetencave të veta, por siç duket, edhe këtu do të mungojnë numrat sërish.

“Bota sot”: Po rekomandimin pozitiv nga LIBE për liberalizimin e vizave për Kosovën, si e komentoni? A do të marrin përfundimisht qytetarët tanë të drejtën e lëvizjes së lirë brenda këtij viti?

Kelmendi: Është një lajm i pritur për të cilin është punuar shumë edhe në  qeverisjen Mustafa, sepse këtu bëhet fjalë për heqjen e izolimit të qytetarëve të Kosovës. U jemi mirënjohës Komisionit dhe strukturave tjera që do realizojnë ëndrrën e kosovarëve për të lëvizur pa viza.

“Bota sot”: Si i shihni zhvillimet e fundit me rastin e hetimeve të veteranëve të UÇK-së dhe dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj? Ka pasur akuza për ndërhyrje të politikës në këtë proces, pas reagimit të kryeministrit Ramush Haradinaj?

Kelmendi: Ikja e prokurorit të prokurorisë speciale për shkak të kërcënimeve që ai i deklaron, është një dëm i madh politik i Kosovës.  Kjo ikje në SHBA deklarohet në mënyrë që ai të jetë i sigurt për vete dhe familje. Janë  deklaratat e shumë liderëve të çmuar të UÇK-së, të cilët vet kanë deklaruar për numrin e tyre të vërtetë dhe tani kur del ky numër aq i madh vërtet e njollosë punën e komisionit për veteran dhe normalisht  vendosë në karrigën e Gjykatës një numër kaq të madh të delikuentëve. Ndaj është e vështirë për prokurorinë, gjyqtarinë dhe vet veteranët inekzistent të merret ndonjë vendim i drejtë, i arsyeshëm dhe real. Do të ketë presione, kërcënime, shantazhime apo edhe prolongime edhe në të ardhmen në mënyrë që të kalojnë afatet, këtyre lëndëve. Unë besoj që do të gjendet një rrugë politike për të  kthyer numrin e veteranëve në numrin real  dhe veteranët e krijuar për të mbështetur partitë e dala nga lufta nuk do t’i votojnë më.

Deklaratat e tilla dhe dokumentet që ekzistojnë kanë treguar të vërtetën. Por, ta dimë se miqtë tanë në prag të bisedimeve intensive me Serbinë, kanë heshtur që kjo mos të dominojë çështje shtetërore me rëndësi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test