Klinaku: Rreziku më i madh për Kosovën është vazhdimi i bisedimeve vetëm për veriun

Intervista

Klinaku: Rreziku më i madh për Kosovën është vazhdimi i bisedimeve vetëm për veriun

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 gusht 2018 Në ora: 10:25
Avni Klinaku

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth çështjeve aktuale në vend, deklarimeve të fundit për korrigjimin e kufijeve, dialogun me Serbinë, bashkimin kombëtar, e të tjera. Klinaku ka thënë se duhet marrë seriozisht edhe reagimet e ndërkombëtarëve kundër idesë së Presidentit Thaçi.

Bota Sot: Z. Klinaku, subjekti juaj ka një kohë të gjatë që ka proklamuar idenë për shkëmbim territoresh, tani që kjo ide po përmendet edhe nga Presidenti Thaçi, cili është vlerësimi juaj?

Avni Klinaku: Më vjen keq, por në pyetjen tuaj ka dy pasaktësi, të cilat për hir të opinionit më duhet t’i sqaroj:

E para, ne asnjëherë nuk kemi thënë apo shkruar se jemi për shkëmbim territoresh! Madje, kemi bërë punë sizifi për ta sqaruar këtë çështje. Në kemi qenë dhe mbesim të bindur, se në rrethanat e krijuara historike, e veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, reciprociteti në të drejta në mes të çështjeve të bashkëmatshme është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve të mbetura me Serbinë. Në këtë raste, të drejtat që Serbia po i kërkon me ngulm për Leposaviqin, Zveçanin e Zubin Potokun duhet t’i plotësojë edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. Ky reciprocitet edhe mund të shpjerë në ridefinim të kufijve, por kjo varet nga rrethanat ndërkombëtare. Ky koncept yni është interpretuar nga opinioni dhe mediat si shkëmbin territoresh, por në realitet reciprociteti në të drejta deri në ridefinim të territoreve dhe shkëmbimi i territoreve janë krejt të ndryshme dhe mund të prodhojnë rezultate të ndryshme!

E dyta, as Presidenti Hashim Thaçi nuk ka dalë qartë për idenë për shkëmbim territoresh. Madje, prej se e ka nisur fushatën për një zgjidhje finale me Serbinë, në çdo konferencë ai ka prezantuar qëndrime të ndryshme me njëra-tjetrën për këtë çështje.

Sidoqoftë, konsideroj se futja e Kosovës Lindore në diskursin e Presidentit dhe interesimi i opinionit publik për këtë çështje janë një hap i madh përpara.

Bota Sot: Pse nuk është marrë parasysh platforma juaj që nga viti 2009 për çështjen e bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën?

Avni Klinaku: Platforma jonë nuk ka gjetur mbështetje as diskutime serioze nga forcat politike në Kosovë për shkak të interesave të ngushta elektorale. Partitë tona kanë parapëlqyer, në njërën anë, populizmin, e në anën tjetër, servilizmin ndaj faktorëve të gërshetuar në këtë çështje për të ardhur më lehtë deri te vota dhe nuk kanë parapëlqyer analiza të mirëfillta e gjetje të zgjidhjeve afatgjata!

Bota Sot: Çfarë nënkuptoni ju me “ridefinim të kufijve”?

Avni Klinaku: Në rrethanat tona, me shprehjen ridefinim të kufijve nënkuptojmë që Presheva, Bujanoci e Medvegja, të banuara me shqiptarë dhe me vullnet të qartë politik e me vazhdimësi territoriale me Kosovën t’i bashkohen Kosovës dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, të banuara me serbë e me vazhdimësi territoriale me Serbinë, t’i bashkohen Serbisë.

Bota Sot: Në këtë pikë, si i komentoni reagimet e ndërkombëtarëve kundër idesë së Thaçit?

Avni Klinaku: Reagimet dhe interesat e ndërkombëtarëve në rrethanat në të cilat ndodhet edhe Kosova, edhe Serbia nuk mund të neglizhohen kurrsesi. Ato duhet trajtuar me kujdesin maksimal dhe natyrisht të harmonizohen me qëllimet e interesat tona. Një pjesë e madhe e këtij faktori është shprehur qartazi se janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kjo duhet kuptuar drejt nga çdokush: kur ata thonë s’ka ndryshim të kufijve, kjo nuk e përjashton ndryshimin e tyre me marrëveshje e me pajtim të dy shteteve. Përjashtimi dhe ndalesa nga ndërkombëtarët e kanë porosinë që kufijtë nuk mund të ndryshohen njëanshëm apo me dhunë, se pastaj kjo do të ngjallte luftëra zinxhirore.

Bota Sot: Çka shihni si rrezik në dialogun me Serbinë?

Avni Klinaku: Rreziku i vërtetë dhe më i madh për Kosovën është nëse ne vazhdojmë me të vjetrën. Pra nëse ne vazhdojmë me bisedime vetëm për veriun e Kosovës, respektivisht vetëm për serbët në Kosovë atëherë kompromiset do të vazhdojnë dhe Kosova do të pësojë humbje pas humbjes. Merreni asociacionin e komunave serbe si kompromis nga bisedimet dhe do ta shihni që kur ky asociacion të kombinohet me të privilegjet e mëhershme që u janë dhënë serbëve, atëherë do të shihni se sa shtet jofunksional do të bëhet Kosova. Dhe, kështu, me këtë politikë që jemi duke e ndjekur ne, serbët dhe Serbia nuk do të jenë të kënaqur as me këtë. Ata do të vazhdojnë të kërkojnë e të kërkojnë!

Bota Sot: Kush duhet të fajësohet për këtë gjendje në të cilën ndodhet sot Kosova?

Avni Klinaku: Fajtorë për këtë çështje jemi pa përjashtim të gjithë, vetëm dallojmë për nga natyra dhe pesha e fajit.  Në fillim të bisedimeve, të gjitha partitë politike “janë betuar” se nuk do të pranojnë bisedime politike me Serbinë dhe ne që deklaronim se Kosova do të përfundojë dhe duhet të përfundojë në bisedime politike për zgjidhjen e problemeve te mbetura me Serbinë, ne, Lëvizjen për Bashkim, na kanë vënë “në bankën e  të akuzuarve”.  Duke qenë kështu, këto parti hynë të papërgatitura në bisedime dhe natyrisht rezultatet ishin të këqija për ne.

Për këto rezultate të këqija, për këto “zgjidhje” që nuk janë zgjidhje, fajtori kryesor dhe pesha më e madhe e fajit bie mbi atë që e ka pasur peshën më të madhe të përgjegjësisë në institucione – PDK-në dhe Hashim Thaçin; faj të madh ka edhe LDK-ja që i ka mbështetur këto bisedime dhe e ka votuar edhe rezolutën për bisedime, edhe marrëveshjen me Serbinë; faj të madh ka edhe AAK-ja, e cila përveçqë i ka mbështetur bisedimet dhe e ka votuar marrëveshjen, ajo edhe e ka dërguar përfaqësuesin e vet, Blerim Shalën, në këto bisedime; faj shumë të madh ka edhe LVV-ja, e cila me ekstremizmin e vet kundër bisedimeve e ka mbytur çdo debat për bisedimet dhe debati në vend se të zhvillohet për agjendën, për platformën e për ekipin për bisedime, ai është orientuar në debatin e kotë se a duhet të ketë apo jo bisedime, madje deri në akuzat për tradhtarë e patriotë. Faji ynë i vetëm si LB ka qenë se nuk kemi pasur fuqi të mjaftueshme për ta vendosur në binarët e duhur këtë proces. Përndryshe, pas një pune të gjatë, ne e kemi hartuar platformën për bisedime më 2010, e kemi ofruar agjendën për bisedime më 2011 dhe kemi bërë përpjekje që edhe partitë tjerë ta bëjë të njëjtën gjë dhe pastaj t’i harmonizojmë ato dhe të shkojmë drejt hartimit të një platforme kombëtare, por krejt kjo ka hasur në vesh të shurdhër.

Bota Sot: Cilat janë pritjet tuaja sa i përket epilogut të dialogut me Serbinë?

Avni Klinaku: Pritjet e mia nga këto bisedime janë shumë të vogla. Ende nuk kemi ndonjë reflektim real as të Serbisë, e as të partive tona për atë se çka ka ndodhur në këtë dialog; të dyja palët, edhe Kosova, edhe Serbia, akoma nuk u janë qasur bisedimeve me seriozitetin që e kërkon kjo çështje; partitë tona këtë çështje janë duke e keqpërdorur për nevoja elektorale etj. Kështu, siç është vepruar deri më tani, zgjidhja finale e proklamuar jo që nuk mund të vijë shpejt, por nuk do të vijë fare! Duhet ndërruar shumëçka për ta pasur të paktën shpresën.

Bota Sot: A është i nevojshëm tani bashkimi kombëtar, në situatën në të cilën ndodhet Kosova?

Avni Klinaku: Bashkimi kombëtar është një proces gjithmonë i nevojshëm. Është tjetër gjë mundësia e tanishme e realizimit, e cila lidhet me rrethanat ndërkombëtare në të cilat ndodhemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat