Edhe Limaj kundër Thaçit: Deklarimet për korrigjim të kufijve, të papranueshme - Bota Sot
Edhe Limaj kundër Thaçit: Deklarimet për korrigjim të kufijve, të papranueshme

Intervista

E diel, 19 gusht 2018

Edhe Limaj kundër Thaçit: Deklarimet për korrigjim të kufijve, të papranueshme

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 17:12
Fatmir Limaj, gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë.

"Kemi obligim të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe deklarimet për korrigjim të kufijve nga bartësit e institucioneve janë të papranueshme". Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Limaj zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i partisë Nisma Socialdemokrate. Ai tha se në Kosovë, kurrë nuk do të ketë Republika Serbe dhe diçka e tillë sipas tij, do ta rrënonte e shkatërronte Kosovën.

Zoti Limaj, sa më shumë që po afrohet faza finale në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aq më shumë po shtohen edhe deklaratat nga zyrtarët më të lartë të shtetit për, siç thuhet, korrigjim të kufijve, duke e përfshirë mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovës. Por, në fakt sa janë reale deklarata e pritje të tilla, sipas jush?

Fatmir Limaj: Ne, jemi në një moment kur do të duhej të fillojë ky dialogu final, e që përfundon me një marrëveshje siç po thuhet obligative, e që çon në njohjen reciproke të dyja vendeve dhe ky dialog ende nuk ka filluar. Ky dialog para se të fillojë, duhet të ketë një ekip, siç është debati në Kosovë e në institucione, që të kemi një ekip i cili dota udhëheqë këtë dialog.

Ka zëra të pasjes së një platforme, principe e parime të ndryshme dhe krejt këto janë në fazën e para përgatitjes për të ndërtuar ekipin që Kosova të jetë e gatshme për të zhvilluar këtë pjesën finale të dialogut.

Natyrisht, ne si vend jemi të interesuar që t'i mbyllim çështjet e hapura me vendet fqinje dhe qëndrimi im, apeli im është për të gjithë drejtuesit këtu në institucione, të kenë kujdes në deklarimet e tyre, sidomos drejtuesit e institucioneve.

Ne këtu kemi obligim të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Deklarimet e tilla nga bartësit e institucioneve jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, janë të papranueshme. Duhet të jemi të kujdesshëm çka po deklarojmë. Nuk është mirë dhe nuk e ndihmon ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë dhe përgatitjet tona për atë pjesë të dialogut final.

Nëse, dikush ka nevojë ta përgatisë opinionin është Serbia ajo që duhet ... nëse (Aleksandar) Vuçiqi punon dhe çdo ditë ka deklarime të përgatisë opinionin e vetë, është e kuptueshme sepse ata e kanë humbur Kosovën tash e 20 vjet.

Ne si drejtues të Kosovës nuk kemi nevojë ta përgatisim Kosovën, sepse Kosova është shtet i pavarur i njohur. Ne kemi ligje e Kushtetutë dhe kemi përfunduar këtu më pakon e Ahtisarit. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm në qëndrime kontradiktore, të vazhdueshme, para dite thuhet diçka tjetër e pas dite diçka tjetër.

Kjo jo vetëm që nuk ndihmon, kjo i dëmton përpjekjet për ndërtim konsensusi, dëmton dhe besueshmëri në procesin që vjen, fut pa nevojë frikë dhe panik dhe mbi të gjitha është në kundërshtim me detyrat që i kemi. Praktikisht, janë deklarime jashtë Kushtetutës dhe kjo nuk do të duhej të ndodhë nga bartësit e institucioneve.

Nëse do të hapej çështja e korrigjimit të kufijve, cilat do të ishin efektet për Kosovën, marrë parasysh se edhe në Beograd shpesh është folur për ndarjen e Kosovës?

Fatmir Limaj: Ajo çka unë sot mund t'ju them ju është se të gjithë duhet ta kuptojnë, të gjithë duhet ta kenë të qartë, Kosova nuk do të pranojë dhe nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje që e minon, e shkatërron shtetin tonë në asnjë variant.

Askush në Kosovë, asnjë bartës i institucioneve, asnjëri nga ne, as nuk kemi të drejt as nuk do të mundemi po të donim ta bënim një gjë të tillë. Kosova është më e madhe se bartësit e institucioneve. Jemi duke folur për një çështje jetike, në Kosovë Republika Serbe kurrë nuk do të ketë, kurrë kosovarët nuk do ta pranojnë. Po them qytetarët e Kosovës kurrë nuk kanë për ta pranuar. Ne nuk do ta pranojmë një gjë të tillë. Ky është rrënim dhe shkatërrim i vendit tonë.

Ne kemi shembullin çka po ndodh në Bosnje, prandaj të gjithë ata që kanë pretendime të tilla, e ne e dimë që ka pretendime të tilla, për ta minuar, që të futen mina. Në këtë përpjekje që e kemi bërë së bashku me komunitetin ndërkombëtar, duhet ta kuptojnë në Kosovë kjo nuk shkon. Kosova është një realitet tjetër, nuk është Bosnje dhe nuk ka çmim që mund të futet për t’u paguar, për ta shkatërruar shtetin tonë. Nuk ka zgjidhje, ajo nuk është zgjidhja.

Ne presimi një dialog për çështje të hapura. Natyrisht ne kemi çështje që duhet t'i diskutojmë me Serbinë, besoj se edhe Serbia ka çështje që duhet t'i diskutojë me Kosovën. Po këto janë tema që do të shkonin në mbyllje të çështjeve të hapura të kontestit, tema të cilat do të na krijonin një situatë të re të zhvillimit të rajonit dhe për t'i mbyllur konfliktet ose temat e hapura dhe përfundimisht kjo të rezultojë me njohjen reciproke të dy vendeve, pra me njohjen e Kosovës në fakt nga Serbia. Kosova të anëtarësohet në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë dhe në OKB. Kjo është ajo që ne presim, e që duhet të punojmë.

Nisur nga këto pozicione të Prishtinës dhe Beogradit, a prisni ju që në fund dialogu të përmbyllet me një marrëveshje historike të normalizimit të marrëdhënieve?

Fatmir Limaj: Është në interesin e Serbisë, nëse mund ta them, ta heqë nga qafa këtë barë të rëndë të Kosovës, që pa nevojë tash e njëzet vjet po i ndëshkon qytetarët e vetë. Përfundimisht, ata duhet ta kuptojnë realitetin dhe të vazhdojmë të jetojmë si fqinj duke ndihmuar njeri-tjetrin dhe duke shkuar në rrugën strategjike që e ka rajoni, drejt integrimeve evropiane. Kjo është ajo. Kjo ka kuptim në një marrëveshje finale dhe kjo mund të quhet një marrëveshje paqeje dhe kjo mund të quhet një përmbyllje përfundimtare e konfliktit. Mos harroni, unë besoj se përmbyllja e temave të hapura mes Kosovës dhe Serbisë është përmbyllja e konfliktit më të gjatë e më të hershëm historik në Evropë.

Pse në fakt mungon një konsensus dhe platformë për dialogun?

Fatmir Limaj: Problemi është aty kur kemi folur se pas një tradite të konsensusit për tema nacionale, të viteve të luftës, të pasluftës e deri te Vjena, është prishur ai konsensus, që për tema nacionale të jemi të gjithë bashkë, sidomos pas vitit 2011 të bisedave, të quajtura dialogu i Brukselit.

Zhvillimi i dialogut të Brukselit në mënyrë jotransparente, pa llogaridhënie dhe individuale dhe ashtu siç ka shkuar pa përgatitur, ka dëmtuar traditën e konsensusit të ndërtuar në të kaluarën. Prandaj dhe kemi këto probleme që kemi. Por, e rëndësishme është se tani të gjithë e kanë kuptuar se pa një konsensus të gjerë në tema nacionale, Kosova nuk mund të fitojë, Kosova mund të dëmtohet dhe nuk mund të shkohet pa pasur një konsensus sa më të gjerë. Unë besoj që këto vështirësi që po i kemi në drejtim të ndërtimit të konsensusit është rezultat i asaj që ka ndodhur nga viti 2011 e deri më tani, për shkak të mosbesimit, kredibilitetit, marrëveshjeve të këqija, jotransparencës.

Tani është koha të ulemi seriozisht të gjithë faktorët politikë. E rëndësishme është se që të gjithë janë për dialog dhe dalëngadalë të rindërtojmë edhe njëherë konsensusin nacional për tema nacionale.

A mendoni se opozitës do të duhej t’i jepet një rol prijës në dialog?

Fatmir Limaj: Pse jo. Sa e duam ne Kosovën e do edhe opozita. Këtu nuk është çështja pozitë-opozitë. Ajo që mua më intereson është që të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Nuk mund që dikush të qëndrojë duke vëzhguar dhe të bëjë me gisht, e dikush të marrë përgjegjësi sepse tema nuk është e brendshme, tema që do të vendosë njëherë e përgjithmonë të ardhmen dhe fatin e këtij vendi.

Prandaj, e rëndësishme është që të gjithë të jemi të përfshirë dhe pastaj duhet të bëhet grupi. Kushdo që do të udhëheqë nga ne, pse jo të mos e ketë rolin prijës njëri nga grupet parlamentare ose nga drejtuesit e grupeve parlamentare. Këto çështje të gjitha duhet hapur, duhet diskutuar dhe të diskutohet për të gjitha variantet ose mënyrat se si i shikojnë grupet politike. Siç thash, kemi prodhuar lloj-lloj dokumentesh. Të ulemi, t’i shikojmë ato dokumente, të gjejmë zgjidhjen ose formulën që na bashkon të gjithëve. Pra, ne jemi vonë, realisht por, do të thosha se kemi ende kohë për ta bërë. E rëndësishme është se nuk guxojmë të nxitojmë dhe të futemi në një dialog pa u përgatitur, e të përçarë. Kjo nuk guxon të ndodhë në Kosovë. Duhet të kemi gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar e bashkuar gjithë spektrin politik të këtij vendi, që reflekton shumicën e qytetarëve të Kosovës. Atëherë, ne futemi me një siguri shumë më të madhe, të përgatitur për të marrë përgjegjësi. Jemi duke folur për një temë jashtëzakonisht serioze.

Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër. Partitë opozitare besojnë se Qeveria Haradinaj nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend dhe duhet të largohet. Kështu thonë ata. Sa është e qëndrueshme kjo Qeveri?

Fatmir Limaj: Mund të jetë një hipotezë e saktë nga opozita. Por, ju e dini se këtu duhet të veprojmë sipas ligjeve. Kjo duhet të verifikohet dhe kjo është mundësi e hapur në çdo kohë për grupet politike që janë të interesuara për të verifikuar shumicën, a e ka apo jo kjo Qeveri shumicën. Këtë mund ta verifikojnë përmes Parlamentit. Përderisa nuk verifikohet, është hipotezë dhe s'kisha për t'u marrë tash për tash me hipoteza./REL

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test