Ndihem tërësisht e integruar në ambientin shoqëror dhe kulturor ku jetoj

Intervista

Ndihem tërësisht e integruar në ambientin shoqëror dhe kulturor ku jetoj

Nga: Ajete Zogaj Më: 10 korrik 2018 Në ora: 11:25

“Përkthimi për mua është kërkim dhe udhëtim nga një kulturë në tjetrën gjatë së cilit mëson gjithmonë diçka të re. Veç kësaj, është edhe një lloj studimi në rrafshin krahasues ku nevojitet një punë e vazhdueshme kërkimore” thotë ndër të tjera në bashkëbisedimin tonë Albana Alia

Zonja Albana, janë shumë vite që jetoni në Italinë e Jugut. Keni krijuar familje, keni mbaruar studimet dhe punoni. Si jeni përshtatur dhe si e ndieni veten në atë ambient shoqëror dhe kulturor?

Hyra në Itali në tetor të vitit 1992, menjëherë pasi përfundova studimet në universitetin e Tiranës në Degën ekonomi tregtie. Njihja fare pak gjuhën italiane dhe, si për çdo emigrant tjetër, në fillim m’u desh të përballoja situata të vështira. Më tej të ndihmon vetë koha dhe forca e vullnetit për të ecur përpara dhe për të sfiduar jetën në vend të huaj. Kështu, krahas punëve të ndryshme për një jetesë normale, arrita të përfundoj me rezultate maksimale studimet universitare dhe pasuniversitare në degën “Gjuhë dhe letërsi moderne evropiane dhe angloamerikane” të Fakultetit të letërsisë dhe filozofisë pranë UNICAL (Universiteti i Kalabrisë).

Pas përgatitjes njëvjeçare në kursin e veçantë TFA, arrita të fitoj konkursin kombëtar për docente në gjuhë dhe letërsi angloamerikane. Përveç mësimdhënies dhe projekteve të ndryshme në gjuhën angleze apo në zonat arbëreshe, vazhdoj të ushtroj me pasion të veçantë edhe fushën e përkthimit letrar. Ndërkaq, arrita të krijoj një familje të mrekullueshme. Kam vite pa u kthyer në Shqipëri pasi kam qenë tepër e zënë me studime të ndryshme, por herët a vonë edhe kjo dëshirë do të realizohet.

Tashmë ndihem e integruar tërësisht në ambientin shoqëror dhe kulturor ku jetoj. Organizohen konferenca dhe takime të ndryshme kulturore ku marr pjesë aktive apo organizoj vetë deri në detajet më të imta. Në procesin e mësimdhënies formimi i vazhdueshëm mbetet detyrë e domosdoshme për mua në lidhje me kompetencat kryesore të komunitetit evropian.

Çka mund të thoni për jetën e një familjeje të përzier: a ndikon kjo në harmoninë e jetës dhe në edukimin e fëmijëve, në rastin tuaj në jetën dhe edukimin e dy vajzave?

Faktikisht familja ime është e përzier, pasi im shoq është italian, prandaj dy vajzat gjenden në një linjë kufiri mes dy gjuhësh dhe kulturash të ndryshme. Edhe për to bëhet i nevojshëm një “përkthim” i vazhdueshëm për një përvetësim të mëtejshëm dhe krahasim kritik mes dy gjuhësh e kulturash siç janë shqipja dhe italishtja. Janë ende të vogla, por mundohem t’u mësoj shqipen ndonëse gjenden në një kontekst paksa të veçantë për ta përvetësuar më së miri. Edukimi i vajzave për mua mbetet detyra kryesore. Është e domosdoshme të mësojnë të konsiderojnë çdo aspekt të jetës me frymë kritike, pa u ndalur në vështrime të përgjithshme. Do të dëshiroja të gjykonin vazhdimisht me mendjen e tyre dhe të ripërdornin në mënyrë krijuese çdo lloj mësimi që marrin.

Për temën tuaj të laurimit keni zgjedhur romanin “Karpa” të Martin Camajt. Pse zgjodhet këtë vepër të letërsisë shqipe dhe pikërisht këtë roman?

Martin Camaj ishte i panjohur për mua deri në një orë të zakonshme leksioni në gjuhën shqipe (UNICAL) kur profesor Anton Nikë Berisha më zgjati një vëllim poetik “Njeriu më vete e me të tjerë” duke më këshilluar ta lexoja. Sinqerisht, e lexova pa u thelluar shumë dhe nuk arrita ta kuptoja mirë. Në vitin e fundit, kur do të përgatisja temën mbi praninë e Hijes në vepra të ndryshme të disa autorëve ndërkombëtarë (përfshirë edhe ato të Ismail Kadaresë) profesori, që më vonë do të drejtonte punimet e tezës sime, më dha një libër tjetër me një kopertinë lëkure të errët ... “Karpa”, autor Martin Camaj. Ishte ditë e premte. Vite me radhë studimesh të letërsisë dhe kulturës angloamerikane (me vëllime të panumërta) më kishin përgatitur nga ana profesionale për të analizuar me një sy kritik të veçantë çdo lloj teksti, pa marrë parasysh autorin apo jetën e tij dhe influencat e ndryshme në krijimtarinë artistike. Mbaj mend që të hënën në mëngjes shkova të takoja profesorin me një fletore të tërë me shënime, një lloj analize e shpejtë e kryeveprës së Martin Camajt. Isha tmerrësisht e emocionuar që kisha gjetur aq shumë elemente për të analizuar në një vepër të vetme të një autori shqiptar. Më tej u interesova për jetën dhe veprimtarinë krijuese dhe akademike të profesor Martin Camajt. Qe një zbulim i jashtëzakonshëm për mua dhe iu përkushtova me shumë pasion me ndihmën e vazhdueshme të profesor Berishës që më bëri të lexoja edhe disa dorëshkrime dhe letra të shumta (të pabotuara ende) të Martin Camajt. Me ndihmën e veçantë të prof. Francesco Altimari-t dhe të zonjës Erika Camaj dhe z. Hans Joachim Lanksch, botimi i studimit tim “La cattedrale gotica. Interpretazione del romanzo Karpa di Martin Camaj” shënoi një bashkëpunim të parë mes dy fondacionesh “Francesco Solano” pranë UNICAL dhe shoqatës “Martin Camaj Gesellschaft”. Ishte një kënaqësi tepër e veçantë, një kurorëzim i frytshëm i studimit për kryeveprën në prozë të Martin Camajt.

Ky roman mbetet një vepër me identitet të hapur në të cilën ndërthuren elemente të ndryshme historike, letrare, forma të ndryshme arti, folklori, mitologjia, rite të shenjta dhe pagane si edhe një tërësi simbolesh, metaforash e vizionesh sublime. Camaj krijoi veprën e tij si një katedrale gotike, komplekse, ku elementet fantastike, teatrale e metateatrale përfshihen nëpër referimet dhe aluzionet ndërtekstore. Karpa është një labirint ku personazhet, lexuesi, madje dhe vetë autori, kërkojnë të zbulojnë diçka më tepër për veten dhe botën e brendshme në një proces të vazhdueshëm përsiatjesh mbi të tashmen dhe të ardhmen, pa harruar të shkuarën.

Keni botuar në italisht studimin për romanin “Karpa” me titullin “La cattedrale gotica”. Katedralja gotike. Si është pritur ai dhe për çfarë arsye nuk e keni botuar edhe në shqip?

Në bisedat e ndryshme që kam pasur, shumë miq, italianë dhe shqiptarë që e kanë lexuar me kujdes librin, më kanë këshilluar ta përktheja, madje dy prej tyre më ofruan edhe ndihmën e tyre. Problemi është që ajo vepër u shtjellua në gjuhën italiane, pasi gjithë njohuritë e mia letrare ishin përqendruar në gjuhën italiane dhe atë angleze. Ende s’kam marrë guximin ta përkthej vetë, pasi më duket sikur do ta cenoj. Ka shumë terma të veçantë për të cilat do të ishte vështirë të gjeja ekuivalentet e përshtatshme në gjuhën shqipe. Veç kësaj, e kam përjetuar shumë thellë atë studim. Camaj ka kaluar një periudhë tepër të vështirë, si çdo emigrant tjetër; ka ecur me vullnetin dhe inteligjencën e vet gjithmonë përpara, pa ndihmën e askujt. Nuk besoj se do të përsëritej një përjetim i tillë. Ishte një proces tepër i vështirë dhe përkthimi do të më rikthente në ato çaste të vështira. Aktualisht po merrem me studimin e veprës së një autori tepër të rëndësishëm, por rasti i Camajt do të mbetet i papërsëritshëm, siç ishte ai vetë.

Jeni edhe autore e studimit për Othellon në rrafshin krahasimtar. Na thoni se çka vështroni në të?

Jam specializuar për letërsi angloamerikane dhe kam shkruar artikuj të ndryshëm për tragjeditë e William Shakespeare-it, në veçanti për temën e ujit. Othello është njëra nga tragjeditë, vepër për të cilën kam botuar një studim të krahasuar. Studimi im, në perspektivë diakronike dhe diatopike, bazohet në konceptin e rishkrimit si praktikë metamorfike dhe përkthimit si rishkrim, marrëdhënie dhe ndërveprim transkulturor.

Tragjedia “Othello” është rishkruar disa herë. Ndërmjet shkrimtarëve të letërsisë postkoloniale përmendim Caryl Phillips me romanin The Nature of Blood; poetin, Derek Walcott me poezinë Goats and Monkeys (në vëllimin poetik The Castaway and Other Poems) që vë në dukje rreziqet dhe dramën e martesave të përziera etnike. Studimi i krahasuar përfshin edhe ipotekstin Gli Ecatommiti, III dec., 1565 të G. G. Cinzio dhe ipertekstet: W. Shakespeare The tragedy of Othello, The Moor of Venice, (që vihet në skenë për herë të parë në Whitewall Palace, Londër, 1604), përkthimin e F.S.Nolit Tragjedia e Othello’s Arapit të Venetikut, Boston Mass., Federata Pan-Shqiptare Vatra, 1916 dhe romanin e B. Blushit Otello, Arapi i Vlorës, Botimet Toena, 2009.

F. S. Noli përmbush rolin e një mediatori ndërkulturor dhe realizon një përkthim njëkohësisht semantik dhe komunikues duke e pasur të qartë dialektikën mes tekstit letrar dhe tekstit që vihet në skenë: “Për të kuptuar këtë vepër, si dhe çdo tjatër vepër shekspiriane, duhet mbajtur mend që është shkruar kryesisht për t’u luajtur mbi skenën” (F. S. Noli. Hamleti, Tiranë, N. Frashëri, 1973). Noli realizon përkthimin nëpërmjet përdorimit të gjerë të foljes, veprimit, prerjeve dhe shtesave (përforcime apo endiade) për të arritur metrikën dhe ritmin që i përshtatet skenës duke kërkuar vazhdimisht një dialog dinamik dhe të menjëhershëm për një performance të mundshme në skenën shqiptare.

Veç kësaj Noli rishkruan tekstin duke ia përshtatur më së miri gjuhës shqipe nëpërmjet përdorimit të një frazeologjie të pasur tipike shqiptare, këngë popullore (të dashurisë apo vajtimet), fjalë të urta, lojëra gjuhësore, etj. Studimi vazhdon me analizën e emrave dhe emërtimeve të ndryshme, me huazimet nga turqishtja, greqishtja, frëngjishtja dhe italishtja, me tolerancë të veçantë përkundrejt terminologjisë ushtarake.

Një analizë të detajuar meritojnë shprehjet fetare, përshëndetjet dhe urimet apo mallkimet e përshtatura mjaft mirë në shqip, por edhe realizimet e figurave të ndryshme letrare me ekuivalentet në shqip, duke mbajtur metaforat, aliteracionet apo përforcimet në ndërtimet sinonimike.

Shumë aspekte të romanit të B. Blushit mundësojnë kërkimin e gjurmëve ndërtekstore të ndërthurura me elemente që i përkasin botës fantastike por edhe asaj neofantastike që trajton vazhdimisht pasigurinë e së ardhmes duke eksploruar me intensitet jetën dhe natyrën njerëzore në të gjitha shfaqjet e saj: vuajtjet, ligësitë, konfliktet e brendshme mes dashurisë dhe urrejtjes, metamorfozave si konsekuencë e brishtësisë apo fuqisë njerëzore.

Në veprën e Blushit realizohet mjaft mirë loja mes sipërfaqes në shfaqje dhe strukturës fantazmatike. Ndërkaq, imagery e romanit përfshin ngjyrën e zezë të Otellos, të natës, të shenjave, të nëntokës si përfaqësim i së keqes, i ferrit, i një bote Tjetër, i një realiteti Tjetër nën praninë e vazhdueshme të shpirtrave që u përkasin të dy botëve, jetës dhe vdekjes.

Njihni në mënyrë të shkëlqyer disa gjuhë. Nga ju lindi dashuria për gjuhët e huaja dhe sa ju ndihmojnë ato në jetën e përditshme?

Dashuria për gjuhët lindi si lojë mes meje dhe gjyshes sime që ishte rritur në Athinë dhe fliste vetëm greqisht me mua. U rrita me të duke folur greqisht dhe kjo më ndihmoi shumë në përvetësimin e gjuhëve të tjera. Tashmë dihet se fëmijët dygjuhësh përftojnë një vizion tjetër për jetën në krahasim me fëmijët e tjerë. Kjo ndoshta më ka ndihmuar edhe mua për të pasur një mentalitet të hapur drejt gjuhëve dhe kulturave të tjera. Shpesh, pa e kuptuar, kur kam diçka të rëndësishme për të bërë mendoj në gjuhën time, në shqip, ndonëse jam në komunikim të vazhdueshëm gati me çdo gjuhë tjetër veç shqipes. Gjuhët janë pasuri mendimi dhe pasuri shpirtërore. Ato të ndihmojnë shumë nga ana profesionale, në përkthime, por edhe në udhëtime të ndryshme. Është e këndshme loja me gjuhët dhe dialektet e ndryshme, veçanërisht ato italiane.

Keni përkthyer një varg veprash letrare e jo letrare nga shqipja në italisht dhe nga italishtja në shqip.

A mund t’i përmendni disa nga punët tuaja kryesore të bëra deri më tani në këtë fushë?

Përkthimi për mua është kërkim dhe udhëtim nga një kulturë në tjetrën gjatë së cilit mëson gjithmonë diçka të re. Veç kësaj, është edhe një lloj studimi në rrafshin krahasues ku nevojitet një punë e vazhdueshme kërkimore.

Disa nga veprat e përkthyera në shqip:

•    Paskal Skura. Arbëreshët në Itali, (titulli origjinal “Pasquale Scura. Gli albanesi in Italia”, a cura di Francesco Perri, Lepisma, Roma 2012). Ese dhe dokumente historike.

•    Benedikti XVI Të përvetësosh besimin, Fjala Hyjnore, Svizzera 2016. (Titulli origjinal: Benedetto XVI “Imparare a credere”, Libreria Editrice Vaticana 2012.)

•    Dante Maffia, Të flasësh me sytë e saj, poezi të zgjedhura dhe të përkthyera nga Albana Alia me parathënie të Anton Nikë Berishës, Beqir Musliu, Gjilan (Kosovo) 2016.

•    AA.VV, Na bashkon një det. Antologji me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut, Milosao, Sarandë 2016.

•    Anna Santoliquido, Profetesha, poezi të zgjedhura, Sarandë, Milosao 2017 (Në vitin 2017 kjo poete fitoi Cmimin e Lartë Laurea Apollinaris Poetica).

•    Giulia Poli di Santo, Nga zemra në qiell, poezi, Sarandë, Milosao 2017.

•    Marco Ignazio De Santis, Në kërkim të bashkës së artë / Alla ricerca del vello d’oro, poezi, Sarandë, Milosao 2017.

•    Giovanni Pistoia, Heshtje e mohuar - Privati silenzi, Lecce, Youcaprint 2017. (përkthim dhe parathënie nga Albana Alia).

Disa nga veprat e përkthyera në italisht janë:

•    Anton Nikë Berisha, La sete pietrificata, romanzo, Cosenza, Pellegrini 2013. (Titulli origjinal: “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”), Prishtina, Faik Konica 2002.

•    Anton Nikë Berisha, Il fulgore della bellezza, poema. (Titulli origjinal: “Prushi i bukurisë”, Cosenza, Pellegrini 2014.)

•    Anton Nikë Berisha, Il sogno del vento. Racconto di Madre Teresa, romanzo. (Titulli origjinal: “Dritë në shtjellën e gërbulës”), Cosenza, Pellegrini 2016 (Bashkë me Fiorella De Rosa).

•    Francesco Solano Il deserto di pietra, Albanistica 6. Dushko Vetmo, Atologji letrare. Poezi. Prozë. Vepra teatrale. Antologia letteraria. Poesia. Prosa. Opere teatrali. Comet Editor Press. Cosenza 2015.

•    Miradije Ramiqi, L’amore parla dal cuore del sole. Zgjedhje e poezive (Titulli origjinal: “Dashuria flet me zemrën e diellit”), Faik Konica 2014.

•    Ibrahim Kadriu, Tempo incenerito nelle pupille, poesie scelte, Cosenza, Pellegrini, 2015. (Titulli origjinal: “Kohë e djegur në bebëza”, Prishtina, Faik Konica 2014.)

•    Genc Kastrati, La luna sul tuo volto. Zgjedhje e poezive. Lecce, Youcanprint 2017. (përkthimi dhe parathënia nga Albana Alia)

Antologji me poete shqiptare në revistën kulturore vjetore LabOA: LEA 6-2017, Firenze University Press.

Është botuar në Kozencë përkthimi juaj i romanit të Anton Nikë Berishës “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, që në italisht ka titullin “La sete pietrificata” (Etja e gurëzuar), përkthim ky i vlerësuar lart nga shkrimtarët italianë. Çka do të thotë kjo për ju?

Vëllimi Romanzo di estrema bellezza (Roman i bukurisë së skajshme) i përgatitur nga unë dhe Labinot Berisha përmbledh recensionet e shumë shkrimtarëve dhe studiuesve italianë dhe arbëreshë mbi romanin e profesor Anton Nikë Berishës La sete pietrificata, Cosenza, Pellegrini, 2013 (Titulli origjinal: Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar). Ky botim përfaqëson një rast të veçantë jo vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për atë italiane pasi vlerësohet si një vepër tepër komplekse, e rëndësishme dhe me vlera të larta poetike. Romani nxit një lexim të thellë jo vetëm për gjuhën e pasur artistike, por edhe për përsiatjet gjuhësore, historike, etnografike, antropologjike që përmban çdo faqe e tij. Ai cilësohet nga një varg studiuesish si një vepër vlerash të mëdha poetike, një roman i bukurisë së skajshme. Për mua ka një rëndësi të veçantë pasi përbën jo vetëm kryeveprën në prozë poetike të profesor Berishës, por edhe veprën kryesore nëpërmjet së cilës u konsolidua puna ime si përkthyese në gjuhën italiane. Procesi i përkthimit ishte i gjatë dhe i ndërlikuar për të realizuar një tekst që do të komunikonte më pas aq bukur me lexuesin italian.

Sa do ta ndihmonte përkthimin cilësor të veprave letrare shqipe në gjuhë të tjera ekzistimi i një organi në nivelin shtetëror, në Shqipëri ose në Kosovë. Them kështu për arsye se, mjerisht, këto punë ende mbesin në rrafshin individual ose (më rrallë) grupor?

Kohët e fundit ka qenë kënaqësi për mua të dëgjoja për veprimtarinë e grupit të punës në Tiranë të drejtuar nga Mimoza Hysa që, veç të tjerash, kanë filluar të merren me përkthime cilësore. Në të njëjtin grup bën pjesë edhe një përkthyes shumë i përgatitur për anglishten dhe frëngjishten që e kam pasur shok fëmijërie dhe universiteti.

Përsa i përket Kosovës, mendoj se aty ka përkthyes shumë të mirë në gjuhën angleze. Kam pasur rastin të lexoja disa përkthime me të vërtetë profesionale.

Së fundi, a mund të thoni se ç’mund të presë lexuesi nga Albana studiuese dhe nga Albana përkthyese?

Në këtë periudhë po punoj me përkthime letrare dhe shkencore. Në veçanti, me përkthimin e dy romaneve dhe të një vëllimi poetik, por më tërheq më tepër studimi monografik për një autor anglez. Studimi do të botohet së shpejti.

Ju falënderoj shumë për bisedën e këndshme!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat