Anton Quni fton Prokurorinë që t`i demaskojë profiterët e luftës

Intervista

Anton Quni fton Prokurorinë që t`i demaskojë profiterët e luftës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 qershor 2018 Në ora: 08:29
Anton Quni

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputeti i LDK-së Anton Quni, ka treguar se aktualisht Kosova ka ngecje në njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, derisa ka thënë se vendi është duke degraduar në proceset e brendshme për shkak të institucioneve pa kredibilitet politik dhe moral.

Quni po ashtu ka shpjeguar se, transformimi i FSK-së në FAK duhet të bëhet duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ky proces është dizajnuar të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare të cilat kanë dhënë shumë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Deputeti Quni, ka komentuar sërish çështjen e milionave që janë keqpërdorur gjatë luftës se fundit në Kosovë e që kane qenë mjete të dedikuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Anton Quni: Në agjendat ndërkombëtare, Kosova pothuajse gjendet në margjinat e interesit të tyre. Kemi ngecje në njohje të reja, vështirësi në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe mosinteresim për investime nga jashtë. Në raport më Serbinë kryesisht reagojmë në iniciativat e tyre që do të thotë në më shumë merremi më pasojat si rezultat i politikave të Beogradit.

Kurse në proceset e brendshme jemi duke u degraduar për shkak të institucioneve pa kredibilitet politik dhe moral.

“Bota sot”:  LDK është shprehur e gatshme që të marrë iniciativë për rrëzimin e qeverisë, mendoni se kjo është e mundur dhe si mund të ndodh?

Anton Quni: Gjendja aktuale është paradoks i llojit të vet. Përkundër realitetit se pozita nuk e përbën shumicën në parlament ajo vazhdon të qeverisë më vendin, fatkeqësisht.

LDK-ja prandaj insiston në caktimin e datës për zgjedhje të reja, por për ketë çështje nevojitet pajtueshmëria më e gjerë e partive parlamentare.

“Bota sot”: Gjykata Kushtetuese ka vendos në përkrahje të Qeverisë për ngritjen e pagave, si e vlerësoni ketë, mendoni Gjykata nuk ka vepruar drejtë?

Anton Quni:  Gjykata Kushtetuese trajton aspektet ligjore. Vendimi i saj për pagat flet për gjendjen e përgjithshme të nënshtrimit të sistemit të drejtësisë karshi politikës aktuale.

Ne mungese te funksionimit të mirëfilltë te sistemit te drejtësisë dhe krizës se pa fund morale qe na ka kapluar, jemi vendi me varfërinë me te madhe ne rajon ndërkohë qe pushtetarët kanë pagat më të lartat. Kjo  vërtetë flet shumë se sa keq është ka qeveriset Kosova aktualisht.

 “Bota sot”: Kur mendoni se Kosova do të mund ta ketë Ushtrinë e vet kur tashmë po dihet edhe kundërshtimi i ashpër i Listës Serbe në lidhje më këtë. Ai mund ta bëjë Kosova ushtrinë?

Anton Quni:  Nga autoritetet e NATO-s dhe partnerët strategjikë, në veçanti nga SHBA, janë dhënë porositë e qarta se transformimi i FSK-së ne FAK duhet të bëhet duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ky proces është dizajnuar të bëhet në bashkëpunim të ngushtë më autoritetet ndërkombëtare të cilat kanë dhënë shumë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Bashkëpunimi i ngushtë më partneret strategjik është alternativa më e mirë për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë. Synimi ynë për FA, në shërbim të qytetareve pa dallim, kompatibile dhe me standardet e NATO-s, nën kontrollin demokratik, financiarisht e arsyeshme, pa dyshim se do të mbështetet si nevojë e kohës dhe e drejtë e kombit për mbrojtje.

Deputetët nga Lista Serbe u binden vetëm autoriteteve të Beogradit. Që deputetët serbë mos ta pengojnë procesin e transformimit të FSK-se në FAK, ne duhet të kërkojmë ndihmën e SHBA-së dhe NATO-së. Vetëm më veprime të bashkërenduara mirë më këta dy faktorë besoj që mund të përmbyllim edhe ketë temë.

“Bota sot”: Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti shumë herë është shfaqur “arrogant” derisa ju keni kërkuar shpjegim për kohën e luftës kur ai kishte marrë miliona marka në kohën e luftës. Na tregoni diçka më shumë për ketë dhe cili ka qenë saktësisht roli i Halitit në luftë?

Anton Quni:  Për ketë çështje unë kam folur në Parlament , madje edhe duke i siguruar dëshmitë e kërkuara nga z Haliti, më të cilat vërtetohet se Ministria e Mbrojtjes se RK i ka ndihmuar edhe më mjete financiare shtabet, komandat dhe njësitet e UÇK-së. Pasi që dokumentet janë të klasifikuara mbetët në diskrecionin e autoriteteve përgjegjëse që për ketë temë të japin shpjegimet e duhura. Personalisht i kam thënë ato që kisha për ti thënë.

“Bota sot”:  Si mund të zbardhet e vërteta e tërësishme për luftën z. Quni?

Anton Quni: Lufta në gjitha dimensionet e saja mund të zbardhet vetëm nga institucionet e specializuara në fushën e historisë, sociologjisë, artit ushtarak,  gjithnjë duke u bazuar në vërtetësinë e ngjarjeve dhe rrëfimet e besueshme të protagonistëve të saj. Këto veprime duhet të jenë të mbrojtura nga ndikimet partiake dhe grupore për interesin e politikave ditore.

“Bota sot”  A duhet ta hetojë Prokuroria çështjen e milionave të luftës?

Anton Quni:  Ana e errët e luftës mes tjerash vazhdon të mbetet edhe mënyra e paskrupullt e përvetësimit të fondeve të dedikuara për lufte, nga ana e profiterëve të luftës. Pa dyshim se është detyrë e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që edhe në Kosovë, si në çdo vend të civilizuar, të demaskohen të gjithë ata që i keqpërdorën kontributet e qytetareve të dedikuara për çlirimin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës e meritojnë ta mësojnë të vërtetën sepse ishte djersa dhe mundi i tyre i derdhur në ato fonde.

“Bota sot” Si është gjendja brenda LDK-së aktualisht, meqë u raportua se ka përçarje?

Anton Quni:  Konstatimi se ka përçarje brenda LDK-së nuk është i saktë. Përkundrazi jemi model se si ndërtohen marrëdhëniet e mira ndër njerëzore dhe po funksionojmë njëzëri si ekip i mirë të angazhuar maksimalisht në jetësimin e programit politik të LDK-së.

 “Bota sot” A synoni postin e të parit të LDK-së?

Anton Quni:  Postin e të parit duhet ta synoj çdo njëri i cili vlerësohet nga strukturat e LDK-së dhe elektorati i saj. Kur të vij koha e zgjedhjeve, të jeni të sigurt se në LDK do të zgjidhet, më i miri në mesin e të mirëve por vetëm brenda rregullave të përcaktuara dhe duke respektuar të drejtën për të zgjedh dhe për tu zgjedhur.

“Bota sot”  Më kënd duhet të bëjë koalicion LDK në zgjedhjet e ardhshme?

Anton Quni:  Është herët për t'u deklaruar për preferencat personale. Kur të trajtohet kjo temë do ta jap mendimin dhe vlerësimin tim brenda organeve të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat