Dy fajet e Sylejman Selimit, ujqit e padrejtësisë dhe të paprekshmit e pasluftës

Intervista

Dy fajet e Sylejman Selimit, ujqit e padrejtësisë dhe të paprekshmit e pasluftës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 qershor 2018 Në ora: 11:10
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se largimi i Prokurorit të Specializuar David Schwendiman, ka të bëjë me mos ngritjen e aktakuzave dhe me skandalin e 22 dhjetorit të vitit 2017, kur u tentua që të zhbëhet Gjykata Speciale.

Gashi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetëm Zyra e Prokurorit Special në Hagë e din kohën e saktë të ngritjes së aktakuzave të para në Gjykatën Speciale dhe vetëm kjo zyrë i ka edhe emrat e sigurt të të akuzuarve.

Ai ka folur si avokat edhe për pritshmëritë e tij nga ekspertiza e mjekësisë në Zvicër për rastin e Astrit Deharit, duke këmbëngulur se pavarësisht rezultateve, mendon se Dehari është vrarë. Avokati po ashtu ka treguar pse nuk ka aplikuar për akreditim si avokat në Gjykatën Speciale dhe pse mendon se Sylejman Selimi është sakrifikuar nga udhëheqësit e tij.

 “Bota sot”: Si e komentoni deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova? A u shkelën të drejtat e tyre?

Tomë Gashi: Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova është shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut që parashihen me dispozitat ligjore në Republikën e Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe këto shkelje janë të nivelit ndërkombëtar të shkeljeve të të drejtave të njeriut të garantuara me Konventa ndërkombëtare.

Ajo që ka ndodhur me deportimin e dhunshëm dhe të paligjshëm të shtetaseve turq, ka të bëjë faktikisht me shkeljen e të drejtave për liri dhe jetë, ngase ata janë deportuar për shkaqe politike, për arsye të luftës politike në Turqi, që është duke u bërë në mes të diktatorit Erdogan, i cili është president i Turqisë dhe Fetullah Gulen, i cili është një ideolog me parime shumë më demokratike se sa Erdogani dhe i cili jeton në SHBA.

Kosova me këtë rast e ka humbur përcaktimin perëndimor siç deklarohet dhe është renditur në pjesën tjetër të botës, të lindjes dhe kjo është vërtetuar edhe me faktin se SHBA as që ka menduar që ta ekstradojë e lëre më ta deportojë Fetullah Gulenin nga territori i SHBA-së.

Nëse duam demokraci perëndimore, atëherë është dashur që të veprojmë njëjtë si SHBA-ja, por këtu janë implikuar interesa personale të disa udhëheqësve politik të Kosovës, të cilët rastësisht apo qëllimisht kanë qenë në situata të tilla apo të ngjajshme siç kanë qenë 6 shtetasit turq në Kosovë. Nuk ka kaluar as një vit kur Ramush Haradinaj ishte në një situatë të tillë i ndaluar për më shumë se 4 muaj në Francë dhe i kërkuar nga autoritetet e Serbisë për vepra penale terroriste, por Franca nuk e ekstardoi atë, me të vetmin arsyetim se atij nuk do t’i mundësohet gjykim i drejtë në Serbi. Çfarë gjykimi të drejtë presin Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli  që të kenë gjashtë shtetasit turq të identifikuar si Gulenist në Turqinë e Erdoganit. Fati i këtyre gjashtë shtetaseve turq ka mund të jetë edhe fati i Haradinajt, Thaçit dhe Veselit, nëse ata do të dëboheshin apo ekstradoheshin edhe nga Zvicra ku kanë qëndruar si azilkërkues.

“Bota sot”: A duhet të lejojnë institucionet tona formimin e Asociacionit, ashtu siç po e donë pala serbe?

Tomë Gashi: Institucionet e Kosovës nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojnë formimin e Asociacionit (Zajednicës) ashtu siç kërkon pala serbe, sepse kjo do ta bënte Kosovën shtet jo funksional dhe do të ishte vetëm hapi i parë drejt shkëputjes së pjesës veriore të Kosovës dhe pastaj bashkimi i kësaj pjese me Serbinë.

“Bota sot”: Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se Demarkacioni i miratuar në Kuvend, ishte i kundërligjshëm. Si e komentoni ju vendimin e Kushtetuteses?

Tomë Gashi: Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se procedurat kanë qenë të ligjshme me rastin e vendosjes së Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, por Gjykata Kushtetuese nuk ka deklaruar se ajo është e drejtë dhe kinse në të mirë të Kosovës. Ju duhet ta dini se në aspektin formal, Kuvendi ka të drejtë të nxjerrë vendime të tilla, ngase kanë votuar më tepër se 61 deputetë, por kjo nuk e bënë vendimin e drejtë dhe të ligjshëm. Është e qartë se Kosova ka humbur mbi 8200 Ha tokë dhe këtë të gjithë e dinë. Për të qenë më i qartë, ju përkujtoj lexuesve tuaj se më 23 mars 1989 deputetët e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës me shumicë absolute shqiptare në parlamentin e njëjtë votuan kundër autonomisë së Kosovës, duke  e hequr autonominë e Kosovës dhe ky vendim ironikisht ka qenë i ligjshëm, por nuk ka qenë i drejtë dhe ka sjellë pasoja katastrofale deri edhe luftën në Kosovë.

“Bota sot”: A do të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale, largimi i prokurorit David Schwendiman dhe emërimi i të riut Jack Smith?

Tomë Gashi: Prokurori Schwendiman është larguar paksa në mënyrë të çuditshme. Unë besoj se largimi i tij ka të bëjë me mos ngritjen e aktakuzave dhe me skandalin e 22 dhjetorit të vitit 2017, kur u tentua që të zhbëhet Gjykata Speciale. Emërimi i Prokurorit të ri amerikan Jack Smith, nuk duhet të vonojë ngritjen e akuzave, por duket se kjo gjykatë është e karakterit politik dhe në këso gjykata, politika ndërkombëtare vendos për çdo gjë.

“Bota sot: Kur pritet të shpallen aktakuzat e para nga Specialja dhe a ka ndikuar “shtyrja” e tyre në besueshmërinë e opinionit në këtë institucion?

Tomë Gashi: Besoj se vetëm Zyra e Prokurorit Special në Hagë e din kohën e saktë të ngritjes së aktakuzave të para në Gjykatën Speciale dhe vetëm kjo zyrë i ka edhe emrat e sigurt të të akuzuarve. Të gjithë të tjerët vetëm spekulojnë. Shtyrja e fillimit të punës së Gjykatës Speciale normalisht që e zbehë kredibilitetin –besueshmërinë e Gjykatës Speciale si krijesë ndërkombëtare nën ombrellën e Ligjeve të Kosovës.

“Bota sot”: Pse nuk keni aplikuar për akreditim si avokat në Gjykatën Speciale?

Tomë Gashi: Unë punoj me dy avokatë amerikan Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan dhe unë personalisht nuk kam aplikuar për akreditim në Gjykatë, sepse pa klient i cili është në gjendje që të paguajë të gjitha shpenzimet e tij, nuk jam i interesuar që të “humbi” një pjesë të kohës dhe jetës time në Hagë, sepse nuk jam i sigurt se dikush e meriton këtë dhe angazhimi im në Hagë mund të bëhet në çdo kohë, por atje do të shkoj vetëm dore për dore me klientë, por jo vetëm dhe nuk jam i interesuar aspak që të mbrojë dikënd zyrtarisht i caktuar nga Gjykata Speciale. Po ashtu, unë kam qenë për 12 vite avokat i regjistruar në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, kam punuar si pjesë e ekipit në rastin Haradinaj dhe Limaj dhe jam plotësisht i përmbushur në aspektin e punës në Gjykata ndërkombëtare, si dhe në Hagë është ambient tepër i zymtë, kështu që nuk kam ndonjë afinitet për të qëndruar atje me vite të tëra.

“Bota sot”: Është konfirmuar nga kryeprokurori, Aleksander Lumezi, se ekspertiza e Astrit Deharit ka shkuar në Zvicër. Kur pritet të kthehet përgjigjja e ekzaminimit zviceran dhe cilat janë pritshmëritë tuaja si avokat i këtij rasti?

Tomë Gashi: Aleksander Lumezi ka vepruar shumë drejtë që e ka bërë publike në emër të tij personal dhe të postit që ai mban, se rasti i vrasjes së Astrit Deharit, është dërguar në Zvicër në institutin që është kërkuar nga familja Dehari dhe duke i besuar Aleksander Lumezit si person, por edhe Institutit të Prokurorit të shtetit, duam të besojmë se në Zvicër janë dërguar të gjitha provat dhe se Instituti Zviceran i mjekësisë ligjore do të bëjë hetime të pavarura dhe në kuadër të hetimeve të pavarura edhe ekspertiza të caktuara që atyre ju nevojiten.

Sido që të jetë, familja e Astrit Deharit, do ta pranojë epilogun e hetimeve të Institutit të Zvicrës në aspektin jurdik, por familja e Astrit Deharit dhe unë si përfaqësuesi tyre jemi të bindur pa asnjë mëdyshje se Astrit Dehari është vrarë.

“Bota sot”: Pse nuk kemi parë ende diçka konkrete në lidhje me zbulimin e vrasjeve politike, përkundër zotimeve nga politikanët?

Tomë Gashi: Ne nuk kemi parë rezultate dhe asgjë konkrete në lidhje me zbulimin e vrasjeve politike për shkak se që nga viti 1999 e deri më sot ka munguar vullneti politik për zbulimin e vrasjeve dhe ka qenë çështje e përfitimit politik që politikanët e të gjitha partive politike, posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore janë zotuar se do të bëjnë çmos se do të zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, derisa të mos imponohet nga një fuqi e re politike, e cila nuk ka qenë e përfshirë as në anën e atyre që pretendohet se kanë vrarë për motive politike dhe as në anën e atyre që pretendohet se janë viktimë e këtyre vrasjeve, sepse që të dy taboret politike mjerisht i kanë shfrytëzuar këto raste për interesa të tyre personale, politike, grupore dhe klanore për të ardhur dhe pastaj për të mbetur në pushtet.

“Bota sot”: A duhet të hetohen akuzat e deputetëve ndaj njëri-tjetrit për vjedhjen e milionave nga fondet për UÇK-në?

Tomë Gashi: Sigurisht që duhet të hetohen këto pretendime, por problemi kryesor i Prokurorisë mund të jetë se për çfarë vepre penale të hetohet dikush, për vjedhje, mashtrim, tradhti kombëtare apo çka? Sepse tani kanë kaluar pothuajse 20 vite dhe në aspektin jurdiko-penal thuajse secila vepër penale e pretenduar e vjedhjes së fondeve për UÇK-në, është vjetërsuar.

“Bota sot”: Pse keni thënë që Sylejman Selimi është sakrifikuar nga udhëheqësit e tij?  A u desh patjetër dikush të vuante dënimin?

Tomë Gashi: Sylejman Selimi është sakrifikuar nga udhëheqësit e tij gjatë luftës dhe miqtë e tij të luftës, por në pushtet të pasluftës, sepse ai është dënuar pa asnjë fakt, dëshmi me përdorimin e një dëshmitari me probleme të rënda psikike dhe Sylejman Selimi faktikisht është dënuar për dy gjëra, njëra që ka qenë pjesëmarrës aktiv në çdo betejë gjatë luftës në Kosovë, ka luftuar për Kosovën dhe “faji” i dytë ka qenë ai nuk është vrarë gjatë luftës dhe ka mbetur gjallë. Kështu që si ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dikujt prej udhëheqësve të tij i ka konvenuar që Sylejman Selimi, të dënohet duke pretenduar se me këtë dënim do të ushqehen ujqit e padrejtësisë vendore dhe ndërkombëtare dhe se ai apo ata do të mbetën të paprekshëm.

“Bota sot”: Si të pastrohet drejtësia në Kosovë nga “duart” e politikës?

Tomë Gashi: Drejtësia në Kosovë mund të pastrohet nga duart e politikës vetëm kur në pushtet të vijë një shtresë e re e politikanëve të pa korruptuar, të padjallëzuar, që e duan vendin e vetë dhe unë mendoj se kjo fare lehtë mund të ndodhë, por këtë fuqi politike duhet ta zgjedhë populli përmes votës së lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat