Asnjë lider nuk mund të bëjë kompromise, jashtë Kushtetutës së Kosovës

Intervista

Asnjë lider nuk mund të bëjë kompromise, jashtë Kushtetutës së Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 qershor 2018 Në ora: 08:08
Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se asnjë lider institucional dhe as politik i Kosovës nuk mund të bëjë kompromise jashtë Kushtetutës së Kosovës.

Shefi i deputetëve të partisë më të madhe opozitare në vend, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot, thotë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të krijohet në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Hoti ka theksuar se Qeveria e Kosovës prej muajsh e ka humbur shumicën në Kuvend, po ashtu, ai thotë se, në një situatë e ngjashme, në çdo vend demokratik do të ishte vetë kryeministri ai që do të kërkonte votëbesimin e qeverisë.

Gjatë kësaj interviste për gazetën “Bota sot”, ndër tjerash, Hoti ka folur edhe për përplasjen e deputetëve Gashi dhe Haliti në Kuvend, për koordinimin me grupet parlamentare të opozitës për të thirrur mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, si dhe për zhvillimet e fundit në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

“Bota sot”: Ekipi menaxhues që po harton Statutin e Asociacionit në takimin e javës së kaluar ka kërkuar që liqeni i Gazivodës dhe pjesa e “Trepçës” të mbesin në menaxhimin e Asociacionit. Gazivoden dhe Trepçën Kosova i konsideron ndër resurset me rëndësi strategjike. Si e konsideron Lidhja Demokratike e Kosovës këtë kërkesë të tyre dhe a do të ishte kjo katastrofale për ekonominë e Kosovës nëse këto dy resurse i kalojnë Asociacionit?

Avdullah Hoti: LDK është shumë e qartë në qëndrimin e saj. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të krijohet në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç është e paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, pasi që të krijohet Statuti i Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për tu vlerësuar nëse është në pajtim me Kushtetutën. Kërkesat për kompetenca të asociacionit jashtë këtij konteksti janë të papranueshme dhe nuk do të mund të realizohen.

“Bota sot”: Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë. Ai ka thënë se do të punojnë për kompromis dhe do të arrijnë marrëveshjen përfundimtare. Zotëri Hoti, ka nevojë Kosova për kompromise dhe a është në dijeni opozita se për çfarë kompromisesh po bëhet fjalë?

Avdullah Hoti: Kosova ka bërë kompromise të mëdha në bisedimet e Vjenës duke e pranuar Pakon e Ahtisarit, e cila është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës. Pakoja e Ahtisarit ka qenë kompromis i madh për Kosovën dhe me këtë Kushtetutë ne jemi njohur nga 115 shtete të botës. Çdo kërkesë për kompromise shtesë është tendencë për ta minuar këtë marrëveshje paqësore, që është ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Asnjë lider institucional dhe as politik i Kosovës nuk mund të bëjë kompromise jashtë Kushtetutës së Kosovës.

“Bota sot”: Ditë më parë keni deklaruar se në rast të dështimit të tryezave, Qeverinë Haradinaj do ta testoni edhe me një mocion mosbesimi. A mendoni se do të ketë sukses në këtë drejtim subjekti juaj? Kur konkretisht synoni inicimin e mocionit ndaj Qeverisë Haradinaj? Sa jeni të koordinuar me Lëvizjen Vetëvendosje për organizimin e mocionit? 

Avdullah Hoti: Qeveria e Kosovës prej muajsh e ka humbur shumicën në Kuvend. Në një situatë e ngjashme, në çdo vend demokratik do të ishte vetë kryeministri ai do të kërkonte votëbesimin e qeverisë. Duke pasur në konsideratë se kemi të bëjmë me papërgjegjësi të lartë politike të këtij koalicioni qeverisës, LDK-ja ka iniciuar tryezën e partive politike për t'i ofruar vendit një marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje të reja pa i dëmtuar proceset në vend. Duke e parë se nuk ka gatishmëri nga qeveria e pakicës për marrëveshje, atëherë ne do të vazhdojmë koordinimin me grupet parlamentare të opozitës, si edhe ndonjë nga pozita, për të thirrur mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.[GL1]  Çdo vendim që merr kjo qeveri e pakicës, nuk është legjitim.

“Bota sot”: Qeveria Haradinaj tashmë  po i bënë plotë tetë muaj që është duke qeverisur me vendin. Cili është vlerësimi juaj për këtë qeveri?

Avdullah Hoti: Qeveria Haradinaj u krijua me pazare dhe nga sekserë të ndryshëm. Pritjet tona dhe të qytetarëve nga kjo qeveri kanë qenë minimale, dhe ashtu ndodhi në realitet. Kjo qeveri nisi me skandale dhe po vazhdon me skandale të tjera. Aq të shpeshta janë skandalet e kësaj qeverie, saqë skandalet e reja po i mbulojnë mediatikisht ato të vjetrat. Fatkeqësia e kësaj qeverie nuk është vetëm keq menaxhimi i brendshëm, por edhe dëmtimi që po u bëhet interesave të Kosovës në raport me partnerët tanë strategjikë.

“Bota sot”: Javë më parë në Kuvendin e Kosovës është parë edhe një përplasje fizike, në mes të deputetëve Haliti dhe Gashi. Cili është komenti juaj lidhur me këtë rast?

Avdullah Hoti: Grupi Parlamentar i LDK-së është deklaruar lidhur me këtë rast. Z. Haliti do të duhej të përjashtohej nga seanca për sulmin ndaj deputetit Gashi, por një gjë të tillë nuk e bëri bashkë partiaku i tij. Me këto veprime, Kryetari i Kuvendit po dëshmon se e toleron dhunën dhe kërcënimet në Kuvendin e Kosovës. Z. Haliti prej kohësh është duke e keqpërdorur foltoren e Kuvendit, për t'i denigruar të gjithë ata që nuk mendojnë si ai.

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit në PTK, cila sipas juve do të jetë e ardhmja e këtij institucioni?

Avdullah Hoti: Telekomi i Kosovës është shembulli më eklatant i abuzimit me pasurinë publike. Nëpërmes Z-Mobile tash ka tendencë për ta falimentuar Telekomin. Marrëveshja e fundit për gjoja faljen e mbi 30 milionë euro nga Z-Mobile ka qenë goditja e fundit për ta shkatërruar telekomin dhe për këtë veprim kurdo personat përgjegjës duhet të thirren në llogaridhënie nga drejtësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat