Thaçi i shantazhuar, mund të pranojë çdo gjë për të shpëtuar fundin e tij të kobshëm

Intervista

Thaçi i shantazhuar, mund të pranojë çdo gjë për të shpëtuar fundin e tij të kobshëm

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 29 maj 2018 Në ora: 15:28
Hashim Thaçi

Për politologun Belul Beqaj, presidenti Thaçi është i shantazhuar dhe ai është në gjendje të pranojë çdo zgjidhje në bisedimet finale me Serbinë për të shpëtuar fundin e tij të kobshëm.

Sipas tij, çdo kompromis eventual që mund të bëhet pa Thaçin, do të jetë më i pranueshëm se sa kompromisi të cilin është në gjendje për ta bërë ai.

Në një intervistë për “Bota sot”, Beqaj thotë se është koha e fundit që të ndalet presidenti Thaçi, pasi që sipas tij, në bisedimet e ardhshme ai do t’i shkaktoj Kosovës dëme të pa riparueshme.

Gjatë intervistës, Beqaj flet për Qeverinë Haradinaj, për të cilën thotë se, fatin e vet e ka të lidhur me dialogun me Serbinë.

 “Bota sot”: Z. Beqaj, si e vlerësoni Qeverisjen Haradinaj deri më tani?

Beqaj: Koalicioni qeveritar i Haradinajt është krijuar me motive të utilitare pushtetare. PDK-ja ka synuar  me çdo kusht të mbetet në pushtet, AAK,NISMA, me çdo kusht kanë synuar të bëhet pjesë e pushtetit, AKR-ja, fuqinë e vogël politike e ka kapitalizuar maksimalisht, ndërsa Lista serbe është bërë partia më e rëndësishme që ka ekzistuar ndonjëherë në kohën kur ka pasur më pak serb në Kosovë . Pra, mënyra e formimit lë të kuptohet se qëllimi i kësaj qeveria është pushteti , ndërsa çdo gjë tjetër pasojë e këtij qëllimi.

Bota sot: A mendoni se do të qëndrojë gjatë në pushtet Qeveria e Haradinaj, e cila i ka vetëm 56 deputetë në Kuvend?

Beqaj: Prognozoj se fati i kësaj qeveria ndërlidhet me zgjidhjen e çështjeve të hapura që ndërlidhen me dialogun e Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, zvarritja e këtyre çështjeve po zvarrit edhe aktivizimin e Gjykatës speciale...Realisht, Qeveria qëndron në këmbë të qelqta, por opozita nuk ka gatishmërinë për tu përballë me këto tema të cilat i kanë rënduar përfaqësuesit që kanë qenë bartës të dialogut.

 “Bota sot”: Për çka do të mbahet mend sipas jush, Qeveria Haradinaj?

Beqaj:  Gjithsesi se kjo Qeveri do të mbahet mend. Por mjerisht, për aventurat e saj profitabile, inkompetencës, infantilitetit, ambicieve të paepura politike, ndërsa mundësive modeste , mungesës së përgjegjësisë, instalimit të binomit autoritaro-poltronist që shkakton humbjen  e besimit se në Kosovë mund të ndryshojnë gjërat pozitivisht ! Fundja, do të mbahet mend edhe me një kryeministër që flet pa ekuivoke, por nuk di çfarë flet!

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e opozitës në Kuvend. A po bëhet opozitarizëm i mirëfilltë nga tri subjektet opozitare?

Beqaj: Opozitarizimi nuk është i konsoliduar. Partitë opozitare nuk e kanë bërë të fuqishëm opozitarizmin nga frika e brendshme opozitare se cila parti opozitare mund të përfitoj apo humb në zgjedhjet që  trokitjen e së cilës po simulojnë para derës çdo ditë... Duke bërë një politik të taktizuese brenda opozitës, në fakt, po ia zgjasin jetën pushtetit dhe po topisin opozitarizimin.

“Bota sot”: A e shihni si zgjidhje mbajtjen e tryezave politike nga ana e partive opozitare?

Beqaj: Tryezat edhe nëse nuk sjellin asnjë marrëveshje, ndihmojnë në drejtim të përmirësimit komunikimit opozitarë, nëse nuk dëshirojnë për të mbetur partitë që  janë në pushtet!

“Bota sot”: Si e komentoni deklaratën e presidentit Thaçi, i cili tash së fundi deklaroi se Kosova po punon për kompromise me Serbinë?

Beqaj: Presidenti Thaçi është i shantazhuar dhe ai është në gjendje për të pranuar çdo zgjidhje për të shpëtuar fundin e tij të kobshëm ! Çdo kompromise eventual që mund të bëhet pa Thaçin, për shkak se e ka sjell Kosovën para humnerës,  do të jetë më i pranueshëm se sa kompromisi që të cilin është në gjendje për të bërë ai!

“Bota sot”: Si e vlerësoni platformën e Qeverisë për bisedimet finale me Serbinë ne Bruksel?

Beqaj: Platformë e krijuar jashtë  kornizave reale politike dhe juridike, e dëmshme për vazhdimin e  procesit të dialogut nëse paraprakisht nuk analizohet dhe të ndërrohet mënyra, përmbajtja  dhe negociatorët.

“Bota sot”: A mendoni se Thaçi është personi i denjë për t’i udhëhequr këto bisedime pas gjithë atyre kompromiseve që i ka bërë deri më tani me Serbinë?

Beqaj: Karriera e Thaçit ka dëshmuar se ai nuk ndërmerr asnjë veprim pa e kalkuluar interesin e vet. Këtë herë më mirë është të ndalet ai, se sa të dëmtohet në mënyrë të pa riparueshme Kosova.

“Bota sot”:  Si e komentoni kërkesën që liqeni i Gazivodës dhe pjesë e Trepçës në veri të vendit të menaxhohet nga AKS-ja?

Beqaj: Menaxhimi i liqenit nuk është esenca e problemit, esenca e problemit është baza juridike i zgjidhjes se këtij problemi.

“Bota sot”: A e shihni të mundur një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe VV-së?

Beqaj: Kosova ka nevojë për një synergji politike që kthen shpresën se mund  të veprohet racionalist në interes të mirëfilltë të qytetarëve. “E mira” e këtij koalicioni është se duke qeverisur në këtë  mënyrë po krijon hapësirë të mjaftueshme për një alternativ më të mirë.

“Bota sot”: A mendoni se do të ketë përkrahje elektorale Partia Socialdemokrate nga deputetët që dikur ishin pjesë e VV-së

Beqaj: Perspektiva e kësaj partie do të jetë e mundimshme ngase spektri i elektoratit të majtë që ka qenë rreth VV sot është ndarë në treshë.

Image
Belul Beqaj
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat