Uashingtoni zyrtar, duhet të jetë garantues i një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Intervista

Uashingtoni zyrtar, duhet të jetë garantues i një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 maj 2018 Në ora: 08:17
Jeta Krasniqi

Për menaxheren e projektit në KDI, Jeta Krasniqi, Qeveria në platformën e saj për bisedimet me Serbinë nuk paraqet në qëndrim unik të Kosovës sa i përket fazës finale të negociatave në Bruksel.

Në një intervistë për “Bota sot”, Krasniqi thotë se ky dokument i Qeverisë është i varfër, sepse nuk përcakton temat e bisedimeve, afatin kohor të dialogut dhe nuk përmend asgjë sa i përket përbërjes së ekipit negociues.

Sipas saj, kjo platformë ia konfirmon presidentit, Hashim Thaçi udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë. Po ashtu, ajo ka thënë se është e domosdoshme që SHBA-ja të përfshihet drejtpërsëdrejti në procesin e dialogut.

“Bota sot”: Si e konsideroni dërgimin e platformës në Kuvend nga ana e Qeverisë për fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Jeta Krasniqi: Qeveria e Kosovës do të duhej t’i prezantonte Kuvendit të Kosovës në një seancë të veçantë platformën shtetërore të Kosovës, e cila do të diskutohej me deputetët e Kuvendit. Pas shterjes së debatit parlamentar, Kuvendi i Kosovës do të duhej të pasonte me draftimin e një Rezolute parlamentare për fazën përmbyllëse të dialogut ku përcaktohej çfarë do të ndodh me marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të këtij procesi.

Për fazën e ardhshme do të duhej të përcaktohej roli i Kuvendit, ekipi negociues, vijat e kuqe, epilogu i dialogut, mekanizmat zbatuese, garancat nga BE dhe shtetet mike të Kosovës, transparenca dhe gjithë përfshirja e qytetarëve.

“Bota sot”: A mendoni se ekzekutivi do të duhej të organizonte debate publike me qytetarë në çdo komunë para se të hartohej kjo platformë?

Jeta Krasniqi: Platforma shtetërore e Kosovës do të duhej të përpilohej në bazë të konsultimeve të gjera të spektrit politik ku do të artikulohej një qëndrim unik shtetëror i cili do të kishte mbështetje të gjerë politike. Kryeministri i vendit së bashku me Presidentin e vendit do të duhej të kishin ftuar tryeza të liderëve politik të Kosovës për të diskutuar mbi qëndrimin e Kosovës në këto bisedime, për të dalë me një qëndrim të vetëm, për të cilin shteti i Kosovës do të angazhohej të lobonte në kryeqendrat botërore për të shtyrë përpara jo vetëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve, por mbi të gjitha për të marrë garanci që kjo marrëveshje do të rezultojë me njohje nga 5 shtetet, jo njohëse të BE-së, të ofrimit të perspektivës të qartë dhe të prekshme të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare si anëtarë i barabartë me të drejta të plota.

Komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarë do të ishte një vlerë e shtuar në këtë proces ku kërkohet transparencë dhe gjithë përfshirje. 

“Bota sot”: A e keni pasur mundësinë të shihni përmbajtjen e kësaj platforme, nëse po, a jeni e kënaqur me të?

Jeta Krasniqi: Platforma aktuale është një dokument i varfër që i ngjan një procedure teknike të miratimit të një dokumenti nga ana e Qeverisë, e cila dëshiron të konfirmojë udhëheqjen e këtij procesi nga ana e Presidentit të vendit, për mbylljen e procesit me marrëveshje ligjërisht të obligueshme në mes palëve dhe epilogun e njohjes reciproke.

Kjo platformë ngjan më shumë me një draft rezolutë e cila duhet të përpilohej nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga Qeveria.

Ky dokument më shumë duket të jetë një autorizim për presidentin e vendit që të udhëheqë bisedimet me Serbinë, pa patur një dakordim të spektrit politik vendor, shoqërisë civile, sferës akademike e botës mediatike.

Kjo platformë nuk përcakton temat e diskutimit, nuk ofron shpjegime mbi ekipin negociues dhe strukturën e tij, nuk ofron informacione se çfarë do të ndodh me marrëveshjet e arritura deri më tani, çfarë roli do të ketë Kuvendi i Kosovës apo dhe vet Qeveria, pra ekzekutivi i vendit i cili ka udhëhequr me këtë proces. Me anë të kësaj platforme nuk janë të përcaktuara afatet kohore apo mekanizmat zbatues, nuk është e përcaktuar se çfarë hapash do të ndërmarrin institucionet e Kosovës për të lobuar për platformën kosovare.

“Bota sot”: A ekziston rreziku që delegacioni i jonë të pranojë ndonjë kompromis të dhimbshëm në dëm të shtetësisë së Kosovës?

Jeta Krasniqi: Procesi i dialogut është një proces negociues, Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj pas një procesi negociator në Vjenë i rezultuar me Pakon e Ahtisarit me anë të së cilit janë ofruar kompromise shtesë, sidomos për të drejtat e pakicave. 

Aktualisht, tezat e diskutuara në opinionin publik që nga ndarja e veriut ose autonomia për komunat veriore të Kosovës me të drejtë referendumi pas disa vitesh, janë teza të cilat në mënyrë kategorike duhet të refuzohen nga delegacioni kosovar. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së, shtet i cili aspiron anëtarësimin në këtë organizatë, ashtu sikur që mëton anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. 

“Bota sot”: A shihni të nevojshëm presidentin e vendit Hashim Thaçi që ai të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë?

Jeta Krasniqi: Spektri politik vendor më shumë se çdo herë duhet t'i tejkalojë problemet e brendshme të politikës ditore për t’u përqendruar në një çështje madhore. 

Problem madhor në këtë moment është dialogu me Serbinë, meqë kemi arritur në një fazë finale. 

Një dakordim i plotë i spektrit politik garanton përfaqësim dhe performancë më të mirë, tek sa një konsensus i plotë do të duhej ta përcaktonte rolin e udhëheqësit të bisedimeve.

Nëse Presidenti i vendit e përfaqëson një ide të tillë, atëherë le të jetë ai udhëheqësi i dialogut politik.  

“Bota sot”: Cilat do të jenë përfitimet e Kosovës me përfundimin e dialogut me Serbinë?

Jeta Krasniqi: Kosova duhet të përmbyll njëherë e mirë çështjet e hapura me Serbinë, ky proces duhet të sjell njohjen reciproke, shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe mbi të gjitha shuarjen e prezencës dhe influencës së shtetit serb në shtetin e Kosovës. Me anë të këtij procesi, Kosovës duhet t’i garantohet perspektivë e qartë evropiane, ku 5 shtetet jo njohëse të BE-së duhet të njohin marrëveshjen e arritur dhe të njohin shtetin e Kosovës, si dhe anëtarësim në OKB.

Me anë të kësaj marrëveshjeje Kosova do të konsolidonte shtetësinë dhe sovranitetin e saj të brendshëm dhe atë ndërkombëtar, duke pasur një perspektivë të qartë të anëtarësimin në BE dhe në NATO.

“Bota sot”: A mendoni se delegacionin e negociatave të Brukselit duhet të përfshihen edhe përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile?

Jeta Krasniqi: Vlerësoj që opozita duhet të jetë pjesë e delegacionit kosovar, pjesë e përpilimit të platformës shtetërore të Kosovës dhe strategjisë së shtetit për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi. Shteti i Kosovës, përkatësisht lidershipi i saj, nuk ka ditur të përdorë mirë vendimin e GJND-së me anë të së cilës u konfirmua qartazi e drejta e Kosovës për shtet të pavarur për të avancuar të drejtat e saj në arenën ndërkombëtare. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë, duhet të rezultojë jo vetëm me njohje reciproke por edhe lobimin me garanci për njohje nga 5 shtetet, jo njohëse të BE-së dhe anëtarësim në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Shoqëria civile duhet të ofrojë mbështetje për këtë proces për të garantuar transparencë të procesit dhe mbi të gjitha duhet të angazhohet ekspertë të fushës të cilët i shërbejnë ekipit negociator për fushat të cilat priten të adresohen në këtë proces.

Përfshirja e shoqërisë civile, akademikëve dhe ekspertëve të fushave, plotëson mozaikun e gjithë për fshirjes.

“Bota sot”: A e shihni si të rrezikshme idenë që veriu i vendit t’i bashkohet Serbisë, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në OKB?

Jeta Krasniqi: Ideja e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve është një ide e rrezikshme për gjithë Ballkanin. Iniciativa të tilla do të prodhonin efekte reale në paqen dhe stabilitetin rajonal, duke nxitur një efekt domino që do të prekte Bosnje Hercegovinën me kërkesën e Republikës serbe për tu bashkuar me Serbinë, kërkesën e shqiptarëve në Maqedoni, të serbëve në Mal të Zi e kështu me radhë.

Kosova ka shpallur mëvetësinë e saj më 17 shkurt 2008, është njohur nga mbi 100 shtete të botës mbi këtë territor, prandaj ri-kufizimet territoriale apo marrëveshjet të cilat cenojnë integritetin territorial të Kosovës nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë pjesë e kompromiseve të Kosovës.

“Bota sot”: A e shihni si ide të rrezikshme themelimin e Asociacionit të komunave serbe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, në mënyrë që Lista Serbe të votojë formimin e ushtrisë së Kosovës?

Jeta Krasniqi: Asociacioni duhet të formohet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formojë një nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë duke cenuar kështu funksionimi unitar juridik të Kosovës.

Nuk duhet të ketë asnjë kompromis rreth kësaj çështjeje apo të ndërlidhje me çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës. Serbët e Kosovës duhet të kuptojnë që Kosova është shtet edhe i tyre dhe si i tillë ka të drejtën të formoj ushtrinë e saj e cila nuk do të jetë kërcënim për rajonin përkundrazi do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit rajonal. 

“Bota sot”: A mendoni se duhet të përfshihen edhe SHBA-të në këto bisedime?

Jeta Krasniqi: Është e domosdoshme që SHBA-ja të përfshihet drejtpërsëdrejti në këtë proces. Uashingtoni zyrtar madje do të ishte mirë që të ishte garantues i një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimit Evropian i duhet një injeksion i vizionit dhe qartësisë politike, autoritet i cili garanton stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme në Ballkan. 

Këtë rol më së miri do ta luante SHBA-ja, përfshirjen e të cilës e kanë kërkuar edhe qytetarët në sondazhet që i kemi realizuar ne si Institut Demokratik i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat