Kryeministri po nxitë dhunën, socialistët qeverisin të zhytur në korrupsion dhe të akuzuar si padronë të baronëve të drogës

Intervista

Kryeministri po nxitë dhunën, socialistët qeverisin të zhytur në korrupsion dhe të akuzuar si padronë të baronëve të drogës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 4 maj 2018 Në ora: 20:39
Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth protestave që u bënë në Kukës me rastin e vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit, idenë e Ramës për një President të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, bashkëpunimin opozitar me LSI-në, si dhe miratimin e statusit të PD-së.

“Bota sot”: Si komentohet nga ana e Partisë Demokratike, taksa e vendosur nga kryeministri Rama në lidhje me pagesën që po bëhet në Rrugën e Kombit?

Albana Vokshi: Partia Demokratike ka kundërshtuar fuqimisht vendosjen e taksës së lartë në Rrugën e Kombit, si një plan varfërues dhe diskriminues për Veriun e Shqipërisë. PD e ka kundërshtuar si taksën e rrugës së kombit si një taksë të paskrupullt, abuzive, që nxjerr në dritë edhe hipokrizinë e Kryeministrit të Shqipërisë me tezën e patriotizmit.

Kryengritja në Kukës ishte për të rrëzuar traun e ndarjes së Shqipërisë; për të refuzuar politikën e izolimit të veriut që është edhe rajoni më i varfër ku gjysma e popullsisë jeton nga pagesa e ndihmës ekonomike apo e papunësisë; ishte kundër politikave ndarëse të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës; ishte kundër arrogancës dhe dhunës sistemike të qeverisë Rama. 

Protesta, ku morën pjesë edhe qindra kosovarë, u tentua të shtypet me arrestime politike në shkelje të të gjitha Koventave ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës. Protestuesit kuksianë u morën natën, me dhunë nga shtëpitë e tyre, pa urdhër arreste dhe për ta u bë një gjyq si në diktaturë. Policia u urdhërua të ngrinte dorë e të ushtronte dhunë edhe mbi deputetët e opozitës që dolën në mbështetje të të burgosurve, duke mos i lejuar të ndiqnin një seancë të një gjyqi politik ku vendimi ishte parashkruar në zyrën e Kryeministrit.

“Bota sot”: A mendoni kjo taksë do ta prish marrëdhënien në mes dy vendeve dhe që kryeministri Rama nuk ka vepruar drejt në këtë veprim?

Albana Vokshi: Të taksosh dhjetëra euro lëvizjen mes Kosovës dhe Shqipërisë për interesa të pushtetit personal, është jo vetëm veprim i padrejtë, por një tradhti e interesave kombëtare në rajonin që provokon përçarje, sa herë shqiptarët fuqizojnë pozitat në Gadishull. Mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ketë pengesa të reja. Taksa është shumë e lartë, e papërballueshme nga qytetarët, jo vetëm të Kukësit, por të gjithë qytetarëve të vendit. Jo vetëm e lartë, por është taksë e padrejtë, pasi rruga e Kombit është ndërtuar me para të taksapaguesve të cilëve ju merren çdo vit nëpërmjet taksës së qarkullimit dhe regjistrimit rreth 200 mln euro pikërisht për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo taksë dëmton shkëmbimet tregtare me bashkëkombësit dhe shkatërron edhe të ashtuquajturin “turizmi patriotik”. Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha ka kërkuar shfuqizimin e taksës së rrugës dhe ka ri konfirmuar përkushtimin e Partisë Demokratike për të mos lejuar asnjë taksë dhe asnjë tarifë shtesë për rrugën e Kombit.

“Bota sot”: Gjithashtu si komentohen protestat që po ndodhin aktualisht në Shqipëri, paraprakisht në Kukës,  kundër taksës për rrugën e Kombit në Shqipëri. Nga mazhoranca po vlerësohen si protesta të dhunshme dhe jo demokratike.

Albana Vokshi: Protestat janë makth për Qeveritë e korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar. Në këto emocione frike ndodhet sot, Kryeministri Rama. Ai po urdhëron burgosjet politike për protestuesit dhe kundërshtarët politikë dhe ka shtuar dozat e propagandës në mediat e kontrolluara prej tij. Demonstrimet për mosbindje civile janë e drejtë legjitime e qytetarëve, të cilët nuk durojnë më skamjen dhe varfërinë, refuzojnë arrogancën dhe dhunën qeveritare. Në cilin vend të botës të gjithë deputetët e opozitës dhe aktivistët e shoqërisë procedohen, sepse kanë marrë pjesë në një protestë paqësore në mbështetje të qytetarëve?

Shqipëria po kthehet ne autokraci, ku çdo ditë shkelen të drejtat themelore kushtetuese e tentohet t’u mbyllet goja çdo personi kritikues i qeverisë dhe Kryeministrit.

Kryeministri po nxit  dhunën. Socialistët qeverisin në mandatin e dytë të zhytur në korrupsion të lartë shtetëror dhe të akuzuar si padronë të baronëve të drogës. Sjellja e tyre qeveritare është e dhunshme dhe jo protestat. 

“Bota sot”: Më herët ishte përmendur nga kryeministri Edi Rama ideja e një Presidenti të përbashkët në mes Shqipërisë dhe Kosovës. A mendoni se është iniciativë e duhur kjo e Ramës dhe a po tenton ta zgjerojë pushtetin edhe tek shteti i Kosovës?

Albana Vokshi: Edi Rama ka dëshmuar që ka vetëm një agjendë, e ajo është agjenda personale. Deklarata e tij në Kosovë për “Një President të Përbashkët” u taksua nga vetë ai në më pak se dy javë mentaksën e rrugës së Kombit... Qytetarët dhe historia do ta gjykojnë edhe atë!

“Bota sot”: Tash e një kohë po  flitet për një iniciativë në mes Partisë Demokratike dhe Lidhjes Socialiste për Integrim, për rrëzim të qeverise Rama. Cilat janë planet e PD-së?

Albana Vokshi: Është detyrë e çdo opozite të bëjë rojë për Shtetin ligjor dhe të kundërshtojë me të gjitha format demokratike deri në rrëzim qeveritë e korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Freedom House flasin për rrezikun e rrëshqitjes së vendit në autokraci. Korrupsioni është përhapur në çdo qelizë të Shtetit dhe Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut shtypen njësoj si në regjimet totalitare. Sot, 4 protestues kuksianë janë të burgosur politikë dhe mbahen prej një muaji në qeli me urdhër të Kryeministrit. Një tjetër është arrestuar para 2 ditësh dhe 13 fletëarreste janë në pritje për t’u ekzekutuar. Kryengritësve kundër taksës dhjetëra euro të “Rrugës së Kombit,” iu bë gjyq politik, pse kundërshtuan vjedhjen me leje kryeministrore në një kontratë koncensionare korruptive, të denoncuar me fakte. Partia Demokratike ka mbështetur prej javësh mosbindjen civile të qytetarëve të zhgënjyer e zemëruar nga kjo Qeveri. Kjo lëvizje ka përkrahje të madhe në popull dhe ne do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar edhe në Parlament. As populli dhe as opozita nuk mund t’i bindet një qeverie që mban të burgosur politikë. Ky vendim i Edi Ramës për të shtypur protestat kundër korrupsionit dhe varfërisë duke burgosur demonstruesit rrezikon edhe proceset integruese të vendit. Shqipëria njësoj si në diktaturë ka të burgosur politikë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat Themelore të Njeriut.

“Bota sot”: Mund të na tregoni disa nga arsyet pse qeveria Rama duhet të bjerë?

Albana Vokshi: Në Shqipëri kemi një kryeministër që qeverinë e ka vënë në shërbim të krimit të organizuar. Vetëm në Tiranë dhe në asnjë vend tjetër të Botës, ish- ministri i brendshëm akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Vetëm në Shqipëri, sektorët strategjikë jepen me koncesion dhe qytetarëve ju mohohen shërbimet jetike. Në këto 5 vite të qeverisjes së Edi Ramës, 1 milionë shqiptarë janë varfëruar. 100 mijë fëmijë shkojnë në shkollë pa ngrënë, 50 mijë prej tyre rrezikojnë të braktisin shkollën, pasi familjet e tyre nuk kanë mundësi ekonomike.

Afro gjysëm milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar varfërisë, mes tyre mbi 27 mijë të mitur, shumica të pashoqëruar nga prindërit. 

“Bota sot” Nëse në zgjedhjet parlamentare fiton Partia Demokratike, do të hynit ne Koalicion me LSI-in? Mendoni që është një partner i besueshëm qeverise LSI-ja?

Albana Vokshi: PD dhe LSI janë tashmë në një front opozitar duke bashkuar forcat kundër një të keqeje të madhe në Shqipëri siç është kjo qeverisje e tij e kapur nga krimi dhe në shërbim të oligarkëve. Me ndryshimet e fundit statutore, do të jenë forumet e PDSH-së që do të miratojnë aleancat para dhe pas zgjedhore. 

“Bota sot” Kur do të mbahen zgjedhjet për të parin e Partisë Demokratike?

Albana Vokshi: Partia Demokratike ka rikonfirmuar në drejtim kryetarin Lulzim Basha, para pak muajsh. Edhe në statutin e ri të miratuar në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, që mbajti punimet pak ditë më parë, ku përcaktohen afatet e zgjedhjeve, votimi për organet partiake dhe Kryetarin e Partisë mbahet çdo katër vjet. 

“Bota sot”: Po flitet që nëse Partia Demokratike dëshiron të vijë edhe një herë në krye të vendit, duhet të riformatohen organet partiake. Cili është mendimi juaj?

Albana Vokshi : Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi unanimisht Statutin e ri të saj, që hyn në fuqi menjëherë. Kjo do të thotë që në zbatim të këtij Statuti, do të duhet të kryhen zgjedhjet në të gjitha seksionet, grup seksionet dhe degët e PD-së e rrjedhimisht do të ketë edhe riformatim të të gjithë organeve partiake. Në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Kryetari Basha bëri thirrje për bashkim të kontributeve, sepse sot emergjencë kombëtare është lufta me “qeverinë zyrtare” të narko trafikantëve. Sot Shqipëria qeveriset nga fëmijët e ish funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të regjimit të Enver Hoxhës. Është detyrë e çdo shqiptari demokrat, ose jo, të ngrihet për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një tjetër eksperiment të komunizmit. 

“Bota sot”:  Shqipëria ka marrë rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është meritë e Qeverisë Rama?

Albana Vokshi: Komisioni Europian rekomandoi për herë të dytë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ne shpresojmë shumë që Edi Rama të mos ketë mundësi ta pengojë këtë proces. PD po lobon edhe pranë Kancelarive të huaja për të ndihmuar në hapjen sa më parë të negociatave. Sepse nga data e rekomandimit në 17 Prill, e deri në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, në fund të qershorit,  ne rrezikojmë të humbasim edhe këtë mundësi, pasi duket sikur po bëhet çdo përpjekje për ta bllokojë këtë proces jetik për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të Kosovës në Evropë. “Fake news-et” e fabrikuara në zyrën e propagandës qeveritare për politikanë me reputacion në Bundestagun gjerman dhe tezat ruse, të artikuluara nga Edi Rama në çdo auditor, janë prova, se si po minohet procesi i integrimit. Për t’i paraprirë kësaj, në përmbushje të një ëndërr shekullore të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e kontinentit, si pjesë natyrale e saj, Partia Demokratike është angazhuar në një proces lobimi në vendet që kanë shprehur rezerva për hapjen e negociatave. Berlini dhe Parisi kërkojnë të shohim rezultate konkrete të 5 kushteve të anëtarësimit që lidhen me shtetin ligjor, reformën zgjedhore, luftën kundër kanabisit, arrestimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion, reformën në administratën publike dhe respektimin e të drejtave të njeriut e lirisë së shtypit.

“Bota sot”: Mendoni që kryeministri Rama duhet të bashkëpunoj më shumë me autoritetet e Kosovës në mënyrë që të ketë progres më të madh rreth Kosovës?

Albana Vokshi: E kam përmendur më lart që agjenda e Kryeministrit Rama nuk duhet të jetë agjendë për interesa personale, por kombëtare. Spektaklet mijëra euro për mbledhje të përbashkëta qeverie deri më sot nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme. Kryeministri dhe Qeveria Shqiptare duhet të ketë një agjendë më intensive bashkëpunimi me autoritetet kosovare me objektiva dhe rezultate konkrete në të gjithë sektorët.

“Bota sot” Po bashkëpunon Rama me shqiptarë e Kosovës, sikurse ish- kryeministri Berisha?

Albana Vokshi: Unë nuk di ndonjë Kryeministër apo politikan në Shqipëri që të ketë bërë më shumë për Kosovën, se Sali Berisha. Ishte ideja, vizioni dhe vullneti i tij për ndërtimin në kohe rekord të Rrugës së Kombit, për të sjellë një afrim edhe fizik të Kombit të ndarë në dy shtete. Ndërkohë që jo vetëm korruptive, por edhe antikombëtare mund të cilësohet vendosja e taksës së rrugës së Kombit nga Edi Rama. Efektet e para të kësaj marrëzie dhe babëzie janë vrenjtur në uljen dukshëm të numrit të shqiptarëve të Kosovës, që hyjnë në Shqipëri, një tregues me ndikim negativ në ekonominë shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat