Shtegtimi në Tokën e Shenjtë të 106 shtegtarëve të Kishës “Zoja e Shkodrës”, nga Nju Jorku në Nazareth dhe Bethlehem

Intervista

Shtegtimi në Tokën e Shenjtë të 106 shtegtarëve të Kishës “Zoja e Shkodrës”, nga Nju Jorku në Nazareth dhe Bethlehem

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 25 prill 2018 Në ora: 20:34
Toka e Shenjtë” - “Holy Land

“Toka e Shenjtë” - “Holy Land” është  shtëpi për të krishterët, myslimanwt, hebrenjtë, Beduinët, Druzët e të tjerë. Shtëpi në lartësitë të maleve mbresëlënëse, tunele sekrete, lumenj dredha-dredha, shkretëtira të ndezura dhe pemë , lule dhe gjelbërim që të lë pa frymë. Një tokë e zhytur në histori, ku gurët e heshtur kanë dëshmuar mijëra vjet pelegrinazhe, sakrifica, mrekulli dhe rilindje, thonë udhëzuesit turistik nga mbarë bota.

Duke na treguar se ndërsa bëjmë plane për ndonjë pelegrinazh,, thuhet në broshurat e këtij udhëtimi mbresëlënës, dhe të sigurohemi që jemi të përgatitur - të përgatitur të frymëzohemi, të mos frikësohemi, të themi vazhdimisht: "Ky është vendi i saktë ku jetonte Abrahami ... ku është Tempulli ku qëndronte ... aty ku lindi Jezusi ...

"Duke parë vendet që i kemi mësuar vetëm në libra, filma, dhe dokumentare, duke ndjekur të njëjtin terren që Jezusi po ecte, ose duke prekur muret e një manastiri të lashtë - kjo është eksitim do të qëndrojë me ju, shumë kohë pas vendosjes së fotografive tuaja në një album, mbasi keni vizituar Tokën e Shenjtë - Holy Land.

Kjo është një intervistë ilustruar me një foto-album nga Mark K. Shkreli,  rreth këtij shtegtimi dhe pelegrinazheve të tjera nga besimtarët e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, në Tokën e Shenjtë, javën e kaluar.

Të cilin na e ka sjellur ekskluzivisht për gazetën Bota sot, Drejtori i Revistës “Jeta Katolike” Mark K. Shkreli, i cili flet gjerësisht me gazetarin tonë në Nju Jork, Beqir Sina, për udhëtimin, shtegtim në Tokën e Shenjtë të 106 shtegtarëve të Kishës "Zoja e Shkodrës”, nga Nju Jorku në Nazareth dhe Bethlehem.

Ai me këtë rast ka ofruar një paraqitje skrupuloze në historinë e krishterimit dhe shenjtërinë - dhe bukurinë natyrore - të këtyre vendeve të Shenjta, për të cilat flet Shkreli, në përgjigjet e tij:

Çfarë kuptimi ka te besimtarët katolikë pelegrinazhi?

Pelegrinazhi për besimtarët katolikë ka një rëndësi për të zgjuar ose për të mbajtur gjallë ndjenjat shpirtëroe dhe për ta përforcuar besimin.

Kjo shtegtari, që u organizua nga Kisha “Zoja e Shkodrës”, nën drejtimin e Famullitarit Dom Pjetër Popaj, ishte dëshira e besimtarëve për ta parë nga afër vendin, trojet, në të cilat është lindur, ka jetuar, vdekur dhe ringjallur Shpëtimtari ynë Jezu Krishti. Kisha jonë ka organizuar edhe shtegtari të tjera, si për shembull, në vendet Mariane, Fatima, Lourdes, Genazzano; në kryeqendrën e katolicizmit Romë, si dhe në vende të tjera që mbahen të shenjta, por ky udhëtim, kjo shtegtari, ishte shtegtari mbi të gjitha tjerat, sepse ishte në vendlindjen e besimit krishtian, në Tokën e Shenjtë, për të tri fetë monoteiste, Judeizmin, Krishtianizmin dhe Islamin.

A është pelegrinazhi një obligim apo thjeshtë një rit i zakonshëm fetar?

Jo, Kisha katolike, feja jonë, shkrimet e shenjta, nuk na detyrojnë të bëjmë shtegtari të asnjë lloji, sikur është, p.sh., çështja me Islamin dhe Mekën dhe as që bëhen fjalë për rite fetare, përveç meshës dhe lutjeve të përditshme. Është vetëm dëshira jonë, ngjashëm me dëshirën për të vizituar të dashurit tanë, familjet, miqtë, vendet me rëndësi historike, etj.

Ju vetë si i mbani pelegrinazhet dhe kujt ja kushtoni ato?

Çdonjëri niset në shtegtari me dëshirat dhe synimet e veta, me njetët e veta, që natyrisht janë personale. Ashtu që edhe kushtimi është personal dhe të gjithë shtegtarët luten për njetet e veta por edhe për ato të grupit dhe çdo individi, si dhe për të gjithë besimtarët, e në veçanti për ata të famullisë së vet, në këtë rast atë të “Zojës së Shkodrës” dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Katolikët Shqiptarë a e kanë mbrojtur besimin e tyre me ndihmën edhe të këtyre shtegtimeve, pra sa ndikojnë ato në forcimin e besimit tuaj?

Natyrisht se parja nga afër e vendeve që ne i mbajmë për të shenjta ndikon shumë në ndjenjat shpirtërore të çdo besimtari. Nuk besoj se dikush që nuk e ka besimin të gjallë, do shkonte në kësi lloj shtegtimesh, sepse ato kërkojnë mund dhe para. Pra, duhet që njeriu ta ketë besimin, sado pak dhe, nëse po, atëherë shtegtarit ndihmojnë që besimi të përforcohet. Ngjashëm me vizitat që u bëjmë vendeve historike të kombit dhe botës. Kur je atje, edhe dashuria, nderimi, respekti, përforcohen. Feja ringjallet, ndjenjat e brendshme të pushtojnë tërësisht.

Cilat kanë qenë deri tani vendet më të rëndësishme fetare, që keni vizituar në kuadër të shtegtimit?

Siç e përmenda më parë, ishin disa shtegtari fetare të organizuara nga Kisha “Zoja e Shkodrës”. Ashtu, në vitin 1990 ishte vizita në Romë, Genazzano dhe në Israel; 1993, vizita në Shqipëri me rastin e shugurimit të katër ipeshkvijve dhe vizitës së papës Shën Gjon Palit II; në vitin 2000 “Udhëtimi i Shpresës” (Santaren, Fatima, Burgos, Lourdes, Avignon, Arles, Nice, Assisi, Rome, Genazzano); 2003 me rastin e lumturimit të nënës Tereze (Rome, Genazzano, Assisi, Firenze, Padova, Venezia, Loreto, Lanciano, San Giovanni Rotondo, Bari; përsëri në vitin 2016 me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze, Rome, Genazzano, Siena, Pisa, Firenze, Assisi, San Giovanni Rotondo, Bari, ku, përveç meshës në Basilikën dhe mbi varrin e Shën ‘Kollit, i bëmë nderime edhe Luigj Gurakuqit mu në vendin ku ai u vra më 2 mars 1925 nga atentatori Balto Stamolla.

Kësaj rradhe 106 shtegtarë të Kishës "Zoja e Shkodrës", 9 prill - 18 prill 2018, vizituan Tokën e Shenjtë. Pse zgjodhët pikërisht një javë pas Pashkës, të shtegtoni në Tokën e Shenjtë?

Ishte dëshira që vizita të bëhej gjatë javës së Pashkëve por ishim të vetëdijshëm se numri i shtegtarëve gjatë asaj periudhe do të ishte marramendës, andaj edhe vendosëm ta bëjmë pak më vonë, por gjithsesi gjatë kohës së Pashkëve, që zgjatë deri në festën e Rrëshajëve, që sivjet është më 20 maj.

A mundet të na e përshkruani këtë shtegtim?

Do duhej shumë kohë të përshkruaj çdo detaj por, megjithatë, po përpiqem shkurtimisht t’ua paraqes këtë shtegtari.

Pas arritjes në Tel Aviv me tri avio-kompani, Turkish, El Al dhe Al Italia, u nisëm për Nazaret me autobusë që pritnin për ne. Mbasi që u vendosëm në The Golden Crown Hotel, shkuam në Kishën Saleziane për kremitin e meshës.

Ditën e mërkurë filloi shtegtaria në Nazaret, qytetin e lindjes së Marisë dhe në të cilin Jezusi ka jetuar si fëmijë, duke u ndaluar në kishat: Shën Jozefit, Shpalljes (Annuciation), Kroi i Marisë, Kuvendin karmelit “Ylli i Detit” (Stella Marris) në Haifa, Kana ku Jezusi ka bërë mrekullinë e parë duke shndërruar ujin në verë. Në këtë kishë ne të martuarit kemi bërë edhe përtëritjen e kurorës së martesës.

Të enjten radhën e kishte Liqeni i Galilesë dhe Kapernaumi ku Jezusi ka jetuar për tri vjet, me pikat kryesore Mali i Lumturive, mali ku Jezusi ka ushqyer 5000 burra me 2 peshq dhe pesë bukë, Parësia e Shën Pjetrit, ku edhe u kremtua mesha e shenjtë nga Dom Pjetri. Mbas meshës dhe vizitës së vendlindjes së Marisë Magdalenë, Magdala, lundruam me anije nëpër liqenin e Galilesë, ku Apostujt dhe Jezusi kanë lundruar dhe peshkuar.

Të premten ishte udhëtimi më i gjatë, duke filluar në malin Tabor ku Dom Pjetri kremtoi meshën e ditës në Basilikën e Shndërrimit të Jezusit (Transfiguration), madje vazhduam rrugën poshtë luginës së lumit Jordan, duke u ndaluar në qytetin më të lashtë në botë, Jericho (Xheriko) dhe duke vizituar Malin e Tundimeve si dhe lumin Jordan ku është pagëzuar Jezusi nga Shën Gjon Pagëzuesi. Nga aty jemi vendosur në The Bethlehem Hotel në Palestinë.

Të shtunën, më 14 prill ishin vizitat në vendlindjen e Shën Gjonit, Fushës së Barinjve, Sheshit të Grazhdit, që qëndron para Kishës së Lindjes, pra Shpellës së Betlehemit, mbi të cilën është Basilika e Betlehemit, ku u kremtua mesha nga Dom Pjetri.

Të dielën përsëri u kthyem në luginën e Jordanit për të vizituar rrënojat e Qumran, ku janë zbuluar Shkrimet e Detit të Vdekur (Dead Sea Scrolls), pastaj kemi vizituar Betaninë dhe varrin e Lazrit, që Jazusi e ka ngjallur nga të vdekurit. Në Kishën e Betanisë ishte kremtimi i meshës.

Më 16 prill, ditë e hënë, kishte radhën udhëtimi i Dieles së Larit (Palmave) dhe Agonia e Jezusit, duke ecur rrugës së hyrjes së Jezusit madhërisht në Jerusalem, vizita në shenjtoren e “Ati Ynë”, lutje që Jezusi ua mësoi Apostujve e që ishte shkruar edhe në gjuhën tonë shqipe, vendin ku Jezusi qajti për Jerusalemin, Kopshti i Getsemanit dhe Kisha e Gjithë Kombeve ku gjendet shkëmbi ku “Djerësa e tij u bë si pika gjaku…”. Vendndalimi tjetër ishte Kisha e Shën Pjetrit në Gallicantu (Këndoigjeli), pra vendi ku Pjetri e mohoi Krishtin tri herë, para se të këndonte gjeli. Meshën e shenjtë e kremtuam në Shpellën e Apostujve/Getsemani. Mandej vazhduam për në Dhomën e Epërm dhe në Kishën e Fjetjes së Marisë (Dormition).

Dita e fundit e qëndrimit tonë në Tokën e Shenjtë ishte të martën më 17 prill, që paraqet edhe kulmimin e Shtegtarisë sonë, duke përfshirë Udhën e Kryqit përgjatë Via Dolorosa, kryqëzimin në Malin e Kalvarit, varrimin në varrin e ri të Jozefit nga Arimatea dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ishte kjo një ditë me ndjenja të forta dhe emocionuese e që kremtimi i Meshës së Shenjtë nga famullitari ynë Dom Pjetër Popaj mbi Varrin e Jezu Krishtit ishte një ngjarje që nuk mund të përshkruhet. Sot vizituam edhe Kishën e Shën Anës dhe Murin Vajtues (Vailin Wall), pjesë e Tempullit të Jerusalemit.     

Si e përcolli meshtari i juaj këtë shtegtim në Tokën e Shenjtë, mbas atyre shtegtimeve të mëparshme që ju e përmendet më parë?

Famullitari ynë Dom Pjetër Popaj, gjatë shtegtarive të mëparshme ka pasur rastin të kremtojë meshën në vende të rëndësishme, sikur janë Kapela e Fatimas, basilikat e famshme të Kishës Katolike: Lourdes, Arles, Assisi, Shën Pjetrit në Romë, Shën Padre Pio në San Giovanni Rotondo, Shën Nikollës në Bari, Shën Ndout në Padova dhe në Shenjtoren që ne e kemi shumë për zemër, të Zojës së Shkodrës në Genazzano. Natyrisht se zeniti për një meshtar është kremtimi i Meshës së Shenjtë mbi Varrin e Jezu Krishtit, gjë që Dom Pjetrit iu dha rasti ta bëj ditën e përfundimit të kësaj Shtegtarie. Këtë kënaqësi Dom Pjetri e ka përsëritur disa herë dhe jam i bindur se nuk do ta harrojë kurrë. Por, as ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë udhëtim e as prijësin tonë, të përndershmin Dom Pjetër Popaj.

Çfarë mbresash dhe emocionesh u ndie te 106 shtegtarët të Kishës "Zoja e Shkodrës”?

Sikur e theksova më parë, ndjenjat tona duke ecur në tokën që Shpëtimtari ynë Jezu Krisht kishte ecur ishin shumë të thella, mbresëlënëse. Grupi ynë përbëhej nga 106 vetë të moshave të ndryshme, duke filluar nga më të rinjtë 11 dhe 12 vjeçar tek më të moshuarin 87 vjeçar. Përveç moshave të ndryshme, ishin edhe asish me operacione gjunjësh dhe ijëve. Megjithatë, asnjëri nuk ka treguar ndonjë ankesë as për ecjet e gjata dhe të mundimshme në përpjetat dhe tatëpjetat e shumta. Mbresat e përmendura dhe besimi i fortë na kanë dhënë forcën e duhur për t’i përballuar të gjitha vështirësitë. Edhe më të moshuarit kanë shprehur dëshirën që Kisha jonë të organizojë shtegtari edhe në të ardhmen.

Cili do të jetë shtegtimi i radhës?

Janë shprehur shumë dëshira që të behën shtegtari në të ardhmen, duke përfshirë edhe përsëritje të të mëparshmeve. Shumë kanë shprehur dëshirën për një shtegtari në Shenjtoret Mariane sikur janë Fatima, Lourdes, Laus dhe Megjugorje. Tani për tani, na duhet kohë për të reflektuar mbi shtegtarinë e sapo përfunduar në vendet më të shenjta për krishterimin.

Më në fund, do të doja të shpreh vlerësimin tim për agjencinë Louis Overseas Travel operatorët turistikë Select International për planifikimin e përsosur të kësaj shtegtaruie.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat