Si u vranë Ahmet Krasniqi e Ilir Konushevci dhe kush tregtonte armë në kohën e luftës

Intervista

Si u vranë Ahmet Krasniqi e Ilir Konushevci dhe kush tregtonte armë në kohën e luftës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 3 prill 2018 Në ora: 09:39
Rexhep Shahu, në Stërvitjen "Drini 98" të Divizionit të Kukësit, në shpatet e Helshanit të Hasit, duke u përgatitur në luftën për Kosovën me Jonuz Hallaçin e Sul Diden

Publicisti i njohur nga Shqipëria, dhe gazetar gjatë luftës për Kosovën, Rexhep Shahu në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka shpalosur detaje dhe kujtime të padëgjuara më parë.

Shahu që kishte raportuar nga brezi kufitar Shqipëri- Kosovë, nga Tropoja, Hasi e Kukësi, në intervistë tregon arsyet që sipas tij, quan në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit dhe kush qëndron prapa kësaj vrasje. Po ashtu, për herë të parë, Shahu tregon edhe për tregtinë me armë që ishte bërë në Shqipëri, si dhe flet për vrasjen e Ilir Konushevcit dhe rolin e komandantëve të Rognerit dhe SHIK-ut në përçarjen e luftës së UÇK-së.

Për të mësuar me shumë detaje, lexojeni intervistën ekskluzive dhënë për gazetën kombëtare “Bota sot” nga publicisti dhe gazetari gjatë luftës në Kosovë, Rexhep Shahu.

“Bota sot”:  Zotëri Shahu, si e kujtoni kohen e luftës në Kosovë?

Rexhep Shahu: Nuk do të thoja koha e luftës në Kosovë, nuk më ka pëlqyer asnjëherë, por do të thoja Koha e Luftës për Kosovën. Është lufta e fundit në Europë, lufta e fundit e shqiptarëve apo beteja e fundit e luftës shekullore të shqiptarëve të Kosovës me Serbinë, lufta e parë e NATO-s, luftë për shqiptarët, për të shpëtuar shqiptarët, dy milionë shqiptarë të cilët quhen të tillë prej të gjithëve që nga Klintoni e deri te Gligorovi, që nga Haveli e Solana, quhen shqiptarë.

Ishte kohë e madhërishme do të thoja, epike, ishim me fat që jetuam ato kohë heroike e kohë loti. Pati shumë heroizëm e shumë lotë, lotë burrash shqiptarë.

Në ato kohë u shfaq UÇK, ekzistenca e së cilës është arritja më e madhe e popullit shqiptar në Kosovë. Fitorja më e madhe e UÇK është ekzistenca e saj. Nuk ka UÇK fitore më të madhe se kjo. Nëse përmenden beteja, nëse i quajnë luftëra këto betejat, nëse marrëzia shkon deri atje sa ta quajnë ndonjë betejë edhe epope, këto janë marrëzi tonat.  Fitorja më e madhe e UÇK është ekzistenca e saj. Ajo i bindi shqiptarët se edhe serbët i vret plumbi, i vret pushka. UÇK e drejtoi kurrizin e kërrusur të shqiptarëve. UÇK i mësoi shqiptarët apo u dha besim e siguri shqiptarëve se nuk duhet ta kthejnë më faqen tjetër kur të godet dikush në njërën faqe. UÇK i mësoi shqiptarët, i siguroi apo garantoi që të thonë, mjaft më, mjaft pushtimit gati shekullor serb.

Jam me fat, se jam gazetari i parë shqiptar që e kam futur në lajme e emisione termin UÇK, kur ishte pothuaj i panjohur për publikun dhe për strukturat në Shqipëri. I pari njeri apo zyrtar nga Shqipëria që më ka kontaktuar e më ka pyetur për UÇK në fund të vitit 1997 është gjenerali Kudusi Lame, atë kohë, komandant i divizionit të Kukësit, i dekretuar dhe emëruar nga Sali Berisha, që më ftoi në kafe një pasdite tek Bar Gjalica në Kukës dhe kërkoi të dinte ç’është kjo UÇK.

Jam me fat se jam gazetari shqiptar që e kam përcjellë për herë në mikrofonin e Radio Kukësit e të Radio Tiranës tekstin e betimit të UÇK që ma solli veprimtari Vexhi Përzhita, që ishte i lidhur me strukturat e luftës.

Jam përfshirë në çështjet e Kosovës që në vitin 1994 kur drejtori i Radio Kukësit Izet Duraku më ngarkoi gazetar që të mbuloja Kosovën dhe ta kthenim Radio Kukësin në shërbim të lirisë së Kosovës, ta kthenim siç e kthyem në një farë mënyrë në Radio Kosova. Kisha emisionin Vatër dhe Refleksione në radio Kukësi. Si gazetar kam punuar vetem për Kosovën dhe sensibilizimin e dëgjuesve për Kosovën.

Gazeta Rilindja e Kosovës, që e solli për herë të parë në Kukës Skënder Zogaj, dhe penat që shkruanin aty kanë qenë frymëzimi për mua dhe ne i përcillmin ato shkrime, i lexonim në radio.

Kam nisë raportimet ditore edhe për Radio Tiranën që në fillim të vitit 1998 dhe pothuaj çdo ditë raporti telefonik radiofonik që i jepja Radio Tiranës ishte lajm i parë në radio Tirana, falë Iliaz Spahiut e Zamira Kolecit.

Kujtoj ekipin e televizionit satelitor të Kosovës që u atashuan në Kukës, Besnik Kada aq shumë i angazhuar e i përkushtuar, Bekim Hasani, Ylli Daci i Tetovës, të tre studentë të gazetarisë në Tiranë dhe regjisori Esat Brajshori i cili është i vetmi person nga Kosova e pasluftës në ambasaden e Kosovës në Tiranë që më ka nderuar e respektuar duke marrë pjesë në dy promovime të librave të mi në Tiranë. Asnjë zyrtar tjetër i ambasadës së Kosovës së pasluftës nuk më ka nderuar as begenisur kurrë. Ndoshta jam duke rival sepse them se nga Tirana flas e shkruaj unë më shumë për Kosovën se gjithë përfaqësuesit e Kosovës në ambasadën e pasluftës në Tiranë që e kanë ulë aq shumë poshtë pohimin e praninë publike të Kosovës në Shqipëri në raport me ambasadën e Kosovës të paraluftës, sa më vjen turp.

Kujtoj lotë e gjak, kujtoj dëbimin e shqiptarëve e mbërritjen e tyre në Tropojë në fillim qershor 1998. Kam qëndruar shume ditë atje, disa herë, ruaj qindra zëra të dëbuarish e vendasish në intervista radiofonike. Të dëbuar plot dhimbje por njerëz krenarë, njerëz të bukur vinin nga Kosova. Dhe njerëz të bukur e të mëdhenj ishin pritësit e tyre në Tropojë që gjithmonë i konsideronin vëllezër të ardhurit.

Kujtoj ndërkombëtarët në Tropojë shumë të angazhuar, ruaj dhjetëra intervista me to.

Kujtoj Selli Beker engjëllin e Mostarit që i tha një njeri i maskuar në Tropojë, në cilën këmbë të ta bëj një vrimë me plumb dhe e qëlloi në këmbë. Ajo desh humbi këmbën, por falë shefit të OSBE në Tropojë Bill Foxton, kolonel anglez që ishte me një dorë, Selli Beckër shpëtoi këmbën dhe u dashurua me Bill Foxton dhe lindën një vajzë që sot është 20 vjeçe.

Kujtoi Rupërt Neudeck që kur po vinte nga Tropoja në Kukës e pyet Kadri Balën se ç’është ai tym në fshatrat rreth Gjakovës, e Kadriu i thotë “po digjen prej serbëve shtëpitë e shqiptarëve e dojçmarkat gjermane”. Nuk vonoi dhe mbërriti në Tropojë Klaus Kinkel, ministër i jashtëm gjerman...

Kujtoj në Tropojë Sali Çekun. Ishte bashkues jo ndarës e përçarës, ishte i hapur e jo i mbyllur dhe nuk shtirej si konspirativ, ishte bashkëpunues por strukturat e fshehta nuk e donin... Shumë kush don të ngjajë me të, don të jetë si ai, por nuk mbërrihet. Sali Çeku ishte hero, ishte njeri shumë i lartë, ishte luftëtar pa leje të askujt, ishte ndër njerëzit më të qartë që kam njohur nga ato njerëz të luftës me uniformë. Ai dinte të jepte mesazhe, dinte të ishte i dëgjueshëm sepse dinte çfarë artikulonte. I ruaj intervistat me Sali Çekun para se të vritej. Kam parë në një tubim në Deçan që të gjallët flisnin më shumë për veten e tyre se sa për Saliun. Të gjallët duan të më thonë se janë më trima e patriotë se Saliu sepse kanë ditë të jenë gjallë e Saliu është vrarë...

Kujtoj se si ia bënë shoshë me plumba makinën Musë Rexhës përfaqësuesit zyrtar të Kosovës në Tropojë. Musë Rexha nuk bënte biznes e nuk pranonte as lejonte që të bëhej biznes me fatkeqësinë...

Kujtoj psh kur kanë ardhë për herë të parë në fillim të 1998 në Kukës Fuat Ramiqi e Nehat Koçina dhe i kam shoqëruar për me gjetë vende të sigurta e të pranueshme, të përshtatshme për të krijuar qendrat e stërvitjes se trupave të Kosovës që u instaluan në rajonin e Kukësit. Atëherë e kam besuar se lufta ka nisë. Kanë parë zonën në Terthore, në Bardhoc dhe arritën në përfundimin se po të vendoseshin trupat aty ishte shumë afër kufirit dhe për pasojë shumë të ekspozuar ndaj serbëve.

Pastaj më vonë kemi naviguar zonën e Tërthores dhe u vura në dispozicion falas shtëpiat bosh të lagjes time Shahe, një ushtaraku të lartë gjilanas që e shoqëronte ushtari i vjetër Abdulla Tafili, i cili ishte i dyti më i moshuar në gjithë trupat e Kosovës pas bacit që quhej Zimer Kryeziu 72 vjeç i cili kishte ardhë prej Gjermanie si Avdula Tafili, që kishte lënë familjen atje dhe si ingjinier ndërtimtarie ishte paraqitë në luftë. Abdulla Tafilin e kisha mik, ai furnizonte ushtarët me produkte ditore nga Kukësi dhe takoheshim shumë shpesh. Kishim shkuar me të dhe Nehat Koçinën edhe në Pogaj që të vëzhgonim nga atje bazën ushtarake serbe të Shkozës afër Vërmices në kufi me Shqipërinë.

Ata që kanë qenë më aktivët, më të rëndësishmit në Shqipëri para dhe gjatë luftës, ata që në një farë mënyre e kanë mbjellë Kosovën në Shqipëri fatkeqësisht, dhe për fatin e keq të Kosovës, u shpërfillën e u mohuan në Kosovë pas luftës nga pameritorët. E konsideroj dëm të madh, e konsideroj si shembje urash.

“Bota sot”: Sipas jush, cilat ishin arsyet pse u vra kolonel Ahmet Krasniqi në Tiranë?

Rexhep Shahu: Ahmet Krasniqi u vra që të përcillej mesazhi se Kosova nuk do të bëhej e lirë. Ahmet Krasniqi u vra edhe nga konflikti mes grupeve rivale për pushtet e jo për liri që ekzistonin në ato kohë në UÇK.

U vra ministri i mbrojtjes së Kosovës, ishte ministër i Kosovës e jo i LDK siç duan ta quajnë disa, ishte ministër i Kosovës se qeveria Bukoshi ishte qeveri e Kosovës jo vetëm e LDK. Ishte ministër i Kosovës se e kishte caktuar ministër kryeministri pasi kryeministri i cakton ministrat dhe i dekreton presidenti.

Ushtarët ishin të njëjtët, ishin shqiptarët, komandantat ishin dy grupesh. Në një anë ishin oficerë profesionistë që erdhën për të hyrë në luftë, në anën tjetër ishin analfabetë idealistë që donin lirinë, ishin enveristë që donin lirinë por donin të ishin komandantë dhe shiteshin si supërpatriotë dhe gjykonin keq për oficerët profesionistë të Kosovës. Sipas komandantëve të pashkollë, oficerat me shkollë të Kosovës nuk duhet të ishin patriotë e atdhetarë. Ahmet Krasniqi vuri baza institucionale të luftës dhe ofroi siguri se lufta do të bëhej e organizuar dhe jo thjeshtë luftë çetash e grupesh guerile sipas katundeve të tyre. Organizimi makro i forcave të Kosovës nuk i interesonte Serbisë por dhe partizanëve të vegjël për përgjegjësi të mëdha.

Arsyet se pse u vra Ahmet Krasniqi nuk i di, thjeshtë mendja fluturon, por di ca skena, ca ngjarje si p.sh. kur ia morën pistoletën në Kukës Ahmet Krasniqit dhe si i doli zot asaj pistolete Fuat Ramiqi që bëri një natë burg për këtë shkak...

Kujtoj se Ahmet Krasniqi pritej e nderohej si ministër prej gjeneralit të Kukësit Kudusi Lame, deri kur ka ndodhë përplasja në Kalimash.

Mbaj mend se më shumë se një javë kam pirë cigare të Ahmet Krasniqit, që ia pati lënë në zyrë me 14 shtator 1998 gjeneralit Lama dhe ai ngaqë nuk pinte cigare pakete mi jepte mua  ato paketa. Dhe unë thoja sa herë pija cigare, tu rritë ndera Ahmet Krasniqi.

“Bota sot”: Kush qëndron prapa kësaj vrasje dhe kush duhet të përgjigjet për këtë?

Rexhep Shahu: Pas kësaj vrasje qëndrojnë serbë e shqiptarë, mendoj unë. Unë thjeshtë mendoj, arsyetoj. Nuk besoj se është vrasje rruge apo nervozizëm çasti, por besoj se është e studiuar, e organizuar, e menduar mirë. Bashkë me vrasjen e tij kanë synuar të vrasin çështjen, të stopojnë lëvizjen. Besoj se është dorë shërbimesh sekrete. Pa doraci nuk ka rëndësi, urdhëruesit e kanë vrarë jo ato që kanë tërhequr këmbëzën.

“Bota sot”: Po për vrasjen e Ilir Konushevcit, kush është fajtor dhe kush janë autoret e kësaj vrasje?

Rexhep Shahu: Ilirin kam shkruar se e ka vrarë një pyetje shqetësuese që ka ngritur ai në një takim konsultativ në Krumë. Ai sillte armatim, e blinte dhe  e sillte që të tjerët ta përcillnin në Kosovë. Ai mëson se shitësit që e përcillnin në Kosovë e shisnin armatimin shume herë më shtrenjtë.  Nuk vonoi shumë dhe ai e mori përgjigjen e pyetjes që bëri...

“Bota sot”: “Si është e mundur që armët që blihen, për shembull, 3 dollarë këtej në Shqipëri, të shiten 6 dollarë në Kosovë… “ Keni thënë se kjo pyetja që bëri Ilir Konushevci në një mbledhje në Krumë të Hasit, mendohet se ia mori jetën. A mund te na shpjegoni me shumë këtë?

Rexhep Shahu: Për pyetjen që bëri në Mbledhje në Has e mori përgjigjen Iliri, ia dhanë përgjigjen në pritën që ia mori jetën. Dikush kishte dalë për luftë, dikush për biznes. Luftërat janë edhe biznes.

“Bota sot”: A ka pasur tregti me armë në kohën e luftës?

Rexhep Shahu: Ka pas tregti me armë në kohën e luftës. Tregtia e armëve ka qenë një ndër shkaqet e përçarjes së grupeve të UÇK. Në fund kur filluan të tregtohen raketa krahu, u komplikua shumë konflikti por edhe u kërcënuan edhe përkrahësit e huaj të cilët donin të kishte armë në Kosovë por jo të atilla saqë mund të dilnin nga parashikimet e të qëllohej p.sh. ndonjë avion vëzhgimi... Di se vinin kamionë me armë. Herë me leje e herë pa leje, herë më letra kalonin postblloqet e policisë e here me lekë në dorë. Kohë e artë për dallavere.

Mijëra njerëz nga Kosova vinin në Kukës me ble armë. Në Kosovë shkonin armë edhe nga anë të tjera apo rrugë të tjera. Dikush shiste armë atje, dikush raportonte në polici se ku e kush ka armë, policia i mblidhte armët, pastaj ca “luftëtarë” imponoheshin tek njerëzit se kush nuk ka armë nuk është patriot e shqiptar i mirë e njerëzit detyroheshin ti blinin armët shtrenjtë nga tregtarët e mbrojtur.... Në këto rrethana shumë njerëz vinin në Kukës vetë me ble armë.

Unë ato kohë bëja thirrje në mikrofonin e radio Kukësit i thoja popullit, jepini armë Kosovës. Nëse nuk mundeni me ua falë armët, shituani, sepse një armë më shumë, një serb më pak, një ditë më shpejt liria e Kosovës. Këtë thirrje e bëja shpesh dhe kërcënohesha shpesh nga ky shkak.

Armë kishte plot, po shumë plot, ishin shpërthyer depot në 1997 dhe Shqipëria kishte armë me furnizue edhe serbët e jo më shqiptarët. Për këtë thirrje që bëja më pushuan përkohësisht nga puna...

Ndër ato mijëra njerëz që vinin për armë do të përmend Ahmet Selmanin nga Gjinovci i Suharekës që erdhi me 90 mijë marka për me ble armë për tre fshatra. Nuk erdhi vetëm, erdhën shumë njerëz me të, por po e rrëfej se si ishin organizuar. U strehuan tek shtëpia e Rasim Demës në Bardhoc disa ditë, një shtëpi që kishte shërbyer si bazë shumë kohë për UÇK.

Ishte koha kur u shtrua pyetja, a vetëm një grusht njerëzish e duan luftën dhe lirinë. U mor vesh se nuk ishin thirrë në luftë rajonet e tjera të Kosovës veç Drenicës, nuk ishte thirrë në luftë Prizreni, Suhareka dhe shumë rajone por ishin ngritë vetëm nga disa fshatra të Drenicës. Kështu qarkullonin fjalë në Kukës, Has e Tropojë. E unë fjalë mblidhja atëherë.

Atëherë këto fjalë janë përcjellë në Kosovë. Një nga përcjellësit e këtyre fjalëve është, një vermicali, Cen Fana, që ishte arratisë shumë kohë më parë nga Kosovë dhe jetonte në Kukës.  Shpejt u mbush vendi me “rugovistë”, me njerëz që hapur thonin jemi të LDK, jemi të Rugovës por kemi dalë në luftë e duam pushkë, armë.

“Bota sot”: Komandantet e “Rognerit”, sipas jush a ndikuan në përçarjen e UÇK-së?

Rexhep Shahu: Patjetër që ndikuan në përçarjen e UÇK, në përvetësimin e saj, u sollën e vazhdojnë të sillën si pronarë të saj, u përdorën dhe bashkëpunuan më zyrtarë të tipit të Paskal Milos që komandantëve u dukej si zoti e më i ditur se zoti dhe mahniteshin prej tij për të folurën e bukur të gjuhës letrare, por ai ishte përçarës, urrejtës, ai urrente Rugovën dhe institucionet e Kosovës.

Historia nuk përjashton asgjë të rëndësishme, një ditë deomos do të rrëfehet në histori edhe krenaria apo kënaqësia e shprehur me zë e disa individëve komandantë e eprorë e politikanë në hollin e në shkallët e Rognerit kur erdhi lajmi se u vra Adem Jashari më gjithë familjen e gjerë. Nuk harrohet zgërdhirja e atyre njerëzve dhe dikush një ditë do ti artikulojë këto gjëra pasi Kosova nuk do ta durojë gjatë shalimin e rrenave.

“Bota sot”: A duhet te hetohen këta komandantë për vrasjen e Ahmet Krasniqit e Ilir Konushevcit?

Rexhep Shahu: Nëse ndonjëherë do të ketë shtet ligjor e serioz në Shqipëri e Kosovë edhe mund të hetohen krimet e ndodhura, por e kam të vështirë ta besoj këtë pasi duhet të kalojë kohë dhe ngjarjet historike i peshon vetëm koha dhe i vendos në vendet e duhura. Çdo gjykim tjetër partizançe është po luftë guerile apo partizane, është gjuajtje poshtë belit, është opinion gazetaresk si ky i imi.

“Bota sot”: Si e shpjegoni ju luftën e këtyre komandantëve ndaj presidentit Rugova?

Rexhep Shahu: Rugova i tërbonte të gjithë sepse rezultoi më trimi, më qëndrestari, më i kthjellëti, më i madhi. Ai dy herë i bëri mbrojtje brilante UÇK kur tha se shqiptarët po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre dhe kur u përball në Hagë më Milosheviqin. Dhe sa herë i ka kritikuar ai nuk ka bërë kurrë gabim. As kur ka thënë, dorë e zgjatur e Serbisë nuk ka gabuar, sepse ai kishte informata më shumë se çdo njeri që kujtonte se dinte, pasi tek Rugova kryqëzoheshin informacionet dhe jo te cilido komandant.

“Bota sot”: A duhet të hetohet SHIK-ut i Kosovës dhe i Shqipërisë për veprimtarinë e tyre?

Rexhep Shahu: Dua të besoj se SHIK-u ka bërë punë të mira dhe të këqija, ka ndihmuar në bashkëpunim me amerikanët por edhe ka abuzuar me përkrahje të majtësh, me gradime të majtësh. SHIK-u i Tiranës në kohën e luftës ishte në dorë të majtësh dhe nuk e donin Rugovën. Rugova kishte lidhë marrëveshje me Ramiz Alinë por komandantët kujtonin se me to nis e mbaron lufta e historia. Sidomos komandantët jo meritore, apo komandantët e pasluftës që u bënë përbindësha...

“Bota sot”: A kanë bashkëpunuar këto shërbime mes tyre?

Rexhep Shahu: Patjetër kanë bashkëpunuar dhe nuk ka fituar Kosova në këtë bashkëpunim. Pasi nuk janë përkrahë profesionistët, e kanë kujtuar Kosovën si tokë të shkretë, sikur atje nuk ka patur kurrë njerëz, i kanë menduar të burgosurit e Kosovës si njerëz të shitur tek Serbia kur në fakt në burgjet serbe është kalitë qëndresa shqiptare.

SHIK-u ka bërë edhe shpikje të mëdha pas lufte. Ka shpallë veteran lufte Fatos Klosin kryetarin e SHIKUT të Shqipërisë. Kjo është tallja më e rëndë e mundshme. Nuk e ka bërë as e ka fituar luftën shërbimi sekret shqiptar. Nëse ka fituar shërbimi serkret është shërbimi sekret amerikan. Duhet t’ua kujtojmë njerëzve se ne të gjithë shqiptarët kemi qenë aktorë të dorës së dytë e të tretë në këtë luftë.

“Bota sot”: Si e shpjegoni situatën politike në Kosovë?

Rexhep Shahu: Jo e mirë, jo e qëndrueshme. Kosova duket si e marrë peng nga komandanta jo të meritës, nga haraçista, nga kopukë e bashibozukë. Janë bërë më të pasur lloj lloj analfabeti, lloj lloj njeriu jo meritor.

“Bota sot”: A duhet te dorëhiqet “krahu i luftës”

Rexhep Shahu: Krahu i vërtetë i luftës është i tërhequr, por ata që iu ngjitën luftës  pas luftës ata kanë bërë e po bëjnë kërdinë në Kosovë. Unë njoh luftëtarë realë që nuk duken askund, nuk përfillen, nuk don të dijë askush asgjë për to. Nuk janë ata që kanë bërë vërtetë luftë që kanë bërë plaçkë e prokopi në Kosovë, periferikët e luftës kanë bërë kërdinë. Ata që kanë bërë luftën janë në varr ose janë invalidë në shtëpitë e tyre, janë të harruar nga Thaçi me kompani që shesin dekorata e medalje organizatave e grupeve enveriste, marksiste, leniniste.

Blihet sot anëtarësia në luftë, shiten si dekorata vërtetimet që je veteran lufte, shiten për vota dhe kjo është tallja më e rëndë që i është bërë Kosovës, lirisë, gjakut e luftës nga komandantat. Kosova deri me 50 mijë veteranë!!. Atëherë Amerika e bota pyesin, kur paskan pas kaq shumë ushtarë shqiptarët  pse hymë ne në luftë, pse erdhëm ne... Lista e fryrë e veteranëve është atentat i rëndë kundër Kosovës dhe miqve të saj, atentat që i intereson vetëm Serbisë dhe historisë që shkruan Serbia, se do dalë nesër dikush e do thotë që ne serbet i shkatërruam shqiptarët edhe pse ata kishin një ushtri 50 mijë anëtarëshe në luftën për Kosovën.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat që e presin Kosovën ne të ardhmen?

Rexhep Shahu: Me heqë nga pushteti të paaftët, hajnat, kopukët. Kosova është ëndrra jonë, shpresa jonë që po lëngon nga pushtuesit injorantë që kanë pushtuar pushtetin. Unë jam nga Kukësi, stërnip Prizreni, jetoj në Tiranë, por kokën e kam të mbështetur në Kosovë.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për klasën politike në Kosovë?

Rexhep Shahu:  Të vjedhin më pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat