Gjergj Dedaj: Ata që mbjellin pemët, nuk ua shijojnë frutat. Ata që bëjnë sakrifica, nuk e gëzojnë lirinë!

Intervista

Gjergj Dedaj: Ata që mbjellin pemët, nuk ua shijojnë frutat. Ata që bëjnë sakrifica, nuk e gëzojnë lirinë!

Më: 24 mars 2018 Në ora: 21:13
Gjergj Dedaj

Gjergj Dedaj u lind më 23 Prill 1954 në Gjakovë. Është politikan shqiptar meritash të larta njerëzore dhe atdhetare. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Diplomoi në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Filozofisë dhe Sociologjisë. Aktiviteti politik: Gjergj Dedaj është themelues i liberal demokracisë në Kosovë (1991), dhe aktualisht kryetar i Partisë Liberale të Kosovës. Ka qenë nënkryetar i Parlamentit të Kosovës – 1998. Anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës – 2000. Bashkëkryetar i Grupit Parlamentar për Integrim. Anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrim në BE dhe strukturat Evroatlantike në Kuvendin e Kosovës 2005-2007. Deputet i Kuvendit të Kosovës (2004-2007). Nënkryetar i Internacionales Liberale me seli në Londër. Anëtar i Këshillit të ELDR-it me seli në Bruksel. Kandidat për “Çmimin e Lirisë” të Internacionales Liberale me seli në Londër. Qytetar Nderi i Qytetit të Lezhës.. Përveç gjuhës amtare shqipe, flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjermane. Kohëve të fundit është Zv/Ministër i Ministrisë së Jashtme në Qeverinë e Kosovës. Është i martuar dhe ka 5 fëmijë. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Albanezul:  Shkëlqesi! Si Ju duket jetesa dhe mbijetesa në Kosovë?

Gj. Dedaj: Mbijetesa gëlltitet nga hijenat ballkanike! Ata që mbjellin pemët, nuk ua shijojnë frutat. Ata që bëjnë sakrifica, nuk e gëzojnë lirinë! Skulpturat dhe pikturat vlerësohen dhe shiten pasi të vdesë autori i tyre! Koha për të ecur drejt diellit dhe për të ikur nga errësira! Më kujtohen vargjet e një poeti: “Dialogu me kohën të fton/ Për të krijuar botën/ E një cilësie më të mirë/ Me energji fizike/ Dhe ëmbëlsi shpirtërore/ Me aftësitë e lindura/ Për t’i nusëruar fjalët/ Që nuk mplaken kurrë.” Koha nuk pret. Ajo është një koprace që fluturon, kurse ne mbetemi në vend, duke u mahnitur me vetëveten dhe me mosintegrimin tonë në gjirin e komunitetit europian (BE). Më duket se jemi në trenin e shpejtë Paris-Bruksel, aty ku ne shqiptarët historikisht po vonohemi, nga plogështia, injoranca dhe hipokrizia. Së fundmi edhe nga hezitimi i përcaktimit tonë politik europerendimor, të cilin e kemi vënë në luhatje dhe lajthitje, për arsye interesash klanore antikombëtare!

Albanezul: Si u prit dhe si u kremtua 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës në Kosovë?

Gj. D.: Më impresionon 10 vjetori titanik i Kosovës. Viti 2018 ishte një vit i sfidave dhe përgjegjësive institucionale të Republikës së Kosovës, 10 vjetori i pavarësisë, një inkurajim për të ruajtur dhe kultivuar partneritetin me SHBA, Bashkimin Europian dhe NATO-n, por edhe për të trimëruar dhe forcuar besimin në sovranitetin, integritetin dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Kosova është e pregaditur për sfida të rradhës, por uniteti politik dhe institucional, ështe imediat për vitin 2018. Vlen të potencojmë se politika e Jashtme e Kosovës duhet të ketë prioritet thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me SHBA, Bashkimin Europian dhe NATO-n, kurse vendet tjera të botës së tretë, janë të dorës së dytë, sipas interesave reciproke!

Albanezul: Na impresionon biografia Juaj dhe martirizmi i familjes Suaj. Nga familja Juaj ranë dhjetra vetë viktimë e dhunës dhe terrorizmit serb në Kosovë.

Gj. D.: Meriton të përmendni faktin se në vitin 1998 kam qenë udhëheqës i 60 demonstratave gjithëpopullore në Prishtinë kundër pushtetit barbar të Millosheviqit që ka vrarë 12 anëtarë vetëm nga familja ime: Pjetër Dedaj, Gjon Dedaj, Mark Dedaj, Pashk Dedaj, Gjokë Dedaj, Musë Dedaj, Martin Dedaj, Nikollë Dedaj, Linton Dedaj, Mikel Dedaj, Frrok Dedaj, Dedë Dedaj. Lavdi dëshmorëve të kombit! Kur bëhet fjalë për sakrificat dhe martirizimin e Partisë Liberale të Kosovës, vetëm në Gjakovë janë vrarë qindra anëtarë të PLK, duke përfshirë anëtarë të kryesisë, të këshillit kombëtar dhe tre kryetarë degësh të partisë: Pal Prendi, Gjokë Dedaj dhe Tomë Prela. Ne jemi parti martire dhe misionare e lirisë së Kosovës. Viti i 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i bashkoi në Lezhë, prijësit dhe liderët politikë të shqiptarizmit mbarëkombëtar. Historia nuk duhet të harrojë lavdinë dhe gardianin e popullit shqiptar, dhe të civilizimit europian, Gjergj Kastriotin.

Albanezul: Keni patur fat të njihni presidentë, kryeministra, ministra dhe kryetarë bashkishë shqiptare dhe botërore.

Gj. D.: Është kënaqësi kur Lezha të nderon! Në Guskë të Gjakovës, më 19 Maj 2013, nga ceremonia e dhënies së titullit "Qytetar Nderi i Lezhës" nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti historik të Besëlidhjes dhe Kuvendit të Gjergj Kastriotit. Ky titull m’u nda në vendlindjen time, para përmendores së Lirisë së 25 martirëve të Kosovës. I nderuari të nderon! Janar 2018. Pas vizitave në Lezhë, Shëngjin dhe Krujë, dhe takimeve me udhëheqës të këtyre Bashkive, në kuadër të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, arrita në Vlorë, ku në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, vura kurorë pranë bustit të Ismail Qemalit, me rastin e 99 vjetorit të vdekjes së këtij burrështetasi dhe flakadani të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 24 Janar 2018. Kryetari i Vlorës historike, Dr. Dritan Leli, rezervoi një pritje zyrtare për mua, në Bashkinë e Vlorës, në kuadër të vizitave të mija me udhëheqës të Lezhës, Krujës dhe Vlorës.

Albanezul.: Jeni pasardhës i Gjergj Kastriotit. Ka raste kur Kosova të harron?

Gj. D.: Liberalët e Partisë Liberale të Kosovës, gjatë luftës ishin në krye të mbi 60 demonstratave gjithëpopullore kundër pushtuesve serbë, në mbështetje të luftës mbrojtëse të UÇK-së, intervenimit të NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës! Në një foto, në mesin e të parëve: sekretari Blakaj, i ndjeri në te majtë, kryetarja e gruas Liberale, Kristina dhe në te djathtë kryetari i Liberalëve të ri të Kosovës, Armendi. Skena të ballafaqimit me realitetin e asaj kohe për ta krijuar sot shtetin tonë. Gjithmonë ishim në mesin e të parëve si pjestarë të devitshëm të PLK-së. Nga arkivi historik i Partisë Liberale të Kosovës, kemi dëshmi se në nje seancë të Kuvendit të Kosovës, gjatë luftës, më 1998, në plan të parë, Presidenti Historik Rugova, kryetari i Kuvendit, Akademik Idriz Ajeti dhe unë si nënkryetar i Kuvendit të luftës! Ja një fotografi duke ia dhuruar ish Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, pikturën e Kryetrimit legjendar, Gjergj Kastrioti!

Albanezul: Si e shihni, si e shpjegoni çështjen e Demarkacionit, Zt. Dedaj?

Gj. D.: Qysh në fillim të këtij viti kam theksuar se argumentet dhe dabati janë çështje të hapura për të gjitha problemet. Politizimi i Gjykatës Speciale, Demarkacionit dhe Asociacionit, nga një pjesë e politikës dhe mediave të verdha në Kosovë, i bën shërbim politikës serbe dhe qarqeve antikosovare. Debati dhe dikskutimet profesionale për keto tema është një gjë normale dhe çështje e hapur për opinionin, por edhe për vete akterët e këtyre çështjeve të ndjeshme të Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan demarkacionin, por nuk mund të luajnë rolin e patriotëve as të shpëtimtarëve, sepse nuk janë të tillë. Ata duhet t’u kërkojne falje qytetarëve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë, për vonesën e kotë tre vjeçare dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës!

Albanezul: Keni qenë në Romë, me rastin e një vizite të kahershme në Selinë e Shenjtë, në Vatikan?

Gj. D.: Njohja e Kosovës nga Vatikani, është e një rëndësie të veçantë historike, politike dhe strategjike për vitin 2018, vitin e Gjergj Kastriotit! Shpëtimtari i shqiptarisë, Gjergj Kastrioti i cili mposhti Perandorinë Osmane, duke mbrojtur Ballkanin dhe Europën nga shfarosja e hordhive barbare turko-osmane. Këtë e thamë më lart dhe vlen ta rithemi. Historia nuk duhet të harrojë lavdinë dhe gardianin e popullit shqiptar, dhe të civilizimit europian.

Albanezul: Çdokush nga politikanët tanë e din se janë 5 vende që s’e njohin Kosovën. Rumania ishte vendi i parë që e njohu pavarësinë e Shqipërisë më 1913, në kohën e kryeministrit Titu Maiorescu. Çka bën Ministria e Jashtme e Kosovës për ta bindur Rumaninë se Kosova për Shqipërinë është siç është Moldova për Rumaninë?

Gj. D.: Kjo është një pyetje e lehtë për një përgjigje të rëndë. Kosova nuk hidhërohet pse Rumania nuk e njeh Kosovën, ka thënë për shtypin rumun presidenti Thaçi para disa vitesh, kur ishte Kryeministër. Po kështu ka thënë edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu. Nuk mund ta detyrojmë Rumaninë të na njohë derisa të bindet se Moldavia është pjesë e Rumanisë historike dhe Kosova pjesë e Shqipërisë etnike. Zt. Tiberius Puiu, ish këshilltar i Qeverisë rumune ka thënë para disa vitesh me rastin e përurimit të librit të Islam Laukës në Bukuresht, se derisa Moldova ka qenë koloni e Rusisë, Kosova ka qenë koloni e Serbisë.

Albanezul: Kush janë Qenjtë e Sodomës sipas mendimit Tuaj?

Gj. D.: Gazetari(a) është qeni besnik i demokracisë, por për fat të keq, disa portale kosovare janë bërë si hijena, të cilat vrapojnë pas kërmave dhe breshkave të ngordhura. Disa nga ata, të shtyrë nga urdhërdhënësit serbë, kanë vënë në shënjestër gardianët e Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës. (Intervistë e realizuar nga Baki Ymeri, kryeredaktor i revistës „Albanezul”, Bukuresht 24 Mats 2018)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat