Tregu diplomatik, i solli shumë dëme Kosovës

Intervista

Tregu diplomatik, i solli shumë dëme Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 mars 2018 Në ora: 13:16
Intervistë me Selim Dakun, Drejtor i Qendrës së Kosovës për Diplomaci

Kosova duhet të njoftoj vendet që kanë njohur atë për fushatën e egër dhe të pamoralshme serbe ndaj Kosovës. Kështu thotë në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Drejtori i Qendrës së Kosovës për Diplomaci, Selim Daku. Gjatë kësaj interviste, Daku, ka folur për rrugëtimin diplomatik të shtetit të Kosovës si dhe sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai ka deklaruar se ratifikimi i demarkacioni në kuvend do të shpejtonte procesin e arritjes së lëvizjes pa viza nëpër shtetet e zonës shengen.

“Bota sot”: Sa është punuar në rritjen e numrit të njohjeve dhe cili është subjektiviteti i Kosovës sot?

Selim Daku: Kosova ka punuar aq sa udhëheqësit kanë ditur dhe mundur të punojnë. Shteti që nga shpallja e pavarësisë është ballafaquar me sfidën e qëndrueshmërisë institucionale gjë e cila reflekton edhe në arritjen e objektivave në politikën e jashtme, siç është rritja e numrit optimal të njohjeve, gjë e cila nuk do të garanton edhe subjektivitet të optimal në arenën ndërkombëtare.  Krejt kjo ka ardhur si rezultat i ministrave të teorisë apo përkthyesve modest.

“Bota sot”: Cili është pozita e Kosovës në arnën ndërkombëtare?

Selim Daku: Kosova gjendet në një pozitë të shtetësisë së kontestuar. Ajo mund të ishte në një pozitë shumë më të favorshme sikurse të kishte fokus afatmesëm të arritshmërive. Këtu qëllimi mund të ishte eliminimi i barrierave për aplikimi dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

“Bota sot”: Sa është punuar në ndërtimin e raporteve diplomatike të Kosovës me shtete që e kanë njohur dhe me ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendin tonë?

Selim Daku: Udhëheqësit dhe diplomatët tanë nëpër botë kanë zhvilluar diplomaci sikur të ishin përfaqësues të një superfuqie botërore. Pjesë e agjendave të tyre mesa duket janë vetëm çështje të natyrave të mëdha, të cilat sikur do të përcaktonin fatin e popullit në vendin se ku shërbejnë. Ky pohim vie si rezultat i të mirave minimale që i kanë sjellë shtetit dërgues. Prandaj, ndërtimi i raporteve diplomatike është varur direkt nga puna e përfaqësuesve. Kjo nënkupton se Kosova ka ndërtuar raporte diplomatike me një numër të konsiderueshëm të shteteve që kanë njohur pavarësinë, por nuk i ka zhvilluar ato mjaftueshëm. Duhet të dimë, po ashtu se de-fakto me angazhim raportet diplomatike janë ndërtuar dhe mund të ndërtohen e zhvillohen edhe me subjektet e së drejtës ndërkombëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Bota sot”: Cili është niveli i përfaqësimit të ambasadorëve në botë dhe cila është perfermanca e tyre??

Selim Daku: Shumica e përfaqësuesve diplomatik të Kosovës nëpër botë marrë individualisht janë emra të njohur. Një pjesë e tyre janë diplomat me njohuri simbolike e disa të tjerë mund të jenë primitiv me klasë. Ndërtimi i një shërbimi diplomatik me staf joadekuat, padyshim që nuk mund të prodhojë diçka tjetër pos një tuxharllaku diplomatik që Kosovës më shumë i ka sjellur dëm sesa dobi. Shërbimi diplomatik i Kosovës është thuajse e pamundur të reformohet, ai vetëm mund të transformohet në mënyrë që të kemi një rritje të  lehtë të performancës së tyre e që simbolikisht mund të i sillte të mira shoqërisë brenda shtetit.

“Bota sot”: Tash po pritet që të ratifikimi i marrëveshjes më Malin e zi për Demarkacionin, qytetarët e Kosovës a do të  lëvizin pa viza?

Selim Daku: Miratimi i marrëveshjes për “demarkacionin” e kufirit me Malin e Zi është një kriter që për mua paraqet një standard të dyfishtë të BE-së për Kosovën. Konsideroj që ratifikimi i demarkacioni në kuvend do të shpejtonte procesin e arritjes së lëvizjes pa viza nëpër shtetet e zonës shengen.  Për qytetarët e Kosovës lëvizja pa viza nënkupton edhe lëvizje sociale-kulturore, politike e ndoshta edhe ekonomike. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk fitojnë vetëm lëvizje në kuptimin fizik.

“Bota sot”: Një kusht tjetër është korrupsioni, a mund të këtë lëvizja të lirë pa e plotësuar këtë kriter?

Selim Daku: Kriteri i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është një akt që kryhet me një veprim, pra është një proces i cili zgjatë dhe nuk ka përfundim. Në këtë proces që nga paslufta kanë patur qasje OKB-ja përmes mekanizmave të saj dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe Bashkimi Evropian përmes EULEX-it. Të gjithë këta mekanizma sikur edhe drejtësia vendore nuk ka kryer punët në mënyrë efikase në mënyrë që të mos ekzistoj si kriter për liberalizimin e vizave luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, fajtor për këtë nuk janë vetëm institucionet vendore por edhe ato me përgjegjësi që kanë vepruar duke përfaqësuar organizatat ndërkombëtare. Prandaj, mund të konkludojmë që ky proces duhet të vazhdoj dhe duhet shpejt të prodhoj rezultate konkrete që do të bindnin BE-në se institucionet vendore kanë marrë seriozisht këtë gjë.

“Bota sot”: Nga zyrtarë të lartë të shtetit është premtuar krijimi i ushtrisë, por sa mund të arrihet një gjë e tillë duke pasur parasysh pengesat?

Selim Daku: Jemi mësuar tashmë me premtimet boshe të zyrtarëve tanë. Ne e dimë që krijimi i ushtrisë nuk varet vetëm nga ta, ai ishte një proces i cili do të përfundoj me një akt. Pas unifikimit të faktorit shqiptar përfundimi i këtij procesi me përfaqësuesit serbë do të prodhoj edhe disa kompromise të dhimbshme, të padrejta por të domosdoshme. Është jashtë çdo logjike që ky proces të mos përfundoj deri në vjeshtën e këtij viti.

“Bota sot”: Cili do të jetë ndikimi i Gjykatës speciale në skenën politike?

Selim Daku: Duke analizuar pretendimet mbi të cilat ka nisë themelimi i kësaj gjykate padyshim që ndikimi i procesit gjyqësor në skenën politike në vend do të jetë i lartë. Gjykata speciale si e tillë është e njëanshme dhe e padrejtë. Ajo përfshinë  periudhën kohore 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000 periudhë në të cilën ka patur zhvillime dinamike në jetën socio-politike, që nënkupton se shumica e partive politike parlamentare direkt apo indirekt mund të preken nga hetimet e kësaj gjykate.

“Bota sot”: Gjatë vizitës në Kosovë, kryeministri shqiptarë  Edi Rama, dha një ide  për president të përbashkët, sa mendoni se do të ndikonte kjo në raport me politikën  ndërkombëtare? A mund të jetë një rrugë për bashkim kombëtarë?

Selim Daku: Kosova dhe Shqipëria në arenën ndërkombëtare vazhdimisht kanë pohuar se duhet të ketë unifikim. Padyshim asnjëherë më parë nuk është menduar për një president të përbashkët, por çdo  herë është menduar për politika të përbashkëta, ambasada e shërbime diplomatike e konsullore të përbashkëta. Edi Rama, vetëm ka avancuar idetë e ripërsëritura të zyrtarëve të të dyja shteteve nëpër vite. Kjo ide padyshim që nuk do të mirëpritej nga fqinjët ballkanik, madje do të konsiderohej si rrezik, i cili  mund të qonte në harmonizim të ideve të shteteve që kanë pretenduar e copëtuar historikisht trojet shqiptare. Bashkimi Evropian si organizatë që tenton të ruaj status quon në këtë territor, këtë ide e konsideron të pamatur. Nuk e shoh si rrugë për bashkim kombëtar, por si një përafrim në mes dy shteteve për realizim të interesave të përbashkëta të një populli. Prandaj si ideja e Edi Ramës nuk është vetëm një ëndërr, edhe pse vështirë e realizueshme në dhjetë vjeçarin e ardhshëm.

“Bota sot”: Cila është strategjia e BE-së për Ballkanin perëndimor, veçanërisht për Kosovën?

Selim Daku: Strategjia e Bashkimit Evropian për Ballkanin perëndimor vazhdon të paraqes qëndrimet e njëjta të BE-së për Ballkanin dhe Kosovën. Kjo strategji thotë që Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm në rrugën e saj evropiane kur rrethanat objektive lejojnë.  Që nënkupton që për Kosovën nuk vlejnë vetëm kriteret në rrugën e saj drejt BE-së. Kjo nënkupton që BE-ja trajton Kosovën me standarde të shumëfishta në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit perëndimorë. Padyshim, kohë të çmuar në rrugën e Kosovës drejt BE-së ka humbur edhe vonesa e miratimit të demarkacionit të kufirimit me Malin e Zi, e cila prej se është proklamuar si kusht është vonuar tre vite.  Ndoshta nëse do të miratohej më herët  demarkacioni strategjia e BE-së për Kosovës do të kishte tjetër përmbajtje, apo përmbajtje do të ishte më progresive. Shenjë pozitive është që fati i rrugës së Serbisë për në BE është i lidhur me Kosovën, ndoshta edhe Kosova duhet pashmangshëm që të zhvillojë hapa radikal në implementim të MSA-së dhe kritereve të tjera në mënyrë që fatin e anëtarësimit të saj të e lidhë me atë të Serbisë.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës, karshi fushatës së egër të Serbisë për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Kosovën? Në kuadër të kësaj, si komentohet deklarata e Ivica Daciq, se do ta zbresë numrin e njohjeve të Kosovës nën 100?

Selim Daku: Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe me ndërmjetësim të BE-së në kuadër të dialogut që zhvillohet në Vjenë. Njëra nga to përmban edhe elementet që Serbia nuk duhet të pengoj Kosovën në arenën ndërkombëtare, qoftë në ndërtimin e raporteve me subjekte ndërkombëtare qoftë edhe anëtarësimin në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare. Natyrisht, Serbia e bënë të kundërtën.  Kosova duhet të njoftoj vendet që kanë njohur atë për fushatën e egër dhe të pamoralshme serbe ndaj Kosovës.  Ne e dimë që në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston elementi i tërheqjes së njohjes prandaj veprime e lajme të tilla bëhen më shumë për konsum të brendshëm politik në serbi. Sjellja e Daçiqt në arenën ndërkombëtare paraqet edhe personalitetin e tij prej politikani, për të cilin konsideroj që mjerë populli serb që e ka.

“Bota sot”: Cila është rruga që Kosova që do të ndjekë në të ardhmen ?

Selim Daku: Kosovës së pari i duhet një pushtet i konsoliduar, për të bërë një shtet të konsoliduar. Një shtet i i tillë do të prodhojë një diplomaci produktive. Kjo nënkupton që pa u forcuar shteti brenda, nuk mund të ketë suksese jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat