Berisha: Çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i sovranitetit të saj

Intervista

Berisha: Çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i sovranitetit të saj

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 17 shkurt 2018 Në ora: 10:18
Sali Berisha

Ish Kryeministri i Shqipërisë dhe Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se 10 vjetori i Pavarësisë, po e gjen Kosovën, më mirë se asnjëherë në historinë e saj. Në intervistën ekskluzive për Gazetën “Bota sot”, Berisha, thotë se vendi i pashmangshëm i Kosovës, është në Bashkimin Evropian. Po ashtu, Berisha komenton edhe idetë e fundit për shkëmbim territoresh. Sipas tij, çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, me pasoja të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin.

“Bota sot”: Z. Berisha, ky 10 vjetor i Pavarësisë së Kosovës, sipas juve si po e gjen Kosovën?

Sali Berisha: Ky 10-vjetor i pavarësisë e gjen Kosovën më mirë se kurrë në historinë e saj, më të lirë së kurrë, të pavarur duke ndërtuar lirinë dhe pavarësinë e saj. Kështu që mund të thuhet se projekti gjenial i arkitektit të saj, Presidentit Rugova, Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për t’u bërë të pavdekshëm për një Kosovë të lirë dhe të pavarur,është bërë realitet dhe udhëtim i sigurt drejt të ardhmes në BE dhe NATO.

“Bota sot”: Cilat janë dallimet nga viti 2008 krahasuar me 2018?

Sali Berisha: Dallimet janë shumë të mëdha dhe thelbësore. Sot kemi një shtet që lindi 10 vite më parë dhe që ka provuar se është i afte, i Zoti të ecë i pavarur. Kosova është pa mëdyshje një faktor paqe dhe stabiliteti në rajon. Kemi një vend të pavarur që e kanë njohur si të tillë mbi 95% të vendeve të lira të botës dhe në tërësi rreth 115 vende, një vend që këto 10 vite po ndërton një infrastrukturë moderne dhe që pavarësisht nga vështirësitë serioze me të cilat përballen qytetarët e saj, Kosova ka një ekonomi vibrante me rritjen më të lartë në rajon. Theksoj këtu se kjo rritje nuk bazohet në kanabisin apo drogat e tjera si në Shqipëri, por në mundin, djersën e qytetarëve të Kosovës dhe reformave të autoriteteve të saj.

“Bota sot”: Sa janë gjasat për Kosovën që të hyjë në BE?

Sali Berisha: Në vlerësimin tim, me gjithë vështirësitë e kuptueshme, vendi i Kosovës pashmangshëm është në BE.

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat fyese të Edi Rames karshi Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit?

Sali Berisha: Mendoj se ajo deklaratë ishte denigruese dhe e papranueshme e banale që bëhej nga pozita paternaliste arkaike. Në sistemet totalitare është e zakonshme kafshërimi i kundërshtarëve pra, etiketimi i tyre si majmun, qenë, gomarë, mushkë  etj. etj. Ky fjalor nuk mund të përdoret asnjëherë ndaj udhëheqjes së një vendi. Unë nuk kam qenë dakord dhe kam shprehur qëndrimin tim për nismën e shfuqizimit të gjykatës, por terma fyese për të shprehur kundërshtinë janë të papranueshme. Prandaj mendoj se Rama duhet të kërkoj ndjesë publike për fyerjen e tij.

“Bota sot”: Sipas juve, deri në çfarë pike të seriozitetit ka arritur dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë?

Sali Berisha: Së pari, dua të theksoj se ky dialog ka një rëndësi jetike për marrëdhëniet midis dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë, por edhe për paqen ne rajon. Mendoj se paqja në rajon do varet, më shumë se sa nga çdo gjë tjetër, nga marrëveshja Kosovë - Serbi dhe zbatimi i saj. Me keqardhje konstatohet se Serbia bën gjithçka për të bllokuar këtë marrëveshje, nuk zbaton marrëveshjet e arritura, përpiqet të përfitojë nga situata të brendshme në Kosovë, mendon jo marrëveshjen por ndarjen e Kosovës. Duke thënë këto, mendoj se autoritetet e Kosovës nuk duhet të lënë shkas, në asnjë rast, për moszbatim të marrëveshjeve të arritura dhe të dëshmojnë seriozitetin e duhur ndaj tyre.

Mendoj, se një ndikim negativ në raportet Kosovë - Serbi kanë patur edhe qëndrimet dhe ndërhyrjet e Edi Ramës në këto raporte. Më pas, në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar, Rama zgjodhi t’i imponohet Kosovës nga Beogradi. Ai, u takua shumë më shpesh me Kryeministrin Vuçiq se sa me Kryeministrin e Kosovës dhe me deklaratat e tij paternaliste, ai cenoi fuqinë përfaqësuese të autoriteteve të Kosovës dhe ushqeu dogmën serbe të shqiptarëve të këqij dhe shqiptarëve të mirë, shqiptarë të Tiranës me të cilët merresh vesh dhe shqiptarë të Prishtinës me të cilët nuk merresh vesh. Nuk po ndalem këtu në deklaratat e tij kur Beogradi me trenin e aneksimit, marshimit drejt Kosovës, por theksoj këtu se qëndrimet e tij paternaliste ndaj Kosovës, jo që nuk janë të dobishme por qartësisht të dëmshme. Kosova sot ka përfaqësuesit e vet legjitim, është antishqiptare dhe e dënueshme çdo përpjekje për t’u marrë atyre përfaqësimin. Që në vitin 2005, Beogradi bënte përpjekje shumë të mëdha që të vendoste dialogun me Shqipërinë për Kosovën. Qëndrimi im ka qenë i prerë: asnjë dialog Shqipëri - Serbi për Kosovën. Kjo e fundit ka përfaqësuesit e saj dhe, përveç kësaj, Shqipëria në çdo rast nuk mund të ketë anë tjetër përveç Kosovës. Në këtë mënyrë ne shmangim plotësisht Kosovën në takimet bilaterale dhe ky ishte një kusht për këto takime. Ka pasur raste që, partnerë kryesorë më kanë kërkuar të ndikoj në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa unë jam përgjigjur se, do ta mbështes marrëveshjen fill sapo të arrihet, por nuk ndërhyj. Mirëpo Rama ndjek rrugën e Enver Hoxhës e cila është rrugë tradhtie e mirëfilltë. Beogradin e njeh shumë më mirë Prishtina se sa Tirana. Në rast se e analizojmë marrëdhëniet Kosovë – Beograd, këto 4 katër vitet e fundit ato kanë ecur shumë ngadalë. Kjo sigurisht, për shkak të Beogradit, por edhe Rama ka aksionet e tij në këtë ngadalësim të ndjeshëm të këtyre marrëdhënieve.

“Bota sot”: Si e komentoni çështjen e Demarkacionit?

Sali Berisha: Duke treguar mirëkuptim të plotë me të gjithë ata që shprehen se janë kundër për shkak të territoreve që mbeten në Malin e Zi, varrezave, trojeve, etj., theksoj se: Së pari, për fat të keq, këto janë kufij që vendosen në trojet tona dhe kjo është historia jonë; së dyti, unë besoj plotësisht në deklaratën e Departamentit të Shtetit, në të cilën Qeveria Amerikane shprehet se, bazuar në kufijtë e Krahinës Autonome të Kosovës, mbi të cilët është shpallur dhe Pavarësia e Kosovës, ndarja e kufirit është korrekte dhe Kosova nuk humbet asnjë metër katror nga territori i saj, prandaj dhe unë kam qenë dhe jam për votimin e demarkacionit.

“Bota sot”: Si i vlerësoni raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Sali Berisha: Në rrafshin njerëzor, vëllazëror, në rrafshin zyrtar janë marrëdhënie shterpe. Prej katër vitesh asnjë progres. Këtu përgjegjësia direkte është e Edi Ramës. Pse e them këtë? Javën e parë të ardhjes në pushtet Edi Rama, pa bërë betimin si kryeministër i Shqipërisë, u turr në Kosovë me një vizitë blic në të cilën, siç do të merrej shpejt vesh, kishte si qëllim të vetëm të paraqitej si lider i shqiptarëve në rajon. Rama në fjalimin e tij përçarës në parlament, qëndrimin ndaj arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Rugova, detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit. Më pas, ai, përsëriti një qëndrim të hapur paternalist, të dëmshëm ndaj Kosovës. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse vëllazërore, kanë qindra ndasi të trashëguara për t’u kapërcyer. Ato, nuk kanë nevojë për fotografi, as dhe fasadë, por kanë nevojë për investime të mëdha dhe serioze, kanë nevojë për njehsime ligjesh, normash, standartesh, në mënyrë që qytetarët të ndjehen njëlloj në të dy vendet, kanë nevojë për dyshtetësinë. Por këto 4 vite, thuajse koha ka ndaluar. Qeveria shqiptare ka zero investime për integrimin e Shqipërisë me Kosovën. Më parë, nga Shqipëria u bënë miliarda euro investime në të gjitha rrugët që lidhnin Shqipërinë me Kosovën. Po kështu, Kosova në vitet e para të Pavarësisë ndërtoi autostradën “Ibrahim Rugova”, një investim ky i një rëndësie jetike për Shqipërinë dhe mbarë Kombin, u bë investimi në autostradën energjetike (e cila ka përfunduar por Vuçiç e bllokon atë), autostrada digjitale, u punua dhe u bë gati projekti për heqjen e doganave midis dy vendeve sipas modelit Slloveno - Austriak. Pas këtyre, mjerisht konstatoj se në rrafshin zyrtar, përveç fotografive, marrëdhëniet janë si të thuash vendnumëro. U premtua heqja e doganave, qeveria shqiptare nuk jep hapësirat e duhura doganore për palën kosovare në Durrës, por akuzon qeverinë e Kosovës se, atë, nuk e lejojnë oligarkët që të hiqen doganat me Shqipërinë. Unë jam i sigurt se, një hapësirë unike shqiptare tregu është interesi më i madh politik, ekonomik, tregtar i kombit shqiptar. Po kështu, nuk është lëvizur asgjë në drejtim të hekurudhës Tiranë-Prishtinë, jetike kjo si për Kosovën por edhe për portet tona dhe mbarë rajonin. Nuk po flas këtu për domosdoshmërinë jetike për të rishqyrtuar standardin e gjuhës shqipe, të vendosur përdhunisht nga diktatori Hoxha në ndëshkim të dialektit të gegërishtes. Cilido që lexon sot publikimet në Tiranë, Shkodër, Prishtinë konstaton se, standardi është tashmë i shpartalluar. E njëjta gjë mund të thuhet për bashkëpunimin në fushën e kulturës, arteve, letrave. Bashkimi i shqiptarëve në kuadrin e anëtarësimit të vendeve tona në BE, është padyshim e ardhmja më e mirë e tyre. Por, kjo nuk duhet te përdoret për spekulim. Asgjë nuk pengon shqiptarët që standardet, që vendet anëtare të BE përdorin në marrëdhëniet në mes tyre, të përdoren brenda një viti edhe midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pse duhet të pritet integrimi në BE dhe të mos procedohet me shpejtësi për integrimet ndërnacionale? Pra aktualisht nuk ekziston një projekt i integrimeve Shqipëri-Kosovë  por vetëm llafe boshe.

“Bota sot”: Më herët kishte disa ide nga krerë të shtetit të Kosovës, që qytetarët e Kosovës të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, po ju si i komentoni këto ide?

Sali Berisha: Unë mendoj se, çështja kryesore që duhet të zgjidhet në mes të dy qeverive është njohja mbi bazën e një marrëveshjeje ndërshtetërore të dyshtetësisë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, që dëshirojnë të kenë dyshtetësi ose të mbajnë shtetësinë që duan. Kjo, do ndihmonte edhe më shumë konsolidimin e një tregu unik.

“Bota sot”: Së fundi patëm një ri-aktualizim të idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë, çfarë mendoni ju për këtë?

Sali Berisha: Ideja e shkëmbimit të territoreve është një ide obsesive e Beogradit, gjithnjë në kuadrin e projektit të Serbisë së Madhe. Ata, kërkojnë bashkimin me Serbinë, të tre komunave por edhe më shumë të Kosovës, për të vazhduar më pas me territore të tjera, përfshi Republikën Serpska të Bosnjës. Unë kam bindjen më të thellë se çdo pazar me Beogradin për territor të Kosoves, është një gjymtim i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, me pasoja të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin. Në qoftë se sot Beogradi mban tri komunat e veriut, si protektorat të krimit të tij, ai këtë politikë do ta ndjekë më pas me çdo komunë me shumicë serbe në Kosovë. Por kjo do krijonte precedentë edhe për rajonin, në hartën aktuale të të cilit janë edhe disa Mitrovica të Veriut të tjera.

“Bota sot”: Tentimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si i vlerësoni?

Sali Berisha: Vlerësoj heqjen dorë nga udhëheqja e Kosovës nga ai projekt, i cili do të kishte pasoja zhbërëse për Kosovën dhe tejet të dëmshme në marrëdhëniet e saj me aleatin tonë kryesor strategjik SHBA dhe partnerët e tjerë perëndimorë. Por, le ta quajmë atë një ëndërr të keqe dimri! Mendoj se qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të kenë si gurë prove luajalitetin e tyre ndaj SHBA, vendi që ka luajtur rol përcaktues në parandalimin e zhdukjes së Shqipërisë nga harta nga fuqitë e tjera të mëdha në vitet 1920 vendi që udhëhoqi në vitin 1999 Aleancën e Atlantikut të Veriut në betejën e saj ajrore më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Kosovës, vendi që luajti rol përcaktues në pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, heqja dorë nga projekti i anulimit të ligjit për Gjykatën Speciale ishte një veprim i mençur, i drejtë e pozitiv.   Tani duke përfunduar këtë intervistë, dëshiroj t’ju uroj ju, stafit dhe drejtuesve të gazetës “Bota sot”, lexuesve të saj dhe mbarë qytetarëve të Kosovës: Gëzuar 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat