Haradinaj: Kosova duhet të falë, por jo të harrojë të kaluarën

Intervista

Haradinaj: Kosova duhet të falë, por jo të harrojë të kaluarën

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 22:04
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ndodhet në Uashington, ku mori pjesë në Mëngjesin e Lutjeve. Zoti Haradinaj ishte i ftuar për një bisedë në studion e Zërit të Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, mbrëmë në ceremoninë e organizuar nga ambasada e vendit tuaj me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, këshilltari i sigurisë kombëtare, McMAster, siç e dëgjuam, shprehu mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, ndërsa vendi juaj përballet me disa sfida, si forcimi i institucioneve demokratike, mbrojtja e të drejta e të njeriut, krijimi i një shteti ligjor dhe lufta ndaj korrupsionit. Çdo të thotë për ju, si kryeministër ky mesazh nga një zyrtar i lartë amerikan?

Kryeministri Haradinaj: Ishte një nder i madh vet prezenca e Gjeneralit McMaster në pritjen e dhjetë vjetorit të pavarësisë të organizuar nga ambasada jonë dhe ambasadorja Çitaku dhe rastisi me një mundësi të mirë me qenë bashkë me gjithë, ishte presidenti i vendit dhe kishte plot miq të ftuar. Në fakt, ajo që më bëri përshtypje në fjalën e gjeneralit ishte se ai i ishte i informuar për temat e Kosovës dhe ju e vërejtët se ai tha që ne do të jemi fuqishëm me ju, ndërsa forconi ekonominë, rendin e ligjin, luftoni korrupsionin, hapni vende pune, për të respektuar të gjitha ata që jetojnë në vend dhe me radhë pra në të vërtetë ishte në tema.

Zëri i Amerikës: Ai ka qenë edhe pjesëtar i forcave amerikane në Kosovë apo jo, dhe e njeh mirë vendin…

Kryeministri Haradinaj: Po, e tha këtë edhe dje dhe ishte në dijeni për zhvillimet dhe realitetin në Kosovë. Jam thellë i bindur, që është i rrethuar edhe me njerëz që e njohin Kosovën mirë, pra fjala me të vërtetë ishte me përmbajtje dhe një porosi e mirë. Mendoj që për popullin tonë kjo është një garanci që Kosova jo që nuk është lanë ndonjëherë vetëm, por nuk do të lihet vetëm asnjëherë; kuptohet që punët e shtëpisë duhet t’i kryejmë ne, të zgjedhurit e popullit atje dhe ndoshta do ta kemi përkrahjen, për sa kohë i kushtohemi përmbushjes së detyrimeve..

Zëri i Amerikës: Pikërisht duke qëndruar tek punët e shtëpisë, në Kosovë: para dy ditësh Bashkimi Evropian publikoi strategjinë për zgjerimin me vende të Ballkanit Perëndimor dhe Kosova është lënë si të thuash mënjanë, pra nuk ka një specifikim të datës se kur mund të hapen bisedimet për Kosovën. Kjo siç thatë edhe ju, ka të bëjë edhe me punët e shtëpisë… ju në Kosovë jeni të pakënaqur me Bashkimin Evropian, por a lidhet ky qëndrim i BE-së edhe me përmbushjen e disa obligimeve nga Kosova?

Kryeministri Haradinaj: Po, janë detyrat e shtëpisë të Kosovës, një pjesë e të cilave ne i kemi marrë seriozisht; por për fat të keq edhe Bashkimi Evropian detyrat e veta të shtëpisë nuk po arrin t’i kryejë me Kosovën, për shkak të ndarjes që ka ndodhur brenda BE-së; sikurse e dijmë janë pesë vende jo njohëse dhe vetvetiu, Bashkimi Evropian si union politik e ka të vështirë marrjen e vendimeve të drejtpërta për avancimin e Kosovës drejt statusit të kandidatit dhe drejt anëtarësimit. Mendoj që kjo tani do ta rrisë trysninë për t’u gjetur një mënyrë për të zhbllokuar këtë gjendje; pra, vetë fakti se strategjia e publikuar nuk ka mbërritur për t’i dhënë një qartësi perspektivës së Kosovës, e kthen në tavolinë faktin se duhet gjetur një zgjidhje, pra nuk mund të shkohet pafundësisht t’i thuhet Kosovës se keni perspektivë evropiane, por në të njejtën kohë t’i thuhet se nuk po mundemi t’iu afrojmë më afër BE-së, për shkak se nuk ju njeh Spanja apo dikush tjetër, pra mendoj që kjo do ta sjellë Kosovën në tavolinë.

Zëri i Amerikës: Një nga detyrimet për Kosovën kundrejt integrimeve evropiane është fqinjësia e mirë dhe pjesë e saj është edhe marrëveshja për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Ju jeni identifikuar si një person që e ka kundërshtuar marrëveshjen në formën që ajo është. A ka shpresa që të ratifikohet marrëveshja?

Kryeministri Haradinaj: Mendoj se në nisje të kësaj marrëveshjeje ka ndodhur gabimi por këto mund të korrigjohen në këtë process dhe jemi me shpresë që mund të korrigjohet, pra jemi me shpresë.

Zëri i Amerikës: Bisedimet me Serbinë janë gjithashtu një kusht që Bashkimi Europian ka vënë për integrimet evropiane si ndaj Kosovës, po ashtu edhe ndaj Serbisë. Zyrtarët evropianë janë shprehur se viti 2019 do të jetë viti kur do të zgjidhet ky problem, pra do të arrihet një marrëveshje mes palëve. A keni ju një vizion të qartë se si do të duket kjo marrëveshje?

Kryeministri Haradinaj: Marrëveshja është njohje reciproke dhe vendosja e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë; me këtë do të nënkuptohej që Kosova të falë, por jo të harrojë të kaluarën, pra të ndodhë një paqe ndërmjet dy popujve. Ne jemi të interesuar për njohje reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë; nuk ka shumë kohë dhe po ashtu jemi të shqetësuar që në këtë fazë finale që po hyjmë, vihet re një mungesë uniteti në Bashkimin Evropian; ne mendojmë se roli i Amerikës në këtë rast është i nevojshëm për të përmbyllur çështjet e hapura në Ballkan. Ne po ashtu na shikojnë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, si punë e Amerikës, për shkak të përfshirjes dhe rolit të madh që ka patur Amerika rreth çështjes së Kosovës; po ashtu, në rajon shumica presin prej Amerikës një përfshirje më të madhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj në kuadrin e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, është folur edhe për ndarje të Kosovës. Zyrtarë serbë e kanë përmendur këtë mundësi, ju si i shihni këto komente të tyre?

Kryeministri Haradinaj: Është një mllef i Beogradit dhe e lëshojnë këtë për të nxjerrë diçka tjetër; nuk besoj që kjo është serioze dhe nuk i merr kush seriozisht, për shkak se të gjithë e dijnë që në Ballkan kufijtë janë vendosur si rezultat i luftrave dhe prekja e kufijve mund të sjellë tragjedi dhe luftëra tjera; nuk besojmë që dikush me vetëdije normale ka hapur pyetje të tilla, por e shoh si një trysni të parë, që të nxirret diçka tjetër. E vetmja gjë që mund të nxjerret nga një marrëveshja Kosovë-Serbi pra është fjala që të ndalen armiqësitë nga e shkuara, jo të harrohen por të falen dhe Kosova është e gatshme të kalojë në një etapë tjetër, pra në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Zëri i Amerikës: Ju mendoni që Kosova është e gatshme të falë?

Kryeministri Haradinaj: Është e gatshme të kalojë në etapën tjetër, duke mos harru tragjeditë e të kaluarës, që të mos mbetet pengesë, por të kalohet në një marrëdhënie të re Kosovë-Serbi për njohje reciproke.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj desha të dëgjoj një mendim tuajin për Gjykatën e Posaçme, një gjykatë që ishte miratuar në vitin 2015; përse u hap përsëri çështja e kësaj gjykate, duke rrezikuar marrëdhëniet edhe me miqtë më të mirë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian?

Kryeministri Haradinaj: Gjatë krijimit të kësaj gjykate ka pasur një debat dhe shoqëria ka qenë e ndarë; ka kritikë për këtë gjykatë, sepse është një etnike dhe është jashtë vendit; pra, ka kritikë se do të jetë një barrë e rëndë për Kosovën, duke u dhënë mundësi mediave armike, si Sputniku të përhapin lajmet që u pëlqejnë për procesin dhe për çfarë do të ndodhë. Kosova është, ta quajmë në fokus, të plot mediave që japin lajmeve të rreme për krijimin e konfuzionit, për të mos lejuar përmbylljen e punës së duhur; pra, ka shqetësime rreth kësaj çështjeje mirëpo ka qenë punë e kryer, ngaqë u votua me dy të tretat (e Parlametit); po ashtu iniciativa e deputetëve është kushtetuese, ajo ka ardhur në parlament, (një institucion) që ne si qeveri e respektojmë; pra, jemi të obliguar të sillemi me respekt. Nuk ka ndodhur një epilog për atë që tashmë ishte nisur, prandaj nuk do të mund të bëjë ndryshime për këtë temë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, Kosova është një nga vendet me nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, çfarë po bën qeveria juaj për hapjen e vendeve të punës posaçërisht për të rinjtë e Kosovës?

Kryeministri Haradinaj: Të gjitha çështjet, si psh zhvillimi i ekonomisë, në kushtet kur Kosova nuk është afër anëtarësimit në NATO, kjo transmeton pasiguri tek investitorët. Ne kemi arritur të thyejmë gjendjen e hezitimit për investime, me investimet e mëdha në energji që janë me vlerën 1.3 miliardë dollar, siç është është një kompani amerikane; jemi duke u përpjekur për të sjellë investime në vend dhe njëkohësisht për t’i mobilizuar sipërmarrësit vendorë, mirëpo e përsëris, është me rëndësi avancimi sigurisë në Kosovë, që ajo të jetë në NATO; jam shumë i bindur, se vetë shqiptarët që jetojnë në Amerikë, do të kishin më shumë siguri të investojnë në Kosovë dhe kjo vlen për të gjithë investitorët, pra ushtria dhe përmbyllja e ombrellës së sigurisë është shumë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët rëndësinë e diasporës për investimet në Kosovë. Sa shqetësim përbën për Kosovën largimi i trurit, pra emigrimi i njerëzve?

Kryeministri Haradinaj: Proceset e brendshme, sikurse i kemi sot, nuk e thithin të gjithë potencialin njerëzor, njerëzit e shkolluar dhe me ekspertizë; por me kthimin e këtyre dinamikave ne llogarisim pikërisht trurin tonë që e kemi jashtë vendit, presim që të rinjtë e të rejat (që jetojnë jashtë) t’i kthejmë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat