Begaj ka një porosi për politikanët në Kosovë, flet edhe për demarkacionin

Intervista

Begaj ka një porosi për politikanët në Kosovë, flet edhe për demarkacionin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 7 shkurt 2018 Në ora: 14:31
Ragip Begaj

Në një intervistë të gjatë për gazetën “Bota sot”, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se Malisheva deri më tani nga niveli qendror ka pasur një tretman krejt ndryshe e fatkeq.

Ai ka premtuar, se për bizneset do bëjë përpjekje që të investojnë më shumë, në mënyrë që të krijojnë vende pune, sepse, sipas tij, vetëm administrata nuk mund të punësojë njerëz.

Sipas Begajt, problemi më i madh për Malishevën mbetët shtrati i Lumit “Mirusha” për të cilin thotë se do të punohet këtë vit me një pjesë të buxhetit të ndarë nga buxheti komunal.

I pari i Malishevës, ka treguar edhe për gjasat e një koalicioni të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën sugjeron se nuk duhet bërë lojë me njerëz që të kanë mbështet e që kanë mëndu mirë për Kosovën.

Ndërsa, për Demarkacionin, Begaj ka deklaruar se marrëveshjet nuk nënshkruhen shkel e shko. Ai thotë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk nënshkruhen pa u matur mirë. Në këtë drejtim, kryetari i Malishevës mendon se ato marrëveshje janë nënshkruar dhe nuk janë matur e analizuar mirë.

“Bota sot”: Cilat projekte e presin Malishevën për vitin 2018?

Ragip Begaj: Problem për Malishevën mbetët shtrati i Lumit “Mirusha” për të cilin besoj se do të punohet këtë vit me një pjesë të buxhetit të ndarë nga buxheti komunal, por, që presim edhe një mbështetje edhe nga niveli qendror. E dyta do të jetë ndërtimi i një shkolle fillore në Malishevë, për të cilën edhe lokacionin e kemi të ndarë nga Kuvendi Komunal i Malishevës. Gjithashtu kemi edhe projektin për ndërtimin e një çerdheje për të cilën do të fillojmë pas gjysmës së vitit, si dhe një projekt të banimit social për të cilin do të kemi ndihmë edhe nga ministria. Kemi në plan përfundimin e katër shkollave, të cilat sipas të gjitha gjasave do të përfundojnë këtë vit, e që ishin nisur vitin e kaluar. Kemi në projekt edhe shumë rrugë e shumë kanalizime tjera, pra do t’i vazhdojmë ato projekte që kanë mbetur në gjysmë, për të cilat besojë se të gjitha do të finalizohen në vitin 2018.

“Bota sot”: Kur do të kompletohet qeveria e re komunale?

Ragip Begaj: Ne edhe ashtu nuk jemi pa qeveri, për arsye se ne kemi vazhduar qeverisjen komunale. E gjithë qeveria komunale është duke funksionuar, nuk kemi asnjë pengesë në këtë drejtim, por së shpejti besoj që brenda dy-tre dite do të finalizohet e tëra. Sa i përket përbërjes, disa nga drejtorët do të ndërrohen e disa të tjerë do të mbesin ata që janë dhe e gjithë kjo do të bëhet publike para Kuvendit Komunal se cila do të jetë qeveria e ardhshme e Komunës se Malishevës.

“Bota sot”: Flitet për një koalicion të mundshëm me LDK-në, cila është e vërteta?

Ragip Begaj: Nuk e di se sa flitet për një gjë të tillë, unë personalisht nuk besoj se do të ndodh një gjë e tillë. Kemi pasur biseda edhe para zgjedhjeve komunale që janë mbajtur më 22 tetor, gjithashtu bisedime ka pasur edhe para balotazhit. Këto gjëra kanë qenë luhatje e LDK-së. Kam qenë vullnet mirë për një bashkëpunim, megjithatë ata kanë pasur një qasje tjetër, ata kanë menduar të bëjnë një koalicion me të tjerët, koalicione të fshehta me PDK-në qysh para zgjedhjeve lokale. Ndërsa, në balotazh veç se kishin pasur një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe për këtë edhe nuk kanë qenë të gatshëm për një koalicion me subjektin tonë. S’kanë dashur në një formë, edhe pse me fjalë kemi biseduar vazhdimisht, por nuk kanë dashur të vejnë asgjë në letër për arsye se veç se kishin një koalicion me PDK-në, dhe nuk e di se si mund të flitet për një koalicion të mundshëm. Ne në qeverisje do ecim vetëm, Kuvendi i ka punët e veta dhe ne zbatojmë punët e Kuvendit.

“Bota sot”: Kur do fillojë aplikimi i masave parandaluese kundër etheve hemorragjike?

Ragip Begaj: Ethet hemorragjike janë një dukuri që Malisheva është marrë seriozisht. Ne gjithherë presim sugjerime nga niveli qendror dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili jep sugjerime se kur duhet të fillojë aplikimi. Do të jemi në koordinim me ta, besoj do jemi efektiv në këtë drejtim edhe me ministrit përkatëse, natyrisht edhe ne si komunë, që këtë të keqe ta mposhtim përsëri dhe mos të kemi vdekje, mos të kemi pasoja, siç kemi pasur në të kaluarën. Besojmë se do të jemi fitimtarë ndaj kësaj dukurie sepse Malisheva krenohet në katër vitet e kaluara. Nuk ka pasur asnjë të vdekur si dhe asnjë të infektuar. Shpresojë se kjo do të vazhdojë, për të cilën do jemi syçelur në këtë drejtim, që çka do që ndodh mos të ndodh për mos angazhimin tonë, dhe për këtë besoj se do jemi përsëri fitimtarë.

“Bota sot”: Për dallim nga legjislaturat e kaluara, kësaj radhe, pjesë e Qeverisës së Kosovës janë edhe pesë zëvendësministra që vijnë nga Malisheva, cili është efekti tyre për komunën?

Ragip Begaj: Është një kapacitet i mirë për Komunën e Malishevës, e cila tani i ka njerëzit e vet në qendër. Zëvendësministrave ju kam thënë edhe unë se duhet të jeni të paanshëm në këtë drejtim. Ne si Malishevë kemi qenë të lënë anash. Nuk dëshiroj që të diskriminohet askush, por të na jepet ajo që na takon si Malishevë dhe nuk kemi të drejt që të ankohemi. Megjithatë, në të kaluarën nuk na është dhënë ajo që na ka takuar dhe po besoj që ata do të jenë syçelur në atë drejtim që të mos diskriminohemi si Malishevë përsëri. Jam i bindur se ata do të përfundojnë punën e tyre në interes të Komunës së Malishevës, sepse asnjëherë në të kaluarën nuk i ka pasur këto struktura në nivelin qendror dhe tani për tani po besoj që është më e fuqishme se çdo herë tjetër dhe kjo është një e mirë që është krijuar nga Nisma Socialdemokrate e Malishevës.

“Bota sot”: Malisheva njihet si një ndër komunat më të varfra në Kosovë dhe më numrin më të madh të punëkërkuesve, si do të veproni në këtë drejtim?

Ragip Begaj: Malisheva është një komunë e varfër dhe për Malishevën, gjithnjë e kam ngritur zërin ndaj institucioneve qendrore, sa herë që kemi pasur vizita. Ne gjithnjë kemi thënë për t’i barazuar komunat e varfra me komunat që janë më të pasura. Duhet ndarë buxhet shtesë për ato komuna që janë më të varfra. Duhet ndarë projekte shtesë komunave, sepse gjithherë jemi mbrapa. Si komunë kemi qenë të diskriminuar në një formë, kemi qenë edhe të zhbëmë si komunë. Malisheva nga niveli qendror ka pasur një tretman krejt ndryshe, fatkeq, se ka qenë kështu dhe nuk është interesuar askush më për Malishevën. Tani për tani, pasi që edhe jemi komunë unike po besoj që do të jenë zgjidhjet më të mira, do të kemi perspektiv më të mirë, sidomos në rrafshin e bujqësisë do të kemi investime më shumë. Për biznese do bëjmë përpjekje që të investojmë më shumë, në mënyrë që të krijojmë vende punë, për arsye se vetëm administrata nuk mund të punësojë njerëz, kjo është e pamundur. Edhe komunat nuk kanë mundësi të punësojnë më shumë njerëz. Duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet një program qeveritar, e të bëhet në nivel vendi dhe të shikohen mundësit për të gjitha komunat, që të ndahen parimisht fonde dhe programe që mund të punësojnë njerëz.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi i subjektit të juaj, lidhur me Gjykatën Speciale?

Ragip Begaj: Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar nga Nisma Socialdemokrate nuk kam qenë prezent për arsye shëndetësore. Jam pjesë e Këshillit dhe besoj si kryetar komune nuk më takon të përgjigjem rreth kësaj çështje, sepse është përgjegjësi e atyre që e kanë votuar dhe atyre që tani po kërkojnë shfuqizimin e saj. Me këtë janë tregu joserioz edhe para ndërkombëtarëve, për këtë duhet ta dinë se politikanët duhet të jenë serioz. Nuk luhet me ndjenjat e njerëzve, nuk luhet sidomos me shtetet që kemi marrëdhënie të mira ndërkombëtare, si me shtetet e Evropës e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka lojë me njerëz që të kanë mbështet e që kanë mëndu mirë për Kosovën. Parimisht kam qenë kundër kësaj gjykate, sepse ka qenë për një etni, ka qenë gjykatë për një grup njerëzish dhe jo për të gjitha ato krime që janë bërë në Kosovë. Do të pajtohesha nëse gjykata do vepronte njëjtë dhe që të jetë e paanshme. Ne i kemi mbi 13.000 mijë të vrarë, kush nuk është marrë me ta. Shpresojë në një paanshmëri, dhe nuk e di sa do të ketë këtë sukses. Kemi pasur gjykata në të kaluarën edhe te UNMIK-ut e të EULEX-it, e edhe ato kanë shkuar shkel e shko.

“Bota sot”: Po për Demarkacionin?

Ragip Begaj: Nuk jam kompetent të përgjigjëm në këtë drejtim, sepse nuk e di a ka ndryshuar kufiri apo jo. Besoj se diçka edhe aty ka të pamirë, derisa ka qenë dashur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, e pastaj të nënshkruhet një marrëveshje. Marrëveshjet nuk nënshkruhen shkel e shko, marrëveshjet ndërkombëtare nuk nënshkruhen pa u matur mirë. Në këtë drejtim, besoj që ato marrëveshje janë nënshkruar dhe nuk janë matur e analizuar mirë dhe për këtë besoje se ky është një gabim.

“Bota sot”: A pritet që në një të ardhme Begaj të merr edhe kreun e subjektit Nisma Socialdemokrate?

Ragip Begaj: Nuk kam ambicie që të ngritëm në nivel qendror të Nismës. Jam themelues i një Iniciative Qytetare për Malishevën dhe dua të them se Malisheva është edhe themeluese e Nismës dhe për këtë e kemi bërë punën tonë, e me këtë kemi fituar edhe një përkrahje. Kjo ka ardhur për shkak të sinqeritetit tonë që e kemi pasur e jo me diçka tjetër. Është hera e parë që ndoshta qytetarët e Malishevës e kanë përkrahur me vullnetin e tyre, sinqeritetin e tyre e jo për ndonjë interes. Interes nga unë nuk kane pasur, por një bashkëpunim të mirë e një qeverisje të mirë, e jo interesa tjera materiale sepse asnjëherë nuk kam dhënë premtime për punë apo diçka tjetër. E kam thënë gjithnjë, jam ky që jam, dëshironi të më përkrahni do të punoj për ju, dhe katër vite kam punuar për ta. Tani për tani besoj që është dëshmuar se e kemi fituar përsëri me përkrahjen e qytetarëve për punën që kemi bërë, me sjelljet tona që kemi bërë. Nuk mendoj të ngritëm në nivelin qendror, unë i kam 62 vite dhe jam para pensionimit dhe dëshiroj që të ju lëshoj vend të rinjve që të ecin përpara. Këtë që e kemi krijuar, dëshiroj që të ecën gjithçka për mirë, e të kemi perspektivë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat