Kosova, shtëpia e dytë për profesoreshën italiane

Intervista

Kosova, shtëpia e dytë për profesoreshën italiane

Nga: Arben Sylejmani Më: 3 janar 2018 Në ora: 14:17
Vittoria Berti

Erdhi në Prizren për të punuar me një organizatë jo qeveritare për një vit, por dashuria për të fejuarin nga Prishtina, ia ndërroi mendjen profesoreshës së gjuhës italiane, Vittoria Berti për të qëndruar më gjatë në Kosovë.

Tanimë, ajo jeton në Prishtinë dhe ligjëron italisht në qendrën për gjuhën italiane “Dante”.

Në një intervistë për “Bota sot”, Berti thotë se italianët dhe shqiptarët kanë shumë gjëra të përbashkëta, dhe kjo e bën atë që të ndjehet në Kosovë sikurse në shtëpinë e saj.

“Bota sot”: Zonja Vittoria Berti, si ju ka ardhë në mendje që të vini në Kosovë për t’iu mësuar studentëve gjuhën italiane në shkollën “Dante”?

“Berti”: Unë kam ardhë këtu në Kosovë në vitin 2015 për një shërbim vullnetar me një organizatë joqeveritare italiane. Projekti ka qenë për një vit, por kam vendosur të qëndroj në Kosovë edhe pas përfundimit të projektit. Kështu që nga qyteti i bukur i Prizrenit, jam transferuar në Prishtinë. Me ardhjen time në kryeqytet, jam informuar për shkollën e italishtes “Dante”, kështu që e kam dërguar një CV,  dhe jam përzgjedhur si mësuese e italishtes dhe që një vit jam duke ligjëruar këtu. E kam edhe të fejuarin shqiptar të Kosovës që jeton në Prishtinë.

Image
Vittoria Berti, Profesoresha italiane gjatë intervistës me gazetarin e gazetës “Bota sot”, Arben Sylejmani.

“Bota sot”: Çfarë ndjenje keni kur dilni për herë të parë para studentëve të cilët nuk e dinë as një fjalë të vetme në italisht, por që kanë ardhur për të studiuar këtë gjuhë?

Berti: Zakonisht studentët që i mësojë unë, ata të paktën e kanë bërë një nivel të kursit të gjuhës italiane me Arjeta Berisha që është nga Kosova, por që ka studiuar gjuhën italiane në Romë. Por me ndodh që të komunikojë edhe me studentët fillestar. Kjo është një sfidë, sepse me duhet të gjej një mënyrë për tu kuptuar. Unë nuk flas shumë mirë gjuhën shqipe, kështu që ata duhet të sforcohen shumë për të mësuar. Por kjo mua më jep shumë sodisfacion, sepse nëse një student arrin që të frekuentoj edhe nivelin B1 dhe B2, ai është tërësisht në gjendje që të komunikoj në italisht. Kjo me të vërtet është një sodisfacion për mua.

“Bota sot”: A është interesi i madh i studentëve në Kosovë për të mësuar gjuhën e bukur italiane?

Berti: Të themi se interesi për të mësuar italisht është duke u rritur, sepse është duke u rritur numri i studentëve që janë duke frekuentuar shkollën “Dante”. Po është duke u rritur edhe numri i atyre studentëve që vinë këtu për të mësuar italisht, vetëm pse iu pëlqen kjo gjuhë. Ka edhe prej atyre që studiojnë për arsye të punës, sepse është duke u rritur numri i kompanive italiane në Kosovë.

“Bota sot”: Pse mendoni se ia vlen për një studentë në Kosovë që të mësoj italisht?

Berti: Arsyet janë të ndryshme. Unë kam parë shumë motivime të ndryshme, por sigurisht që Italishtja është gjuhë e kulturës, gjuhë e artit, gjuhë e arkitekturës. Po ashtu, janë edhe shumë gjëra të tjera të lidhura me Italinë dhe sigurisht që mësimi i saj është një vlerë e shtuar.

“Bota sot”: Studentë që frekuentojnë shkollën “Dante”, a kanë ndonjë lehtësi për të ndjekur studimet e larta në ndonjë universitet në Itali?

Berti: Shkolla “Dante” është e vetmja qendër e akredituar në Kosovë për certifikim zyrtar për gjuhën italiane që është një certifikim i njohur nga Ministria e Arsimit të Italisë dhe këto certifikime nevojiten për të studiuar nëpër universitetet italiane. Sigurisht që kjo i jep një mundësi shtesë të gjithë studentëve që dëshirojnë të studiojnë në universitete italiane. Për herën ë parë, në qershor të këtij viti kemi bërë sesionin e parë të provimeve në Kosovë për certifikim.

“Bota sot”: A shihni dallime të mëdha tek ata studentë që ju i mësoni në Kosovë prej atyre në Itali?

Berti: Studentët që vijnë tek ne për të mësuar italisht janë shumë të motivuar, sepse janë studentë të rinj që duan të shkojnë të studiojnë në Itali dhe persona të tjerë që punojnë me italianë, dhe kjo i bën që ata të jenë shumë të motivuar.

“Bota sot”: Çfarë përshtypjesh keni për njerëzit në Kosovë në përgjithësi?

Berti: Njerëzit në Kosovë janë shumë të socializuar dhe mikpritës. Unë mendojë se nuk ka një dallim të madh mes italianëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, mendojë që jemi të shumë të ngjashëm.

“Bota sot”: Sa keni arritur që të ambientoheni me kulturën në Kosovë?

Berti: Unë  kam ardhë për herë të parë në Prizren dhe atje kam jetuar për një vjet që është një qytet shumë tradicional dhe kështu kam mundur të shoh tradita me sytë e mi që ndoshta këtu në Prishtinë janë më pak evidente. Kështu që nuk kam pasur vështirësi të mëdha për tu ambientuar. Por Prizreni është një qytet antik e më ka bërë të ndjehem sikur në shtëpi, sepse në Itali qytetet janë shumë të vjetra dhe kjo qendër shumë e bukur më ka bërë që të ndihem sikur në shtëpi.

“Bota sot”: Si fillon një ditë e juaja e zakonshme?

Berti: Jeta ime ditore këtu në Kosovë është e zakonshme. Zgjohem, punoj, takohem me shoqëri, shkoj për të pirë kafe, shkoj në koncerte. Bëj një jetë të ngjashme me një të huaj që jeton në Itali. Ajo që më mungon më së shumti këtu në Kosovë, është një kafe e mirë italiane dhe një briosh. Megjithatë, dita e ime fillon me një kafe italiane, sepse e kam sjellë me vet gjezven nga Italia për të bërë kafe.

“Bota sot”: 10.  A keni diçka për të veçuar që ju pëlqen në Kosovë (njerëzit, kuzhina, letërsia, mentaliteti, kultura, etj)?

Berti: Kuzhina e juaj është e ndryshme me kuzhinën tonë, por mua më pëlqen shumë, sepse duke pasur të fejuarin nga Kosova, kam pasur mundësinë për të provuar shumë gjella tradicionale që bëhen në shtëpi, si: pite fli, ajvar dhe turshi.

“Bota sot”: A shihni dallime të mëdha në mënyrën e jetesës së njerëzve në Kosovë prej atyre në Itali?

Berti: Varet për cilën pjesë të Italisë jemi duke folur, sepse edhe atje ka ndryshime në mes banorëve të jugut dhe të veriut. Por, mund të themi që stili i jetës sipas meje është shumë i ngjashëm, sepse kemi kohë të rilaksuar, kemi pasion të madh për kafe, njerëzit bashkohen, familjet vizitojnë njëra tjetrën, njerëzit ftojnë njëri tjetrin për kafe. Këto gjëra janë të njëjta. Por, gjithashtu nëse flasim për Milanon, dallimet janë më të mëdha, sepse jeta është më shumë dinamike.

“Bota sot”: Ku do t`i prisni festat e fundvitit?

Berti: Për krishtlindje do të jem në Itali, konkretisht në Firence, sepse tek ne është traditë që kjo festë të kalohet me familje. Kurse, për festat e fundvitit do të jem në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat