Deputeti i LDK-së flet për rrëzimin e Qeverisë, tregon se çfarë pret nga Gjykata Speciale

Intervista

Deputeti i LDK-së flet për rrëzimin e Qeverisë, tregon se çfarë pret nga Gjykata Speciale

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 janar 2018 Në ora: 14:05
Lumir Abdixhiku

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK-së, i`u shtuan në Kuvendin e Kosovës edhe deputetë të rinj. Njëri nga ta, është edhe Deputeti Lumir Abdixhiku, i cili në një intervistë për gazetën “Bota sot”,  tregon se në këto zgjedhje ka gjetur një LDK me potencial të madh përparimi dhe me gatishmëri për të bërë këtë përparim.

Për Abdixhikun, nëse qeverisja e parë e Haradinajt mbahej mend për 100 ditët e famshme të saj, kjo e fundit do të mbahet mend për 100 zëvendësministrat e saj. Ai potencon se të drejtën për rrëzimin e qeverisë do ta ushtrojnë në momentin më të mirë.  Po ashtu, mund të lexoni detaje nga jeta e përditshme e deputetit Abdxhiku.

“Bota sot”: Në maj të vitit 2017-të, iu bashkuat edhe zyrtarisht LDK-së, mund të na tregoni se në çfarë gjendje ishte LDK-ja, dhe si është tani?

Lumir Abdixhiku: Unë kam gjetur një LDK me një ambient jashtëzakonisht mikpritës për ide të reja. Kam gjetur një LDK me njerëz të afërt, profesionist, me vullnet të mirë për të dërguar përpara idenë e Lidhjes sonë. Kam gjetur një LDK me potencial të madh përparimi dhe me gatishmëri për të bërë këtë përparim. Për mua vullneti i tillë ka qenë pasuria më e madhe politike e LDK-së në atë kohë. Besoj që nga atëherë kemi arritur mjaftueshëm të shfrytëzojmë këtë potencial dhe para qytetarëve të shpërfaqemi si alternativa e vetme serioze e normale politike në vend. Natyrisht se na presin ende punë, por përderisa mirëmbajmë një ambient të tillë pune, do të përmirësojmë vetën dhe më shumë.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit doli si partia më e madhe në vend, a ishte “Brezi Republikës” çelësi i këtij suksesi?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj se çelësi i suksesit është unifikimi dhe koordinimi i gjithë brezave në LDK; i atyre që kanë kontribuar me vite të tëra në LDK, i të rinjve e të rejave po ashtu. Ne kemi arritur të gjejmë gjuhë të përbashkët; që diferencat e mendimeve t’i trajtojmë brenda LDK-së, e në publik të mbajmë qëndrim unifikues. Ne kemi arritur të artikulojmë idetë më të mira, t’i zgjedhim kandidatët më të mirë – dhe kështu të marrim numrin më të madh të komunave, e të marrim më së shumti vota në nivel vendi. Përderisa LDK-ja është e bashkuar dhe vepron si një, nuk do të ketë asnjëherë konkurrencë.

“Bota sot”: Si ekspert i ekonomisë, çfarë duhet bërë, për ta luftuar papunësinë?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj se Kosovë i duhet një qeverisje që donë të bëjë mirë, dhe më pas din çfarë duhet bërë. E para, ku donë të bëjë mirë, ajo do të pastronte veten nga aferat korruptive, nga përpjekjet për kapje të shtetit, nga përfitimet publike në kurriz të interesave klanore partiake. Vullneti i mirë, natyrisht se s’është i vetëmjaftueshëm. Rrjedhimisht, e dyta, një qeverisje e mbarë duhet të dijë çfarë politika dërgojë përpara vendin tonë. Investimet në arsim, në gjyqësi, në ambient biznesor e në shëndetësi, do të krijonin parakushtet për një ekonomi të pavarur, produktive, me mundësi pune dhe me mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Sot për sot, Kosova s’është e të gjithë banorëve të saj; është shtet vetëm i atyre që mbajnë lidhje të afërta me kapësit e vendit.

“Bota sot”: 100 ditët e para të qeverisjes aktuale, si i vlerësoni?

Lumir Abdixhiku: Unë nuk kam ndonjë vlerësim të lartë për punën e deritanishme të Qeverisë. Në fakt, siç edhe ishte pritur e siç edhe e kishim paralajmëruar, kjo Qeveri s’mund të jap zgjidhje sepse është e kurthuar në pazaret e veta politike, është heterogjene sa s’bëhet më, është kaotike në organizim e trajtim të problemeve – e sa për të mos mjaftuar kjo, është peng i kauzave false të veta, që për Kosovën kanë veçse një përfundim, regres e izolim. Unë s’mund të kujtoj ndonjë sukses, thënë të drejtën. Por shoh gjithandej dështime enorme të këtij stili qeverisës. Shoh se është ndërtuar një qeveri e madhe, e luksit, e ministrave e zëvendësministrave të shumtë. Janë me qindra zyrtarë publik të emëruar në këto ditë të para të qeverisjes; dhe kjo për neve është shqetësim. Është shqetësim edhe amortizimi që i bëhet këtij fenomeni duke i arsyetuar emërimet si pjesë të pazareve normale. Madhësia e kësaj qeverie s’mund të arsyetohet asnjëherë. Pra, nëse qeverisja e parë e Haradinajt mbahej mend për 100 ditët e famshme të saj, kjo e fundit do të mbahet mend për 100 zëvendësministrat e saj. Shoh gjithashtu se në këtë periudhë janë tensionuar raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar. Shoh se kjo qeveri s’ka aftësi të shtrojë rrugën evropiane të vendit tonë. Ajo është në gjendje të mbajë peng një vend të tanë, përderisa mbetet vet në pushtet. Pra në këto pak ditë, Qeveria ka dhënë sinjale të dështimit në organizim, në agjendë qeveritare, në zhvillim ekonomik e në marrëdhënie ndërkombëtare.

“Bota sot”: Është paralajmëruar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë nga LDK-ja, kur do të bëhet kjo?

Lumir Abdixhiku: LDK do të shqyrtojë me kujdes kohën e ngritjes së mocionit. Ne mbetemi të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje problemeve të shumta të qytetarëve tanë. LDK nuk do të rri duarkryq derisa koalicioni i tanishëm mban Kosovën e izoluar, thellon krizën me komunitetin ndërkombëtar, e regresion në zhvillim ekonomik. Kemi obligim shumë më të madh se sa vëzhgimi opozitar. Të drejtën tonë për rrëzimin e qeverisë do ta ushtrojmë në momentin më të mirë të mundshëm për vendin dhe për procesin e organizimit të zgjedhjeve të reja.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga Gjykata Speciale? Kush qëndron prapa vrasjeve politike sipas jush?

Lumir Abdixhiku: Pres që t’i trajtojë me kujdes dhe me drejtësi të plotë e pa ndikime politike – nga brenda apo jashtë, s’ka dallim – të gjitha krimet individuale të bëra në Kosovë, për periudhën që është mandatuar. Deri më tani, misionet e tilla ndërkombëtare të drejtësisë kanë dështuar, kryesisht për shkak të interferimeve politike. Natyrisht, është e domosdoshme që në Kosovë të zbardhen edhe vrasje të pasluftës. Lidhja Demokratike e Kosovës është goditur më së rëndi, duke i humbur anëtarët më të denjë të saj, veçse ka pasur bindje të drejta politike për vendin. Është obligim i gjeneratës sonë që të zbardhim këto raste, edhe si formë e drejtësisë për familjet e të vrarëve, por edhe si kontribut për shoqërinë.

“Bota sot”: A i ka përmbushur Kosova kriteret për liberalizim të vizave, dhe a do të hiqen vizat në vitin 2018?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj se kjo Qeveri është peng i propagandës së saj; i agjendës së rreme dhe të pazgjidhshme rreth Demarkacionit. Rrjedhimisht, e njëjta nuk është e aftë për aq sa qëndron, t’u ofrojë qytetarëve të saj lëvizje të lirë. Vizat nuk mund të liberalizohen me diskursin politik të kësaj qeverie. Qytetarët duhet ta kenë këtë të qartë.

“Bota sot”: Kush është Lumir Abdixhiku jashtë politikës?

Lumir Abdixhiku: Unë kaloj një kohë të madhe, jashtë politikës me ekonomi dhe me studentë. Fushën e ekonomisë dhe studimit ekonomik e mbaj afër vetës me qejf shumë. Ndjehem mirë në ligjërata para studentëve; e edhe më mirë në vazhdimin e kontributit shkencor. Provoj të vazhdoj publikimin e punimeve të mija në revista ndërkombëtare - ndonëse marrja me politikë më ka reduktuar kohën e lirë shumë. Jam lexues i rregullt i autorëve të kohës në letërsi dhe në shkencë. Kam dëshirë të mësoj nga disiplinat tjera. Jam gjithashtu përcjellës i madh i sportit; i futbollit në veçanti. Kam qenë gjithherë.

“Bota sot”: Si e mendon të ardhmen e tij Lumiri?

Lumir Abdixhiku: Për një kohë të dhënë në politikë, në LDK saktësisht. Do të provoj të jap kontributin tim, të gjeneratës sime, për një të ardhme më të mirë për vendin. Kur të vlerësoj një ditë se koha e kontributit tim është shterur, do të lëshoj vend për gjenerata të tjera që besoj se do të jenë edhe më të mira edhe më të përgatitura se ne. Besoj që secili prej nesh i kemi një borxh kontribuimi këtij vendi.

“Bota sot”: Çka është familja për Lumir Abdixhikun?

Lumir Abdixhiku: Është pjesa më e shenjtë e jetës sonë. Që nga maji e këndej, pjesa më e madhe e kohës më ka shkuar nëpër fushata zgjedhore. Fillimisht në zgjedhje nacionale, e më pas edhe në ato lokale – diku deri në tre raunde zgjedhjesh. Kjo kohë, bashkë me angazhimin shterës në Parlament, më ka lënë pak hapësirë të kohës me familjen. Gjithsesi, unë jam shumë falënderues ndaj gruas dhe vajzës sime të vogël për mirëkuptimin që kanë pasë në gjithë këtë kohë; dhe për mirëkuptimin që do ta kenë në angazhimin tim në Parlament. Unë besoj që një familje e shëndoshë jep një rreth të shëndoshë; rrethi i shëndoshë jep një komunitet të shëndoshë. Ky komunitet krijon një shoqëri e një shtet të shëndoshë. Prandaj, besoj se puna më e madhe e secilit prej nesh nisë në familje; e mbi parime të njëjta zmadhohet edhe në shtet. Për të nisur këtë cikël natyrisht se ne duhet të gjejmë balancin në mes punës e familjes.

“Bota sot”: Si e përshkruani ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova?

Lumir Abdixhiku: Për mua, Ibrahim Rugova mbetet figurë qenësore dhe e pakonkurrencë e përpjekjes sonë popullore për liri e shtetësi. Një njeri i urtë, me mendje e guxim shumë; me ide të qarta dhe të sigurta se nga e si duhet të shkojë Kosova për të marrë lirinë dhe pavarësinë e saj. Për më tepër, Rugova ka qenë edhe partner kredibil i secilës shtëpi botërore, në kohë kur Kosova nuk kishte zë e përfaqësim jashtë. Idetë e tija për shtetin, për lirinë e vendit tonë, e bëjnë meritor të Republikës sonë në përjetësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat