Flet njeriu që rrëzoi PDK-në në Vushtrri

Intervista

Flet njeriu që rrëzoi PDK-në në Vushtrri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 dhjetor 2017 Në ora: 22:35
Xhafer Tahiri dhe Isa Mustafa

Qytetarët e komunës së Vushtrrisë në vitin 2017 kanë bërë ndryshimin e kryetarit,  i cili tashmë nuk vjen nga partia që i ka qeverisur që nga pas lufta.

Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës është kryetar i Vushtrrisë, duke thënë se ndryshimin e parë që do ta bëjë është hapja e komunës për qytetarët.

Tahiri në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka treguar synimet e tij në aspektin ekonomik, arsimor, e kulturor, të cilat do t’i realizojë gjatë mandatit katër vjeçar.

Si ish- deputet i LDK-së, Tahiri ka folur edhe për qeverisjen aktuale dhe sfidat të cilat e presin Kosovën gjatë vitit 2018.

“Bota sot”: Viti 2017 është duke përfunduar duke ju bërë kryetar i Vushtrrisë, si ndjeheni për këtë?

Xhafer Tahiri: Ndjehem mirë për faktin që kam arritur të inspiroj një gjeneratë të re të të rinjve në Vushtrri, ndoshta që më herët nuk kanë qenë të interesuar për politikë që të angazhohen për fushatën lokale dhe të sjellim ndryshim në qytetin e Vushtrrisë. Ne kemi garuar në zgjedhjet lokale në Vushtrri mbi platformën e ndryshimit dhe mbi platformën e një qeverisje të re në koncept, në përmbajtje dhe në formë. Po ashtu, ndjehem mirë për faktin se kemi arritur që gjatë garës së balotazhit të ndërtojmë koalicionin më të madh qytetar që ka pasur Vushtrria në zgjedhjet lokale, duke ndërtuar një partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Aleancën Kosova e Re, tashmë na janë bashkuar edhe partitë tjera me të cilat do të bëjmë shumicën e kuvendit të Vushtrrisë dhe praktikisht do të ndërtojmë koalicionin më të madh që ka pasur Vushtrria ndonjëherë në qeverisje lokale me qëllim që qytetit t’i ofrojmë një qeverisje të re dhe esenciale. Prandaj, shpresojmë shumë se bashkë me akterët e tjerë lokalë në komunën e Vushtrrisë ne do të arrijmë që të sjellim një qeverisje të re dhe një ndryshim për sa i takon mënyrës së qeverisjes dhe pushtetit lokal.

Bota sot: Pas qeverisjes shumë vjeçare të PDK-së në Vushtrri, cili është ndryshimi i parë që do ta bëni?

Xhafer Tahiri: Ndryshimi i parë që do të bëjmë është hapja e komunës për qytetarin. Komuna do të jetë një komunë e hapur ku të gjithë qytetarët do të kenë qasje të barabartë dhe unë si kryetar i komunës do të jem një kryetar për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Nëse deri në përfundim të zgjedhjeve ne kemi pasur ngjyrime partiake, tani është koha që të punojmë për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Dhe ndryshimi i parë që do ta vërejnë qytetarët është për faktin që do ta kenë një komunë tepër të hapur dhe do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim dhe po ashtu një kryetar që është i hapur në çdo kohë të bisedoj dhe bashkëbisedoj me qytetarët për të gjetur zgjidhje për hallet që qytetarët i kanë.

“Bota sot”: Ju tashmë keni dhënë betimin si kryetar i Vushtrrisë, cila është puna e parë që e keni bërë pas marrjes së postit?

Xhafer Tahiri: Kam kërkuar nga drejtori i arsimit që të shoh nëse transporti i nxënësve të cilët e kanë shkollën larg është duke u kryer sipas despozitave ligjore në fuqi dhe kam urdhëruar që aty ku mungon transporti për nxënësit të vihet në funksion për ata të cilët i kanë shkollat larg në mënyrë që të mos humb asnjë ditë për ata që kanë shkollën larg nga shtëpia. Kujdesin për nxënësit dhe arsimin do ta kemi një kujdes permanent në mënyrë që me të vërtetë të përkrahim çdo nxënës që synon që me punë të jetë i suksesshëm dhe të realizojë vetveten.

“Bota sot”: Gjatë fushatës keni deklaruar se Vushtrria do të zgjedh një kryetar që vendos vetë dhe jo një kryetar të dirigjuar nga Skenderaj, a do të bashkëpunoni me Bekim Jasharin tani?

Xhafer Tahiri: Në këto vite e vërteta është që Vushtrria nuk ka pasur një kryetar i cili ndoshta ka vendosur vetë për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Shpesh herë ka qenë bindja e qytetarëve që Vushtrria është dirigjuar dhe ka qenë nën shërbim të një qyteti tjetër, unë jam zotuar se do të jem një kryetar vetë dhe këtë zotim do ta mbaj dhe llogari do t’i japë vetëm qytetarëve të Vushtrrisë dhe llogari para ligjit. Me z.Bekim Jasharin do të bashkëpunojmë në mënyrë të sinqertë dhe të hapur për dy qytetet tona, njëkohësisht e uroj për suksesin z.Jasharin dhe pres me padurim të bashkëpunojmë me dy komuna tona.

“Bota sot”:  Keni siguruar se do të ndërtoni tregun për prodhuesit vendorë dhe tregtarët e Vushtrrisë, kur do ta realizoni këtë?

Xhafer Tahiri: Puna e parë që do të bëjmë është të ndajmë dhe ta lokaliziojmë vendin e saktë për tregun. Tregun do ta ndërtojmë dhe do të jetë në shërbim të të gjithë prodhuesve vendorë, do të jetë një treg modern, një treg i mbuluar dhe tregtarët e Vushtrrisë as nuk do të lagen nga shiu, as nuk do të mbulohen nga bora, as nuk do t’i thajë dielli, por do të kenë mundësi që në një treg të mbyllur modern të pastërt me kushte hidrosanitare në nivel të bëjnë shitje dhe tregti të prodhimeve vendore. Ky është një premtim që do ta realizojmë dhe brenda disa viteve do të jetë funksional, në vitin e parë do ta lokalizojmë vendin dhe pastaj vitin e dytë do të ndajmë mjete për ta bërë atë, ose do të gjejmë bashkëpunim edhe me partnerët privatë qoftë edhe me investitorë të jashtëm ta realizojmë tregun për prodhuesit vendorë.

“Bota sot”: Në kohën kur keni kandiduar për kryetar të Vushtrrisë, keni deklaruar se diskriminimi në baza partiake ka qenë shumë i pranishëm në vitet e fundit dhe kjo të  ka shtyrë që të hyni në garë për të parin e qytetit, si pretendoni ta largoni këtë praktikë të instaluar?

Xhafer Tahiri: Është e vërtetë që në Vushtrri në pushtetin e vjetër punësimet kanë qenë ekskluzivisht pariake dhe qytetarët e Vushtrrisë e dijnë më së miri këtë. Platforma jonë qeverisëse ka mundësinë e testeve anonime të cilët largojnë çdo mundësi për favorizim të cilitdo kandidat për një vend pune dhe kjo do të mundësojë një garë të barabartë dhe zgjedhjen e atyre që janë më meritorë në punën e organeve publike të komunës. Në testet anonime do të kemi pjesëmarrjen edhe të shoqërisë civile për të monitoruar konkurset në mënyrë që me të vërtetë të kemi një transparencë të plotë për sa i takon punësimit në komunën  e Vushtrrisë.

“Bota sot”: Nëse do të ndaleshim në aspekt arsimor, drejtori i arsimi është partiak, atëherë si do t’ia arrini që konkurset për mësimdhënës e drejtorë të shkollave të jenë neutralë?

Xhafer Tahiri: Një prej detyrimeve tona kryesore ka qenë depolitizimi i arsimit dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë. Arsimi është tepër interes vital i shtetit tonë për t’ia lënë në duar militantëve partiakë sigurisht që drejtori i arsimit në nivel lokal është politikë, por drejtorët e shkollave dhe arsimtarët emërohen në bazë të meritokracisë dhe rezultateve në punë e jo mbi bazë partiake

“Bota sot”: Shkalla e papunësisë në Vushtrri është e lartë si pasojë e kësaj edhe migrimi nuk përjashtohet nga qytetarët, çfarë do të ndryshoni në këtë aspekt?

Xhafer Tahiri: Ne tashmë kemi filluar angazhimin për t’i hapur mundësit e zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë. Unë i kam propozuar grupit parlamentar të LDK-së që të propozojnë një amandamet në ligjin për buxhetin për vitit 2018 për të financuar zonën ekonomike në Lum të Madh, lajm i mirë është që Komisioni për buxhet dhe financa e ka kaluar këtë amandamet dhe Vushtrria do të përfitojë 1 milionë e 200 mijë euro në tri vitet e ardhshme për të ndërtuar zonën ekonomike në lum të madh dhe kjo zonë ekonomike do të gjenerojë punësim për të rinj dhe do të kemi hapësirën për përpunuesit e drurit edhe për diasporën tonë ashtu siç e premtuar në fushatë zgjedhor dhe këto tri fshatra Lumi i Madh, Stanoci i poshtë dhe i epërm dhe krejt Vushtrria do të përfitojnë nga zona ekonomike që do të ndërtohet në  Lum të Madh dhe për këtë kemi marrë mbështetje edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. Por,  edhe nëse nuk do ta kemi këtë mbështetje ne do të vazhdojmë me vendimet e komunës dhe pastaj do të jetë në investimet e bizneseve individuale që janë duke u avancuar dhe zona ekonomike do të funksiohet brenda këtij mandati.

“Bota sot”: Vushtrria njihet si qytet i vjetër kulturor, çfarë do të bëni t’i ruani këto vlera dhe të tërheqni sa më shumë turistë?

Xhafer Tahiri: Ne kemi në plan që të bëjmë qendrën kulturore historike të Vushtrrisë. Vushtrria ka edhe qendrën historike kulturore ato i kanë trashëgimi brez pas brezi dhe tani është koha që t’i përdorim për zhvillim të qytetit të Vushtrrisë. Në qendrën historike të Vushtrrisë të kemi qendrën ose zemrën e biznesit të Vushtrrisë, të kemi vend ku do të vinin vizitorë edhe të brendshëm edhe të jashtëm që të vizitojnë qytetin dhe në këtë mënyrë bizneset do të përfitojnë nga ato vizita. Vushtrria për momentin është në kushte të favorshme për t’i tërhequr vizitorë, sepse është në mes të kryeqytetit dhe Mitrovicës, nuk ka ndërkombëtarë që vjen në Kosovë dhe që nuk e viziton Mitrovicën, por ata nuk ndalen në Vushtrri, sepse ajo nuk është as në hartën për turistë. Sigurisht do të angazhohemi për një promovim më të madh të Vushtrrisë dhe të monumenteve të kulturës në mënyrë që ne t’i kemi njerëz që ta vizitojnë, t’i ngjallim interes njerëzve për ta vizituar. Vushtrria është edhe afër Prishtinës, është 20 minuta vozitje, prandaj vizitorët që vijnë në Prishtinë mund të vijnë dhe ta kalojnë një ditë me familje në Vushtrri, që t’i shijojnë bukuritë e të mirat e saj, por edhe të përfitojnë bizneset. Po ashtu, edhe shtëpia e kulturës do të rinovohet dhe do të jetë në përdorim të artit dhe kulturës, synim ynë është që të kemi një jetë kulturore të organizuar në Vushtrri. E kemi edhe festivalin e kulturës “Viciana” që do të organizohet në kohën kur është diaspora në mënyrë që edhe fëmijët e diasporës ta njohin kulturën dhe realitetin tonë në mënyrë të organizuar nga komuna dhe kësisoj synimi është ta kthejmë Vushtrrinë në hartën e vendeve turistike.

“Bota sot”: Për të gjitha këto premtimet të cilat synoni se do t’i realizoni qoftë në aspektin ekonomik, arsimor apo kulturor, a do t’i arrini brenda mandatit qeverisës apo do të keni nevojë për një mandat tjetër?

Xhafer Tahiri: Synimi jonë është t’i realizojmë këto projekte kapitale brenda këtij mandati. Ne shpresojmë se do të arrijmë t’i realizojmë këto projekte që do ta trasnformojnë qytetin e Vushtrrisë. I falënderoj të gjithë qytetarët për besimin, Vushtrria ka për herë të parë një kryetar me mbi 15 mijë vota dhe ky është një besim shumë i madh për mua e përgjegjësi e madhe dhe ekipin tim, dhe ne do të qeverisim në mënyrë trasparente dhe me duar të pastërta.

“Bota sot”: Të ndalemi pak në aspektin partiak, viti 2017 e karakterizon LDK-në si pjesë e qeverisë dhe si opozitë, si e shihni në vitin 2018?

Xhafer Tahiri: Ky vit përgjithësisht i mirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo është kthyer si partia e parë në nivel të vendit edhe për numrin e komuna që qeverisë edhe për votën popullore, por që qytetarë e Kosovës e kanë dhënë një mesazh të qartë për LDK-në, vota e tyre besimi i qytetarëve fitohet me punë dhe me kandidatët që vërtet arrijnë ta kapin këtë besim të qytetarëve në kuptimin se ata rezunojnë përgjegjësi dhe profezionalizëm. Rruga përpara për LDK-në është rrugë drejt konsolidimit, hapjes drejt mundësisë së madhe për njerëz të rinj, për ide të reja, por edhe duke ruajtur traditën e saj që ka 27 vite në Kosovë. Ne duhet të ecim përpara të bashkuar, por duke hapur më shumë përgjegjësi dhe mundësi për gjenerata të reja.

“Bota sot”: Keni paralajmëruar se pas zgjedhjeve do të filloni me mocionin e mosbesimit kundrejt qeverisë Haradinaj, a do të keni përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, apo edhe partive tjera?

Xhafer Tahiri: Qeveria e Kosovës nuk duhet të funksionojë mbi një pakicë shqiptare në Kuvend, ajo duhet ta ketë edhe shumicën shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Qeverisja Haradinaj me të vërtetë ndonëse ka ardhur me premtime të mëdha nuk ka arritur t’i përmbush ato premtime as në aspektin e brendshëm, as në aspektin e avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pres që viti 2018 të sjellë vërtet ndryshime pozitive në kuptimin e qeverisjes më të mirë për qytetarin e Kosovës.

“Bota sot”: Keni qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, si e shihni qeverisjen Haradinaj në këtë 100 ditësh të punës?

Xhafer Tahiri: 100 ditëshi i punës së Haradinaj nuk është as afër  me dinamikë, e punë me 100 ditshin e Haradinajt të parë që ka pasur Kosova dhe kjo me të vërtetë është zhgënjim. Sepse në vitin 2017 do të duhej të kishim një dinamikë më aktive, se sa që e ka pasur dinamika e vitit 2006 kur Haradinaj ishte si mandatar i parë. Nëse e krahasojmë për fat të keq në vitin 2017 është më i dobët se sa në viti 2006.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat që e presin Kosovën në vitin 2018?

Xhafer Tahiri: Konsolidimi i shtetësisë, liberalizimi i vizave, hapja perispektivës për zhvillim ekonomik, besuesshmëria për investorët që do të investojnë në Kosovë. Të gjitha këto kanë ndërlidhje, nëse nuk kemi një konsolidim të shtetësisë sonë, nëse nuk kemi një forcim të partneritetit me miqtë tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë me SHBA-në me BE-në ne nuk do të kemi edhe besimin e investorëve të vijnë të investojnë në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk do të kemi edhe zhvillim ekonomik. Prandaj, unë mendoj që të gjithë politikanët duhet të vetëdijsohen më tepër për domosdoshmërinë e konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në mesin e miqve tanë ndërkombëtarë, në mesin e organizatave ndërkombëtare që synon të jetë anëtare në mënyrë që ne kështu do të kemi zhvillim, sepse kësisoj me pasivitet politik me konfrontim me Bashkësinë Ndërkombëtare ne nuk do te kemi zhvilli.

“Bota sot”: Kemi deklarime të Kryeministrit që gjatë 2018 do të liberalizohen vizat, a do të ndodh një gjë e tillë?

Xhafer Tahiri: Unë shpresoj se kjo të ndodh. Ju e dini që në qeverisjen e LDK-së janë përmbushur të gjitha kushtet përveç demarkacionit për liberalizim. Tani qeverisja Haradinaj e ka votuar demarkacionin, e ka dërguar në Kuvend dhe besoj që Kuvendi do të largojë nga agjenda edhe këtë pjesë në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm, mirëpo me këtë frymë politike dhe me këtë qasje shumë vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat