Delawie mesazh të qartë treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli, tregon çfarë i pret nëse shfuqizojnë Specialen

Intervista

Delawie mesazh të qartë treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli, tregon çfarë i pret nëse shfuqizojnë Specialen

Nga: Gresa Bajraktari Më: 31 dhjetor 2017 Në ora: 13:33
Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie, gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot” / Foto "Bota sot"

Kosova do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç e ka pasur deri më tash. Këtë e ka konfirmuar Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”.

Ambasadori Delawie, gjatë kësaj interviste ka folur për Gjykatën Speciale, marrëveshjen e Demarkacionit, Asociacionin, liberalizimin e vizave e shumë çështje tjera. Ai ka treguar qëndrimin e tij për ndodhitë e fundit sa i përket tentimit për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Ambasadori Delawie është shprehur i zhgënjyer për personat që do ta sakrifikonin interesin e shtetit, për të promovuar interesin personal.

“Bota Sot”: Zoti ambasador, Kosova është në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë. Cili është vlerësimi juaj për punën që është bërë në Kosovë si një shtet i ri që synon integrimin evropian?

Ambasadori Delawie: Është e jashtëzakonshme të gjykosh sa larg ka mbërri Kosova në këto 10 vite. Kosova duhet të krenohet me kornizën e saj legjislative demokratike, me zgjedhjet e lira dhe të drejta, dhe me ekonominë në rritje. Natyrisht, sfida për Kosovën në dhjetë vitet e ardhshme është: si mund të trajtojë ky shtet problemet e nivelit tjetër, si korrupsioni, furnizimi efikas me energji, mundësitë e barabarta për gratë dhe pakicat dhe marrja me të kaluarën e kohës së luftës?

Besoj se gjëra të mëdha mund të ndodhin në dhjetë vitet e ardhshme. “Kosova e re” mund ta transformojë furnizimin me energji, ta zvogëlojë ndotjen, dhe ta mënjanojë një pengesë të rëndësishme për rritjen ekonomike. Sistemi gjyqësor i Kosovës mund të përkushtohet ndaj ndjekjes penale të korrupsionit të nivelit të lartë kudo që ai gjendet. Pas kalimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë më lirshëm jashtë shtetit. Dhe, një grup më i shumëllojshëm i njerëzve mund të luajë rol në nivelin më të lartë të vendimmarrjes në Kosovë dhe në ekonomi. Mendoj se Kosova mund të arrijë gjitha këto dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu për të ndihmuar në arritjen e këtyre qëllimeve ambicioze.

Image
Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie dhe gazetarja Gresa Bajraktari

“Bota Sot”: Lidhur me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur të premten e kaluar (22 dhjetor) në Kuvendin e Kosovës, kur u tentua që të futet vendimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Cili është mendimi juaj për gjithë këtë? A duhet të shfuqizohet kjo Gjykatë?

Ambasadori Delawie: Nëse mund të filloj duke thënë se isha i indinjuar nga përpjekja e 22 dhjetorit, e së premtes, për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me Gjykatën, gjë që mendoj se është thelbësore sepse ajo sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe tregon gatishmërinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.  

Ishte e qartë se ky proces, i cili u udhëhoq nga disa individë, u ndërmor në fshehtësi në mënyrë që t’i iket shqyrtimit të kujdesshëm nga opinioni i Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer në cilindo që do të sakrifikonte interesin e shtetit të tij për të promovuar interesat personale të tij.

Ata që qëndrojnë pas kësaj përpjekjeje ne do t’i shohim si bashkëfajtorë në çfarëdo tentimi të mëtutjeshëm për të shfuqizuar apo ndryshuar Ligjin, apo për ta minuar përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës në çfarëdo mënyre.

Çfarëdo përpjekje e tillë do të kishte pasoja të thella dhe specifike për Kosovën, për të ardhmen e saj evropiane, dhe për marrëdhëniet e saja me Shtetet e Bashkuara. Kjo është çka mendoj unë.

“Bota Sot”: Sa mendoni se Gjykata Speciale mund të shkaktojë jostabilitet në Kosovë me aktakuzat që do të bëhen? Cilat janë mundësitë e Kosovës për të ushtruar padi ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë viteve 98-99-2000, sa mund të ndihmoni ju si SHBA në këtë drejtim?

Ambasadori Delawie: Fatkeqësisht, mendoj se burimi më i madh i jostabilitetit në Kosovë lidhur me Gjykatën Speciale është reagimi i politikanëve, të cilët në vend se të japin informata të sakta për mandatin e Gjykatës ata po tolerojnë fjalorin e papërgjegjshëm. Bashkëpunimi me Gjykatën Speciale tregon përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Nuk është mekanizëm për të gjykuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo cilindo entitet tjetër, por ajo do të merret vetëm me individët dhe veprimet e tyre.

Politika e Shteteve të Bashkuara në gjithë Ballkanin në 25 vitet e fundit ka qenë se çdo viktimë meriton drejtësi. Kosova duhet të përgëzohet për përkushtimin e treguar në disa vitet e fundit që të kryejë pjesën e vet të punës për të siguruar këtë drejtësi për viktimat. Kosova ka nevojë për një Strategji Kombëtare për t’u marrë me të Kaluarën. Deri sa nuk merresh me të kaluarën do të jetë vështirë të shkohet përpara drejtë së ardhmes së ndritur të Kosovës.

“Bota Sot”: Si ka ndikuar vonesa e formimit të institucioneve në ecjen përpara të proceseve dhe në integrimin evropian?

Ambasadori Delawie: Shumë kohë dhe vëmendje i është kushtuar zgjedhjeve në vitin 2017. Mendoj se është turp që Kuvendi nuk ka bërë më shumë. Edhe pse ai u konstituua disa muaj më parë mendoj se mori tepër shumë kohë për të punuar lidhur me çështjet më të rëndësishme të Kosovës.

Shpresoj se tani që Kosova e ka kaluar periudhën e zgjedhjeve, dhe të gjitha institucionet dhe emërimet qeveritare janë bërë, zyrtarët e zgjedhur mund t’i qasen punës. Sigurisht, brenda 3-4 muajve të ardhshëm ne mund të shohim  përparim sa i përket çështjeve kritike sikurse marrëveshja për shënimin e kufirit, kalimin e Ligjit për Liritë Fetare, shtyrjen përpara të një agjende legjislative për reformat e llogaridhënies gjyqësore, kodit penal dhe sundimit të ligjit, dhe adresimin e shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë. 

“Bota Sot”: Çështja e kufirit me Malin e Zi është ndër temat më aktuale dhe më të nxehta. Qeveria e ka miratuar marrëveshjen dhe e ka dërguar në parlament. Nëse marrëveshja nuk kalon, siç është deklaruar se nuk i kanë numrat për ratifikim, çka do të humbë Kosova?

Ambasadori Delawie: BE-ja ka qenë shumë e qartë se liberalizimi i vizave varet nga kalimi i Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit. Pasoja më serioze dhe e menjëhershme e moskalimit të saj është izolimi i vazhdueshëm i qytetarëve të Kosovës dhe mungesa e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Po ashtu, mendoj se kjo nuk i dërgon sinjal të mirë aleatëve dhe partnerëve të Kosovës, pra sinjalin se qeveria nuk mundet të finalizojë një marrëveshje ndërkombëtare aq të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë pas më shumë se dy vite debat për të. Shtetet e përgjegjshme duhet të marrin vendime të vështira, të gjejnë mënyra për të arritur kompromise, dhe pastaj t’i zbatojnë ato. Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundshme, dhe pastaj të lëvizë drejtë çështjeve tjera.

“Bota Sot”: Zoti ambasador, sipas jush, a ka ndonjë zgjidhje tjetër që Kosova të sigurojë liberalizimin e vizave nga BE-ja, nëse kjo marrëveshje nuk kalon në parlament?

Ambasadori Delawie: Si Ambasador i SHBA-ve, nuk është puna ime që të them se çka do të bëjë BE-ja apo çka nuk do të bëjë BE-ja. Por, nuk ka shenja se BE-ja do të rishikojë apo përshtatë kërkesat që Kosova ta luftojë korrupsionin dhe ta kalojë marrëveshjen për shënimin e kufirit para se të merret parasysh për liberalizim të vizave. Sugjerimi im i fuqishëm është që Kosova ta shfrytëzojë kohën për të bërë përpjekje që ta kalojë marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe për ta luftuar korrupsionin, e jo të tentojë të ndryshojë diçka që nuk ka gjasa të ndryshojë.

“Bota Sot”: Përpos Demarkacionit, një nga kushtet kryesore është edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Sa mendoni se po punohet nga institucionet e Kosovës për këtë kusht?

Ambasadori Delawie: Është me rëndësi që të përmenden gjërat pozitive. Integrimi i gjyqësorit në veri e nisi procesin e shtrirjes së qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe gjykatat kanë filluar të zvogëlojnë numrin e madh të lëndëve të mbetura në shumë pjesë të shtetit.

Llogaridhënia është e rëndësishme. Për rritjen ekonomike dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës është jetike që të dëshmohet se zyrtarët qeveritarë nuk mund të marrin pjesë në korrupsion pa u dënuar.

Reforma e prokurimit publik është edhe një hap thelbësor tutje në trajtimin e korrupsionit. Në këtë fushë korrupsioni lë pasoja me ndikim të gjerë, dhe ai minon investimet ekonomike, kryerjen e shërbimeve lokale, qasjen në kujdesin shëndetësor dhe në arsim. Për ta vështirësuar korrupsionin ne do të dëshironim të shohim se qeveria e ka zbatuar plotësisht prokurimin elektronik deri në fund të janarit 2018.

Qeveria e Kosovës ka një agjendë legjislative ambicioze që do të ndihmojë për ta luftuar korrupsionin. Reformat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë po ecin përpara por ato kanë nevojë për përkrahje ndërpartiake në Kuvend.  Për shembull, kalimi i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore do të jetë jetik. Ky do të jetë një hap kritik përpara në forcimin e kontrollit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Reformimi i Kodit Penal është edhe një prioritet jetik për të ardhmen e afërme.

“Bota Sot”: Përpos marrëveshjes së Demarkacionit, një marrëveshje që është kundërshtuar është edhe ajo e Asociacionit të komunave serbe. A duhet të formohet ky asociacion?

Ambasadori Delawie: Shtetet e Bashkuara mbështesin Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS). Kjo është diçka me të cilën qeveria e Kosovës është pajtuar në kuadër të Planit të Ahtisarit. Çdonjëri ka pikëpamje të forta për AKS-në dhe unë e kuptoj këtë. Por, unë shpresoj se njerëzit do të kushtojnë kohë për të mësuar se çka është dhe çka nuk është AKS-ja. Nuk është Republika Srpska. Ai është një mënyrë që bashkësitë me shumicë serbe të punojnë së bashku për kujdes shëndetësor dhe arsim, mes tjerash. Poashtu, është mënyrë që institucionet e Kosovës të shtrijnë shërbimet dhe sovranitetin deri te të gjithë qytetarët e shtetit, dhe që t’i tregojnë njerëzve që e ardhmja e tyre është në Kosovë.

Në vitin 2018 pres të shoh përkushtim për një bisedim të sinqertë brenda shtetit për themelimin e AKS-së. Është e kuptueshme që shumë njerëz janë të shqetësuar lidhur me të sepse nuk ka shumë informata lidhur me hapat vijues. Shpresoj se kjo do të rregullohet nga përfaqësuesit nga çdo bashkësi në Kosovë përmes një përpjekjeje të ndershme.   

“Bota Sot”: Si e vlerësoni dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel? A duhet të jetë SHBA pjesë e këtij dialogu?

Ambasadori Delawie: Dhjetëvjetori i Kosovës është kohë e mirë për të menduar për disa gjëra me të vërtetë të jashtëzakonshme që janë arritur përmes Dialogut. A do të parashikonin shumë njerëz se Policia e Kosovës do të kishte juridiksion të plotë në tërë Kosovën? Se paratë nga doganat në kufirin verior do të drejtoheshin prapa në Kosovë? Mos t’i harrojmë të arriturat e Dialogut, dhe unë këtu po i përmend vetëm disa.

Në vitin 2018 dua t’i shoh të dyja palët që janë kthyer në tavolinë, të gatshme për të negociuar. Suksesi i integrimit të gjyqësorit në tetor ofron një momentum për këtë. Është lehtë të kthehesh në shtetin tënd dhe të akuzosh palën tjetër për moskryerjen e pjesës së tyre. Më vështirë është t’ua shpjegosh qytetarëve në mënyrë transparente pse marrëveshjet e Dialogut janë të rëndësishme, se si qeveria planifikon t’i zbatojë ato, dhe t’i zbatosh ato.

Shtetet e Bashkuara po punojnë me ekipin e përfaqësueses së Lartë të BE-së Mogherini për të përcaktuar se si ne mund të kontribuojmë më së miri në suksesin e dialogut të cilin po e lehtëson BE-ja. Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë.

“Bota Sot”: Ambasador Delawie, sfidat në Ballkanin Perëndimor janë të shumta, e një nga to është edhe ndikimi i Rusisë, e një ndikim i tillë rezulton të jetë edhe në Kosovë sipas një raporti të publikuar së fundmi nga QKSS. Sa i shqetësuar jeni ju nga ndikimi i tillë dhe roli i Rusisë?

Ambasadori Delawie: Siç tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropë, Hoyt Yee, gjatë vizitës së fundit në rajon, Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me Rusinë në fushat e bashkëpunimit. Sidoqoftë, kur interesat tona nuk përputhen atëherë Shtetet e Bashkuara do të ngriten për të mbrojtur interesat tona, vlerat tona, parimet tona dhe ato të aleatëve tonë. Një çështje shqetësuese është “lajmet e rrejshme” apo metodat tjera të manipulimit të informatave, prandaj qytetarët nuk mund të besojnë atë që lexojnë. Kjo është diçka me të cilën po merren në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë. Nuk ka përgjigje të lehtë për këtë por nxis të gjithë ne që të jemi lexues të kujdesshëm, që të mendojmë për motivin prapa gjërave që lexojmë, dhe nëse kemi pyetje për to të kërkojmë burime të lajmeve që janë të besueshme në vend se vetëm të klikojmë në Internet me lehtësi.

Për ta përfunduar, dua ta përgëzoj tërë popullin e Kosovës për arritjet e tyre të jashtëzakonshme gjatë dhjetë viteve të kaluara. Është rrugë e gjatë përpara por jam i bindur se njerëzit e Kosovës e kanë përkushtimin dhe këmbënguljen për të arritur sukses lidhur me të gjitha ambiciet e tyre evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat