Bahtiri tregon si manipuloi me vota dhe si deshi të shkakonte trazira PDK-ja në Mitrovicë

Intervista

Bahtiri tregon si manipuloi me vota dhe si deshi të shkakonte trazira PDK-ja në Mitrovicë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 nëntor 2017 Në ora: 10:35
Agim Bahtiri

Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri në zgjedhjet e fundit ka shkuar në balotazh me kandidaten e PDK-së, Valdete Idrizi. Ai ka folur për kundër kandidaten e tij dhe qeverisjen e PDK-së në këtë komunë. Bahtiri në këtë intervistë për “Bota sot” thotë se është i hapur për bashkëpunim me partitë tjera, ndërsa koalicion ka lidhur me qytetarët mitrovicas. Ai duke folur për kandidaten e PDK-së, ka thënë se ajo nuk mund ta bashkoj Mitrovicën ashtu si ka deklaruar, pasi partia e tij është fajtore për ndarjen e saj. Bahtiri ka përmendur edhe parregullsitë në raundin e parë të zgjedhjeve nga ana e PDK-së.

“Bota sot”: Pse qytetarët ju dërguan në balotazh me PDK-në?

Agim Bahtiri: Qeverisja e mirë dhe punët e mira që kam bërë gjatë këtij mandati, pothuaj në të gjitha fushat dhe sidomos në infrastrukturë, janë vlerësuar drejtë nga qytetarët e Komunës, andaj ata edhe kanë vendosur që të më votojnë mjaftueshëm për të hyrë në raundin e dytë të garës për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Arsye tjetër ka qenë ajo se qytetarët dëshirojnë që të mos lejojnë kthimin e PDK-së në pushtet,  pasi që ajo ka qeverisur keq në Mitrovicë.

“Bota sot”: A do të bashkoheni me ndonjë parti për raundin e dytë të zgjedhjeve?

Agim Bahtiri: Unë, si në zgjedhjet e kaluara për kryetar të Komunës, ashtu edhe në këto zgjedhje jam angazhuar dhe kam punuar që të krijoj koalicion me qytetarë. Aktualisht jam duke i kontaktuar qytetarët në të gjitha lagjet dhe fshatrat e qytetit, me qëllim që nga afër të shpalos prioritetet e mija për periodën e ardhshme katërvjeçare dhe mbi bazën e këtyre edhe të lidh kontratë me ta për realizimin e këtyre prioriteteve, por edhe prioritetet që vet qytetarët i  kanë përcaktuar. Megjithëkëtë, jam i hapur për bashkëbisedim edhe me subjektet tjera politike, por edhe me personalitete të ndryshme që duan të më bashkëngjiten në këtë proces për të penguar kthimin e qeverisjes së keqe në Mitrovicë. Sidoqoftë, nga ky proces unë do të dal fitues i pakontestueshëm.

“Bota sot”: A do ta fitoni balotazhin?

Agim Bahtiri: Në fitore nuk dyshoj fare. Mbështetjen e tyre për të qeverisur edhe gjatë katër viteve të ardhshme po ma konfirmojnë vet qytetarët në të gjitha takimet që i kam me ta, në rrugë apo objekte të tjera ku i takoj,  por edhe përmes formave të ndryshme të komunikimit.

“Bota sot”: Pse qytetarët nuk duhet ta rikthejnë PDK-në në Mitrovicë?

Agim Bahtiri: Mënyra se si ka qeverisur PDK-ja me Mitrovicën i ka dëshpërua qytetarët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike. Institucionet e pushtetit lokal në Mitrovicë janë menaxhuar shumë keq, nuk ka pas kurrfarë zhvillimi, ndërsa që dukuritë e dëmshme siç janë nepotizmi, mitoja, korrupsioni, kontrabanda etj, i patën ngulfat qytetarët, andaj ata janë të irrituar dhe dëshpëruar me një keqqeverisje të këtillë dhe nuk duan më që ajo të kthehet. Qeverisja e PDK-së ka qenë shkelëse e vazhdueshme e ligjit dhe në duar të klaneve që kanë plaçkitur e janë pasuruar për vete, ndërsa që qytetarët e Mitrovicës janë varfëruar vazhdimisht.

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet t’ua besojnë edhe një mandat në Mitrovicë?

Agim Bahtiri: Qytetarët e Mitrovicës duhet të më besojnë edhe mandatin e dytë për shumë arsye. Kam menaxhuar me qytetin duke e zbatuar me konsekuencë ligjin dhe me duar të pastra. Kam realizuar pjesën dërrmuese të premtimeve. Kam punuar shumë për të stabilizuar situatën politike e të sigurisë dhe bashkë me qytetarë dhe strukturat përkatëse për rend e siguri këtë e kemi arritur. Kam realizuar shumë projekte të infrastrukturës rrugore, kanalizime, ujësjellës etj, të cilat ua kanë përmirësuar cilësinë e jetës qytetarëve, si dhe kam bërë edhe shumë punë të tjera të dobishme për ta  e qytetin, si në shëndetësi, arsim, zhvillim e ekonomik etj, që janë vlerësuar nga qytetarët, andaj edhe jam i bindur se do të më japin besimin për të qeverisur edhe në mandatin e ardhshëm.  Gjatë kësaj kohe kam krijuar Zonën Industriale në Frashër, ku kanë përfituar troje falas nga Komuna 20 kompani për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese, disa prej të cilave tashmë i kanë filluar punët. Dhe më duhet të them edhe këtë, se në asnjë mënyrë nuk kam pranuar të nënshkruaj marrëveshjen për kufijtë administrativ komunal, me të cilën ndryshohej Pakoja e Ahatisarit dhe Mitrovica ndahej përmes lumit Ibër, një kërkesë kjo e palës serbe që ishte në dëm të Komunës që unë e drejtoj.

“Bota sot”: Kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi ka premtuar bashkimin e Mitrovicës, si e vlerësoni këtë deklarim të saj?

Agim Bahtiri: Valdete Idrizi nuk mund ta bashkoj qytetin, sepse e përfaqëson një parti e cila ka kontribuua shumë për ndarjen e tij. Përkundrazi, ardhja e saj në pushtet në Mitrovicë vetëm sa do të pengoj proceset e mira që janë në zhvillim e sipër në këtë drejtim, pasi që ajo do të jetë e ndikuar drejtpërdrejtë nga ata që kanë ndikuar në ndarjen e qytetit. Me ardhjen e Valdete Idrizit në krye të Mitrovicës, marrëveshja e lartpërmendur për kufijtë administrativ komunal do të nënshkruhej menjëherë dhe si pasojë e kësaj, liqeni i Suhadollit do të ndahej përgjysmë, gjë që është e papranueshme për qytetarët e Mitrovicës.

“Bota sot”: Po ju, sa do të kontribuoni në këtë drejtim?

Agim Bahtiri: Thash edhe në fillim se një pjesë të madhe të angazhimeve të mija ia  kam kushtuar stabilizimit të gjendjes politike e të sigurisë, relaksimit të raporteve ndëretnike dhe përafrimit të qytetarëve. Duke qenë shumë i përkushtuar që Mitrovica të jetë një qytet plotësisht normal e stabil e që fatmirësisht sot është i tillë, kam arritur që të krijoj kontakte me qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, drejtuesit e Komunë së re të formuar në veri të vendit, krejt kjo me qëllim të kthimit të jetës normale në të dyja anët e lumit Ibër. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, kontributit të qytetarëve të të dyja komunave dhe organeve të rendit e të sigurisë, vendore e ndërkombëtare, në Mitrovicë nuk ka më askund tela gjemborë, barrikada me zhavorr apo beton. Përkundrazi, ka lëvizje të lirë në të gjitha drejtimet të qytetarëve. Në mandatin e ardhshëm, jam i bindur se bashkë me drejtuesit e komunës tjetër, do të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për shumë çështje me interes për qytetarët e të dyja komunave.

“Bota sot”: Si e vlerësoni procesin e deri tanishëm zgjedhor?

Agim Bahtiri: Procesi zgjedhor ka qenë relativisht i mirë. Në Mitrovicë janë paraqitur probleme për tejkalimin e të cilave ka qenë i domosdoshëm intervenimi  policor dhe i prokurorit.

“Bota sot”: Në ditën e zgjedhjeve ju keni akuzuar PDK-në dhe udhëheqësit e saj për vjedhje votash në Mitrovicë. Pse keni dhënë një deklaratë të tillë?

Agim Bahtiri: Në ditën e zgjedhjeve më 22 tetor, në Mitrovicë ka pas parregullsi që e kanë cenuar procesin zgjedhor. Në disa vendvotime kanë munguar fletët e votimit, ndërsa që përfaqësues të PDK-së kanë bërë presione të ndryshme tek votuesit dhe përpjekje për manipulimin e vullnetit të qytetarëve. Madje ka pas rrezik serioz që të ketë edhe trazira të cilat fatmirësisht janë evituar.

“Bota sot”: Si do të veproni ju në këtë rast, nëse ka përpjekje të tilla?

Agim Bahtiri: Jam i bindur se do të ketë, pasi që PDK-ja është në panik, sepse ka të dhëna të sakta se kandidatja e saj do të humb . Unë që tani i ftoj komisionarët, vëzhguesit dhe të gjithë personelin që është i kyçur në procesin zgjedhor, që të jenë syçelë dhe të mos lejojnë tjetërsimin e votës së qytetarëve. Ndërsa Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e shtetit i ftoj që të ndërmarrin të gjitha masat paraprake që procesi zgjedhor të ketë mbarëvajtje të duhur. Dhe, në fund ju bëjë me dije së votën tonë do ta ruajmë edhe përmes aktivistëve të AKR-së, të cilët do të përcjellin zhvillimet në të gjitha vendvotimet, por gjithnjë duke e respektuar ligjin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat