“Teatri Kombëtar është shndërruar në "pronë private" të pushtetarëve”

Intervista

“Teatri Kombëtar është shndërruar në "pronë private" të pushtetarëve”

Nga: Mimozë Lakna Më: 6 mars 2017 Në ora: 00:43
Sokol Plakolli

Dimri i ashpër që mbretëroi në janar, nuk e ndali Sokol Plakollin që të jepte shfaqjen spontane “Oda para teatrit”, dhe me këtë të shpërfaqte mllefin ndaj padrejtësive që siç thotë ai janë të vazhdueshme brenda institucionet më të lartë kulturor në vend. Madje, ai mbajti edhe grevë urie, para TKK-së, kundër sllavizimit të Teatrit Kombëtar.

Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, aktori dhe regjisori Sokol Plakolli, thotë se Teatri Kombëtar i Kosovës është mbërthyer nën kthetrat e politikës, derisa vazhdon të jetë kundër shfaqjes së dramës serbe në skenën e këtij teatri.

“Bota sot”: Z. Plakolli, revanshi apo kauza juaj ndaj Teatrit Kombëtar, për shkak të dramës serbe po vazhdon, sa janë marr parasysh deri më tash problematikat që ju keni lansuar?

S. Plakolli: Kauza për parandalimin e sllavizimit të Teatrit Kombëtar, si rrjedhojë tentativat e vazhdueshme të disa individëve të rekrutuar nga Beogradi dhe të instaluar madje jashtëligjshëm, në këshillin e TKK-së, për kthimin e ansamblit serb në TKK paralelisht me atë kosovarë, do të vazhdoi derisa të verifikohen të gjitha vendimet e nxjerra nga ky këshill i jashtëligjshëm. Ndër të tjera dyshohet se një ish kryetar këshilli e ka nënshkruar tinëz vendimin për kthimin e dramës serbe në TKK dhe atë vendim e ka futur me protokoll të falsifikuar diku në mesin e vendimeve tjera, pas këtij akti qyqarë i cili nuk është i vetmi i këtij lloji, nën presionin e Agjencionit kundër korrupsionit, i njëjti ka dhënë dorëheqje. Për pos keqpërdorimit të pozitës zyrtare, kjo mëton të jetë tradhti kombëtare.                                                                                  

Për dymbëdhjetë ditë sa kam qëndruar në grevë i fiksuar para TKK-së, çdo ditë kamë bërë thirrje, që vendimet e këtij këshilli të bëhen publike, gjë që është e drejtë e qytetare. Por, asnjë përgjigje, asnjë deklaratë, asnjë fjalë në lidhje me çështjen nuk është thënë, as nga individët të cilëve u është adresuar tradhtia, as nga zyrtarët e teatrit, as nga zyrtarët e MKRS-së gjë që i fut të gjithë në një kallëp. Heshtja është pohim! Pas gjithë asaj potere publike me çekiç e me tupan, diku në ditën e dhjetë të grevës, rekrutët e Beogradit iu afruan tinzishtë teatrit dhe për rreth një orë sa qëndruan brenda shpresoi që dokumentin e falsifikuar ta kenë tërhequr. Sido që të jetë shumica e vendimeve të këtij këshilli janë të jashtë ligjshme, andaj kauza vazhdon dhe nuk do të ndalet derisa të formohet një komision special i cili do të verifikoi të gjitha vendimet e këtij këshilli. Qytetarët po vazhdojnë të nënshkruajnë peticionin dhe së shpejti çështja do të kaloi në parlament! Teatri Kombëtar i Kosovës është i qytetarëve të Kosovës dhe jo i individëve të cilët e kanë shitur shpirtin dhe trupin për një grusht para.

“Bota sot”: Përse jeni kundër funksionalizimit të dramës serbe në TKK?

S. Plakolli: Teatri kombëtar është institucioni më i lartë kulturorë i vendit, futja ansamblit serb në TKK  hipotetikisht  është e barabartë me "uzurpimin ligjorë" të gjysmës së kulturës! Kjo është ngjashëm sikur në Kosovë të formohen dy polici që funksionojnë paralelisht, dy ushtri që funksionojnë paralelisht gjë që praktikisht është e pa realizueshme!                        

Së fundmi në emër të transparencës, bashkëjetesës,  dhe prosperitetit le të jenë ata, serbët të parët që e formojnë dramën shqipe në kuadër të Teatrit Kombëtar në Beograd sepse edhe ne kemi qindra mija shqiptarë që jetojnë në Serbi dhe ju mohohen madje të drejtat elementare. Ndërsa këta shqipfolësit, në kuadër të këtij fenomeni  le të ma gjejnë diku në botë një Teatër Kombëtar në të cilin paralelisht funksionojnë dy drama të kombësive të ndryshme! Por ata nuk do të mundë të ma gjejnë një të tillë. Andaj ua bëjë me dije se në Teatrin Kombëtar do të vazhdoi të flitet vetëm shqip!

“Bota sot”: A kishte solidarizim nga ana e qytetarëve, kolegëve dhe artistëve sa ishit në grevë para Teatrit Kombëtar?

S. Plakolli: Greva fillimisht ka qenë iniciativë individuale, e cila për shkak të përkrahjes masive që pati u shndërrua në kauzë! Greva dhe kërkesat e saj gjeti përkrahje nga të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. Vlen të theksohet se vetëm një nga videot spontane të shfaqjes " Oda para Teatrit Kombëtar"  e publikuar  në faqen time të facebookut ka pas rreth njëqindmijë shikues, përkrahës. Kjo masë qytetarësh nuk e ka vizituar Teatrin Kombëtar në dhjet vitet e fundit.

Kolegët me këtë rast do t'i ndaja në tri taborë: Kolegët e guximshëm artistë të cilët haptazi u solidarizuan dhe e përkrahën grevën. Kolegët e pa guximshëm të cilët nga perspektive e spektatorit flisnin herë vetmevete e herë me orë të tëra nëpër kafene në grupe të mbyllura por që publikisht heshtnin. Dhe në kolegët laraman të cilët më shkruanin privatisht herë duke më motivuar e herë duke më demotivuar, por publikisht heshtnin, ndër ta kishte edhe të atillë që lëshonin aty k'tu ndonjë zë kundër personaliteti dhe qasjes time kinse jo të duhur sa për të fituar kredi te shefat e tyre. Kundër grevës nuk më kujtohet se ka pas ndonjë prononcim publik të paktën unë nuk kam hasur. Ka pasur shumë intelektual, patriot, artistë të cilët kanë u kanë bërë thirrje publike institucioneve gjegjëse të ndërmarrin hapa konkret, shumë prej tyre kanë kërkuar të i bashkohen grevës por unë kam kërkuar nga ta që të lënë mendimi e tyre në librin e grevistëve dhe brenda 15 minutash të largohen nga vendi i grevës sepse ashtu e parashohin rregullat e grevës.

Ajo që më ka befasuar është mos gatishmëria e mediumeve publike veçanërisht televizioneve, për të organizuar debate të hapura publike, gjë për të cilën unë kamë bërë thirrje çdo ditë! Shumica e mediave veçanërisht ato elektronike po vazhdojnë ta bojkotojnë këtë çështje gjë e cila më shokon!

“Bota sot”: Përtej kësaj, cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet Teatri Kombëtar i Kosovës sot?

S. Plakolli: Problemet nuk janë të pakta, por problemet që po e ngufasin teatrin janë ndikimet e politikës në teatër, klanet artistike, familjarizmat, stafi i trashëguar nga mbetjet e ish Jugosllavisë, korrupsioni, analfabetët dhe humoristët e punësuar në TKK , mbyllja e dyerve të teatrit për artistët. Së fundmi shumica e shfaqjeve të realizuara në TKK me theks në skenën e vogël janë të realizuara nga jo profesionistë ku projektet ju ndahen vetëm atyre të cilët ndajnë përqindjet ose ju kryejnë shërbime stafit vendimmarrës të TKK-së.

“Bota sot”: Si e shihni të ardhmen e TKK-së, a mund të ketë përmirësime?

S. Plakolli: Nuk guxojmë as të mendojmë ndryshe veçse në një Teatër Kombëtar me një të ardhme të ndritshme. Kjo do të ndodhë kur politika njëherë e përgjithmonë të heq duart nga teatri dhe teatri të lihet në duart e artistëve e jo në duart e matrapazëve, manipulantëve në biografitë e të cilëve gjen lloj lloj dosjesh...! 

“Bota sot”: Sa ka bërë Ministria e kulturës si organ përgjegjës në raport me reagimet tuaja ndaj këshillit dhe organeve tjera vendimmarrëse  të TKK-së ?

S. Plakolli: Përkthyer në gjuhën krijesave që veprojnë në bazë të instinkteve dhe jo intelektit,  në këtë trekëndësh shohë shumë krimba, butak, pa kurrizor, zvarranik, brejtës, aty këtu ndonjë zog a flutur e cicëron kalimthi dhe ikë i, e irrituar, ose vdes nga trishtimi. Kjo masë janë ata që paguhen nga tatimpaguesit, qytetarët e Kosovës për të bërë art në kuadër të TKK-së. Vetja më ngjason  me qukapikun e humbur në thellësinë e pyllit të errët, të cilit fati ja ka caktuar  të thyej sqepin, për të shëruar drunjtë në tentativë për të mbijetuar. Ndërsa Ministria e kulturës një shpellë e mbushur me lakuriq nate të ndarë në dy tabore, në mes të tyre një Hutin të cilit shikimi fillon të i kthjellohet vetëm pasi të perëndoi dielli.

“Bota sot”: Sa ju jep hapësirë Teatri Kombëtar shfaqjeve tuaja?

S. Plakolli: Në mesin e rreth dyzet shfaqjeve sa kam realizuar gjithsej katër prej tyre janë dhënë premierë në TKK. Tri kanë qenë iniciativa e jashtme. Ndërsa "Karrigia e nxehtë" autor dhe regjisor i së cilës jam unë u realizua si projekt i TKK-së në vitin 2014-2015. Por menjëherë pas reprizës së parë me direktivë nga Beogradi u pezullua, u mbajt pezull për më shumë se dy vite dhe në fund u përjashtua. Gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në TKK.

“Bota sot”: A ka manipulime, intriga dhe prapaskena, ne marrjen e roleve apo ne përcaktimin e shfaqjeve?

S. Plakolli: Në TKK angazhohen dhe punësohen vetëm vartësit e pushtetarëve, dhe anëtarët e klaneve të cilat udhëhiqen nga vartësit e pushtetarëve. Aty këtu sa për të kamufluar dhe krijuar imazh të rrejshëm ndahet ndonjë rolë meritor për ndonjë artistë meritor.

“Bota sot”: Kur jemi në këtë pikë, sa është e përzier politika në TKK?                           

S. Plakolli: Teatri Kombëtar ka kohë që është shndërruar në "pronë private" të pushtetarëve. Pushtetet ndërrohen e teatri po vazhdon të lëngoi, andaj edhe situata atje është si është. Artistët e mirëfilltë kanë ikur të irrituar, dhe teatri ka mbet në duart hienave.  

“Bota sot”: Për hir të se vërtetës, nuk është se ka shume interes nga qytetaret për të mbushur sallën e Teatrit Kombëtar ? Pse ndodh kjo sipas jush, për shkak të nivelit të ulët të shfaqjeve të inskenuara, apo mosinteresimit të qytetarëve?                                            

S. Plakolli: Për hir të së vërtetës po ua marr një shembull të thjeshtë. Shfaqja " Pasardhësi " për të cilën u investuan më shumë se 70 mijë euro nuk ka pas më shumë sesa njëmijë shikues, ndërsa shfaqja " Oda para teatrit Kombëtar" e realizuar në rrugë në kushte të jashtëzakonshme pa asnjë investim dhe mbështetje, ka pasur me qindra mija shikues dhe përkrahës. Publiku e donë shfaqjen kombëtare, e donë atë që është burimore, publiku është i sinqertë, ai joshet pas së bukurës dhe irritohet nga e bukura  sajuar rrejshëm në emër të artit për qëllime të ulëta. Në të kundërtën kisha interesim ta shohë shfaqjen e fundit e të realizuar në TKK dhe biletë munda të gjejë vetëm në reprizën e tretë, gjë që tregon qartë se publikut nuk i mungon dëshira për të përcjellë teatrin por neve na mungojnë shfaqjet me tematikë kombëtare, shfaqje të tilla madje edhe i përzunë fare nga teatri.

“Bota sot”: A është e vështirë të jetohet në Kosovë si aktor dhe regjisor i teatrit?

S. Plakolli: Përpos aktrimit dhe regjisë,  herë pas here shkruaj edhe dramë, poezi, realizoj ndonjë instilacion, film dokumentarë, por në skenë është vendi ku unë ndjehem më së miri! Në këtë kontest vështirësitë vinë kur ngushtohet hapësira e të jetuarit në skenë! Kohëve të fundit barrierat po bëhen gjithmonë e vështirë të tejkalueshme, por unë gjithsesi po vazhdoi të mbijetoi duke u kalitur çdo ditë e më shumë.

“Bota sot”: A iu jepet hapësirë të rinjvë në Teatrin Kombëtar?              

S. Plakolli: Më tregojnë miqtë e mi veteran të teatrit se dikur në Teatrin Kombëtar ka pasur hierarki. Tashmë është prishur rampa, mundë të numëroi më shumë se dhjetë apo më shumë projekte të realizuara në TKK nga persona të pa verifikuar madje edhe të pa kualifikuar, të cilëve u janë ndarë projekte në TKK. Në anën tjetër në portën e Teatrit Kombëtar kanë nxjerrë një shkresë përmes së cilës u ndalohet hyrja në teatër të gjithë atyre që nuk janë të punësuar në teatër. Kjo flet për uzurpimin e këtij institucioni nga një kllapë pseudo artistësh të cilët po tentojnë që tempullin ta mbajnë të mbyllur edhe për vet komunitetin. ky është akt i turpshëm dhe një gjë të tillë mundë ta bëjnë vetëm mjeranët të cilët ja kanë dronë dhe hijes së vet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni artin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi?  

S. Plakolli: Kultura dhe tradita jonë e lashtë është e mbushur me personazhe arketipe dhe me fenomene të rralla të cilat nuk i takojnë vetëm të kaluarës vazhdojnë të jenë aktuale. Cili nga popujt e botës në fund shekullin 21 e ka prodhuar një figurë markante, një arketip si Adem Jashari dhe familja e tij, për të cilin dy dekada pas luftës ne akoma nuk arritëm të nxjerrim një film apo një shfaqje!? Ndërkohë që ne jemi dhënë pas madhërimit  të trendeve ditore dhe thuajsimit të vlerave të huaja nëse mundë ti quajmë vlera, kemi filluar ta harrojmë vetveten. Gjë që është fatkeqësi e llojit të vet e cila nuk na falet. Zakonisht është bërë trendë që të trajtohen dukuritë tona negative në  veprat tona artistike të realizuara nga vet ne, gjë që janë mostra nga bishti. Ndërsa vlerat tona unike janë lënë anash të etiketuara si demode. Krejt kjo për të u hyrë në hatër të huajve. Andaj kthimi sa më parë te vetvetja është për ne shpëtimi më i mirë. Botës nuk mundë t'i prezantohemi ndryshe vetëm se me vlerat tona unike!

“Bota sot”: A jeni në përgatitje të ndonjë projekti që mund ta presim së shpejti nga ju?       

S. Plakolli: Unë kam dhjetëra platforma regjisoriale të gatshme të cilat presin për t'u inskenuar. Zakonisht kam realizuar 3-5 projekte gjatë vitit por pas padrejtësisë që iu bë veprës sime  " Karrigia e nxehtë" unë kam bojkotuar teatrin, në shenjë revolte për censurën që i është bërë veprës sime. Kjo revoltë e gërshetuar me pasivitetin tim aktiv prodhoi një shfaqje abstrakte ( që është cilësuar si fenomen i llojit  të vet ) "Oda para teatrit Kombëtar" e cila u pritë jashtëzakonisht  mirë nga masa.  Aktualisht jam duke punuar në dramatizimin e "Iliadës"  së Homerit. Dramën e kam titulluar " Rinjohja e heronjve" ( Takimi i Akilit dhe i Hektorit në botën e përtejme). Është një lexim krejt ndryshe i rrëfimeve dhe personazheve antike. Personazhet ecin me kohën nga antika deri në ditët tona ku heroi dhe anti heroi Akili dhe Hektori në botën e përtejme shndërrohen në Zahir Pajazitin dhe Arkanin si personazh i tretë Helena e cila në formë të këngëve bartë nga lartë mesazhe profetike të nxjerra nga librat e shenjtë, mesazh për njerëzimin e kohës moderne. Nuk jam i kënaqur as me versionin e parë as me të dytin as me të tretin. Mbase pas një distance kohore, prapë do të filloi të më pëlqej versioni i parë, kështu më ndodhë zakonisht dhe vetëm atëherë dramën e bëjë publike.  Ndërsa së shpejti do të filloi të realizoi një komedi aktuale!  Por, së pari duhet ta kthejmë "Karrigen e nxehtë" para publikut i cili po e pret shfaqjen me padurim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat