Hajdarmataj: Basha të matë sa vlejnë realisht deputetët aktualë

Intervista

Hajdarmataj: Basha të matë sa vlejnë realisht deputetët aktualë

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 09:55
Mimoza Hajdarmataj

Pas tre muajsh Lulzim Basha do të hartojë listën e parë të parlamentarëve të rinj, që do të përbëjë armën e tij më të fortë brenda partisë.

Deri më tani, Basha i ka lënë të gjithë në pritje dhe pa sinjale për projektin e tij se si do të vijojë marrëdhënia me njerëzit e Berishës dhe deputetët aktualë demokratë.Në një intervistë për Shqiptarja, deputetja e kësaj partie, Mimoza Hajdarmataj i kujton Lulzim Bashës se duhet matur pesha reale e secilit prej deputetëve aktualë dhe më pas të merret në një vendim.Gjatë intervistës, ajo shpalos vizionin e opozitës për programin ekonomik elektoral, flet për protestën e 18 shkurtit dhe po ashtu argumenton se pse mbështet bojkotin parlamentar të komisioneve.

Opozita do të mbajë të shtunën një protestë për të cilën Sali Berisha ka thënë se nuk do të mbarojë derisa të largohet qeveria. Cila është në fakt axhenda e kësaj proteste?

Protesta është thirrur nga PD, opozita dhe kryetari Basha, drejtuar gjithë shqiptarëve, për një kauzë kombëtare historike, që janë mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jemi në një udhëkryq historik ku demokracia, shteti i së drejtës, ekonomia dhe të gjithë sektorët e jetës janë në një krizë të thellë. Jemi në një emergjencë kombëtare për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe shqiptarët nga dëshpërimi. 

Ky ndryshim realizohet vetëm me një qeveri dhe mazhorancë të dalë nga vota e lirë demokratike, që të shprehë realisht vullnetin e shqiptarëve, të pa kërcënuar nga vendet e punës, jo të blerë me thasë mielli apo shlyerje të listave veresije apo me drogë e para të pista. Ky është prioriteti i axhendës së protestës kombëtare që është thirrur nga Jugu në Veri e nga Lindje në Perëndim, ku është thirrur çdo shqiptar pavarësisht bindjeve partiake. Kriza nuk ka parti, ajo ka vetëm autorë dhe përgjegjës që janë "Rilindasit" e ardhur me votë të deformuar në Qershor të 2013, duke çorientuar  të majtë e të djathtë.  Sesi do të hapet protesta e 18 Shkurtit, si do të vijojë, kush do të marrë fjalën apo si dhe kur do të mbyllet, këto janë hapa që do të zbardhen në ditët në vijim nga strukturat e PD. Deri tani thirrja është për të gjithë #ngrihemi_bashkë në një lëvizje të madhe kundër së keqes.

Ju keni marrë një vendim politik për të bojkotuar komisionet parlamentare. Nuk mendoni se në këtë mënyrë i keni dhuruar “rehati” mazhorancës të kalojë çdo akt ligjor që dëshiron pa oponencën tuaj, qoftë edhe publike?

Shiko, ky parlament ka tre vite e gjysmë që bën këtë shpërfillje ndaj opozitës, por mbi të gjitha ndaj shqiptarëve dhe ndaj shoqërisë civile, pra që trajton dhe miraton ligje me forcën e kartonëve. Nuk merren parasysh mendimet e ekspertëve, shoqërisë civile, aktivistëve, akademikëve, studentëve e çdo kategori tjetër. Parlamenti është kthyer në  një studio noteriale që kthen në ligj çdo tekë të kryeministrit, klaneve të tij, ministrave dhe deputetëve të kapur nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Ligjet me ndjeshmëri të madhe sociale si ai për arsimin e lartë, ligji i  mbetjeve, apo edhe vetë reforma në drejtësi ka qenë pasqyrim i kësaj shpërfillje dhe arrogance, që ky pushtet ka përdorur ndaj opozitës dhe interesave të shqiptarëve. Arroganca e kësaj mazhorance po iu përplaset në fytyrë jo vetëm opozitës por gjithë shqiptarëve edhe me mos zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Prandaj nuk ka rrugë tjetër për tua ndalur revanshin dhe kjo është të protestuarit pa u ndalur.

PD po artikulon prej kohësh nevojën e votimit elektronik si kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tashmë që shanset e implementimit të këtij votimi janë thuajse zero, a do të pranojë PD rezultatin zgjedhor?

Kjo është një pyetje me rreze shumë të gjatë parashikimi. Kam vetëm një përgjigje që votimi elektronik, numërimi elektronik është kusht parësor për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra për votim të besueshëm. Ky standard heq në maksimum çdo dyshim për legjitimitetin e zgjedhjeve, të cilat gjithmonë kanë patur një përqindje pabesueshmërie në çdo raport ndërkombëtar, në një proces më pak apo në një proces më shumë. Por pas tri proceseve me zgjedhjet në 2013, lokalet në 2015 dhe në 2016 me zgjedhjet e Dibrës  rreziku për blerje, shitje, presion ndaj votës dëshmoi një  rritje dhe kurba e rrezikut ka arritur majat. Pra potenciali për deformim të votave nga ky pushtet është real dhe nuk ka vend për mëdyshje që me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhje pa pranuar votimin elektronik.

PD ka filluar të evidentojë shtyllat kryesore të programit të saj elektoral. Do të jetë një fushatë ku PD do të ofrojë alternativë, apo ju PD do të akuzojë qeverinë për dështimet e saj?

Është tërësisht një program alternativash zgjidhjesh dhe mbi të gjitha reforma për të nxjerrë vendin  nga bataku, nga mjerimi ekonomik, nga kufijtë e mbijetesës. Është një program që i jep shpresë rinisë shqiptarëve për të mos braktisur , për të mos shpopulluar këtë vend kaq të vogël por me halle dhe probleme të mëdha. Programi është produkt i një pune dhe i një analize disa mujore edhe me ekspertë të huaj, mes të cilëve ekspertë të CDU dhe konsultimeve të zgjatura me ekspertë më të mirë të fushave, departamenteve në parti, me profesorë dhe njerëz të dijeve, biznesit, shoqërisë civile dhe grupet e interesit. Retorika politike, akuzat  janë pjesë e luftës politike dhe do të jenë pjesë e fushatës zgjedhore duke u bazuar në fakte dhe argumente ndërsa programi qeverisës është dhe do të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo e fjalëve apo fjalimeve. Sigurisht që dështimet e mëdha dhe mungesa e vizionit në çdo drejtim, të kësaj qeverie është një shtysë edhe më e madhe për qëndrimet e opozitës në shpjegimin e programit të ardhshëm qeverisës.

Ndërkohë, sa i takon hartimit të listave të kandidatëve PD duket se nuk ka një projeksion të qartë. Cilat do të jenë kriteret përzgjedhëse që do të përdorë PD?

 Ka një projeksion të qartë për kriteret e zgjedhjes se kandidaturave, që edhe pse duket një refren i përsëritur nga partitë sa herë që vijnë zgjedhjet, unë mendoj se kjo fushatë do të sjellë atë kufirin përcaktues ndarës mes një politike të vjetër interesash apo qasjeje konservatore me një afrim të ri drejt një parlamenti jo vetëm me cilësi, por dhe me standarde të një politike evropiane. Unë nuk kam asnjë qëndrim lidhur me debatin e kahershëm se a duhet të qëndrojnë të vjetrit në listën e re apo duhet të ketë një reformim tërësor të grupit. Por unë kam një qëndrim të palëkundur se ekzistojnë instrumente dhe matshmëri reale nëse njerëzit duan ose jo disa nga deputetët aktualë. Pra unë nuk e përjashtoj aspak mundësinë që në grupin e ri të PD të qëndrojnë një pjesë e konsiderueshme dhe e deputetëve aktualë nëse ata kanë dëshmuar këtë mandat përfaqësim të përgjegjshëm të komuniteteve që përfaqësojnë. Përsa i përket emrave unë mendoj dhe kam besim se ato do të përfaqësojnë idealet e së djathtës, idealet e Dhjetorit '90, ëndrrat e të rinjve shqiptarë dhe mbi të gjitha emrat e deputetëve të justifikojnë besimin se përse shqiptarët duhet të kenë te PD dhe te Basha kryeministër kur të shkojnë tek kutitë e votimit.

A keni besim se kryetari Basha do të vendosë më shumë gra kandidate në lista?

Jam e sigurt tek besimi që kanë jo vetëm kryetari Basha, por edhe forumet drejtuese të PD për vlerat dhe kontributin që kanë dhënë dhe po japin gratë e vajzat. Unë mendoj se koleget e mia brenda dhe jashtë grupit parlamentar kanë dhënë shembuj të jashtëzakonshëm të angazhimit dhe seriozitetit të përballjes politike me qeverinë dhe keq qeverisjen. Por një vlerësim  dhe mirënjohje shkon dhe për gratë e bazës, seksioneve që përcjellin frymën tek çdo anëtar apo qytetar dhe kjo po dëshmohet edhe tani, në prag të protestës së 18 Shkurtit. Unë mendoj se kryetari Basha do të jetë i ftohtë dhe objektiv në gjykimin e kandidaturave femra në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat