Ambasadorja Janina në BE: Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan, po ecin me hapa të sigurt drejt BE-së

Intervista

Ambasadorja Janina në BE: Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan, po ecin me hapa të sigurt drejt BE-së

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 17:38
Ambasadorja shqiptare Suela Janina në bisedë me gezaterin e “Presheva Jonë” në Bruksel

Presheva Jonë: Znj Ambasadore meqë gjendeni ne qendër te Belgjikës dhe qendrën diplomatike evropiane, fillimisht çfarë donë te thotë për ju te jeni ambasadore e një vendi te vogël me emër të madh, nëse kemi parasysh Skënderbeun , Shën Terezën e shumë shkencëtarë e ideatorë që i kanë dhënë Evropës?

Ambasadorja Suela JANINA: Te përfaqësosh vendin tënd si ambasador është një nder dhe privilegj i veçantë, por të jesh pjesë e një kombi të lashtë, i vogël në madhësi po i madh në histori dhe dinjitet, që i ka dhënë Evropës dhe botës figura të shquara, është gjithashtu një përgjegjësi personale  për të mos kursyer çdo përpjekje qeë përfaqësimi që i bën vendit tënd të jetë sa me dinjitoz.

Meqë jeni përballe  BE-së në Bruksel, jeni e kënaqur me hapin e  integrimeve evropiane të vendit tonë?

Ambasadorja Suela JANINA: Shqipëria po ecën me hapa te vegjël, por të qëndrueshëm drejt realizimit të objektivit për anëtarësim në BE. Ambiciet tona janë të mëdha dhe ndonjëherë mund të ndjehemi  edhe të paduruar për të arritur sa më parë ne hapin e radhës që do të na afrojë më shumë me BE, dhe kjo është normale për një popull të përbërë nga rini dinamike dhe kërkuese, siç jemi ne shqiptarët. Por mos të harrojmë se 25 vite më parë vendi la pas një izolim dhe prapambetje ekonomike, sot Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht dhe këtë na e thonë miqtë dhe partnerët që na mbështesin në këtë rrugëtim. Pas dy vitesh që vendi gëzon statusin kandidat është koha që në të përgatitemi për të hedhur të sigurte hapin e radhës drejt hapjes se bisedimeve të anëtarësimit. Unë shpresoj se kjo vjeshtë do të jetë pozitive ne këtë drejtim.

Zonja Janina meqë jeni Anëtare/Nënkryetare e Komitetit te Kombeve të Bashkuara, sot Ambasadore ne Bashkimin Evropian, pos Shqipërisë sigurisht sigurisht bëhet fjalë edhe për shqiptarët jashtë territoreve të dy shteteve tona, ta zëmë për  ata në Luginën e  Preshevës qe ndjehen te diskriminuar në nje vend (Serbi) qe pretendon te jetë një ditë anëtare e BE-së?

Ambasadorja Suela JANINA: Mandatin si eksperte e të drejtave të njeriut për OKB e ushtroj nga viti 2011, ku jam zgjedhur si nënkryetare e Komitetit kundër zhdukjeve me force, një fenomen që për fat te keq u imponua në rajonin tonë si pasojë e politikave të spastrimit etnik.  Sot e kësaj dite  mbeten ende të pagjetur, duke lënë plage te familjet e tyre dhe mbarë shoqëria.

Në tërësi, respektimi dhe mbrojtja e te drejtave të njeriut është detyrë e shteteve. Bashkësia ndërkombëtare ka përpunuar mekanizma për monitorimin e tyre dhe veçanërisht për vendet që aspirojnë të jenë anëtare të BE, respektimi i të drejtave të njeriut është kusht thelbësor, si një nga parimet më të rëndësishme mbi të cilat mbështetet shoqëria evropiane. Diplomacia shqiptare është e vëmendshme për të mbrojtur të drejtat e shqiptareve kudo që janë. Edhe Samiti i Diasporës që do të zhvillohet në muajin nëntor në Tirane, nen kujdesin e Kryeministrit, është një tregues i vullnetit për të forcuar lidhjet ndërmjet Atdheut dhe shqiptareve ne te gjithë boten.

Zonja ambasadore,  Meqë jeni eksperte dhe anëtare e Komisionit te OKB-së në Gjenevë për të zhdukurit me forcë ne Shqipëri. Çfarë mund te na thoni ne këtë drejtim?

Ambasadorja Suela JANINA: Në Shqipëri ende numërohen si të pagjetur rreth 5000 të zhdukur nga sistemi komunist. Shqipëria ka qenë vendi i parë që ka ratifikuar Konventën e OKB për zhdukjet me forcë dhe ka detyrimin te ndriçojë fatin e të zhdukurve, të kërkojë eshtrat e tyre dhe t’ua kthejë ato të afërmve. Ky është një proces i vështirë edhe periudhën e kohës së ka kaluar, por mbetet një obligim moral dhe ligjor i cdo qeverie. Pas ratifikimit te Konventës, vendi ka marrë hapa konkrete për zbatimin e saj, duke filluar nga përfshirja në Kodin Penal të dënimit për veprën e zhdukjes me forcë, dhe në ngritjen e strukturave administrative për ndjekjen e kërkimeve, apo edhe në kujtesën e të zhdukurve. Punë mbetet ende për të bërë deri në raportimin para Komitetit te Zhdukjeve me Forcë, ku do të raportohet për masat që ka marrë vendi për zbatimin e Konventës së OKB.

Dhe për fund znj. Ambasadore Shqipëria, shqiptarët në çfarë sy i sheh BE-ja apo çfarë imazhi kemi sot në Belgjike, perëndim dhe diplomacinë evropiane apo në shtypin belg, evropian? 

Ambasadorja Suela JANINA: Shqipëria shikohet si një partner i besueshëm dhe aktiv në Bruksel, si ne NATO ku ne jemi anëtare, ashtu edhe në BE ku jemi vend kandidat. Politika jonë e jashtme është një aset i vyer kombëtar me rolin e saj konstruktiv në rajon dhe linjëzimin e plotë me qëndrimet e BE,  për të cilin përgëzohemi vazhdimisht.

Nëse flasim për imazhin tone si popull, tashmë shqiptaret janë shkëputur nga paragjykimet që na kanë shoqëruar në vitet e para të tranzicionit. Tashmë ka shumë shqiptare që kanë arritur të ngrenë lart emrin e vendit , në të gjitha fushat ku kontribuojnë. Edhe këtu ne Belgjikë ne kemi një komunitet të konsoliduar prej vitesh, para pak ditësh festuam së bashku 60 vjetorin e vendosjes se brezit te parë. Shembujt e suksesit janë të shumtë dhe ne ndihemi krenare për secilin prej tyre, sepse individualisht dhe të gjithë bashkë mund të arrijmë të kontribuojmë për të mirën e atdheut tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat