Haki Abazi: Arbitrazhi Ndërkombëtar, Zgjidhja për Demarkacionin

Intervista

Haki Abazi: Arbitrazhi Ndërkombëtar, Zgjidhja për Demarkacionin

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 13:17
Drejtori për Ballkanin Perëndimori Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ në një intervistë për KALLXO.com theksoi se Kosova do duhej të ndiqte shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë të cilët kishin problem të ngjashëm me kufijtë dhe arritën ta zgjidhin pa tensione të brendshme apo në mes të shteteve.

Drejtori për Ballkanin Perëndimori Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ , Haki Abazi vlerësoi se çështja e demarkacionit do duhej të zgjidhej përmes arbitrazhit ndërkombëtar në mënyrë që të evitohen tensionet e mëtutjeshme në Kosovë.

Abazi në një intervistë për KALLXO.com theksoi se Kosova do duhej të ndiqte shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë të cilët kishin problem të ngjashëm me kufijtë dhe arritën ta zgjidhin pa tensione të brendshme apo në mes të shteteve.

“Kur ka shkuar kjo marrëveshje [për demarkacion] në ratifikim te Parlamenti kroat, nuk është pranuar dhe në një mënyrë të dy kryeministrat janë kthyer mbrapa dhe janë pajtuar që çështja të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Ky është mekanizëm i njohur ndërkombëtar i njohur, pikërisht për të eliminuar ngritjen e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, shpjegon Abazi.

Ai vlerësoi se në Kosovë është shkaktuar konflikt i panevojshëm që, sipas tij, rrezikon marrëdhëniet e mira me Malin e Zi.

“Politikanët në Kosovë e sidomos këta që kanë negociuar, përfshirë njerëzit e qeverisë, nuk kanë bërë kalkulimet e duhura se duke e futur këtë çështje në tensione në fakt janë duke e shkatërruar një marrëdhënie të shëndoshë me Malin e Zi”, vlerësoi Abazi.

Ai gjithashtu u shpreh se Parlamenti nuk po tregohet i përgjegjshëm për sa i përket votimit të kësaj marrëveshje dhe sipas tij deputetët nuk po përfaqësojnë interesat e qytetarëve që i kanë votuar.

“Ne e kemi parë që Parlamenti i Kosovës në shumë raste, pas shpalljes së pavarësisë është institucion sa për ‘sy e faqe’, Unë mendoj që kësaj çështje ja vendosur pikën çështja e përgjimeve ku tregohet që një njeri me forcë politike mund të ja dredhojë krahun cilit do deputet”, tha Abazi.

Për shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë ka folur edhe Përfaqësuesi në largim i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar i cili ka cilësuar se duhet të jetë mësim për Kosovën.

“Nuk mendoj që anëtarët e BE-së kanë qenë të kënaqur me bllokimin që Sllovenia ia ka bërë Kroacisë në negociata. Mendoj që kjo ka qenë një nga mësimet e marra, pse ju duhet të merreni me vendet më herët”, ka thënë Zbogar për ‘Jeta në Kosovë’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat