Haziri: FSK ka kapacitete për emergjenca në Kosovë dhe jashtë saj

Intervista

Haziri: FSK ka kapacitete për emergjenca në Kosovë dhe jashtë saj

Më: 14 gusht 2016 Në ora: 14:49
Kolonel Naim Haziri

"Forca e Sigurisë se Kosovës është e gatshme të reagojë në situata emergjente apo në rast të fatkeqësive natyrore si në Kosovë, rajon por edhe krahas trupave të NATO-s".

Kështu ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kolonel Naim Haziri - shef i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Ai ka thënë se kjo forcë ka kapacitete të mjaftueshme dhe të specializuara për raste të tilla.

Radio Evropa e Lirë: Kolonel, sa është e gatshme FKS- ja në rast të emergjencave apo edhe fatkeqësive natyrore?

Naim Haziri: Misioni primar që ka FSK-ja, është që t'i përgjigjet kërkesave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në reagim në situata emergjente. Bazuar në vlerësimet, analizat pas-vepruese që janë bërë edhe të reagimeve reale në fatkeqësi, por edhe në ushtrimet fushore që i realizojmë në funksion të ushtrimit të kapaciteteve tona, në reagim në situata të tilla, ne vlerësojmë dhe besojmë fuqishëm që Forca e Sigurisë se Kosovës është e gatshme, e përgatitur mjaftueshëm dhe e trajnuar që të ballafaqohet më fatkeqësitë natyrore më të cilat mund të ballafaqohet Republika e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Por, cilat janë kapacitete e FSK-së, kolonel ?

Naim Haziri: Brenda strukturës organizative, FSK-ja, ka një regjiment të mbrojtjes civile, e cila i ka brenda saj të strukturuara njësitë e specializuara, të cilat reagojnë në situata të tilla. Për shembull, kërkim shpëtimet në ujëra, në male, deminimin në fushë, deminimin humanitar.

Kështu që, janë strukturat bazike specialistike , të cilat reagojnë të parat në situatat emergjente, të mbështetura edhe nga batalionet e reagimit të shpejtë, të cilat mbulojnë rajonet e Mitrovicës, Pejës që është e stacionuar në Istog dhe Gjilan. Baza kryesore e reagimit është te njësitet specializuara të regjimentit mbrojtës të sigurisë.

Radio Evropa e Lirë: Po makineri apo pajisje keni mjaftueshëm ?

Naim Haziri: Këto njësi që përdorin edhe pajisjet specialistike, bazuar në kapacitetet humane, njerëzore dhe profesionale edhe pajisjet janë konform personelit që kemi të angazhuar. Edhe me pajisje jemi pajisur mjaftueshëm. Mirëpo, për çdo ditë, pajisjet modernizohen dhe ne si FSK, tentojmë që vazhdimisht të ndjekim trendin e zhvillimit dhe të teknikës në këto njësi të specializuara.

Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i pjesëtarëve që marrin pjesë në këto raste?

Naim Haziri: Forca e Sigurisë së Kosovës në formacion numëron 2500 pjesëtarë. Mirëpo, te formacioni bazik që reagon te njësitë e specializuara janë në formacion të regjimentit të mbrojtjes civile.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni të gatshëm që t'i dilni në ndihmë kërkesave të vendeve fqinje, por edhe më larg?

Naim Haziri: Edhe në kuadër të misionit që ka FSK-ja, misioni është reagimi brenda dhe jashtë Kosovës, sipas kërkesave. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën se me kapacitet tona jemi të gatshëm që të mbështesim edhe shtetet në rajon, sepse këtë e kemi dëshmuar më reagimet që i kemi pasur në Republikën e Shqipërisë, dy herë gjatë vërshimeve që kanë pasur në rajonin e Shkodrës.

Forcat tona të mjaftueshme kanë arritur për një afat të shkurtër kohor, të dislokojnë dhe të sanojnë situatën në Republikën e Shqipërisë, gjatë vërshimeve që kanë qenë.

Prandaj, ne besojmë fuqishëm që me kapacitetet tona që kemi, ne mund t’i dalim ndihmë edhe vendit tonë, por edhe shteteve të rajonit, ndoshta edhe më tutje. Por, me një kapacitet të kufizuar me çështjen e transportit të pjesëtarëve.

Ne mund të mbështesim në rajon, për shkak se kemi transportin tokësor. Mirëpo nëse duhet të lëvizim në një distancë më të madhe kërkohet mbështetja me pajisje ushtarake. Realisht, gatishmëria e shteteve të NATO-s që janë në Kosovë nuk mungon për të mbështetur në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Është kërkuar disa herë përfshirja e FSK-së, për ndihma krahas trupave të NATO-s në vende të caktuara, çka është bërë në këtë drejtim?

Naim Haziri: Gatishmëria e FSK-së është ofruar vazhdimisht që të jemi pjesë e trupave të NATO-s kur paraqitet nevoja. Mirëpo,deri më tani,ne nuk kemi pasur ndonjë ofertë konkrete për t’ju bashkangjitur këtyre trupave.

Por, kemi qenë pjesë ushtrimeve në testim të kapaciteteve të përbashkëta, qoftë tonat në koordinim apo sinkronizim me ushtritë tjera. Kurse, në një reagim konkret të përbashkët nuk kemi marrë pjesë, përveç në Republikën e Shqipërisë.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë jeni të gatshëm të merrni pjesë krahas trupave të NATO-s nëse kërkohet?

Naim Haziri: Absolutisht, absolutisht po. Në çdo moment që kërkohet, Forca e Sigurisë se Kosovës është e gatshme të marrë pjesë në çdo situatë që paraqitet në kuadër të misionit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat