“Metën e vlerësoj për konsensusin, por është gjymtyrë e qeverisjes”

Intervista

“Metën e vlerësoj për konsensusin, por është gjymtyrë e qeverisjes”

Më: 14 gusht 2016 Në ora: 08:52
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vlerësoi rolin e kreut të Kuv endit, Ilir Meta, për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Duke folur për ABC - News, Basha, megjithatë, hoqi çdo mundësi bashkëpunimi me Metën dhe partinë e tij, të cilin ai e konsideroi një gjymtyrë të qeverisjes së Edi Ramës.

Mendoni që Ilir Meta që keni rivendosur komunikimin mund të jetë një partner fiabël, po përdor një term të Berishës për ju, në 2017?

Çështja e komunikimit me Ilir Metën është në një kontekst më të gjerë. Ka patur komunikim me Ilir Metën e ka patur para tij komunikim me Edi Ramën. Patëm një takim mes kryetarit të qeverisë të kryetarit të opozitës. Kjo sepse Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë të vendosur prej fillimit që të kalojmë një reformë me konsensus politik mes të gjitha palëve si një garanci për cilësinë e reformës dhe për qendrueshmërinë e saj. Pra që reforma t’u shërbejë sa më mirë qytetarëve dhe përcaktimet e kësaj reforme të kenë një jetë sa më të gjatë. Të mos ndryshohen prapë pas zgjedhjeve me maxhorancën e re. Kam vlerësuar rolin e Ilir Metës në arritjen e konsensusit.

Ishte një kamardare shpëtimi…

Jo nuk ishte një kamardare shpëtimi. Bëri një rol parimor, i bëri një shërbim vendit duke insistuar për konsensusin. Nuk kishte nevojë askush për kamardare shpëtimi sepse Partia Demokratike ishte e vendosur, unë isha i vendosur dhe qendrova deri në fund, derisa konsensusi u arrit për çdo pikë dhe e arritëm falë vlerave dhe parimeve për të cilat qendruam. E natyrisht falë mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, në veçanti të ndihmëssekretares Nuland, Komisionerit Hahn, kryetarit të komisionit të Jashtëm ne PE Elmar Brok, edhe eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstain, e shumë e shumë të tjerë që nuk dua të të zgjatem duke i përmendur. Kështu u arrit konsensusi i 140 votave, por Ilir Meta me rolin e tij dëshmoi një qëndrim parimor në favor të interesave të vendit dhe për këtë e kam përshëndetur. Do të kisha përshëndetur Edi Ramën po të kishte bërë të njëjtën gjë. Nuk bëj opozitë për hir të opozitës. Opozita ime është faktuar se është një opozitë e orientuar tek argumenti, tek faktet, tek provat dhe tek interesi qytetar. Unë nuk jam kundër Edi Ramës thjesht për të qenë kundër Edi Ramës, por jam kundër gjithçkaje që nën përgjegjësinë dhe orarin e tij si kreu i ekzekutivit shqiptar po rrënon ditë për ditë cilësinë e jetës së shqiptarëve: Krizën ekonomike, pasigurinë, faktin që sot shqiptarët fitojnë më pak dhe paguajnë më shumë, pra jetojnë me keq.

Për këtë është opozita ime kundër Ramës. Por në qoftëse Edi Rama në këtë çështje madhore do të kishte mbajtur të njëjtin qendrim padyshim do të kisha përshëndetur edhe Edi Ramën. Thënë kjo, për të ardhur tek pyetja, Ilir Meta ka qënë dhe është gjymtyrë e qeverisjes së Edi Ramës. Taksat nuk do të rriteshin dot pa votat e Ilir Metës. Koncensionet korruptive me të cilat miliona euro që duhet të shkonin për pensionistët, për familjet në nevojë, për ujin e pijshëm, për rrugë, për shkolla, për spitale, për të hapur vende pune me paga dinjitoze, për të lehtësuar gjendjen e ekonomisë që është kapur prej fyti për shkak të këtyre taksave, këto koncensione janë bërë nën qeverisjen e përbashkët të Edi Ramës me Ilir Metën. Shqipëria është mbushur me kanabis nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në qeverisjen e përbashkët me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Këta janë me të vërtetë dy veç e veç, por qeverisin së bashku, secili për hesapin e vetë dhe mbajnë përgjegjësi të përbashkët. Prandaj edhe opozita ime, opozita e Partisë Demokratike, opozita e bashkuar e që po zgjerohet dita-ditës, Ilir Metën dhe Edi Ramën i ka përballë dhe do t’i ketë përballë kur vjen puna tek keqqeverisja e vendit. Por nuk mund të mos përshendes rolin e tij për arritjen e konsensusit për një reformë madhore. Siç e thashë do të kisha bërë të njëjtën gjë nëse Edi Rama, në vend të armiqësisë ndaj konsensusit, në vend të dëshirës për ta përdorur reformën në drejtësi për të goditur dhe stigmatizuar opozitën, do të kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit siç e kishim ne dorën e shtrirë për të bashkëpunuar për këtë çështje madhore. Faktet janë ato që janë evidentuar tashmë, ngjarjet kanë rrjedhur. Roli i PD-së në këtë proces është vlerësuar universalisht si nga opinioni publik ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Ndërkohë që ne orientohemi nga prioritete të tjera ku spikat zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Ju renditët me të drejtë argumentat me të cilat ju ndajnë ju me Ramën, por edhe me Metën, thoni ju. Por nuk kishit vetëm ato, pjesët që u ndanit, kishit edhe një marrëdhënie disi personale të shkëputur, të acartë sepse doja t’u sillja në mendje një deklaratë të Metës në Opinion…

Nuk ka asgjë personale mes meje dhe dy krerëve të maxhorancës

Z Meta thoshtë që ju gënjeni edhe për orën…

Z. Meta ato qe i kam thënë për kandidatët e tij në zgjedhjet lokale nuk i heq asnjë presje.

Kishit një përplasje shumë të fortë për Pogradecin, Vorën, Lezhën…

E kam të qartë. Asnjë presje nuk heq çfarë kam thënë për kandidatët e z Meta apo për fushatën lokale të z Meta.

Por çfarë ndryshoi që ju u afruat?

Duhet të kuptoni këtë gjë që në politikën e Lulzim Bashës, në shkollën time politike, nuk udhëhiqem as nga emocionet personale dhe as nga interest personale. Përgjegjësia ime është para shqiptarëve. Jo vetëm para opozitarëve, por para gjithë shqiptarëve. Dhe në këtë kuptim nuk mund të mos çmoja rolin e Metës për arritjen e konsensusit. Por nuk mund të hesht apo të mbyll sytë para rolit në vazhdimësi të Metës në mbajtjen në këmbë të një qeverie të inkriminuar e të korruptuar deri në palcë që është përgjegjëse për një ekonomi të asfiksuar dhe për një jetë më të keqe të shqiptarëve, për çmime më të larta, paga më të ulëta dhe pasiguri totale në vend. Këto janë dy gjera të ndryshme dhe unë siç kam bërë prej fillimit di ti veçoj. Do të kisha bërë të njëjtën gjë, siç e thashë, me Edi Ramën në qoftëse ai do të kishte pasur rolin e tij për të arritur konsensusin dhe jo për ta sabotuar atë. Ai nuk e bëri këtë. Përkundrazi bëri gjithçka deri në çastin e fundit kundër konsensusit. Ndaj vlerësimi im për Metën është një vlerësim objektiv, për këtë pjesë dhe rol që ka luajtur.

Tani, po për hir të shqiptarëve, siç me të drejtë e përmendët, ju nuk do ta rinovoni bashkëpunimit të paktën me Ilir Metën? Duke qendruar gjithnjë në interesin e qytetarëve…

Kjo është një pyetje jashtë kontekstit.

Jemi 10 muaj para zgjedhjeve dhe sfidave të tjera…

Më lejoni ta zhvilloj. Ilir Meta është aleat i Edi Ramës. Ilir Meta është pjesë e koalicionit qeveritar.

Pikërisht, ishte edhe kur ju bëtë marrëveshje…

Marrëveshja ishte për Reformën në Drejtësi. Bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi ku ftesa për konsensus ishte ndaj të dy partive qeveritare. Tani ju thoni a e shikoni bashkëpunimin me Metën. Meta bashkëpunon nga mëngjesi në darkë me Edi Ramën. Ministrat e Metës janë në kabinetin e Ramës, votat e Metës janë për keqqeverisjen e Edi Ramës. Këtë keqqeverisje që ka rritur taksat, që ka rritur çmimet, që nuk ka rritur pensionet. Pra, këtu, nuk shtrohet kjo pyetje përsa kohë që Ilir Meta është gjymtyrë e qeverisjes së Ramës, Partia Demokratike e ka përballë për pjesën e tij dhe përgjegjësinë e tij në keqqeverisjen, në krizën ekonomike dhe në pasigurinë në të cilën e kanë zhytur Shqipërinë të dy të bashku.

Po e ndërtoj ndryshe. Në këto 6 javë që unë ndjek me vëmendje politikën, më rezulton se Ilir Meta u ka takuar më shpesh ju se sa Ramën, që e ka partner të koalicionit. Me ju është takuar me ftesën që u bë publike, më pas në Rogner, keni qënë bashkë në SHBA dhe u takuat së fundmi në sallën VIP në Rinas. Ishit rastësisht, dakord. Por në fakt, çfarë bisedoni ju me Ilir Metën?

Takimet me Ilir Metën kanë qenë takime publike dhe në qendër ka qënë Reforma në Drejtësi.

Po ajo e sallës VIP?

Dy persona rastisin në të njëjtin ambjent ndërkohë që presin të marrin të njëjtin fluturim, por me destinacione të ndryshime. Ekziston edhe praktika e shmangies së njëri tjetrit, por në kulturën dhe botëkuptimin tim nuk i shmangem askujt, sepse s’kam pse t’i shmangem askujt.

Rruga e vetme, qeveria teknike

Përpara kemi një Reformë Zgjedhore…. 

Padyshim. Jam gati qe për reformën zgjedhore dhe qeverinë teknike të ulem me të dy bashkëkryetarët e koalicionit dhe me të gjithë faktorin tjetër politik në vend duke përfshirë edhe partitë jo parlamentare të cilat po kështu kanë vendin e tyre në një tavolinë të tillë. Dhe t’u japim shqiptarëve rrugën e vetme drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që është një qeveri teknike që të garantojë zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, Reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore dhe zgjedhje të lira e të ndershme. A mundet Partia Demokratike të futet e të fitojë zgjedhjet pa Ilir Metën? Partia Demokratike e ka koalicionin me partitë politike, formacioni i të cilave kanë qendruar këto 3 vite të opozitës ballë për ballë zullumeve të Edi Ramës dhe Ilir Metës, që kanë bashkëqeverisur, që kanë rritur taksat, që kanë zhbërë vende pune në vend që të krijonin ato 300 mijë vendet e famshme të punës. Që s’kanë bërë një urë, ndonëse kanë mbledhur me kërbaç miliona euro më shumë nga bizneset që i kanë çuar drejt falimentimit. 95 mijë prej tyre i kanë mbyllur, 4 mijë vetëm muajin e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat