Zeka: Investimet amerikane pritet të hapin qindra vende pune në Kosovë

Intervista

Zeka: Investimet amerikane pritet të hapin qindra vende pune në Kosovë

Më: 20 qershor 2016 Në ora: 16:37
Arian Zeka

Zotëri Zeka, trendet ekonomike në Kosovë, nëse merren në përgjithësi, nuk duket se kanë pasur zhvillim të mirë. Shkalla e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë dhe atë mbi 30 për qind. Rritja ekonomike për vite radhazi nuk ka qenë më e lartë se 4 për qind. Çfarë konkretisht po e pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Arian Zeka: Janë një sërë faktorësh që po e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Ndër faktorët kryesorë janë dështimi i vendit që të funksionalizojë një ekonomi të plotë të tregut tani e sa vite. Përveç funksionalizimit të ekonomisë së tregut, problem tjetër mbetet sundimi i ligjit dhe fuqizimi i tij. Ky sundim i dobët i ligjit po sjell prani të korrupsionit, po sjell parregullsi në prokurimin publik, po sjell një gjyqësor jo efikas, i cili po vonon në trajtimin e kontesteve komerciale midis bizneseve.

Po ashtu, janë problemet tjera të cilat ne i quajmë si ‘disponueshmëria’ e fuqisë punëtore. Një numër i madh i bizneseve ankohen se pavarësisht të vendeve të punës dhe pagave të larta ata nuk arrijnë që të gjejnë njerëz të duhur që do t’i mbushin ato vende të lira të punës. Në një vend që ka papunësi mbi 30 për qind, është jo logjike dhe paradoksale që bizneset, qofshin ato vendore apo të huaja që operojnë në Kosovë, të mos gjejnë njerëz të duhur për vende të punës të cilat i kanë në dispozicion.

Në prill të këtij viti u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Cilat janë efektet e para që bizneset vendore mund t’i kenë pasur nga kjo marrëveshje?

Arian Zeka: MSA dhe angazhimet e reja për tregti të lirë me shtete e Bashkimit Evropian sjellin një mundësi të re, sjellin një momentum të ri për ndërmarrjet prodhuese të cilat duhet të shfrytëzohen shpejt. Por, përveç mundësive të reja, sjellin edhe një kërcenim apo rreziqe në periudhëafatgjatë, nëse nuk merren veprimet e duhura, qoftë për ngritjen e cilësisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

E mira e tërë kësaj marrëveshjeje është se ajo është asimetrike, që do të thotë se produktet e importuara nga shtete anëtare të BE-së do të lirohen nga detyrimet doganore në një periudhë deri në 10 vjet. Kjo periudhë 10 vjeçare do të kalojë shumë shpejt dhe kam drojën, duke u bazuar në të kaluarën tonë dhe në dinamikën e ngathë që gjithmonë e ndjekim si shtet, që përfundimi i periudhës 10 vjeçare do ta gjejë sektorin e prodhimtarisë së Kosovës dhe shtetin tonë të papërgatitur për t’u përballur me konkurrencën e plotë që do të vijë nga shtetet anëtare të BE-së.

Ajo çka kemi kërkuar tash është që bizneset tona të jenë më sy qela, të jenë më vizionare, të fillojnë të ngritin cilësinë,të fillojnë të ngritin kapacitete e tyre. Konkurrenca nga BE do të jetë e jashtëzakonshme, ashtu siç do të jetë konkurrenca edhe me Turqinë në një të ardhme të afërme, pasi që të ratifikohet marrëveshja për tregti të lirë nga ana e Kuvendit të Kosovës. Aty më nuk do të ketë vend as për ri-negociim të marrëveshjeve, as për krijim të favoreve të caktuara të cilat mund të reflektojnë me masa potenciale mbrojtëse, gjë që është shumë herë kërkesë e prodhuesve në Kosovë.

Institucionet në Kosovë duhet të fillojnë të mbështesin sektorin e prodhimtarisë përmes ofrimit të granteve që do t’i mundësonin ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve. Cilësia është një aspekt i rëndësishëm,dhe nëse kompanitë tonë nuk do të përdorin standarde ndërkombëtare, atëherë do ta kenë shumë të vështirë të depërtojnë në tregun evropian.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është konsideruar si një marrëveshje e cila, përveç tjerash, do të ndikojë edhe në ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë. A është vërejtur ndonjë interesim i investitorëve të huaj, konkretisht i kompanive amerikane që të vinë në Kosovë dhe ta shtrijnë kapitalin e tyre këtu?

Arian Zeka: Në vazhdimësi kemi promovuar një mjedis të mirë dhe atraktiv për investitorët e huaj dhe këtë e kemi bërë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi mbajtur takime të shumta dhe këto prezantime do të sjellin rezultatet e tyre pas dy-tre viteve, pasi që investitorëve seriozë do t’ iu nevojitet të përpunojnë të gjitha informatat.

Që nga viti i kaluar kemi pasur një interesim më të madh të kompanive amerikane, që së paku të vijnë deri në Kosovë dhe të shohin se cilat janë mundësit për të bërë biznes në Kosovë.

Kemi pasur një interesim vitin e kaluar të një kompanie amerikane që të investojë në prodhimin e automjeteve ushtarake, megjithatë, pas analizimit të kapaciteteve financiare të Kosovës dhe mundësisë që të njëjtat automjete të blihen brenda vendit, qoftë nga Forca e Sigurisë së Kosovës apo Ministria e Punëve të Brendshme, ata sikur janë dekurajuar, pasi që fuqia jonë blerëse në këtë aspekt është shumë e vogël.

Nëse ata do të prodhonin diçka që nuk do të shitej as në Kosovë, e mos të flasim edhe në vendet e rajonit, që shumë herë përballemi me probleme politike.

Në anën tjetër, ka interesim për investime në fushat tjera, siç janë fusha e teknologjisë së informacionit dhe e komunikimit. Kemi kompani amerikane të cilat për momentin po shikojnë mundësinëe hapjes së qendrës së thirrjeve që do të punësonin fillimisht 500 persona. Një investim tjetër i një kompanie amerikane, që duket që është më afër finalizimit, është ai për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, e që është një investim i madh që kap shumën e gati 1 miliardë dollarësh amerikanë.

Atëherë, zoti Zeka, mund të pritet që në Kosovë do të kemi investime amerikane, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe në hapjen e shumë vendeve të reja të punës?

Arian Zeka: Në fund të muajit tetor të këtij viti do të kemi një delegacion të bizneseve amerikane nga Ohajo, të cilët do të vijnë këtu që të shohin mundësitë e investimit direkt në Kosovë. Unë besoj që mjedisi ligjor, pavarësisht ankesave tona, ka shënuar pak përmirësim gjatë dy viteve të fundit, po ashtu ka ndryshuar edhe qasja e institucioneve të Kosovës karshi tërheqjes së investimeve të huaja.

Këtyre investitorëve potencialë, të cilët do të vijnë në Kosovë, do t’iu mundësojmë kontakte jo vetëm me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, por edhe kontakte me biznese vendore, ku mund të jenë partnerë potencialë, pasi që partneriteti me kompanitë vendore është diçka që kërkohet nga bizneset amerikane.

Nëse realisht përmbyllet projekti i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, pa pasur të njëjtin fat si të procesit të privatizimit të Brezovicës, pasi që secili dështim i projekteve të tilla madhore do të ketë ndikim në reputacionin tonë të mëtejmë.

Dështimet dy herë të privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës kanë pasur ndikim në imazhin e Kosovës, në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja.

Po ashtu, dështimi i procesit të privatizimit të Brezovicës do të vazhdojë të rëndojë edhe më tutje imazhin tonë jo të mirë në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Dështimi i mundshëm i Termocentralit “Kosova e Re” vetëm sa do t’i përkeqësonte dhe do t’i rëndonte të gjitha përpjekjet tona për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat