Si u copëtua për të dytën herë Shqipëria pas konferencës së Londrës

Historia

Si u copëtua për të dytën herë Shqipëria pas konferencës së Londrës

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 16:41
Konferenca e Londrës

Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, nxitën shtetet ballkanike që të vepronin me shpejtësi në copëtimin e trojeve shqiptare.

Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia lidhën aleanca politike dhe ushtarake ndërmjet tyre dhe në tetor të vitit 1912 dhe i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke shënuar kështu edhe fillimin e Luftës së Parë Ballkanike.

Shqiptarët mbajtën një qëndrim asnjanës në këtë luftë, por u shqetësuan kur shihnin se shtetet ballkanike synonin ndarjen e territoreve shqiptare.

Për pasojë shqiptarët mbajtën një kuvend në Vlorë dhe me 28 nëntor 1912 shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia nuk u njoh nga disa vende kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t'i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjatë kësaj kohe u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare.

Leon Tricki i dërguar si korrespondent mbi Ballkanin, tregon se si "fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbinë e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje...".

Sipas burimeve të huaja, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913.

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si "Konferenca e Paqes në Londër", ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia).

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshirë Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim.

Konferenca filloi punimet në dhjetor 1912 në St James's Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.

Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40 përqind e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek.

Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që morri konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike.

Me poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi) si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat