Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 9

Historia

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 9

Nga: Gani Mehmetaj Më: 29 korrik 2018 Në ora: 08:15
Gani Mehmetaj

Nuk e prisnim që dikush të anashkalonte Shkodrën për Lezhën. Për herë të parë dëgjohej kjo gjë. Superiori ynë nuk ndërhyri, ne të tjerët vetëm dëgjonim. Me gjithë përpjekjet e të parit tonë të mësonte diçka më shumë, kur nisi parashtrimi i pjesës praktike, toger Hansi nuk e thoshte se ku do të përfundonin objektet e gjetura: në Shkodër, Lezhë apo në Vjenë. Vazhdimisht e thoshte se do të hapnin një muze, vendin e muzeut e ngatërronte. Herë e përmendte Lezhën, herë Shkodrën, përnjëherësh bënte aluzione për Muzeun perandorak në Vjenë.    

-Gjetjet arkeologjike nga Lezha do të zënë vend të denjë në Muze, - e vinte në pah, thuajse me këtë na bënte nder. Për ta davaritur atmosferën e pakëndshme me përgjigjet e munguara, ai fliste me entuziazëm. 

-Më kanë mrekulluar armët e mbretit tuaj- na thoshte, duke e ndjekur reagimin tonë.

 - I kam shikuar shumë herë dhe i kam studiuar me interesim të veçantë.

Superiori ynë e ndiqte në heshtje. Ushtaraku austriak përpiqej të na bindte në përkushtimin ndaj Skënderbeut. Dikur superiori ynë nisi të tregohej më i matur e më fjalëpakë. I tha që unë shërbeja në famullinë e qytetit, në kufi me katundet përreth, ku do të kthehesha pas disa ditësh, kështu që sa herë të haste në ndonjë vështirësi apo paqartësi mund të më konsultonte.

-Ne nuk përziheshim në punët politike e as në ato ushtarake, - i tha përgjegjësi ynë.

Mbase të bënte përshtypje, a të fitonte simpatinë tonë, e tha se ishte pinjoll i një familjeje të njohur vjeneze, si të donte të thoshte se edhe ai rridhte nga një familje në zë, duke e njohur psikologjinë tonë të familjeve të fisme, që po pakësoheshin gjithnjë e më shumë.

Togerit austriak i tregova se në Lezhë hulumtuan edhe më parë ushtri e aventurierë nga Perëndimi e Lindja. Nuk e dinim çfarë kërkonin e çka gjetën. Asnjëherë nuk u dhamë zemër, as nuk patëm  mundësi t'i zbythnin.  Prandaj, nuk e dinim çka zbuluan e çka mbetën pa zbuluar, përderisa kërkonin me ngulm.

Dita po jepte shpirt. E ftuam në darkë pas mbrëmësores, por togeri na tha se nxitonte të sistemohej. Nesër në mëngjes do të shihte terrenin e gërmimeve. Ne iu kthyem obligimeve tona, ai u nis me nxitim. 

Hapat nëpër kalldrëmin e vjetër paralajmëronin një rregull të ri, të paparë deri atëherë. Arkeologu ushtarak do të hapte barkun e qytetit të vjetër të Lezhës, do të nxirrte nga toka e nuk do të fuste asgjë në të, ashtu sikurse bënin zakonisht ushtritë në kohë lufte. Ai do të fillonte nga varret antike.  

Lajmi për çeljen e varreve të vjetra u përhap si rrufe në qytet. Të mësuar me zhvarrime e hapje varresh nga ushtritë që vinin e shkonin, prapë qyteti gumëzhinte. Sikur u mbetej hatri në austriakët, sepse ishte e pritshme një gjë e tillë nga ushtarët turq apo serbë, bie fjala.

“Qytetit do t’ia nxjerrin rropullitë”, se kush e tha me sarkazëm që u dogji të gjithëve.

-Çka duen?-  pyesnin lezhjanët.

-Çka tjetër, pos arit e  gjanave me vleftë të gjyshave tanë, - ia priste një i tretë, i ardhur nga katundi, sepse nuk kishte asgjë alla franga në trup. Tirqit, plisi e xhamadani e shquanin, opingat me toja i rrinin shtrëngueshëm në këmbët e mëdha.  

Grumbullit të kureshtarëve e bjerrakohësve u fliste një i ri:

-Dojnë të stolisin muzetë e tyne me veprat tona, - u tha ai. 

I riu studionte në Romë, ndërsa shquhej me veshjen karakteristike që dallohej nga veshja e vendësve. Unë përpiqesha t’i qetësoja që të shihnin punën e tyre, sepse s’mund të ndryshonin asgjë.

-Pader, nuk e thotë Zoti që të vijnë nga anë e anës e ta marrin mallin tand, - më tha një plak.

- Atë që nuk e thotë Zoti, e ban robi, - i thashë i dëshpëruar.

Plaku iku rrugës së vet, por të tjerët mbetën në grumbull. I druaja ndonjë rrëmuje, sepse austriakët për padëgjueshmëri ndëshkonin rreptë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat