Viti 1912, Beteja e Kumanovës: Luftëtarët shqiptarë braktisen nga ushtritë osmane … Masakrat serbe vazhdojnë … - Bota Sot
Viti 1912, Beteja e Kumanovës: Luftëtarët shqiptarë braktisen nga ushtritë osmane … Masakrat serbe vazhdojnë …

Historia

E enjte, 19 korrik 2018

Viti 1912, Beteja e Kumanovës: Luftëtarët shqiptarë braktisen nga ushtritë osmane … Masakrat serbe vazhdojnë …

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 09:48
Pamje nga Kumanova

Natën e 23-24  korrikut të viti 1912 Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24 tetor pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000 vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen e 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën drejt Kaçanikut.

Por luftimet më të mëdha u bënë në Grykën e Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2 000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat serbe, pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor 1912 u pushtua Prizreni.

Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.

Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.

Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.

Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.

Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta, nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200 veta.

Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913. Sipas këtyre raporteve pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhë të Lufta e Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.[1]

Reflektimi publik në gazetat kryesore të Parisit, Berlinit, Londrës, Moskës, Danimarkës kishin dërguar reporterët e tyre të luftës dhe nga dora e pare njoftonin lexuesit e tyre me zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit të trazuar. Për ta ishte me shumë interes se si do të përfundonte kjo dramë e madhe që pritej t’i jepte fund një epoke perandorake otomane dhe lindjen e një aleance të re ballkanike. Kishte prej këtyre reporterëve që detajizonte mikrongjarje rrëqethëse, por edhe ndonjëri portrertizonte dramën fizike e morale të Karaxhorgjeviqit të ri.

“Karakteristike, është se shumë pak nga të vrarët dhe të arrestuarit janë trupa të rregullta turke, shumica që luftojnë në këtë front janë shqiptarë. Shqiptarë janë edhe gjithë të arrestuarit që sot i kam parë këtu në qytet, që ishin në grupe të vogla të lidhur me litarë të hollë. Shumica e tyre kanë të veshur uniforma ngjyrë si të dheut. Janë të zbathur dhe shikojnë përpara vetes kur ecin”,[2]

Ai, me sensin e një kronisti besnik përshkruante në hollësi të gjitha ngjarjet që ndërlidheshin me Betejën e Kumanovës, mbi të gjitha, me pasojat që kjo betejë po linte mbi popullatën e pambrojtur civile. Duke fokusuar vëmendjen e lexuesit tek jehona dhe efektet që shkaktonte Beteja e Kumanovës në opinionin publik, Magnussen shkruante: “Këtu në Vranjë fitohet përshtypja e vërtetë për entuziazmin ndaj luftës që i josh serbët. Oficerët janë të palodhshëm të paraqesin shkaqet kryesore të saj, që sllavët e jugut i kanë kundër armiqve të vet të vjetër. “Arnautët (shqiptarët) janë si kafshë të egra”: është thënia e zakonshme këtu.

Ata që i kanë parë duke luftuar në Prishtinë dhe Egri Palanka kanë kuptuar se janë një mijë vite pas zhvillimit. Është urrejtja e madhe te sllavët ndaj shqiptarëve: aq më shumë nxiten shqiptarët që në luftën e përgjakshme dhe vdekjeprurëse, akoma më shumë i kundërvihen kundërshtarit fitimtar. Lëndimet që vijnë si pasojë e luftës së ashpër u ngjajnë mishtoreve. Ushtarët sllavë me lëndime të tmerrshme të shtruar në spitalin e Vranjës, janë dëshmi e një përleshjeje të karakterit mesjetar.” Epilogu i Betejës së Kumanovës nuk do të mund të kishte një rrjedhë të tillë favorizuese për serbët dhe aleatët tjerë ballkanikë (grekët, bullgarët e malazezës), sikur të mos funksiononte diplomacia e standardeve të dyfishta të fuqive të atëhershme Perëndimore, të cilat haptazi mohuan të drejtën e shqiptarëve për t’u organizuar ushtarakisht në mbrojtje të viseve të tyre që gradualisht po dilnin nga dominimi turk.

Në anën tjetër, historia do t’u japë të drejtë të gjithë atyre që shprehën rezerva të hapura ndaj veprimeve të pamatura të krerëve shqiptarë, të cilët pa kurrfarë kushti pranuan ultimatumin e Fuqive të Mëdha për të dorëzuar armët dhe për t’i urdhëruar ushtarët shqiptarët të shkojnë në shtëpi vetëm disa ditë pas triumfit që kishin pasur në Shkup (11-14 gusht 1912).[3]

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test