"Lidhja e Prizrenit, apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve" - Bota Sot
"Lidhja e Prizrenit, apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve"

Historia

E enjte, 16 gusht 2018

"Lidhja e Prizrenit, apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve"

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 22:27
Lidhja e Prizrenit

10 qershori 1878, në historinë e popullit tonë shenjtëron vullnetin e një populli atdhedashës, të etur për liri e cila mbarte peshën e pesë shekujve Jetë të Mohuara të qenësisë sonë shqiptare.

Ishin kohëra të rënda atëherë kur pretendimet e fqinjëve, të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha kërkonin me domosdo copëtimin e tokave shqiptare. Rrethanat në të cilat ndodhej kombi ynë qëlluan kanosëse për mos-ekzistencën e tij.

Sikur vuajtjet dhe torturat gati për pesë shekuj nuk mjaftuan dhe duhej çrrënjosja nga dheu e gjakut dhe gjuhës sonë. Një mallkim që po tejkalonte kohët, një plagë e rëndë e pashuar në gjiun e mëmëdheut. Historia del të jetë tragjike për ne, shqiptari gjatë jetës së tij e kishte vetëm një detyrë të rëndë “mbrojtjen e pragut të shtëpisë” e që me gjithë rrethanat lufta për ekzistencë tejkalonte kohërat.

Traktati i Shën Stefanit dhe Kongeresi i Berlinit ishin të ashpra për frymën shqiptare, në vulat e tyre janë gjaku, lotët dhe torturat e kombit tonë. Ishte guximi dhe largpamësia e gjithë elitës intelektuale, atdhetare dhe patriotike të cilët e kuptuan më herët se ç’rezultate do sjellnin vendimet e Fuqive të Mëdha, i urti Ymer Prizreni, largpamësi Abdyl Frashëri dhe strategu Sylejman Vokshi u emëruan në pozitat udhëheqëse nga Këshilli i Lidhjes s’ë Prizrenit.

Lidhja e Besës për një Atdhe të vetëm, në tokën e lashtë pellazgjike, bëri që burrat pavarësisht rrethanave të pamundura në esencë, të nxjerrin thelbin, të përçojnë mesazhin në çdo cep ku flitej shqip, në Ballkan, Stamboll e deri në Berlin të ngrisin zërin e tyre.

Sot kur kthejmë kohën pas, duhet të ndjehemi krenar për etërit tanë të cilët nuk e njohën dorëzimin dhe më para pranuan vdekjen sesa poshtërimin.

Tri figurat kyçe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë gërshetim i urtësisë largpamësisë dhe guximit.

Në kontekstin politik Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon një kthesë, ishte udhërrëfyese për proceset e mëvonshme politike të cilat do pasonin në Ballkan dhe Evropë. Në kontekstin shpirtëror Lidhja i ktheu shpresën një populli të mohuar nga bota, një populli që është burim i civilizimit evropian dhe që për faktin e tipareve hyjnore, pagoi koston më të shtrenjtë që njeh bota.

Rrugëtimi i frymës sonë për liri ishte tejet i gjatë. Ideja për ngjizjen e një shteti të vetëm shqiptar nuk pasoi menjëherë pas Lidhjes sepse u deshën dekada për nje Shqipëri e cila nga Konferenca e Londrës doli e copëtuar.

Sot pavarësisht fatit të vështirë dhe proceseve rrënuese ne u futëm në mileniumin e dytë me dy shtete shqiptare. Edhe pse dëshira për një Shqipëri të vetme mbetet e pandryshueshme në zemrën e çdo shqiptari, rrethanat të cilat ne i gëzojmë sot dikur kanë qenë tërësisht të pamundura.  Të pamundura sepse pushtuesit me çdo formë u munduan ta skllavërojnë shpirtin e shqiptarit deri në vetëmohim. Por një popull shqiponjash nuk u arrit që asnjëherë të skllavërohet.

Në çdo epokë nga gjiri ynë lindën legjenda që qoftë me penë qoftë me pushkë, i treguan botës se kush ishim dhe që nuk kishim asnjë synim apo pretendim barbar, ndryshe nga fqinjët, veç faktit që donim të mbronim pragun tonë deri në rrahjen e fundit të zemrës.

Sot në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit kemi përse të jemi krenarë. Kemi përse të festojmë, kemi pse t’i gëzohemi atdheut tonë, sepse po mos të këmbëngulnim, po mos të luftonim, historia më nuk do na njihte.

Brezave të ardhshëm përmes 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare duhet t’i përcjellim mesazh se veprat e mëdha për kombin asnjëherë nuk duhet harruar. Ashtu siç sakrifikuan etërit tanë për një Shqipëri, të sakrifikojmë dhe ne për ta mbajt gjallë frymën e atdhedashurisë.

Ne ishim në këtë dhe, prej kur historia njeh njeriun. Dhe si popull që ka kode të lashta zakonore, besë e gjuhë të shenjtë duhet të jemi krenar dhe ballëlart para botës, sepse vetëm duke ngritur vlerat tona e ardhmja jonë do të jetë e sigurt. Kryetar i Komisionit Qeveritar për vitin mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test