Fjetja mbi gjakun e vëllezërve, e rëndë - Bota Sot
Fjetja mbi gjakun e vëllezërve, e rëndë

Historia

E shtunë, 23 qershor 2018

Fjetja mbi gjakun e vëllezërve, e rëndë

Nga: Xhafer Leci Më: 6 qershor 2018 Në ora: 12:04
Xhafer Leci me Aliriza Hashani

Bashkëbisedim me 91-vjeçarin Aliriza Hashani, i lindur në Prishtinë, më 1 dhjetor 1927:

Xh. Leci: Baci Aliriza, ju keni qenë, si mijëra të rinj, dhunshëm të mobilizur nga forcat ushtarake komuniste të Jugosllavisë, në vitin 1945. A mund të na flisni, kur ka ndodhur, si dhe pse? 

A. Hashani: Në janar të vitit 1945, ishte shumë ftohtë, por, borë nuk kishte. Komandantë, oficerë e ushtarë serbë me dhunë na moblizuan. Vetëm nga lagja ime e Muhaxherëve, ku unë banoja, në Prishtinë, 8 veta, të gjithë ishim të rinj. Nga Prishtina deri në Prizren udhëtuam 3 ditë. Nga Prizreni deri në Shkodër, udhëtimi zgjati edhe 3 ditë tjera.

Xh. Leci: Sa veta, përafërsisht, keni qenë, si dhe ku e bënit gjumin dhe çka u jipnin me ngrënë?  

A. Hashani: Mendoj se kemi qenë mbi 4 mijë veta, flinim nëpër megjat e arave, aty ku kishte stome, sa për ta mbështetur kokën diku, si në vend të jastakut. Bukë na jipnin sa me mbajtë shpirtin gjallë.

Xh. Leci: Si mund të më tregoni që keni qenë mbi 4 mijë veta?

A. Hashani: Kur e kaluam Fushë-Kosovën, hej larg, dukej kolona deri në Prishtinë... 

Xh. Leci: A keni qenë të armatosur, të veshur me uniforma ushtarake? 

A. Hashani: As nuk na kanë dhënë armë, e as rrobe ushtarake. Të armatosur e të veshur, me uniforma ushtarake, kanë qenë vetëm komandantët serbë, të cilët na përcillnin rrugës, sikur të ishim shtazë!

Xh. Leci: Sa ditë keni ndejur në Shkodër dhe çka bënit aty? 

A. Hashani: Në Shkodër kemi ndejur 4 ditë, të lodhur e të mërzitur shumë, sidomos kur mësuam për Masakrën e Tivarit. Por, nuk e dinim se pas tri ditë udhëtimi, Shkodër-Tivar, do na urdhëronin, me dhunë, të flinim mbi gjakun e njomë të vëllezërve tanë. 

Xh. Leci: Çfarë keni parë krejt dhe ku keni fjetur mbi gjakun e vëllezërve?  

A. Hashani: Posa arritëm në Tivar, i shihnim plisat e bardhë, duke notuar mbi ujin e Detit Adriatik. Aty na detyruan, qëllimisht, për të na frikësuar sa më shumë, të flinim në kazermat, ku ende gjaku i shqiptarëve të masakruar, nuk ishte tharë. Nëpër dysheme e mure, deri në plafon, tavan, vinte erë e rëndë, ishte trishtim i madh...! 

Xh. Leci: Ju keni qenë atëherë 17 vjeç, a kishte ndonjë më të ri se ju dhe, nëse po, a ju kujtohet ndonjë emër ?

A. Hashani: Ka pasur shumë të tjerë më të rinj se unë. Aty në Tivar takova një të ri 16 vjeç, i cili kishte shpëtuar gjallë nga Masakra. Emrin e ka pasur Halit, mbiemri i tij nuk më kujtohet, e mbaj mend se ka qenë nga Mitrovica. Ai. Haliti, i trishtuar, filloi të më tregojë: "Mbi trupin tim ranë 4 veta të vdekur, më mbuloj gjaku. Komandantët vrasës, na ftonin përmes megafonave, nëse ka ende të gjallë ngrituni në këmbë, duke na thënë: kemi ardhur të ju shpëtojmë!" Haliti tregonte, se  nuk u kishte besuar dhe kishte heshtur pa lëvizur, për disa orë, derisa e ka vërejtur se vrasësit kishin shkuar. Ndërsa kush do që është mashtruar dhe ngritur në këmbë, i kanë vra me rafalle plumbash, nga armë të ndryshme. Si sot më kujtohet dhe para syve të mi më rrinë si panoramë, ai, Haliti, ishte krejt i përgjakur, nga gjaku i vëllezërve të vetë, teshave të tij u vinte era e rëndë ...! 

Xh. Leci: A ka ende ndonjë të gjallë nga bashkudhëtarët, shokët tuaj të asaj kohe? 

A. Hashani: Po, ende është gjallë Faik Pllana, nga mahalla ime e Muhaxherëve të Prishtinës, një vit më i moçëm se unë, i lindur më 1926.

 Xh. Leci: Kemi dëgjuar se në Shkodër dikush nga kosovarët, ua kishte shkulur nga veshtë vathët e grave atje, keni dëgjuar për këtë?

A. Hashani: Po kam dëgjuar, por kurrë nuk e kam besuar, as atëherë e as sot, sepse, ne kishim hallin si me shpëtuar jetën tonë, e jo me bë probleme kundër motrave tona. Këto poshtërsi, mendoj unë, se i kanë bërë serbët, duke i vënë plisat  e bardhë mbi kokë, sigurisht, të ndihmuar edhe nga komunistët e Shqipërisë, vetëm për ta njollosur të djathtën shqiptare! Dihet se Enver Hoxha me shokë, kanë bashkëpunuar ngushtë me komunistët jugosllavë të Titos e Rankoviqit…

Xh. Leci: Ku ishin komunistët shqiptarë të Kosovës dhe pse vetëm komandantë serbë ju përcillnin? 

A. Hashani: Ata kishin shkuar, bashkë me Fadil Hoxhën, në Srem, për të luftuar atje! Për ta mbrojtur popullin e Kosovës ishte i Madhi Shaban Polluzha me shokë…

Xh. Leci: Çka ndodhi mandej me ju? Keni udhtuar në drejtim të Triestës, atje ku ende luftohej dhe, nëse po, a ju armatosën dhe a luftuat? 

A. Hashani: Rrugën e vazhduam për Dubrovnik. Kur arritëm atje, na veshën me uniformë ushtarake, fjetëm në një kazerme, gjithë natën na pickuan morrat! Nga aty vazhduam rrugën për Triestë. Kur arritëm në Slloveni, atje na armatosën me automatikë, vetëm tri ditë luftuam dhe përfundoi lufta. Triesta u çlirua.

Xh. Leci:  Çka ndodhi me ju, si u kthyet në Kosovë? 

A. Hashani: Neve të gjithëve na shpërndanë nëpër kazerma të shumë vendeve të Sllovenisë, të shërbejmë si ushtarë dhe, më kanë thënë, edhe disa në Kroaci. Mbas dy muajve, nga një kazermë e Lublanës, mua dhe shumë të rinj të tjerë, të cilët ende nuk kishim mbushur 18 vjet, sllovenët na liruan dhe jemi kthyer me tren deri në në Fushë-Kosovë, Prishtinë.

Këtë bashkëbisedim me Aliriza Hashanin, i cili ende jeton dhe është mirë me shëndet, e kam realizuar në Prishtinë, më 25 gusht  2017.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test