Të pa thëna rreth vizitës së Brigadës së parë në Pezë (janar 1944) - Bota Sot
Të pa thëna rreth vizitës së Brigadës së parë në Pezë (janar 1944)

Historia

E shtunë, 23 qershor 2018

Të pa thëna rreth vizitës së Brigadës së parë në Pezë (janar 1944)

Nga: Luftulla Peza Më: 26 maj 2018 Në ora: 19:08
Luftulla Peza

Në gazetën “Dita” lexova shkrimin “Armiqtë e Brigadës së Parë”, mbi rrugëtimit e kësaj brigate partizane shqiptare gjatë dimrit 1943-1944 në Shqipërinë e Mesme. Në shkrimin e shkruar nga komandanti M.Shehu, përmendet edhe fakti, se disa ditë brigata i ka kaluar në Pezë, mysafire e forcave partizane të Pezës. Pas kësaj vizite, Mehmeti njoftonte Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ se ishte mjaft i kënaqur me vizitën në Pezë dhe Babë Myslimi është shtyllë e fortë.

Por gjatë këtij qëndrimi në Pezë dhe më pas në Çermë të Lushnjës, me Brigatën e parë kanë ndodhur disa ngjarje mjaft të rëndësishme, që anashkalohen.

Kur erdhi Brigata e Parë në Pezë gjatë janarit të vitit 1944, me komandantin e saj ndodhën dy ngajrje,  që është mirë të dihen. Këto ngjarje mi ka treguar vetë miku im Avdi Kasalli, partizan i vitit 1940 në Çetën e Pezës dhe komandant i Çetës, që ruante shtabin e formacioneve të Pezës. Por këto mi kanë konfirmuar edhe partizanë të tjerë të Pezës. Kam pyetur për to edhe Babë Myslimin dhe ai më ka thënë: “po ashtu ka ndodhur, por ti nuk duhet ti bësh muhabet këto probleme”. Pas kaq vitesh është mirë, që gjërat të dihen.

1.Partizanët e Brigatës së parë, gjatë vizitës në Pezë, u vendosën me çadra në fshatin Gror të Pezës, ku ishte i vendosur në atë kohë edhe shtabi partizan i grupit të Pezës, që drejtohej nga Babë Myslim Peza.  Sapo u vendosën në Pezë, komandanti i saj çon një nga njerzit e vet dhe thërret në çadrën e tij komamdantin e çetës së rojeve të shtabit të partizanëve të Pezës, Avdi Kasallin. Avdi Kasalli ka qenë njeri nga luftëtarët e parë, që në fillim të Çetës së Pezës dhe ka marrë pjesë në shumë luftime dhe është dalluar për trimërinë e tij të madhe.

Menjë herë sapo Avdiu hyri në çadrën e Mehmetit   ai i drejton pyetjen: Ku i ke vendosur rojet? Avdiu me qetësi ja ktheu: “Ju hani e pini të qete këtu në Pezë. Sa për rojet unë kam një komandant ku jap llogari dhe ai i din mirë se ku i kam vendosur rojet unë”.

Mehmeti u nevrikos shumë nga përgjigja e papritur, nxjerr revolen dhe ja drejton Avdiut në gojë. Avdiu me shkathtësi të madhe lëvizi dorën e djathtë dhe gryka e revoles së tij u gjend tek dhëmbët e Mehmetit, duke i thënë me zë të lartë: “Hë, shkrepe po deshe!”

Në këtë moment Mehmeti  uli dorën dhe armën e futi në këllëf.

Avdiu shtoi: “Shumë mirë bone. Ç’kujton ti ore, se unë e maj kot këtë të shkretë në brez pesë vjet e nuk di ta përdor? Sa Mehmeta a Ahmeta vijnë në Pezë e ikin unë nuk i njoh, unë njoh vetëm komandantin tim Babë Myslimin dhe atij ja tregoj të gjitha”. Dhe doli nga çadra.

Disa vite pas çlirimit të vendit, kur  Mehmet Shehu i bëri një vizitë në shtëpi Babë Myslimit, portën e shtëpisë ja hapi Avdi Kasalli, tashti oficer dhe truproje i Babë Myslimit. Mehmeti sapo e pa, ju kujtua ngjarja e hidhur në Pezë. Nuk e bëri veten, hyri brenda në shtëpi, por gjatë bisedës i thotë Babës

-“Ky roje jote është shumë gjaknxehtë!”

-“Ashtu është ja kthen Baba, por është trim dhe i besës” . Kështu u mbyll kjo histori.

 2-Brigata e Parë u themelua në Vithkuq në gusht të vitit 1943 me partizanë nga e gjith Shqipëria. Ajo nuk u formua si grupi partizan  i Pezës, që vullnetarë nga e gjithë Shqipëria erdhën në Pezë dhe kështu formacionet lufturake të Pezës arritën në katër batalione me partizanë vullnetarë nga e gjithë Shqipëria. Në brigatën e parë kishte edhe disa partizanë nga Ndroqi, që më parë kishin qenë në formacionet e Pezës. Njëri nga këta partizan nonëjakë shkon e raporton tek komandant Mehmeti, sikur partizani X, që ishte në një batalion të Pezës, gjatë një aksioni kundra armikut kishte dezertuar, hedhur pushkën në një ferrë dhe kështu aksioni kishte dështuar. Kur dëgjoi këtë histori Mehmeti e besoi plotësisht ngjarjen dhe urdhërojë të arrestohet ky partizan “dezertor” dhe më pas e dënoi me pushkatim.

Lajmi i arrestimit të partizanit të Pezës u përhap me shpejtësi midis partizanëve të brigatës së parë dhe të Pezës. Komandanti i këtij partizani, sapo e mori vesh lajmin, që partizani i tij ishte arrestuar dhe rezikohej të pushkatohej, shkoi tek Babë Myslimi dhe    kërkoi të ndërhyhet, sepse çdo gjë është e sajuar. Babë Myslimi menjë herë nis tek Mehmeti me porosi të veçantë komisarin Shule (Kristo Themelko).

-“Shko tek Mehmeti dhe i thuaj ta lirojë partizanin tonë me një herë. Në rast se ka prova për te si dezertor, të na i japi dhe ne do të bëjmë gjyqin partizan dhe do ta dënojmë. I thuaj Mehmetit se në rast se partizani ynë pushkatohet asnjë njeri nga Brigata e parë nuk del gjallë nga Peza”.

Partizani i Pezës me një herë u lirua nga prangat dhe u kthye tek shokët e tij.

3.Brigata e parë më pas marshoi për në Çermë të Lushnjës. Aty u ndesh me ballistët. Këta të fundit, të mërzitur nga politika e krerëve të tyre e bashklëpunimit me gjermanët, u dorëzuan masivisht tek partizanët e brigatës dhe donin të bëheshin partizanë. Por gabuan dhe shkuan si cjapi tek kasapi. Komandant Mehmeti dha urdhrin e prerë, të lidheshin të gjithë dhe dy ditë e dy netë i la jashtë në shi, pa asnjë ushqim. Ditën e tretë 69 ballistët u pushkatuan pa asnjë gjyq, siç qe bërë zakon në repartet partizane.

Kjo qe njëra nga masakrat e kryera me urdhër të M. Shehut gjatë Luftës Antifashiste Nacional –Çlirimtare, sepse prej tij janë bërë disa të tilla, ku janë vrarë me dhjetra njerëz të pafajshëm dhe pa asnjë gjyq.

Masakër masive e ndërmarrë nga M.Shehu dhe shokët e tij ka qenë gjatë luftës  për çlirimin e Tiranës. Gjatë këtyre ditëve heroike partizane për çlirimin e kryeqytetit nga fashistë, por tragjike për shumë njerëz të ndershëm dhe demokratë, u derdh gjaku i shumë dëshmorëve, sepse liria nuk fitohet pa gjak, por edhe i shumë njerzve të shquar, që u vranë në pabesi, sepse Shqipërinë e donin demokratike.

Grupe të armatosur “partizanësh-vrasësh”, me adresa nëpër duar, shkuan shtëpi më shtëpi, i thirnin njerzit tek dera dhe aty ju shkrepin koburet. Kështu u vranë kleriku Selim Brahja,  Ismail Agë Petrela,   vëllezrit Kokalari e shumë demokratë të tjerë. Në këtë mënyrë u vra me urdhër nga D.Ndreu, H.Kapo dhe L.Gega , atdhetari i shquar Mustafa Gjinishi etj. A u dënuan ndonjë herë vrasësit? Jo, ata edhe sot mbahen të nderuar nga politika dhe historianët tanë.

Vitin e kaluar mora pjesë në kremtimin e Çlirimit të Tiranë nga fashizmi më 17 nëntor 2017. Luftën  partizane e vlerësoj si një epope të madhe të popullit tonë, që diti të luftojë fashizmin dhe ta çlirojë vendit,  pa ndihmë direkte nga jashtë. Por nga ana tjetër i kam dënuar gjithmonë vrasjet e njerzve të pafajshëm dhe pa gjyq. Përkujtimorja zyrtare fillonte në orën 10, por  fillimisht me gruan time shkuam  tek zyrat e të burgosurve politikë, në rrugën e Elbasanit, në avllinë e së cilës ndodhet pllaka përkujtimore me emrat e martirëve të çlirimit të Tiranës dhe u përkulën e nderuam kujtimin e tyre.

Ceremonia shtetërore filloi më pas me roje nderi dhe me tribunë nderi, por asnjeri nga veteranët, luftëtarët që luftuan për çlirimin tonë nuk ishte në tribunë. Rahman Perllakun, një nga luftëtarët partizanë, e takova midis popullit dhe asnje përfaqësues nga martirët e çlirimit nuk kishte. Asnjë nderim nuk u bë për ta dhe më erdhi shumë keq.

 Tek ne ende vazhdon LANÇ, komunistët dhe bijtë e tyre kundra ballistëve.

Por më e keqja në vendin tonë është se asnjë njeri nuk u dënua për krimet e rënda ndaj popullit gjatë regjimin totalitar. Jemi i vetmi vend ku krimet e komunizmit nuk janë dënuar. Nuk mjafton të gjitha fajet ti ja hedhim Enverit dhe të tjerët ti lemë pa faj. Shkallë-shkallë të gjithë të mbajnë përgjegjësitë e veta.

Në gjyqin e Nurembergut të gjithë të akuzuarit deklaruan se kanë zbatuar urdhërat e  marra nga Fyreri, megjith atë të gjithë u dënuan sipas krimeve të bëra. Komandanti i kampit nazist Aushvic, një major nazist u trajtua si gjithë kriminelët e tjerë fashistë dhe më pas një gjykatë polake e dënoi me vdekje dhe u pushkatua. Po tek ne pse nuk janë dënuar komandantët dhe vartësit e tyre egërsira të kampeve Spaç. Tepelenë etj.,  për krimet e bëra?

Këto ditë është folur shumë në shtyp për kampin e Tepelenës, janë dhënë shumë prova nga të dënuarit për shtazëritë, që kanë bërë komandantët dhe oficerët.  Shteti hesht dhe historianët e tij luajnë rolin e avokatit, sikur nuk ka ndodhur gjë. Historiani Pëllumb Xhufi kampin famëkeq të Tepelenës e ngatërron me kampet e pushimit dhe M.Shehun e ka paraqitur  hero, megjithse me urdhërin e tij janë bërë mjaft krime.  Xhufi nuk e shkruan historinë mbi bazën e studimit të provave, siç e kërkon disiplina shkencore, por mbi bazën e dëshirave dhe botkuptimit të tij, si tellall i rregjimit të kaluar. Ai pa ndërmarrë asnjë studim dhe pa studiuar provat e shumta, jep konkluzione të gabuara, që i sjellin dëm të madh historisë dhe kulturës së popullit tonë. Sipas tij arvanitët në Greqi, shqiptarët në Maqedoni, Serbi e gjetkë nuk i pranon si popullsi autoktonë, siç janë në të vërtetë në trojet e tyre, por i quan emigrant të ardhur nga Shqipëria gjatë mesjetës, ku përputhet me propagandën greke e sllave, që arvanitët dhe shqiptarë në trojet e tyre dem baba dem në Kosovë, Serbi, Maqedoni e gjetkë, i paraqesin si ardhacakë nga Shqipëria.

Megjithse provat janë të shumta dhe bindëse, që gjuha shqipe dhe shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve të lashtë, që kanë themeluar qytetërimin e parë botërorë, mbi të cilin u ndërtua qytetërimi i sotëm perendimor, Xhufi pa e studiuar problemin e kundërshton këtë pjesë të rëndësishme të historisë sonë  me forcë dhe hedh baltë e vrerë ndaj studiuesve, që sjellin prova dhe e mbështesin me to këtë pjesë të historisë së popullit tonë.  Xhufi nuk merret me studime të kampeve të shfarosjes në Shqipëri, të vrasjeve masive kriminale, që janë bërë gjatë dhe pas lufte, as të historisë së lashtë të popullit tonë. Puna e tij është përqendruar të bredhë nëpër TV të ndryshme për intervista, nga paguhet mjaft mirë, ku përhap idetë e tij të gabuara në mbrojtje të krimeve që janë bërë gjatë komunizmit dhe të errësojë historinë e popullit tonë, për ta paraqitur atë pa rrënjë në truallin ku jeton. Prandaj punimet e intervistat e tij janë devijuar  shumë nga rruga shkencore dhe e vërteta historike. Xhufi është kthyer në një papagall për të luftuar historinë tonë të lashtë dhe për të mbrojtur dhe mos u dënuar krimet e bëra gjatë gjatë komunizmit. 

Gjyqi dhe dënimi i deputetëve, bomba në ambasadën sovjetike dhe pushkatimet lidhur me te,  pushkatimet në Mirditë, kampet e shfarosjes Spaç, Tepelenë, Burrel etj., pushkatimet e gjeneralëve, pushkatimet në naftë, masakra e Tivarit etj. janë tema, që historia jonë duhet ti studiojë në mënyrë shkencore dhe jo të heshtë për to.

E kam jetuar luftën antifashiste si fëmijë, prindërit e mi kanë qenë që në fillim të vitin 1940, luftëtarë të Çetës Atdhetare të Pezës, babai ra dëshmorë dhe nëna luftoi si partizane deri në çlirimin e Shqipërisë. E vlerësoj shumë lart LANÇ si epopa e madhe çlirimtare e popullit tonë, që e çliroi vendin e tij pa ndonjë ndihmë direkte nga jashtë.  Por megjith këtë familja ime doli shumë e humbur nga kjo luftë dhe unë dhe nëna mbetëm shumë fatkeqë pas saj. Jo vetëm nga fashizmi, që na vrau babanë, vodhën pasurinë, dogjën shtëpinë, por vuajtjet më të mëdha na u shkaktuan nga qeveria shqiptare pas lufte, që vazhdon edhe sot. “Udhëheqsit” e LANÇ pasi vunë bythët në karriket e shtetit, i harruan shpejt dëshmorët dhe partizanët, që sollën lirinë. Nënës sime, si grua dëshmori, nuk i dhanë asnjë ndihmë jetese, as  pensionin si grua dëshmori nuk ja dhanë. U kthyem në lypsa për të mbajtur shpirtin gjallë.  Me reformën agrare shteti na i morën të gjitha tokat, ullishtet dhe trojet, që na la trashëgim babai dhe sot ende nuk më janë kthyer nga shteti autokratik. Nga pronar, që ishim para luftës, shteti na ktheu në proletarë, vetëm me rrobat e trupit, megjithse ishim familje dëshmori.

Sot kërkojmë drejtësi, por ajo nuk po duket. Pas vitit 1990 Shqipërisë nga Lëvizja Stdentore ju hapën dyert e demokracisë, por sdhpejt ato u mbyllën dhe në vend u vendos  autokracia. I jam drejtuar me letër kryeministrit Rama të më kthehen pronat dhe trualli në Pezë, ku dua të ndërtoj shtëpinë, i kam kërkuar të më miratojë “pensionin e veçantë”, për merita të shquara në shkencë, që ministri më ka propozuar që në vitin 2015, por asnjë përgjigje. Kështu unë dhe shumë njerëz të tjerë vuajnë nga sjelljet e papërgjegjëshme dhe arrogante të shtetit shqiptarë, që e kanë kthyer Shqipërisë tonë në vend të padëshiruar, nga ku largohen me mijëra njerëz çdo vit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test