Luftëtari i lirisë Avdulla Tafili i Kaçanikut

Historia

Luftëtari i lirisë Avdulla Tafili i Kaçanikut

Nga: Rexhep Shahu Më: 23 maj 2018 Në ora: 18:51
Rexhep Shahu

Sakrifica e familjeve shqiptare qe jetonin ne vendet e perendimit, qe ia dhane luftes burrat, kryefamiljaret apo bijte, eshte e pavleresuar si e sa duhet nga shoqeria Avdulla Tafilin e bëra mik sa e njofta që kur erdhi në Kukës me trupat e Kosovës në fillimet e vitit 1998. Ishte 51 vjeç atëhere, ose ndër më të vjetrit në atë kohë përveç 72 vjeçarit Zymer Kryeziu që ishte më i vjetri i angazhuar me trupat dhe që njihej si shok i Jusuf Gervallës. Avdulla Tafili kishte lënë Gjermaninë ku kishte qenë mirë e bukur. Ishte ingjinier minierash, apo “teknik i ndërtimtarisë” siç kishte deshirë ta quante veten ai.

Kishte lënë Gjermaninë për të ardhë në luftë ndonëse familja e tij kishte frikë e ankth për të. Lufta gjithmonë ngjall frikë se lufta nuk është mbrëmje vallëzimi, atje në luftë vallëzojnë plumbat, vallëzon vdekja e duhet të vallëzosh me to tango vdekje. Sa herë binte fjala e më tregonte se si ka ardhë në luftë, si merrte pjesë në takime e tubime shqiptarësh, si organizoheshin shqiptarët atje para luftës, si shfaqeshin të angazhuarit, si shfaqeshin disa të tjerë që kërkonin “të drejtonin, të ishin e bëheshin drejtues…”, i mbusheshin sytë me lotë dhe më fliste se si e kishte përcjellë vajza me 15 maj 1998 për në luftë. Më bëhet se e dëgjoj zërin e vajzës dhe të qamen e saj në telefon kur hypa në tren për në Frankfurtër, më thoshte shpesh me lot në sy Baca Dullë.

Kështu më mësoi që ta thërrisja, Baca Dullë. Kaçanikasi Avdulla Tafili, që iu bashkangjit luftës për Kosovën, që iu nda luftës kur ajo mbaroi, pasi u dëbua Serbia prej saj, dhe bashkë me luftëtarët e tjerë të fundit zbriti fitimtar nga Kosharja e qëndresës, që dha sa mundi e sa kishte për luftën, ingjinier miniere, shqiptar i dëbuar nga Kosova në kuadër të programeve speciale çubrilloviqiane, është miku im, përmes të cilit unë arrita ta kuptoj më mirë sakrificën e madhe, të jashtëzakonshme, të rëndë, të dhimbshme, të pabujshme e shpesh të padukshme, se nuk duam ta shohim dramën, të familjeve shqiptare që jetonin në vendet e perëndimit dhe pjesëtarë të tyre vinin në luftë e kurrë nuk dihej a do të vriteshin a do të mbeteshin gjallë.

Dramën e familjeve shqiptare që jetonin në perendim dhe djemtë apo burrat e tyre iu bashkangjitën luftës ne ende nuk e dimë, ende nuk e kemi shkruar, ende nuk e kemi konsiderue. Por dihet se ëshët një dramë e rëndë, dihet se ka krijuar pasoja të rënda e shpesh të parikuperueshme. A i ka lufta këto? Edhe i ka. Por ne sot duhet t’i përmendim, t’i nderojmë këto sakrifica, të mos i përgojojmë, ta provojmë ta ndjejmë dhimbjen në zemrën tonë, në shpirtin tonë. Ankthi e frika e familjeve të luftëtarëve ishte luftë më vete që duhej ta përballonin ushtarët që vinin nga vendet e perëndimit dhe duhej ta përballonin sa të mundinin e si të mundnin familjet shqiptare, nënat e gratë shqiptare, ato më të sakrifikuarat e kombit, ata që e mbajtën gjallë, e ruajtën dhe e lartësuan kombin shqiptar dhe falë të cilave është, ekziston ky komb.

Përveç frikës për jetën se mund të vriteshin në luftë, ushtarët shqiptarë që vinin në UÇK humbisnin vendet e punës, humbisnin të ardhurat mujore e vjetore, humbisnin sigurinë e garancinë që kishin në shtetet ku jetonin si emigrantë të ligjshëm. Por vetëm të ardhurat mujore a vjetore që do tu mungonin familjeve ishte dënim i madh e njëherësh ishte sakrificë e kontribut i madh për Kosovën e lirinë, pa llogaritë sa shqiptarët jepnin vetë si kuota financiare kontributi. Por kishte edhe raste kur familjet shkatërroheshin. Mijëra njerëz si Avdulla Tafili lanë punën, lanë familjet dhe erdhën të hynin në luftë. Ata janë krenari për Kosovën, krenari që nuk e shëmtojnë dot ata që blenë me marka pjesëmarrjen e tyre në luftë pas mbarimit të luftës.

Të pacipë e të pafytyrë ata që blenë pjesëmarrjen në luftë, më të poshtër e të pafytyrë ata që shitën dokumente apo vertetime se X apo Y ka qenë në luftë pa qenë në fakt në asnjë betejë asnjëherë. Është e pamundur të tregohet si ka qenë, është e pamundur për pena si e imja të tregojnë madhështinë epike të shqiptarëve që vinin nga vendet e perendimit për të hyrë në luftë. Është gjest që nuk mund ta rrëfejë askush. Ato pamje madhështore kanë emocionuar mijëra njerëz që I kanë parë, janë ngurtësuar ashtu krenarë, madhështorë e të lavdishëm në mijëra sy e zemra. Kam parë me sytë e mi trupa të bukur ushtarësh shqiptarë të UÇK, jashtëzakonisht të bukur, më të bukur se të çdo ushtrie në botë kur vinin nga vendet e perëndimit a nga Amerika e zbrisnin nga anijet në Durrës, kur rrjeshtoheshin në Durrës, Kukës a Tropojë. Dhe kurrë më i frymëzuar nuk kam qenë e nuk do të jem. Kurrë më shumë se ato kohë nuk jam mburrë që jam shqiptar. Ata nuk ishin thjeshtë ushtarë shqiptarë, ata ishin si zota, ata të frymëzonin të shkoje me deshirë në luftë dhe të bënin të harroje se ka vdekje, se mund të vdesësh ndonjëherë.

Ndaheshin familje, ndaheshin burra e gra, ndaheshin nëna e djem dhe nuk dihej a do të ktheheshin, a do të shiheshin më, a do të mbeteshin djemtë gjallë apo do të vriteshin me serbët. Avdulla Tafilin e takoja në kafe në Kukës dhe ai më tregonte për veten e shokët e tij. Ishte i besuar i trupave dhe i komandës dhe ai vinte çdo ditë e bënte furnizimin me materiale të ndryshme për nevoja ditore për ushtarët dhe i dërgonte në Kolsh te qendra e stërvitjes. Ishte i vemendshëm deri në imtësi, i kujdesshëm si diplomat profesionist kariere, i matur e i urtë. Pakënaqësinë e shfaqte me buzë në gaz dhe nuk fyente asnjëherë, nuk fliste keq për vendasit edhe kur silleshin keq me të policë apo civilë vendorë, edhe kur e gjobisnin pa të drejtë, edhe kur ia dëmtonin makinën. Punë shqiptarësh, i thoja unë, kur e shihja të deshpëruar prej policëve apo prej hajnave. Paj si kudo na shqiptarët njejtë jena bre Rexhë… Kam shumë kujtime me Avdulla Tafilin që nga qershori i 1998 kur e njoha. Kur shkoja në Kolsh, dhe shkoja shpesh të takoja Ahmet Alishanin e të tjerë, e takoja edhe bacën Dullë. Ai e dinte hierarkinë, ai ishte njeri e ushtar lirie që e dinte gjithmonë vendin e tij, detyrën e tij dhe nuk bënte kurrë shaka apo lojë me detyrën apo urdhërin ushtarak. Avdulla Tafili ishte shumë serioz me detyrën.

Më tregonte hollësira për takimet e mbledhjet e shqiptarëve në qyetetet gjermane Wesel dhe Bacholt ku kishin nisë aktivitetet patriotike e politike para lufte. Ai pastaj shkoi në Koshare në luftë në maj 1999 deri në qershor 1999 kur mbaroi lufta dhe mbeti gjallë për ta gëzue lirinë. Sot jeton në Gjermani dhe vjen shpesh të rregullojë e mimëmbajë shtëpinë e tij në Ferizaj. Sa herë vjen në Shqipëri, më takon. Është nga njerzit e rrallë që nuk harron të çojë selam, të thërrasë për kafe. Në korrik 1998 shkuam bashkë me Bacën Dullë dhe Nehat Koçinën në Pogaj. Nga atje vëzhgonim bazën ushtarake serbe në Shkozë, afër Vermicës buzë Drinit të Bardhë. Shofer ishte baci Dullë dhe udhëtuam nga Kukësi, në Gjinaj, Domaj Has e Pogaj. Ishte hera e parë që pashë me sytë e mi aq shumë makina ushtarake, topa, tanke, një bazë aq të madhe luftarake në kufi me Morinin.

Avdulla Tafili ishte njeri i besuar i ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Kishte besim të madh ministri Krasniqi dhe e thërriste në zyrë, ia jepte lekët për meremetimet e ndërtimet që do të bëheshin. Meqenëse ishte ingjinier ndërtimi, ai ishte përgjegjës i grupit të punës për rehabilitimin e objekteve të ushtrisë ku do të stërviteshin e qëndronin ushtarët e UÇK. Ministri Ahmet Krasniqi, pohon Dulla, ia jepte lekët direkt vetë për rehabilitimin e objekteve në Kolsh, Kalimash, Babinë, Papaj, Viçidol, Laprakë. Ai ka bashkëpunuar me Qerim Shalën e Llogjës së Pejës në gjithë aktivitetin për ndërtimin e meremetimin e objekteve luftarake. Avdulla Tafili më tregon kujdesin e ministrit Krasniqi edhe për kuajt e luftës. “Tu bësh strehë kuajve” i thotë ministri, të rregullohen disa dritare në Papaj dhe të lidhesh me Agim Ramadanin. Baci Dullë tregon me krenari se ka fjetë në krevatin ku flinte ministri Ahmet Krasniqi, pasi vetë ministri i kishte thënë që të flinte në krevatin e tij në Tropojë. Avdulla Tafili një ditë solli në shtëpinë time në Kukës çantat dhe paisjet ushtarake të 10-15 ushtarëve të UÇK-së që ishin përgatitë për të hyrë në luftë..

Për mos me u endë me çanta e paisje në shpinë nëpër qytet, bre Rexhë, po i lëmë te banesa jote për pak kohë, sa të bëhen gjërat gati. Kush mund t’ia prishte bacës Dullë dhe ushtarëve që ishin me të. Kujtoj emrin e Naim Çarrollit nga Rahovica e Ferizajt që ishte bashkë me grupin që lanë çantat në ruajtje të përkohshme te shtëpia ime. Ky grup luftëtarësh nuk pritën gjatë për me hy në Kosovë, por hynë direkt në luftë për në rajonin e Suharekës, si grup luftarak më vete i organizuar. Naimi ishte ushtar shumë aktiv në meremetimin e objekteve ushtarake dhe pastaj ka hyrë në luftë, pasi ai dinte, kishte kryer kurse ushtarake. Kujtoj se në korrik të 1998 Dulla bashkë me Isa Agushin epror i lartë ushtarak nga Gjilani, nga Zherga, më marrin me vete dhe ngjitemi te lagjja ime në Shahe, mbi shkollën e mesme në Bardhoc. Ata kishin mësuar se kishte shtëpia bosh atje. Isha ankuar pse nuk përdoret bjeshka e Bardhocit dhe Morinit për kalime të ushtarëve e armatimit por rrezikojnë ushtarët në zonën e Pogajve ku shihet edhe gjarpëri natën në dritë të hënës. Përdorimi për kalime e qoftë luftime i zonës Pogaj-Gorozhup më ishte dukë absurdi dhe aventura më e keqe ushtarake, gjëja më pa mend. Ndërsa nga bjeshka e Bardhocit edhe predha vonon të bjerë në tokë se zë në degë lisash, e pengojnë degët e lisave të shpeshtë…

I panë shtëpiat, panë fshatin, por nuk i përdorën asnjëherë ato shtëpia të braktisura. Avdulla Tafili ka hyrë në Koshare dhe ka meremetuar kazermën atje pasi e kanë bombardue serbët. Dhe ka ikë nga Kosharja në qershor 1999 pasi ka mbaruar lufta. E takoj Avdulla Tafilin pothuaj përvit. Ai nuk di të jargavitet pas lavdisë, nuk kërkon lavdi, nuk kërkon të imponohet askund, nuk troket dyerve të zyrave për dëshmi meritash. Ai është tamam ai shqiptari, ai luftëtari që i është përgjigjë atdheut, që nuk i kacavirret pas lufte atdheut për të lëpirë eshtrat e atdheut, eshtrat e lavdisë, që di të tregojë, që ka çfarë të tregojë, çfarë t’u thotë pasardhësve të tij, nipave e mbesave, që di e mundet t’i përgjigjet pyetjes “Ku ishe ti shqiptar kur i duheshe atdheut…”. Avdulla Tafili ishte në luftë për lirinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat