Papa Gjon Pali I qëndroi vetëm 33 ditë. Pastaj dolën teoritë për vrasjen e tij

Historia

Papa Gjon Pali I qëndroi vetëm 33 ditë. Pastaj dolën teoritë për vrasjen e tij

Më: 20 maj 2018 Në ora: 06:30

Në 1978, Papa Pali VI vdiq. Siç është zakon në Vatikan, Kolegji i Kardinalëve shkoi në konklavë dhe filloi të vendoste se kush do të ishte Papa i ardhshëm. Ishte konklava më e madhe papnore në histori dhe e para që nga viti 1721, në të cilën morën pjesë tre papë të ardhshëm. Pas dorëzimit të fletëvotimit të katërt, Kardinali Albino Luciani u zgjodh si Peshkopi i ardhshëm i Romës.

Pavarësisht nga fakti se ai kishte pretenduar në mënyrë të përsëritur se do ta refuzonte papatin, nëse do t’i ofrohej, Luciani pranoi pozicionin dhe mori emrin Papa Gjon Pali I. “Zoti të faltë për atë që ke bërë”, tha ai gjatë pranimit. Fjalët e tij do të qëndronin varur turpshëm mbi papatin e tij, pasi vetëm 33 ditë më vonë, Kolegji do të mbante konklavën e dytë të vitit, sepse Papa Gjon Pali I vdiq papritur dhe në rrethana gjithnjë e më misterioze.

Papa i buzëqeshur

Kur Papa Pali VI vdiq, Kolegji i Kardinalëve shpresonte që ata do të gjenin një papë më miqësor se ai. Ata shpresonin se Papa i ri do të ishte më i arritshëm dhe do t’i jepte papatit një atmosferë më të ngrohtë, sesa ajo që i ishte dhënë në të kaluarën.

Ata e arritën plotësimin e dëshirës së tyre, me Papa Gjon Palin I. I quajtur “Papa i Qeshur” nga populli dhe i njohur për humorin dhe mirësinë, Gjon Pali I (gjithashtu i pari që i referohej vetes si “i pari” u bë menjëherë shumë i pëlqyer, sidomos në mesin e anëtarëve të rinj të kishës katolike.

Megjithatë, shpejt u shfaqën zërat se kishte pakënaqësi për zgjedhjen brenda Kolegjit të Kardinalëve. Disa thashetheme sugjeruan se disa anëtarë të kolegjit kishin shtyrë për një zë më konservator dhe ishin të pakënaqur me një kandidat të tillë modern dhe të hapur. Të tjerë sugjeruan që Papa Gjon Pali I nuk ishte “papnor”, ose nuk kishte kualifikime personale për këtë punë.

Image

 

Sidoqoftë, javët e para të papatit të Gjon Palit I shkuan pa probleme dhe pa incidente.

Vdekja e Gjon Palit I

Në mëngjesin e 29 shtatorit 1978, motër Vicenza hyri në dhomën e Papës për të kontrolluar, pasi kishte vërejtur se ai ende nuk kishte ardhur për kafenë mëngjesit. Për tmerrin e saj, ajo e gjeti të vdekur në shtratin e tij. Thirri shpejt një motër tjetër për të konfirmuar atë që kishte gjetur, një murgeshë e vogël me emrin motër Margherita. Të dy murgeshat raportuan se lëkura e Papës ishte e ftohtë dhe se thonjtë e tij ishin çuditërisht të errët.

Raporti zyrtar pohoi se Papa Gjon Pali I u gjet “i shtrirë në shtratin e tij, me një libër të hapur pranë dhe dritën e leximit ndezur”. Shkaku zyrtar i vdekjes, sipas një doktori të Vatikanit, ishte një atak në zemër, që ndodhi rreth orës 11:00 të natës.

Teoritë konspirative

Megjithatë, përpara se të dilte raporti, teoritë e konspiracionit filluan të viheshin në lëvizje. Brenda disa orësh, në bazë të mospërputhjeve në raporte, filluan të dilnin në shesh thashethemet se ai kishte qenë i sëmurë, së bashku me zërat se ai kish qenë në mes të një revolucioni. Kishte nga ata që thoshin, se ai ishte vrarë.

Pothuajse menjëherë pas njoftimit se Papa kishte vdekur nga një atak në zemër, njerëzit filluan të dyshonin. Ai kurrë nuk kishte dhënë ndonjë shenjë se kishte qenë i sëmurë, madje edhe infermierët që e zbuluan atë ishin të tronditur kur mësuan se kishte një problem të zemrës. Ai thuhej se merrte antikoagulantë, megjithëse ato i merrte për një sëmundje jo-kërcënuese për jetën. Sa më shumë që flitej për atak në zemër, aq më pak publiku e besonte atë.

Natyrisht, në përputhje me ligjin e Vatikanit, asnjë autopsi nuk u krye. Pas vdekjes, trupat e Papëve lejohen të balsamosen, megjithëse autopsitë konsiderohen si një përdhosje e trupit dhe si pasojë, të paligjshme.

Fakti që trupit nuk iu bë kurrë autopsi bëri që të lulëzojnë dhjetëra teori konspirative rreth legjitimitetit të gjendjes së tij të zemrës.

Për shkak të thashethemeve të mëparshme se ai kishte qenë i papëlqyer nga kardinalët më konservatorë, pëshpëritjet se papa ishte vrarë filluan të shfaqen shumë shpejt. Megjithatë, një nga pretendimet më bindëse erdhi disa vjet më pas dhe shkoi edhe më thellë.

Disa vjet pas vdekjes së tij, shkrimtari britanik i krimit David Yallop botoi një libër me titull “Në emrin e Perëndisë”, i cili sugjeroi që Papa Gjon Pali I ishte vrarë dhe ai kishte qenë në rrezik që kur u zgjodh.

Yallop pohon se Papa ishte i vetëdijshëm për korrupsionin brenda Bankës së Vatikanit dhe se për këtë arsye ai ishte vrarë. Ai thotë se kur u gjet trupi i Papës, ai kishte një shënim të copëtuar në dorë me emrat e anëtarëve të bankës që ishin të përfshirë në Frimasoneri, e cila është rreptësisht e ndaluar brenda Kishës Katolike.

Ndërsa Banka e Vatikanit ishte, pa dyshim, e korruptuar, nuk kishte dëshmi se stafi i bankës ishte i përfshirë në Masoneri. Megjithatë, Yallop vazhdon të theksojë se Vatikani kurrë nuk ka konfirmuar ose mohuar ekzistencën e shënimit.

Sot, shkaku zyrtar i vdekjes mbetet një atak në zemër, edhe pse thashethemet vazhdojnë të vërtiten rreth Papës së Qeshur, papatit të tij jashtëzakonisht të shkurtër dhe vdekjes së tij misterioze dhe të pazgjidhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat