Më 20 dhjetor 1832 lindi Haxhi Zeka, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë

Historia

Më 20 dhjetor 1832 lindi Haxhi Zeka, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë

Më: 15 prill 2018 Në ora: 16:28
Haxhi Zeka

Haxhi Zeka (Haxhi Zekë Byberi, 20 dhjetor 1832 – 21 shkurt 1902) është udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë. Ishte djali i Mehmet Abedinit (Byberi) nga Shoshani dhe Zelfije Docit nga Deçani.

Biografi

Lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës prej nga u shpërngul me familjen në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale.

Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës.

Së bashku me Sulejman Vokshin dh Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893. Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër dhunës ekonomike e politike të sunduesve osmanë. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr ne Stamboll ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896.

Më 1896-1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popuIlore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi “Besëlidhjen shqiptare”(1897). Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës që themeloi Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj.

Në prill-maj 1899 mori masat për thirrjen e një Kuvendi tjetër të përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare mbajtja e të cilit u pengua nga Porta e Lartë. Pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e Fuqive të Mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, Haxhi Zeka i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë gjithë vitit 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë.

Më 21 shkurt 1902 Haxhi Zeka u vra në Pejë pabesisht nga Adem Zajmi, një agjent i vënë nga qarqet shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoritete osmane.

Trashëgimia kulturore
Mulliri i Haxhi Zekës

Mulliri i Haxhi Zekës është kompleks i madh i trashëgimisë industriale i cili i takon pjesës së dytë të shekullit të 19-të. Është ndërtuar me ndihmën e austro-hungarezëve. Ndërtesa përbëhet nga mulliri dhe hambari. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë i cili posedonte tre kate. Fasada është nga guri i kombinuar, tulla, dritare hark dhe korniza.

Mulliri i Haxhi Zekës është mulliri i parë në Kosovë dhe regjion i cili ka pasur teknologji më të përparuar të sjellur nga Austria. Fillimisht mulliri ka punuar me ujë, pastaj është përdorur energjia elektrike. Aty ka filluar ekonomia industriale në Pejë. Në të kaluarën i gjithë regjioni ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit.

Pas vdekjes së Haxhi Zekës, udhëheqës u bë nipi i tij, Jashar Pasha. Në vitin 1997 u mor në mbrojtje nga shteti. Gjatë luftës së vitit 1998-1999, mulliri u dogj por u restaurua dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit.

Universiteti publik “Haxhi Zeka”

Universiteti Publik “Haxhi Zeka” në themelim është pasardhës i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Biznes (FSHAB) në Pejë që është themeluar në vitin 1960 me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të KSAK si Shkolla e Lartë Ekonomike – Komerciale në Pejë. Kjo shkollë u riemërua në Shkolla e Biznesit dhe pastaj në Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit.

Fillimisht shkolla kishte vetëm Seksionin e Afarizmit Komercial në Ndërmarrje dhe një numër të vogël mësimdhënësish. Në vitin e parë të studimeve 1960/61 ishin të regjistruar 120 studentë.

Që nga viti 2007 në FSHAB studimet zhvillohen në tri departamente:

Administrim Biznesi në të dy gjuhët (në gjuhën shqipe dhe boshnjake),
Kontabilitet dhe Financa të Biznesit dhe
Menaxhment, Turizëm dhe Hotelieri.

Po ashtu, ky universitet ofron mundësi për përgatitjen akademike master i shkencës.

Sheshi “Haxhi Zeka”

Në qendër të qytetit të Pejës gjendet sheshi “Haxhi Zeka”. Në këtë shesh gjenden obejkte të rëndësishme duke përfshirë konakun e Tahir Beut, Muzeun Etnografik Kombëtar ku mund të shihen galeri të ndryshme, artizanate tradicionale kombëtare, veshje karakteristike të Rugovës e të Rrafshit të Dukagjinit, Qendra Tregtare “Metë Bajraktari” etj. Në qendër të sheshit ndodhet shatërvani i ndërtuar në shek. XVI afër të të cilit ndodhet edhe shtatorja e Haxhi Zekës.

Kulla e Haxhi Zekës

Në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” gjendet Kulla e Pashës apo e njohur edhe si Kulla e Haxhi Zekës, muret e së cilës janë të përbëra me punimet karakteristike të mjeshtërve shqiptar të asaj kohe si: luani, ylli i Davidit etj. Ka arkitekturë karakteristike të shekullit XVIII dhe XIX, është dykatëshe e ndërtuar prej guri dhe me dritare e frëngji të punuara me përkushtim nga mjeshtër shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat