Tre dëshmorët e Uglarit

Historia

Tre dëshmorët e Uglarit

Më: 13 prill 2018 Në ora: 17:57
Vehbi Ibrahimi

Janë të ralla vendbanimet siç asht katundi Uglar i çarkut të Gjilanit që nga nji vend kaq i vogël që ishte dikur, të dalin tre dëshmorë të shquem të atdheut.

I pari ishte Liman Uglari, nji burrë i shquem i asaj kohe. Ai u vra në verën e vitit 1907 në luftë me diversantët serbë të hedhun në Shqipninë e pushtueme nga barbarët osmanlij. Lufta me komandosët serbë u zhvillue në Kishën e Pisjanit, aty mbeti i vramë Liman Uglari – dëshmor i atdheut. Për Limanin tregojnë se kishte luftue kundër bandave të hajnave e të cubave që nuk e lenin popullin të qetë veçanërisht shqiptarët e shquem e të pasun. Kundër këtyne bandave nuk luftoi qeveria turke ato i shikonte nëpër gishtrij sepse ata ishin aleatët e tyne. Njiherë nji tregtar shqiptar nga Gjilani kërkoi mbrojtje nga Limani sepse në dyqanin e tij në pikë të ditës hynin cubat dhe nën kërcnimin e armëve merrnin pare e mall. Në këtë dyqan Limani qëndroi disa ditë, e kishte vërejtun se hynin disa “njerëz” silleshin e mbështilleshin dhe dilnin jasht. Mbas disa ditësh Limani u lodh dhe i tha tregtarit se do të shkonte por do ta lente aty varun gaxharremken (shtagën). Thuhet se ma vonë kur vinin hajnat e shihnin shtagën e Limanit aty, ktheheshin pa krye punë.

Sot disa nga mbasardhësit e Limanit mbajnë mbiemnin Januzi dhe jetojnë në Uglar, Gjilan, Ferizaj, etj.

Dëshmor i dytë nga ky katund asht Idrizi, ai u vra në nji nga kryengritjet e fundit (1910-1912) antiturke që u zhvilluen në Grykën e Kaçanikut. Gjatë luftës heroike të shqiptarëve kundër egërsinave turke ngjau që nji grup i luftarëve shqiptarë të zihet rob nga ushtria turke – kjo nuk asht kurfarë dobësie sepse kjo asht rregull apo pjesë e luftës që u ndodh edhe ushtrive ma të forta që nga parahistoria e deri më sot. Këtë grup luftarësh i çojnë në çadrën e nji nga komandantëve turq. Ky i pyet të gjithë me rend se si i kishin emnat, etj., kur e pyet trimin nga Uglari – ky thotë – Idriz; kur e ndëgjoi se si e kishte emnin ky rob lufte kjo bishë pa nji pa dy heq shpatën dhe ia heq kokën Idrizit nga Uglari tue i shkelun të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare të luftës, nënshkruese e të cilave ishte edhe qeveria turke. Sa herë e kam ndëgjue këtë rrëfim tragjik nga pleqt, rrëfyesit thoshin se turku në këtë rast kujtoi se e zuni Idriz Seferin dhe e vrau – jo ky mendim nuk qëndron. Xhelati turk e dinte shumë mire që ky nuk ishte Idriz Seferi nji nga komandantët e ushtrisë kryengritës shqiptare që ishte ba halë në sy për turqit se po të ishte Idriz Seferi i vërtetë ky do të ishte gëzim dhe fitore e madhe për Turqinë dhe menjiherë do të njoftohej Sulltani, Stambolli e Europa.

Vehbi Ibrahimi (1938-1981) atdhetar i madh që punoi e veproi në vend dhe në Europë për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Vehbiu ishte luftar antisllav që punoi e luftoi parreshtun deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai ishte nji nga figurat e qëndresës kombëtare që veproi gjansisht në Europë dhe i cili e kishte kuptue se qeveria komuniste e antishqiptare e Tiranës jo vetëm që po e sabotonte luftën e shqiptarëve nën ish Jugosllavinë por po e luftonte në të gjitha mënyrat e mundësitë Luftën Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve të pushtuem. Prandaj asht shumë e besueshme që jo vetëm atdhetarin Vehbi Ibrahimi që u vra në Gjermani dhe shumë të tyjerë në Europë e Amerikë, i vrau sigurimi komunist i Tiranës i cili kishte tani dhjetëra vjet që po e kryente punën e UDB-së së Beogradit.

Banorët e Uglarit dhe të asaj ane janë krenarë, mburren dhe i kujtojnë me krenari këto tri figura madhore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat