Legjenda të vjetra, Kepi i Rodonit

Historia

Legjenda të vjetra, Kepi i Rodonit

Më: 1 prill 2018 Në ora: 15:29
Kepi i Rodonit

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452.Më vonë Skënderbeu ndërtoi edhe disa Kështjella sipas interesave strategjike: si ato të Modricës, ndërsa kreu ndërtime fortifikuese në Krujë, Petrelë, Gurin e bardhë, Stelush, Balec (Shkodër) etj.Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët.

Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.

Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë.
Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.

Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit.

Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.
Sipas këtij të fundit Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir (M. Zeqo, Motive arkeologjike fq.146-150, Tiranë 1990).

Ai ka qene i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent (M. Zeqo. Panteoni Ilir).

Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejtë që kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redonin.

Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit Ilir të deteve.

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit.

Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj.

Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.

Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk.

Për këtë qëllim në 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për tu mbrojtur ajo kërkonte punime plotësuese por ishte edhe pre e lehtë për tu goditur nga artileria e anijeve të luftës (Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, fq. 183-185).

Kështu ajo u braktis për tu quajtur një relike e kohës së shkuar, u lanë jashtë kujdesit për tu shndërruar në rrënojë.

Skënderbeu si ndërtues

Mbas kryengritjes Çlirimtare të vitit 1443 Skënderbeu ringriti Principatën e Kastriotëve dhe krijoi lidhjen e Lezhës në 2 mars 1444. Për tu mbrojtur nga sulmet turke Gjergj Kastrioti nisi ndërtimet mbrojtëse duke riparuar kështjellat ekzistuese, dhe duke vendosur në to reparte të zgjedhura. [kepi-i-rodonit2]

Gjithashtu ai krijoi edhe një sistem mbrojtës në pjesën lindore të vendit. Më vonë Skënderbeu ndërtoi edhe disa Kështjella sipas interesave strategjike: si ato të Rodonit dhe Modricës, ndërsa kreu ndërtime fortifikuese në Krujë, Petrelë, Gurin e bardhë, Stelush, Balec (Shkodër) etj. (A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983. fq.56).

Dokumentat historike na dëshmojnë se Skënderbeu për ndërtimin e saj nënshkroi një kontratë me një grup mjeshtrash Raguzianë, të cilët ishin të njohur në të gjithë pellgun e Adriatikut për ndërtime. Kontrata midis Skënderbeut dhe 3 sipërmarrësve Raguzianë u nënshkrua në 23 dhjetor 1463.

Ndërsa punimet filluan diku nga fundi i vitit 1464 (Lufta Shqiptaro-Turke e shekullit XV, Burime Bizantine, Tiranë 1967 fq.60-61). Kronisti Bizantine Halkokondili na njofton se Skënderbeu e ndërtoi Kështjellën në një gadishull të vogël prej 3 stadesh e rrethuar me mure dhe duke vendosur aty forca ushtarake që të mbrohej nga ushtria e Sulltanit.

Brenda kalasë kishte një shesh i cili ishte 400 m i gjatë dhe 200 m i gjerë.

Kalaja e Rodonit

Kalaja e Redonit nuk ishte një Kala e mirëfilltë, por një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër.

Ky mur shoqërohej edhe me një hendek që mbushej me ujë deti. Në anën veri-lindore muri ishte i paisur me një hyrje me të cilën kryhej komunikimi. Ngjitur me këtë hyrje ndodhej një bastion në formë harku i cili shtrihej paralel me bregun.

Ai ishte i lartë rreth 10–12 m dhe muri i tij kishte një trashësi prej 3–6 m. Muri i Bastionit shoqërohej nga një tjetër mur i dytë në formë paraleli në distancë 4,80 m (5000 vjet fortifikime në Shqipëri. Gj. Karaiskaj. Tiranë 1981. fq.182).

Në të dyja anët ekstrem të tyre muri dhe Bastioni ishin të paisur me kulla. Interesante është se edhe sot shihen në rrënojat e tyre frengjitë e topave të dikurshëm.
Një kullë e tretë ndodhej 200 m në brendësi të kepit. Ajo shërbente për të komunikuar me anë të zjarreve në vijë ajrore me kalanë e Krujës.

Fortifikimi ishte ndërtuar nga gurë shtufi të punuar me forma katërkëndëshi. Ata ishin të lidhur me llaç dhe të kombinuar me tulla.
Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qënë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin.

Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë.

Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit” (Dokumenta të shekujve 16-17 për Historinë e Shqipërisë. 1. Tiranë 1989. dokumenti 191).

Venediku

Qysh në fund të shekullit të XIV Venediku u kthye në zotërues të bregdetit Shqiptar. Dukë shfrytëzuar konfliktin midis Principatave vendase dhe kërcënimin turk, Republika e Adriatikut me anë të blerjes dhe diplomacisë u bë qysh nga viti 1385 zotëruese e qyteteve të bregdetit Shqiptar.

Sapo i morën në zotërim qytetet dhe fortesat Venecianët ndërmorën edhe gjatë shekullit të XV shumë ndërtime mbrojtëse në bregdet.

Qëllimi i tyre ishte forcimi i pozicioneve për të kontrolluar monopolin e tregtisë dhe për të shtuar sigurinë që kërcënohej nga turqit dhe synimet e feudalëve shqiptarë që kërkonin të dilnin në bregdet.

Me humbjen e Durrësit dhe rënien e tij nën tundimin turk Venediku e braktisi edhe kalanë e Rodonit duke u larguar nga një pjesë e madhe e bregdetit shqiptar.

Kjo braktisje mund të jetë bërë pas vitit 1571 sepse në një dokument Venecian të këtij viti thuhet se : “Këta Rodonasit janë burra trup lidhur, idhnakë dhe trima, kështu që akoma nuk u janë nënshtruar turqve që janë zotërit e tyre. [kalaja-e-rodonit]

Nga lumi i Drinit, Rodoni, Erzeni dhe Durrësi, qyteti i Ulqinit nxjerr 150 000 Stara drithë në vit”. (Hylli I Dritës. Shkodër 1936. nr.5-8).

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout.

Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje. Kisha e Shën Ndout kishte një planimetri 13,6 m x 6,2 m. Ajo përbëhej nga Naosi, narteksi dhe kthina e altarit (A. Meksi. Arkitektura mesjetare në Shqipëri. Fq.135).

Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit.

Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta. Kisha e Shën Ndout është ndërtuar sipas specialistëve në shekujt 14-15.
Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një document të vitit 1488 në të thuhet që Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave. (Dokumenta të shek. XV për historinë e Shqipërisë. Vëll IV.I. fq.108) Ndikimin dalmatin edhe në fushën e besimit në Shqipërinë e shekullit të XV.

Diku në fund të viteve 1990 (1998-200) në financime gjermane u restaurua kisha e Shën Ndout, ku sipas legjendës këtu ka kaluar një pjesë të kohës së saj motra e Skënderbeut, Mamica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat