Shqiptarët apo e Pellazgët lashtë

Historia

Shqiptarët apo e Pellazgët lashtë

Më: 31 mars 2018 Në ora: 16:42
Naim Frashëri

Për të kuptuar edhe më shumë jetën, kulturën, gjuhën, traditat dhe veprimtarinë apo përditshmërinë e pellazgëve ne na mungojnë jo vetëm të dhënat e qarta, por edhe ajo që mund ta quajmë “guri i rozetës” pellazgjike (në lidhje me gjuhën e tyre dhe cdo gjë që kishte të bënte me ta).

Duke dashur të trajtojë edhe më tej cështjen e “dominimit të kulturave”, e cila u përdor nga komunizmi shqiptar për t’i treguar popujve fqinjë se shqiptarët janë një ndër popujt më të lashtë të rajonit si dhe më gjerë; them me bindjen se përzierja e kësaj cështjeje thellësisht shkencore me nacionalizmin ekstrem, ia uli edhe më shumë vlerat tezës se shqiptarët rrjedhin në të vërtetë prej pellazgëve, popullit më të vjetër të rajonit ballkanik dhe më gjerë.

Shkruan: Bledar Komini

Lashtësia gjithnjë ka qenë e dashur jo vetëm për brezat e studiuesve të para një ose dy shekujve por edhe për breza të tërë, sunduesish, perandorësh, mbretërish, priftërinjsh e inovatorësh. Lashtësia dhe enigmat mbi të panjohurat e saj, janë ekuacione të cilat na shoqërojnë ende në ditët tona. Sigurisht “Homo pelasgus”, është njëri ndër ekuacionet më të vjetra të lashtësisë, për vetë faktin se ende shumë të dhëna dhe informacione mbeten të panjohura. Megjithatë, ky fakt na shtyn që të futemi edhe më tej në labirintin e madh të lashtësisë.

Për të kuptuar edhe më shumë jetën, kulturën, gjuhën, traditat dhe veprimtarinë apo përditshmërinë e pellazgëve ne na mungojnë jo vetëm të dhënat e qarta, por edhe ajo që mund ta quajmë “guri i rozetës” pellazgjike (në lidhje me gjuhën e tyre dhe cdo gjë që kishte të bënte me ta).
I jam referuar në këtë temë pellazgëve si Homo pelasgus, pasi edhe vetë Homeri në Këngën e dhjetë të Iliadës i quan ata pellazgë hyjnorë; prej këndej homo pleasgus nuk ka asgjë të vecantë prej pellazgëve hyjnorë, të cilëve për lehtësi dallimi nga grekët dhe popujt e tjerë, iu dha edhe ky llagap.

Por kush ishin Homo pelasgus, ku jetonin dhe ku shtrihej qytetërimi i tyre? Shkrimtarët e lashtë grekë na japin të dhëna të shumta se pellazgët ishin një popull që nuk ngjanin aspak me grekët dhe që popullonin territoret nga Trieste në kufi me Italinë, e gjer në Azinë e Vogël.

(Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, grup autorësh, Prizren, 2001, Siprint, fq. 15) Sic shihet Homo pelasgus, shtrihej në një territor shumë të madh, gjë e cila na jep të dhënat e para mbi ta: dominim dhe shtrirje të gjerë territoriale; jetë sedentare; kulturë protoballkanike dhe gjuhë e folur e vecantë.
Shërbimi më i madh që mund t’i bëhet sot albanologjisë dhe shkencave të tjera si prehistoria, historia, arkeologjia etj., është se: Së pari, duhet provuar shkencërisht me anë të studimeve dhe hulumtimeve të thelluara, të bazuara me argumente provuese, akte dhe fakte të pakundërshtueshme dhe analiza të drejta se shqiptarët janë me të vërtet pasardhësit e ilirëve dhe këta të pellazgëve. Përgjithësisht studimet kanë qenë të shumta dhe pothuajse sot përfundimet e nxjerrura prej tyre janë të qarta.
Së dyti edhe pse për studiues si Myzafer Korkuti, Hasan Ceka, Skënder Anamali, Neritan Ceka etj., është e qartë se kjo vijimësi brezash është e argumentuar me fakte të qarta, dhe ndoshta të pakundërshtueshme, sërisht, studimet mbi kalimin nga pellazgë në ilirë dhe trashëgiminë e këtyre të fundit, mbeten ende të rrethuara me një tis, i cili përgjithësisht lidhet me nacionalizmin e tejskajshëm që pësoi historia shqiptare gjatë periudhës komuniste, ku tezat e të qenurit mbi popujt e tjerë të rajonit dhe mbi vjetërsinë e shqiptarëve janë mbartur edhe sot në historiografinë shqiptare pa u rishqyrtuar edhe njëherë me imtësi.

Së treti për fat të keq, studiuesit e gjuhësisë moderne shqiptare i kanë mbyllur një shteg të madh albanologjisë me shkurtimin e dalektit gegë nga trungu i gjuhës shqiptare. Ata veç kanë pranuar se gjuha shqipe është gjuhë «indoeuropiane» që përbën një degë më vete në gjenealogjinë (çka nuk do të thotë patjetër «etnogjenezë») e gjuhëve. Ja pse nuk është thelluar studimi i kësaj gjuhe (veçanërisht dialekti gegë i veriut që mbetet «një fosil i gjallë»).

Ky gabim i dyfishtë (Pellazgë të injoruar edhe gjuha shqipe e shtënë në dollap) bëri që gjuha shqipe të përjashtohet nga studime dhe hulumtime në kuadrin e këtij «akademizmi indoeuropian», kahja e shmangur e të cilit e ka zhytur këtë disiplinë në një qorrsokak të vërtetë.

Duke dashur të trajtojë edhe më tej cështjen e “dominimit të kulturave”, e cila u përdor nga komunizmi shqiptar për t’i treguar popujve fqinjë se shqiptarët janë një ndër popujt më të lashtë të rajonit si dhe më gjerë; them me bindjen se përzierja e kësaj cështjeje thellësisht shkencore me nacionalizmin ekstrem, ia uli edhe më shumë vlerat tezës se shqiptarët rrjedhin në të vërtetë prej pellazgëve, popullit më të vjetër të rajonit ballkanik dhe më gjerë. Diskutimet e shumta të cilat u zhvilluan gjatë kohës së errët komuniste, të ndërtimit të njeriut të ri socialist, e dëmtuan edhe më shumë shkencën pelazgjike dhe i kushtëzuan studiesit e asaj kohe që ta shohin shumë ngushtësisht këtë cështje, duke shtrembëruar ndonjëherë edhe të vërtetat historike të cilat binin ndesh me ideologjinë komuniste.

Por, të vënë përballë një presioni të gjatë politik dhe asimilues grek gjatë shekullit të XX, I cili filloi menjëherë pas Luftërave Ballkanike, dhe që u bë edhe më I ethshëm pas Luftës së Parë Botërore (në synim të realizimit të Megali Idheas) shqiptarët, duke filluar që nga rilandasit e mëdhenj, u përpoqën që t’i tregojnë Evropës se ata nuk ishin një popull pa identitet, një popull që jetonte maleve e që kishte mbijetuar rastësisht. Kështu duke filluar që nga rilindasit si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Eqerem bej Vlora, Fan Noli e shumë të tjerë, u munduan që të hedhin edhe më shumë dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe sidomos atë të prejardhjes iliro-pellazgjike.

Cështja e prejardhjes së shqiptarëve nuk është vetëm një cështje e shqiptarëve, por ajo është një cështje e të gjithë rajonit ballkanik, pasi integrimi evropian mbi të cilin ne kërkojmë të aderojmë gjatë viteve të fundit, kërkon mbi të gjitha një aderim së pari kulturor dhe së dyti vlerash e arritjesh të përbashkëta. Homo pelasgus, si një “stërgjysh” i përbashkët i shqiptarëve dhe thrakasve (pasardhës të të cilëve pretendojë të jenë maqedonasit e sotëm), ashtu sic thonë autorët antik, prej poemave homeriane e gjer tek Herodoti, Hesiodi e Straboni, vërtet nuk ka të bëj me grekët e lshtë, por i vënë përball një të vërtete të madhe, asaj të së vërtetës shkencore, duhet të zhvishet nga mitet e legjendat nacionaliste dhe të studiohet si pjesë e shkencës.

Vetëm kështu Homos pelasgus do t’i shërbejë integrimit të të gjithë popujve ballkanik, pasi nuk ka integrim politik dhe ekonomik pa integrim kulturor.
Megjithatë sipas studiuesve modernë, bazuar mbi historianët klasikë dhe arkeologët e njohur, pellazgët kanë qenë një popull që kanë jetuar në hapësirat tokësore të Detit Egje. Sipas gërmimeve të bëra në Catalhojuk prej Xhejms Melartit në 1955 dhe Fritz Shkakmajerit në 1979, dolën në konkluzion se pellazgët lëvizën nga Azia e Vogël drejt Egjeut në mijëvjecarin e IV p.e.s. Ende sot një pjesë e studiuesve modern nuk kanë arritur të qartësojnë nëse pellazgët ishin një popullsi indoevropiane apo jo, gjë e cila i ka shtyrë ata në diskutime të shumta në lidhje me ndikimet që kanë lënë pellazgët në kulturën greke, sidomos atë helenistike dhe më pak të dokumentuar atë ilire e thrakase.
Prej albanologëve më të njohur të shekullit XIX që është marrë njëkohësisht edhe me origjinën dhe prejardhjen e shqiptrëve, është Johan George Hahn, ku në veprën e tij Studime shqiptare, argumenton se “Pellazgët janë banorët më të vjetër të Heladës që njeh historia… pellazgët ishin në Greqi ma të fuqishmit. Vendet e tyne kryesore ishin Argosi, Arkadia, Atika, Beotia dhe Thesalia”.

Gjithashtu sipas Hahnit pellazgët kishin pasur një kulturë shumë të zhvilluar dhe në bashkëpunim me qytetërimin fenikas ata morën alfabetin, të cilin më pas ia dhanë edhe grekëve që si pushtues dhe superior që ishin, i asimiluan fiset pellazge një nga një. Gjatë kohës së Herodotit gjuha e pellazgëve nuk flitej më në Greqi.
(J.G. Hahn, Studime Shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë, pa vit botimi, fq. 407.)

Ndërkohë që sipas studiuesit dhe rilindësit të mirënjohur Sami Frashëri, në veprën e tij të madhe “Kamus Al-A’lam” (Përmbledhja e dijeve), “Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore. Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në Evropën Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur.” Më tej ai vazhdon dhe thotë se: “Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh” ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe “plak” (ar., turq. ihtijar dhe kadim) që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër, Sido që të jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të Anadollit.” (Shiko Sami Frashëri, Vepra 9, Personalitetet shqiptare ne Kamus Al-A’lam, Shkup, LOGOS-A, 1994, fq.9)
Po sipas Sami Frashërit në po të njëjtën vepër helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që, duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u asimiluan.

Se në cilat burime mbështetet S. Frashëri për të na dhënë këto informacione ose në cilët autorë klasikë apo mesjetarë, nuk na thotë asgjë, por fakti që ai na e jep të mirëqenë jo vetëm vendosjen e pellazgëve në Ballkan (dhe më gjerë) si dhe ardhjen e popujve të tjerë, na tregon se ai ishte i mirëinformuar dhe kishte njohuri mbi historinë e tyre. Por, duke qenë se pellazgët përmenden gjerësisht në veprat e Homerit si Iliada dhe Odiseja, është e qartë që informacionet e para ai mund t’i ketë nxjerrë edhe prej tyre.

Kështu Homeri tek Iliada na i nxjerr pellazgët si aleatë të ngushtë të Trojës. Në Këngën e dytë të Iliadës, vargjet 840-843, ai i përmend pellazgët të cilët jetonin në qytetet ndërmjet Elespontit dhe Trakës ose quajtur ndryshe në krahinën e Larisës, banorët e të cilës sipas tij janë të njohur në luftimet detare. Madje Homeri na përmend edhe emrat e udhëheqësve të tyre si Ipoti e Pileu, djemë të Leutho Teutamidit.
(Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë; Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë I, Tiranë 1965, UT, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, fq. 9)

Ndryshe nga Iliada, tek Odiseja, Kënga e XVII, vargjet 175-177, Homeri i nxjerr pellazgët në Kretë, bashkë me dy popujt të tjerë Akejt dhe Dorët. Por duke iu rikthyer edhe njëherë Këngës së II, vargjeve 681-684 dhe Këngës së XVI, vargjeve 233-235 tek Iliada, Homeri epitetin pellazg/pellazgjike ia atribuon një krahine të tërë të quajtur Argo në pjesën meridionale (veriore) të Thesalisë dhe të tempujve të Zeusit dhe Dodonës. Po ashtu në këngën e X, vargjet 430, ai i quan pellazgët “hyjnorë”.
(Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë; Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë I, Tiranë 1965, UT, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, fq. 9)

Vetëm duke iu referuar Homerit në të dy veprat e tij mund të arrijmë në një konluzion thelbësor, sipas të cilit, vetë fakti që Homeri i përmend pellazgët ose epitetin pellazgjik në hapësira kaq të mëdha gjeografike, na tregon se ata kishin qenë shtrirë dhe kishin banuar në të gjitha këto hapësira, ose ishin bashkuar me popullsitë helene të cilat më pas i kishin asimiluar. Përhapja e tyre, duke iu referuar poemave, na tregon hapësirat dhe qytetet në të cilat ata jetonin, por që Homeri nuk na jep të dhëna nëse në këto qytete apo krahina kishte më pellazgë apo jo.

Duke iu rikthyer edhe njëherë Sami Frashërit po ndalem pak tek ndarjet që kishin pellazgët, mbase kjo na jep më qartë dhe na argumenton më shumë atë që thotë Homeri tek veprat e tij. Kështu sipas S. Frashërit, “pellazgët apo shqiptarët e lashtë”, ishin të ndarë në katër degë: 1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme , në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci. 2. Maqedonasit; banonin në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin Karasu dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit. 3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub. 4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas. (Shiko Sami Frashëri, Vepra 9, Personalitetet shqiptare në Kamus Al-A’lam, Shkup, LOGOS-A, 1994, fq.9-10)

Sipas tij dy popujt e parë ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin, pra ilirët me maqedonasit, si në gjuhë ashtu dhe në zakone. Për të argumentuar afërsinë e këtyre dy popujve ai thotë: “Veçanërisht Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke, që është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë se është fjalë shqipe “bukë” (turq. ekmek) që përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Edhe Straboni që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë “plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja” dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i quajnë “plakonja”.”
(Shiko Sami Frashëri, Vepra 9, Personalitetet shqiptare ne Kamus Al-A’lam, Shkup, LOGOS-A, 1994, fq.10)

Dhe së fundi ai arrin në po atë përfundim që arritëm pak më sipër duke iu referuar Homerit dhe veprave të tij se: “Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t’i zmadhoj gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Triestia deri në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme (në kohën e Samiut)”.
(Shiko Sami Frashëri, Vepra 9, Personalitetet shqiptare ne Kamus Al-A’lam, Shkup, LOGOS-A, 1994, fq.10-11)

Pothuajse disa dekada më herët se Sami Frashëri, në rrugën e gjetjes së rrënjeve të populit shqiptarë sa më thellë në histori, është edhe Vicenso Dorsa, i cili në 1847 në Napoli botoi librin: “Su gli Albanesi – ricerche e pensieri”, ku që në “Proemion” (Parathënien) e librit deklaron se nëpërmjet këtij studimi kërkonte të jeptë të dhëna për popullin e tij, që ishte një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit dhe pasardhës i pëllazgëve të vjetër.
(Vicenso Dorsa, Su gli Albanesi – ricerche e pensieri, Napoli, 1847, Tipografia Trani, fq. 5-7)

Në fillim të shekullit XX, edhe Kostandin Cekrezi në librin e tij “Albania past end present” të botuar në Nju Jork, 1919, (The Macmillan Company), në hyrje të librit citon Strabonin nëpërmjet Hahnit, duke thënë se shqiptarët sipas (Hahnit) janë një ndër popujt më të vjetër në Evropën Juglindore, pasardhës të pellazgëve.
(K. Cekrezi, Albania past and present, New York, 1919, Macmillan Company, fq. 3-4)

I po të njëjtës periudhë është edhe Mehmet Konica i cili në librin e tij “The Albanian Question”, botuar në 1918, në faqen e katërt kur flet për historinë e popullit shqiptar, thotë se sipas autorëve klasikë dhe paraardhësve tanë banorët e parë të gadishullit nuk ishin grekë. Grekët në fakt I quanin ata “barbarë”; ku fiset më të mëdha të tyre ishin Maqedonasit, Ilirët dhe Epiriotët. Duke iu referuar Strabonit ai thotë se të tre këta popuj flisnin po të njëjtën gjuhë dhe kishin zakonë të përafërta. Mehmet Konica I referohet gjithashtu faktit se Maqedonia gjatë periudhës në fjalë njihej me emërtimin “Emathia”, që sipas tij vjen nga gjuha shqipe, “E madhja”.
(Mehmet Konica, The Albanian Question, 1918, fq. 4)

Duke dashur të kemi edhe më shumë të dhëna mbi pellazgët po i referohem gjitashtu edhe Strabonit dhe Hesiodit; sipas Hesiodit tek poema Carmina, fragmentet 134 (156) ku mbështetur mbi poemat homerike ai e përmend Dodonës si qendër pelazgjike.

Të njëjtën gjë e përmend edhe Straboni tek vepra e tij Gjeografia, Libri V, dhe në vecanti ai shton se në Argos, pellagët ishin zotër dhe se sipas tij vetë Homeri, Zeusin e Dodonës e quante pellazgjik.

(Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë,; Hesiodi, fq. 14; Straboni, fq. 150-152)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat