Çfarë ka ndodhur më 1 janar?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 1 janar?

Më: 1 janar 2018 Në ora: 09:59
Ilustrim

45 pes – Kalendari Julian fillon të përdoret për herë të parë – i paraqitur nga Jul Cezari, u bë kalendari mbizotërues në shumicën e Evropës, dhe në vendbanimet evropiane në Amerikë e gjetkë, deri më 1582 me krijimin e kalendarit Gregorian (propozuar nga Papa Gregori i XIII). Dallimi në gjatësinë e vitit në mes dy kalendarëve është 0.002 %. Kalendari Julian ka një vit të rregullt me 365 ditë të ndara në 12 muaj. Dhe një ditë e brishtë i shtohej në muajin shkurt çdo katër vjet, për të matur vitin tropikal (diellor). Edhe pse astronomët e lashtë e kishin ditur se viti tropikal ishte disa minuta më i shkurtër se sa 365, 25 ditë, Kalendari Julian nuk e bënte këtë korrigjim. Si rezultat, viti kalendarik fitonte rreth tre ditë çdo katër shekuj, në krahasim me kohët e vëzhguara me eklipset dhe stinët. Kjo mospërputhje u korrigjua në kalendarin e reformuar Gregorian në vitin 1582. Kalendari Gregorian ka të njëjtët muaj dhe gjatësi muajsh të kalendarit Julian, por fut ditët e brishta në bazë të një rregulli tjetër. Si pasojë, kalendari Julian është 13 ditë pas kalendarit Gregorian; për shembull, 1 janar në Kalendarin Julian është 14 Janar në atë Gregorian. Kalendari Gregorian, i quajtur edhe Kalendari Perëndimor ose Kalendari i Krishterë, është ndërkombëtarisht i pranuar dhe i njohur nga institucionet të tilla si Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Postar Universal. Në fund të viteve 1930 edhe Turqia që kishte hyrë në udhën e modernizimi, hoqi dorë nga kalendari Julian dhe filloi të perdorë kalendarin Gregorian; kjo është edhe arsyeja që shpesh, mes disa njerëzve, Kalendari Julian quhet “alla-turka” dhe ai Gregorian “alla-franga”.

1773 – Himni i krishterë “Amazing Grace”, bazuar në “1 Chronicles 17:16-17” u përdor për herë të parë për të shoqëruar një predikim të udhëhequr nga pastori John Newton në qytetin Olney, Angli. Historianët thonë se “Amazing Grace” është autobiografi shpirtërore në vargje e Xhon Njutonit. Ai u rrit pa prirje të veçanta fetare dhe u përfshi në tregtinë e skllevërve nëpër Atlantik. Në vitin 1748 një stuhi goditi anijen e tij aq rëndë saqë Xhon iu lut Perëndisë për mëshirë, dhe shpëtoi. Pas kësaj ai shkroi vargjet Amazing Grace, sot himni më i kënduar mes besimtarëve të krishterë.

1804 – Pas humbjes së luftës koloniale, Franca heq dorë nga Haiti. Kështu, Haiti bëhet republika e parë zezake dhe vendi i dytë i pavarur në Amerikë, pas Shteteve të Bashkuara.

1939 – Shkrimtari dhe gazetari i njohur i Nju Jork Tajmsit, Cyrus Leo Sulzberger, i cili ishte i ftuar në darkën e shtruar nga mbreti Zog në pallatin mbretëror në Tiranë me rastin e vitit të ri, më pas shkroi në librin e tij “A Long Row of Candles” se ndërsa u largua nga festimet në orët e para të mëngjesit, “njerëzit vazhdonin të hanin e pinin; shampanja rridhte si ujë; mishra të pjekur, pula, pata të majme, sallatra, akullore, gllabëroheshin nën abazhurë e qirinj të ndezur – dhe të gjitha këto në një vend të uritur”. Historianët thonë se festime të tilla ekstravagante dhe shpenzime të shfrenuara do të cilësoheshin nga Italia huadhënëse si të pa jusifikueshme, që me pas do t’i shfrytëzonte për qëllimet e veta.

1947 – Akti kanadez i shtetësisë hyn në fuqi, me konvertimin e nënshtetasve britanikë në shtetas kanadezë. Kryeministri William Lyon Mackenzie King bëhet shtetasi i parë kanadez.

1971 – Ndalohen transmetimet e reklamave të cigareve në televizionin amerikan.

1999 – Monedha Euro fillon të përdoret në 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian (me përjashtim të Britanisë, Danimarkës, Greqisë dhe Suedisë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat