Rrëzimi i bustit të diktatorit, Agolli: Kush futi sheqer të helmuar tek studentët grevistë

Historia

Rrëzimi i bustit të diktatorit, Agolli: Kush futi sheqer të helmuar tek studentët grevistë

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 12:52
Ilustrim

Pasditen e 20 shkurtit 1991, pak orë pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, ndërsa në Qytetin Studenti vijonte greva e urisë, në godinën e Presidiumit, Ramiz Alia kishte thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme përfaqësuesit e partive dhe organizatave dhe kryeministrin Adil Çarçani, për tu kërkuar,të dilnin e të qetësonin njerëzit ose ai (Ramiz Alia, si kryetar i Presidiumit) do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.

Procesverbalin e kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme e me një vlerë të rrallë historike, Shqiptarja.com e zbardh sipas origjinalit dhe e publikon për herë të parë për lexuesit e saj.

Procesverbali është mbajtur me shkrim dore, e më tej një pjesë e tij është hedhur edhe me makinë shkrimi.

Por versioni i plotë i diskutimeve të kësaj mbledhjeje është ai mbajtur në procesverbalin me shkrim dore, të cilit edhe i jemi referuar.

Mbledhja rezulton të jetë mbajtur rreth orët 15:00, ndërsa diskutimet kanë qenë që në fillim me një gjuhë mjaft të ashpër.

Ramiz Alia si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ka hedhur që në fillim të mbledhjes kërcënimin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke thënë hapur se “në situata të jashtëzakonshme do të qëllojmë në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Me interes janë reagimit dhe diskutimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje duke nisur nga Sabri Godo e Sali Berisha, tek Dritëro Agolli, Marash Hajati, Adil Çarcani, etj.

Ndërsa të gjithë, pothuajse e kundërshtojnë Ramiz Alinë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila do të nxiste më tej gjakderdhjen, në diskutimet e secilit prej pjesëmarrësve zbulohen detaje me shumë interes e që hedhin dritë mbi shumë lëvizje e ndërmarrje të mëvonshme politike.

Diskutimet e gjata të kësaj mbledhje do ti botojmë ekskluzivisht në tre numra të gazetës Shqiptarja.com, duke nisur nga numri i sotëm, zbardhur të plota sipas procesverbalit që ruhet në AQSH.  

Procesverbal i mbajtur më 20.II.1991 në mbledhjen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të PP-së, PD-së e PR-së dhe të organizatave FDSH, BRPSH, BGSH, Bashkimi i gazetarëve. Mbledhja kryesohet nga Kryetari i PKP, Ramiz Alia. Merr pjesë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani.

Ramiz Alia: Ju thirra sot të bisedonim bashkë. Situata është shumë e keqe dhe dëshiroj të them një herë që në fillim që dy ditë me radhë bëra përpjekje në kuptimin demokratik të fjalës me Partinë Demokratike dhe me PR-në për të mos shkuar në këto situata.

Siç duket shokët nuk ia vunë veshin kësaj gjëje, veçanërisht shokët e PD-së, të cilët e çuan tani gjendjen në pikën delikate. Unë kam dy gjëra: e para, unë do të vendos menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme dhe për këtë do të shpall mobilizimin sepse vandalizmat dhe gjërat më armiqësore që mund t’i bëheshin këtij populli nuk mund të tolerohen dhe nuk do të tolerohen. Këtë ta kemi të qartë.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet mjet për të vendosur rregull, ashtu siç mund të bëhet shkas për të derdhur gjak.

Siç duket njerëz për të pirë gjak kanë nevojë. Ky është një skenar i përpunuar, dhe ata që e kanë përpunuar këtë skenar ne do t’i gjejmë. Kjo duhet të jetë e qartë që në situata të jashtëzakonshme do të qëllojmë në mënyrë të jashtëzakonshme.

Në këto situata kërkoj nga ju vetëm një gjë, kërkoj që t’i bëni thirrje popullit të qetësohet e të rrijë brenda nëpër shtëpi dhe brenda në qendra pune, ndryshe po doli në rrugë do të fillojë gjakderdhja.

Këtë po jua them në mënyrë kategorike. Rreth kësaj çështjeje desha ndonjë mendim nga ju, tjetër nuk kam asgjë për të diskutuar më tej.

Sabri Godo: Shoku Ramiz ju nuk na latë shteg. Na falni, po ju e keni vendosur atë që do të bëni tani.

Ramiz Alia: Nuk ju lashë shteg se nuk më latë ju shteg.

Sabri Godo: Kërkoni dhe mendimin tonë. Një herë ne, unë nuk besoj se përfshihemi në këtë se jemi munduar të bashkëpunojmë sinqerisht dhe nuk besoj t’ju ketë rezultuar ndonjë dredhi a ndonjë hile nga ana jonë.

Ramiz Alia: Jo, nuk e them dot.

Sabri Godo: Tani na lini të diskutojmë këtë çështje meqenëse na kini thirrur këtu. Një mendim më shumë nuk bën keq.

Ramiz Alia: Dakord.

Sabri Godo: Përpara se të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme dhe ta vëmë këtë vend në presë të briskut le të kërkojmë një çikë më qetë a ka ndonjë rrugëdalje tjetër apo jo. Ne disa propozime jua kemi bërë.

Kjo gjendje e krijuar kërkon edhe masa të posaçme dhe unë kthehem edhe një herë tek ajo që kam folur e kam shkruar, që ju të krijoni një këshill presidencial, të krijoni dhe një qeveri pune, t’i drejtoni një mesazh kombit që ajo thirrja jonë të mos jehojë në boshllëk.

Domethënë të bëhet diçka që populli të shikojë me të vërtetë që gjërat po ndryshojnë dhe se ndjehet përgjegjësia e të gjithëve lidhur me këtë situatë. Po kështu vetëm thirrje që të rrijë populli në shtëpi unë besoj që këtë nuk ka për ta dëgjuar asnjëri edhe sikur ta bënim ne, se njerëzit tashmë kanë dalë në rrugë, shoku Ramiz.

Ramiz Alia: Po duhet t’i çojmë në shtëpi?

Sabri Godo: Duhet t’i çojmë në shtëpi po kemi të bëjmë këtu me një popull të tërë, nuk është puna tani më vetëm me 800 studentë. Ky është mendimi im. Kohë mbetet shumë pak.

Dritëro Agolli: Unë kam mendimin që gjendja e jashtëzakonshme nuk duhet të shpallet. Unë them që duhen marrë masat më maksimale për të mos arritur deri këtu. Kjo do ta acaronte shumë popullin, gjithashtu edhe gjendjen ndërkombëtare.

Ramiz Alia: S’ka gjendje ndërkombëtare këtu. Shikoni gjendjen kombëtare. Ndërkombëtarja ka ikur.

Dritëro Agolli: Unë them që duhet medoemos të kalohet kjo ditë që është e acaruar. Të hiqen studentët, të shpëtohen. T’i hiqet emri “Enver Hoxha” Universitetit, t’i hiqen monumentet, të dëgjohet zëri i njerëzve, të dalin studentët me një fjalë që andej nga greva. Është edhe një propozim që nuk e kam fare timin, të dalë familja me deklaratë, të thotë se për hir të shpëtimit kombëtar bëhen këto gjëra.

Më vonë historia do ta studiojë, bile të thuhet në këtë deklaratë që do të gjykohet, do të studiohet. Kriza që jetojmë është edhe përgjegjësia historike e tij, të thuhet në deklaratë. Domethënë të bëhet një diçka e tillë që të qetësohet populli.

Të krijohet ose një komitet i shpëtimit kombëtar ose nga gjithë partitë, një këshill presidencial e ç’janë këto të që të dilet nga kjo gjendje. Kurse gjendja e jashtëzakonshme vihet pasi të kenë kaluar të gjitha këto. Kështu mendoj.

Ramiz Alia: Pasi të jetë varrosur çdo gjë.

Dritëro Agolli: Nuk ma merr mendja mua. Qetësohet populli po të bëhet kjo. Të bëjmë një provë ne, në dorë e kemi. Pse të shpejtojmë.

Ramiz Alia: Provat i bëmë, ti nuk ishe Dritëro. Dy net me radhë deri në orën një kemi ndenjur.

Dritëro Agolli: Po mirë, të bëhet një provë më konkrete.

Ramiz Alia: Dhe treguam vullnet shumë, shumë të mirë, bile, po të ishe ti të dëgjoje fjalët e ëmbla që kam dëgjuar unë, sot do të ndërhynin forcat demokratike për të vendosur rregull, për të ndaluar dhe në fakt ndodhi e kundërta.

Dritëro Agolli: Ja, studentëve atje u kanë dhënë sheqer me helm.

Zë: Kush?

Ramiz Alia: Partia Demokratike.

Dritëro Agolli: Nuk e di se nga ka ardhur.

Zë: Sheqer me helm?

Ramiz Alia: Po. Erdhi tek unë ai djali me gjithë sheqerin me helm.

Dritëro Agolli: Kështu që ka lloj-lloj provokatorësh.

Sali Berisha: Dua një herë në radhë të parë të distancohem nga deklarata që Partia Demokratike ka helmuar studentët. PD nuk është një parti terroristësh. PD ka një program të qartë demokratik dhe cilido që ndërmerr veprime të tilla çnjerëzore në emër të PD-së, ai është pak të them një armik i saj, por nuk ka asgjë të përbashkët me PD-në.

Së dyti, desha të theksoj se ngjarjet që po zhvillohen tregojnë se ky vend drejtohet nga struktura politike, të cilat praktikisht janë në gjendje të kontrollojnë situatën si duhet.

Unë prapë dua të ritheksoj këtu se në dt takimet që kemi bërë me Kryetarin e PKP, shokun Ramiz, ne kemi insistuar për të dhënë kontributin tonë, ose ndihmesën tonë maksimale për zgjidhjen e problemit të krizës së studentëve, por ne kemi deklaruar dhe deklarojmë edhe këtu përpara jush: greva e urisë nuk është iniciuar prej nesh dhe nuk kontrollohet nga PD-ja. Mund të them këtu se pasi jam larguar nga kryetari…

Ramiz Alia: Kjo nuk është më e vërtetë dhe mbrëmë doli fare e vërtetë, sekretari i PD-së, Eduard Selami e deklaroi hapur që ne e kemi organizuar, e kemi rregulluar, kemi qenë dhe e kemi mbështetur këtë grevë.

Adil Çarçani: Edhe Gramoz Pashko e deklaroi.

Sali Berisha: Më falni, unë jua jap me përgjegjësi absolute që ne grevën e urisë nuk e kemi organizuar. Për sa i përket Gramoz Pashkos dhe Ed Selamit, deklaratat e tyre janë se ne e mbështesim grevën e studentëve, por jo se ne e kemi organizuar. Mbështetja e një dukurie me organizimin e saj…

Adil Çarçani: Kjo është lojë fjalësh.

Sali Berisha: Jo nuk është lojë fjalësh kjo, shoku Adil.

Adil Çarçani: Lojë fjalësh është: e mbështesim, po nuk e kemi organizuar.

Sali Berisha: Jo, ne nuk e kemi organizuar grevën dhe e deklarojmë këtu përpara të gjithë juve që ne nuk jemi organizatorët e grevës. Përkundrazi, ne kemi punuar tri ditë rresht me të gjitha forcat tona që të mos ndodhë greva e urisë.

Adil Çarçani: Pse e mbështesni?

Sali Berisha: Mbështesim kërkesën e studentëve se na duket absolutisht e drejtë. Që ta dinë forcat e tjera politike këtu, kur vendosën ne kemi ndërhyrë me gjithë forcën që t’i kërkojmë një referendum qeverisë, e cila t’u japë mundësi të shpreheni dhe këtë referendum do ta keni me 75%, jo me 50% siç janë referendumet, për heqjen ose jo të emrit “Enver Hoxha” Universitetit të Tiranës.

Qeveria e mori këtë kërkesë të studentëve dhe nuk e mori për bazë. Ktheni një përgjigje, studentët u futën në grevën e urisë. Mbasi u futën në grevën e urisë ne dy net rresht nga 4 orë në takim te shoku Ramiz jemi përpjekur të gjejmë një zgjidhje të këtij problemi dhe mbrëmë në orën një të natës pranuam një formulë, të cilën, duke deklaruar që studentët nuk pyesin për ne, po të paktën t’ua çojmë.

Mund të kem qenë unë një nga ata që studentët e nxorën. Ka qenë dhe Skënder Gjinushi aty dhe e pa që studentët absolutisht nuk donin të na dëgjonin. Dhe ne e deklaruam që studentët nuk i kontrollojmë dot.

Por ama, përsëri ne e kemi theksuar dhe e theksojmë se heqja e emrit të Universitetit “Enver Hoxha” nuk duhet të lërë shkas për turbullira të mëdha. Çfarë është kjo gjendje tani. Kjo gjendje është shprehje e madhe e pakënaqësisë së njerëzve.

Ramiz Alia: Kush e organizoi këtë?

Sali Berisha: Jo, ne nuk e kemi organizuar.

Ramiz Alia: Çfarë mendon ti që kjo është spontane?

Sali Berisha: Kjo e sotmja? A, më vjen keq.

Ramiz Alia: Anëtarët e kryesisë suaj bashkë me njerëzit kanë qenë.

Sali Berisha: Më falni, të jesh me njerëzit është njëra anë.

Ramiz Alia: Të jesh me njerëzit është të inkurajosh këtë veprim.

Sali Berisha: Atje kam parë qindra e qindra anëtarë partie dhe personalitete të shkencës e të kulturës.

Ramiz Alia: Jo, jo.

Sali Berisha: Po shoku Ramiz, edhe sot ka pedagogë e profesorë të Universitetit, personalitete nga më të ndryshmet që nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në. Kanë qenë sot në Qytetin e Studentëve. Dhe kjo nuk është absolutisht e organizuar. Por ne duke punuar në ambiente të kontrolluara, mund të gjendet fare mirë se çfarë është thënë sot në mbledhjen tonë në selinë e PD-së. Kemi çuar prapë njerëzit sot që të hyjnë te studentët në mënyrë që të punojnë përsëri për variantin që u paraqiti mbrëmë atyre Skënder Gjinushi.

Kështu që nuk mendoj se gjendja zgjidhet nëpërmjet akuzave të pabazuara, por zgjidhet nëpërmjet urtësisë dhe rrugëdaljeve të cilat shuajnë ose fashojnë në njëfarë mënyre pakënaqësinë e masave punonjëse që është krijuar si rezultat i gabimeve ose i një serie situatash të gabuara. Unë shpreh shqetësimin tim maksimal lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme dhe si PD nuk jam absolutisht dakord që kjo gjendje të shpallet.

Kjo do ta çojë vendin drejt një katastrofe dhe shpreh bindjen time të plotë se kjo gjendje, jo që nuk do ta zgjidhë problemin, dhe nuk do ta qetësojë, por, përkundrazi, do të krijojë një acarim akoma më të madh me pasoja akoma më të rënda për kombin.

 

Gjendje të jashtëzakonshme ky popull nga koha e luftës e deri më sot nuk ka kaluar, populli po ecën drejt demokracisë dhe unë mendoj…

Ramiz Alia: Kjo nuk është demokraci, ky është fashizëm. Kjo që u bë sot është fashizëm, fashizëm i gjallë dhe organizatorët e mbështetësit e kësaj janë tamam veprimtarë fashistë, fashistoidë. Si është kështu?

Adil Çarçani: Bërtisnin “duam gjak”.

Sali Berisha: Ata që thonë “duam gjak” ata janë forca ekstremiste të errëta me të cilat asnjë parti…

Adil Çarçani: Ata janë fashistë.

Sali Berisha: Janë fashistë, jam plotësisht dakord, nuk kam asnjë kundërshtim për ata që duan gjak dhe sa herë ka dalë problemi i gjakut është e qartë dhe ju të gjithë e dini mirë se ç’qëndrim ka mbajtur PD-ja.

Kështu që unë mendoj që gjendja e jashtëzakonshme jo vetëm që nuk e zgjidh, por e ndërlikon edhe më tej situatën dhe dramën të cilën po e zhyt, e thellon edhe më shumë dramën e këtij populli të shumëvuajtur dhe me shumë halle.

Prandaj këtu duhet gjetur mënyra e një qeverisjeje efikase e cila në asnjë rrethanë nuk mund të pranohet si gjendje e jashtëzakonshme për të çuar drejt zgjedhjeve.

Forcat politike, partitë politike dhe të gjithë, dhe personalitetet duhet të mobilizohen që të qetësojnë situatën.

Në mënyrë të përsëritur unë ua kam thënë përfaqësuesve të PPSH-së. Ju lutem hiqeni “bllokun”, se është objekt sulmi. Pse nuk i analizojmë ne këto?

Adil Çarçani: Këto janë pretekste.

Sali Berisha: Janë pretekste, por që kanë krijuar një pakënaqësi shumë të madhe popullore prandaj edhe ne më mirë t’i marrim masat që i themi se sa të kalojmë…

Lumturi Rexha: Ju i frymëzuat këto.

Sali Berisha: Jo ne nuk jemi frymëzues ti shoqe, ne jemi Parti Demokratike, jemi të inspiruar nga parime demokratike dhe jo nga gjendje të jashtëzakonshme e nga turbullira. Asnjëherë, në asnjë rrethanë partia jonë nuk frymëzohet nga këto gjëra. Sidoqoftë, ne, duke shprehur mosaprovimin tonë, edhe një herë ju bëjmë thirrje juve si Kryetar i PKP dhe i Presidiumit që përpara se të marrë këtë masë të marrë një seri masash të tjera, të cilat mund të qetësojnë gjendjen.

Nuk më duket mua se për kultin e Enver Hoxhës duhet të shkojmë në tragjedi kombëtare se edhe në takimin me ju shoku Ramiz e theksuam që emri i Universitetit, greva e mirë ishte një gjënë e madhe kombëtare që hera e parë që po e jeton Shqipëria një grevë të atillë. Aty shkonin njerëzit e derdhnin lot dhe krijonte një irritim, një sensibilitet të jashtëzakonshëm.

Kështu që unë përsëri jam që Universitetit t’i hiqet emri, të rivlerësohet edhe figura dhe të shmangim dramën kombëtare.

Nuk më mbushet mendja, sepse çdo hap që të ndërmerret, duke pasur pretekst figurën e tij, është një hap që ndërmerret për të mbrojtur partia në pushtet pushtetin e vet, çka e cila, në kohën e pluralizmit nuk më duket e ligjshme.

Lumturi Hoxha: Një pyetje kam shoku Ramiz.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat