Edhe varrezat “flasin” shqip!

Historia

Edhe varrezat “flasin” shqip!

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 14:22
Varrezat

“Nuk dihet me saktësi se sa të vjetër janë gurët e varreve këtu, por hamendësohet se datojnë nga fillimi i shekullit të njëzetë, apo nga gjysma e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Motivet e artit popullor në gurët e varreve, kuptohet, janë shumë më të vjetra”, shkruan Elsie.

Albanologu Robert Elsie, në rrjetin e tij social, i ka kushtuar një artikull të veçantë varreve të vjetra shqiptare. Ai vë në dukje faktin se shqiptarët në fakt, nuk kanë ndonjë kulturë të zhvilluar për varrezat. Por megjithatë, varret e vjetra, që kanë mundur ti shpëtojnë shekujve, pasqyrojnë një tjetër të kulturës, traditës dhe historisë sonë.

“Shqiptarët nuk kanë një kulturë të zhvilluar të varreve. Madje shumë të rralla janë varret origjinale të mbetura në Shqipëri nga koha para Luftës së Dytë Botërore. Arsyet kryesore për këtë mungesë janë niveli i lartë i shkatërrimit dhe vetë-shkatërrimit që ka kapluar trevat shqiptare në shekuj, si dhe kalimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame gjatë kohës osmane.

Megjithëse kalimi fetar ka qenë më shumë formal se sa nga ndjenja e zjarrtë, dhe besimi fetar – qoftë mysliman, qoftë i krishterë – kurrë nuk ka qenë i fortë në Shqipëri, shqiptarët myslimanë përgjithësisht i kanë respektuar zakonet islame të varrimit. Kjo do të thotë se të vdekurit varrosen shpejt, mundësisht brenda24 orësh, dhe se varri shënohet vetëm me një tog dhéu ose me një gur të pagdhendur dhe anonim, sepse tradita islamike përgjithësisht i ka shkurajuar gurët e mëdhenj të varreve”, shkruan Elsie. Pavarësisht kësaj, ai sjell një varrezë shqiptare, që të habit.

“Shqiptarët katolikë dhe ortodoksë kanë varre më të përpunuara, tradicionalisht me kryqe dhe simbole të tjera të krishtere. Në varrezat katolike të malësisë së veriut gjenden edhe sot gurë varri dhe kryqe druri të zbukuruara me simbolet e artit popullor shqiptar – dielli, hëna, yje, zogj dhe gjarpërinj. Tek-tuk mbi kryqe mund të shihen edhe zogj të gdhendur në dru. Megjithatë, varre të tilla tradicionale, që hasen ende në Shalë, Kelmend, Hot, Grudë dhe Triepsh, tani janë mjaft të rralla. Një përjashtim i habitshëm janë varrezat katolike të Vuksanlekajt (serbisht: Vuksanleki?i) në Malin e Zi. Fshati Vuksanlekaj ndodhet në rrugën kryesore mes Podgoricës dhe Shkodrës, në tokën e fisit shqiptar të Hotit. Pas pushtimit ushtarak malazez, Hoti mbeti i ndarë (që nga viti 1913) mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, dhe Vuksanlekaj mbeti në anën e Malit të Zi.Varrezat e Vuksanlekajt janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe, siç duket unikale, e artit popullor shqiptar në trevat e Veriut.

Nuk dihet me saktësi se sa të vjetër janë gurët e varreve këtu, por hamendësohet se datojnë nga fillimi i shekullit të njëzetë, apo nga gjysma e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Motivet e artit popullor në gurët e varreve, kuptohet, janë shumë më të vjetra”, shkruan Elsie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat