30 orët e arratisë së Havzi Nelës nga internimi dhe plagosja e policit prej tij

Historia

30 orët e arratisë së Havzi Nelës nga internimi dhe plagosja e policit prej tij

Nga: Rexhep Shahu Më: 19 shtator 2017 Në ora: 06:19
Havzi Nela

Pas 19 vitesh burg, pas daljes nga burgu dhe endjes poshte e lart, i papranuar askund e pothuaj prej askujt, vec nënës, i panjohur pothuaj nga të gjithë në famije e fis, rreth 20 vjet mungesë nuk janë pak, pas refuzimit të të gjithëve, familjarë, fis e farë, fshatarë të tij e të fshatrave përrreth, për ta patur në kujdes e nën mbykqyrje, për të njoftuar për të në ndonjë rast nëse ai mund të arratisej, ai pranon po thuaj me deshirë të shkojë në internim. Vendi i tij iu bë i huaj dhe pothuaj gjithë njerzit i mbetën të huaj, të largët. Për njerzit mbeti i panjohur. Kishte munguar 20 vjte e për 5-6 muaj pas daljes nga burgu nuk mund të hynte në gjirin e zemrat e tyre. Pastaj të gjithë ishin mësuar se ai është armik, 20 vjet armik dhe vështirë të bëhej mik për pak muaj. A ishte apo jo ai mësuesi i dashur i atyre njerzve, këngetari i dashur i të gjithëve, njeriu që dikur kishin dëshirë ta dëgjonin të gjithë. 

20 vjeçarët ishin bërë 20 vjeç pa praninë e tij, ishin bërë 20 vjeç pa e njohur atë, ishin bërë 20 vjeç të dënuar në një farë mënyre me biografi të keqe prej tij. Jo se iu fik ylli ndonjë talenti të madh nga fisi i tij për shkak të Hvziut, për shkak se ai ua kishte prishë biografinë, por biografia e keqe ishte pengesë e madhe për çdo gjë. Ishte pengesë edhe për të bërë martesat që donin sepse ata me biografi të keqe refuzoheshin.
Të shkonte në internim, të paktën do t’i shpëtonte kësaj përbuzje si armik, si burgaxhi, si kriminel, do ti shpëtonte kësaj shpërfillje e vetmie. Atje, si në burg, mund të gjente njerez që mund të bisedonin me të, njerez që nuk kishin kaq frikë me folë me të sa këtu në fshat.

Rreth 8 muaj u end pas daljes nga burgu (doli nga burgu më 19 dhjetor 1986 dhe u internua me 26 shtator 1986, në bazë të Dekretit të Kuvendit Popullor të 15 shtatorit 1986) dhe ndoshta ëshët periudha më shkatërruese për të, më dëshpëruese e delizionuese. Gruaja që e kishte dashtë aq shumë dhe që i kishte kënduar aq shumë, të cilën nuk kishte pranuar ta linte në Shqipëri por e mori me vete duke rrezikuar dyfish kur u arratis për në Jugosllavi, refuzoi të bashkohej me të dhe kjo ishte dhimbja me shkatërruese për Havziun, ishte goditja më e rëndë. 
Përshtatja në përbuzje e linçim ishte pothuaj e pamundur për Havzi Nelën. 
Ata që e kishin urryer vazhdonin ta urrenin dhe nuk ngopeshin me urrejtje ndaj tij. 
Por goditja në themër për të ishte refuzimi i gruas së tij për tu bashkuar me të. Ajo e kishte divorcuar ligjërisht Havziun pasi ajo doli nga burgu, por ai i thotë asaj ti harrojmë të gjitha vetëm të bashkohemi. Ajo nuk pranoi dhe kjo e rrezoi përtokë moralisht Havzi Nelën e vetmuar të cilit i largoheshin e shmangeshin të gjithë.

Në Arrën fillimisht u përshtat se pati me kë me e çelë gojën. Ishte më punëtori, më i sjellshmi, më i fuqishmi nga punëtorët. Lutfi Shahu shofer i skodës që punonte në Arrën, që transportonte punëtorët nga sektori në mal ku çeleshin rrugët e shfrytëzimit pyjor, e përshkruan Havzi Nelën si njeriun më punëtor, më të ndershëm. Ishte i vetmi që lante edhe lopatën e kazmën dhe pastaj hipte në makinë. Ishte një njeri me kujdes të madh për pastërtinë e vet. 
E çmonin pothuaj gjithë punëtorët thotë Lutfiu se Havziu u tregonte histori nga librat, ishte i vetmi që lexonte. Havziu knaqej kur gjente edhe ndonjë copë gazete që ta lexonte. Lutfiu tregon se Havziut nuk i delte buka, nuk i mjaftonte bukë me çaj, nuk e mbante ajo bukë e ai ushqim, ishte njeri i fuqishëm. Ndodhte që kur e qerasja me ndonjë burofresk Havziu knaqej dhe nuk pushonte duke me falenderuar, tregon Lutfiu. 
Kur bëja ilegalisht punë private natën për ndonjë fshatar me skodë, tregon Lutfiu, i tregoja Havziut se punova mbrëmë natën fshehtas e fitova 3 mijë lekë. Ti je kapitalisti i vogël, i thoshte Havziu, kapitalisti i ardhshëm. 
Lutfiu tregon se Havziu i ishte betuar se një ditë ikte, do të flsite në BBC kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Ose do të dal te BBC ose do të vras vetën, nuk kam rrugë tjetër, ia përsëriste shpesh Lutfiut.

Havziu shpejt kuptoi se internimi e iziolimi në Arrën ishte më ferr se ferri dhe burgu i dukej lule tashmë. E survejonin ngado, e provokonin pafund. Vuante për të ngrënë, ai ishte i fuqishëm, donte ushqim. Nuk e survejonte vetëm operativi legal, por ato “operativat” ilegalë, ata ia nxinin jetën më keq se ata ishin aty në sektor gjithë kohën. “Operativat” gjithmonë kanë pasë të drejtë me shpifë, sidomos kundër njerzve si Havzi Nela dhe gjithmonë shteti ata do të besonte e jo armiqtë e tij të paracaktuar, të cilët edhe kur kishin të drejtë nuk kishin të drejtë.
Për pak muaj u bë e paduruar të rrinte në Arrën. Ish kanë lule burgu, i ka thënë ndokujt.
Kështu e mund dëshpërimi, fillon e bie Havziu, ai njeri që kishte qenë i pamposhtur në burgje.
Vendos të ikë nga internimi. 
Synonte të arratisej. Donte të arratisej e të shkonte të fliste në BBC kundër sistemit kumunist. Por nëse nuk do mund të arrastisej, pasi të shihte nënën, do ta vriste veten sepse nuk shtyhej më. Nënën e kishte piken ë tij më të dobët.

Pas disa orëve të mira pushim, të hënën më 13 qershor 1988, në darkë vonë, pak para orës 23 të natës, Havzi Nela arratiset nga Arrni. E kishte menduar me kohë këtë largim dhe kishte pritë ditën që të krijoheshin rrethana lehtësuese, t’i krijohej mundësia.

Biseda me punëtorin oporativ pak ditë më parë, me 10 qershor e kishte nxitur më tepër, e kishte çliruar edhe më shumë dhe ia kishte zgjidhë këmbët. Vazhdonte urrejtja ndaj tij dhe atë e shihte në sytë e operativit, “operativave” të shumtë. Por urrejtja e të tjerëve nuk e gjunjëzonte, përbuzja po, ajo e rrëzonte për tokë. 
E kishte shpallë hapur atë që donte para përsonit më të rëndësishëm që shtëti kishte ngarkuar për havzinë. Kështu, dëshmitari Islam Guri operativ në Arrën që ndiqte Havzi Nelën, në seancë gjyqësore pohon se më datën 10 qershor, Havzi Nela i është shprehur:
"Unë nuk kam çfarë bëj, se për shpirt hakmerrem ndaj jush, por ç'të bëj se nuk mundem". Havzi nela nuk e pranon se ia ka thënë këtë gjë operativit. Por natyrisht që operativi u besua e jo Havziu. 

Por edhe pse e kundërshton këtë gjë Havziu në letrën që i drejton Gjykatës së lartë ku nuk lutet por kërkon drejtësi, besoj se i ka thënë edhe shumë më tepër gjëra operativit. Havziu që nga gjyqi i Rreshenit nuk kishte më masë, nuk luante fshehtas me sistemin, ishte kundërshtar politik i hapur, i formuar, i qartë në kundërshtimin e disidencën e tij. Nëse ai nuk ishte disident kur hyri në burg, nëse nuk ishte kundërshtar i qartë e i vetëdisjshëm sistemit politik, burgu atë e bëri disident të vërtetë, kundërshtar të kthjelltë të regjimit kuminist, trim e të drejtëpërdrejtë.

Pasditen e 13 qershorit shmanget nga puna dhe njerzit me të cilët punonte në hapjen e rrugëve të shfrytëzimit pyjor. Nuk u vu re largimi i tij. Dikush mendoi se është sëmurë dhe kërkon të pushojë, dikush mendoi se ka nevojë edhe ai të rrijë vetëm. 
E donin dhe e respektonin punëtorët me të cilët punonte. E çmonin se ishte më i dituri nga të gjithë sa ishin aty, më i sjellshmi, por dhe shumë punëtor. Ishte i vetmi nga punëtorët që lante veglat e punës, kazmën e lopatën, para se të hypnin në skodë me shkue në sektor pas punës.
Deri në darkë nuk u vu re largimi i tij.

Por kur shkuan punëtorët të hanin darkën në mencë dhe Havziu nuk u pa aty, nuk erdhi as më vonë, “kujdestarët” e tij u vunë në lëvizje. E kërkuan gjithandej. “Kujdestarët” u vonuan ta shpallnin alarmin sepse kishin frikë për vetën e tyre se do të ndëshkoheshin për mungesë vigjilence por edhe besonin se Havziu do të ishte diku rrotull, pasi ai ishte dukur shumë serioz e shumë korrekt në internim.

Në orën 11 të natës së 13 qershorit 1988, Dega e Punëve të Brendëshme të Kukësit shpalli në kërkim kriminelin Havzi Shaban Nela. Kështu njofton Hetuesinë e Rrethit Kukës nënkryetari i asaj kohe i Degës së Punëve të Brendëshme, Ali Turabiu.

Detyra e Degës së Punësve të Brendëshme, e Çetave Vullnetare të fshatrave, e pushkatarëve të fshatrave kufitare ishte të kontrolloheshin e të ruheshin të gjitha shtigjet nga mund të arratisej Havzi Nela për në Jugosllavi, të gjitha vendet e mundshme nga mund të kalonte, ku mund të strehohej, ku mund të kërkonte ndihmë për ushqim.
Pak orë para mesnatës, Havziu kishte dalë prej Arrnit, fshat në kufi me Dibrën e Mirditën dhe ecte drejt Surroit, pastaj kalon Drinin e Zi e ecen ne drejtim te Lusnës, e pastaj shpateve te Gjallices drejt Kollovozit në kufi me Kosovën. Ishin vende e udhë të pashkelura prej tij, por ai ecte. Duke zbardhë 14 qershori kalon Drinin e Zi dhe fillon ngjitjen shpateve duke u fshehë me kujdes.
Ecte me tamin se nuk dinte as rrugë e asgjë. Dinte vetëm se “do të shkonte të takonte nënën. Dhe pastaj nëse do të mundej do të arratisej për në Jugosllavi dhe do të fliste në televizion në BBC kundër diktaturës komuniste. Nëse nuk do të mundej të arratisej, do të vriste veten”. Nuk i kishte mbetë askush dhe asgjë veç nënës. Vetmia e përbuzja e kishin mundë.
Ka udhëtue gjithë ditën e lume nga bregu i Drinit të Zi shpateve të maleve, nëpër Gjallicë e deri fshatin Dafke të Topojanit.

Në mbrëmjen e 14 qershorit 1988, duke u terrue, Havziu që ishte fshehur në rreth të një are në thekër në Dafke, është parë nga dikush që po kalonte aty pari rastësisht me bagëti.
Ky përson njofton sekretarin e partisë dhe i thotë se kam parë një njeri të fshehur në thekër në fund të një are. Gjithkush mbante përgjegjësi dhe nuk mund të ishte patriot e atdhetar nëse nuk tregohej vigjilent, nëse shihte ndonjë njeri të dyshimtë dhe nuk raportonte. Ishte koha e atillë, i gjithë populli ishte ushtar, sidomos në zonat kufitare me Jugosllavinë, kufirin e së cilës e ruante populli shqiptar.
“Është pa një diversant në Dafke në darkë”. Nuk guxonin njerzit e partisë të mos i përcillnin këto fjalë në Degën e Punëve të Brendëshme përmes telefonit, atë natë.
Masat ishin marrë. Pushkatërët e zonës ishin vënë në alarm me kohë. Ndërsa në zonat më afër kufirit masat ishin marrë edhe më të forta me polici e me ushtarë kufiri.
Gjithë natën Havziu endet atyre shpatijeve të Dafkeve duke u zvarritë dhe pa dalë drita kishte mbërri te shtëpia e dajës së tij, vëllait të nënës së tij, Jakup Islami, në ballkon të shtëpisë. I lagur, i lodhur e dërmuar, i pagjumë, i pabukë, ai kishte mbërri në ballkonin e kësaj shtëpie në fshatin Breki.
Jakupi e ka shoqërue dhe përcjellë menjëherë pa zbardhë drita, te shtëpia e dajës së madh të Havzisë, Hazir Islami. Shtëpiat e këtyre ishin gjysmë ore larg mbi Breki, te Katundi i Ri.

Daja i madh Haziri e ka shti brenda, i ka dhënë bukë e muhabet dhe kanë biseduar bashkë si me gjetë mundësinë me u fshehë diku e me ikë sa ma shpejt sa është hala natë.

Kur ka fillue me çelë sabahi, kanë dalë në oborr gratë e shtëpisë me lëshue pulat e me ushqye bagëtitë. Por ato janë shtangë së kanë parë njerëz me pushkë në plemë, në thekën e poshtë shtëpisë.
Kanë hy brenda me kujdes sikur nuk kanë parë gjë dhe u kanë tregue burrave. 
U mor vesh se shtëpia është e rrethuar.
A kanë qenë te e ndjekë Havzinë apo kanë qenë te e pritë në fshat, nuk dihet, por shtëpia e krejt katundi e vendi rreth e rrotull kanë qenë të rrethuar me pushkatarët e vendit.
Si ka dalë drita mbërriti lajmi edhe në qendër të Brekisë se ku ëshët Havzi Nela. 
Punëtori i policisë së zonës, pa ardhë ende askush nga policia nga Kukësi, shkon te Shtëpia e Oficerave ku banonte kryetari i kooperativës, Mehmet Islami që ishte djali i njërit dajë të Havziut, djali i Garipit dhe i kërkon që të shkonin bashkë me të dhe me sekretarin e partisë Hasan Cupi te shtëpia e mixhës së Mehmetit, Hazirit në Katund të Ri, ku kishte mbërri Havzi Nela. Polici i kërkon të shkojnë bashkë dhe ta marrin Havziun, ta shoqërojnë për në Degën e Brendëshme në prani të dy titullarëve të fshatit. Ikja pa lejen e oporativit nga internimi në Arrën, nuk vlerësohej si ndonjë krim aq i rëndë i bërë nga Havzi Nela. Ai krim apo ajo vepër penale ndëshkohej me dy vjet zgjatje të internimit. Havziut i mbaronte internimi në vitin 1992, ja do i zgjatej deri në vitin 1994...

Baba i Mehmetit, Garipi që flinte aty te Mehmeti atë natë dhe kishte në krevat nipin e vogël, djalin e madh të Mehmetit, ngrihet dhe u thotë, kujdesni se mos ka noj hekur me vete ai nursës, se Havzia nursës ashtë kanë gjithë jetën. I mbrapsht ka qenë gjithmonë... Eh, shekës i ka ra fundi e ju ia shtërngojni rrathët, foli Garipi por u step kur e pa sertë djali i tj Mehmeti.
Ndërsa polici, sekretari i partisë dhe kryetari i kooperativës u nisën për me marrë Havzinë te shtëpia e Hazirit, vëllait të Garipit, këtij iu kujtua se si dikur djali i tij Mehmeti kishte shkue me gjithë grue me e takue Havzinë në burg. Shtatë dite e netë kishte ndënjtë djali i tij Mehmeti me gjithë grue te një mik i familjes në Rreshen se ishte bllokue udha për Kukës nga bora. Nuk e kishin lejue me takue Havzinë. 
Po mua nuk më prishet më shumë biografia kishte thënë Mehmeti. 
Na prishet ne miqve të shpisë tuaj kishte ndërhyrë miku i Mehmetit dhe një shok i partisë në Rrëshen i pranishëm aty. 
Për inat të Mehmetit se nuk e kishte takue Havzinë, baba i tij Garipi pret një berr, e zien, e mbështjell në lëkurën e vet dhe shkon e ia çon Havzisë në burg.
Ka mbetë e njohur për shumëkënd biseda e tyre dhe thënia e Havzisë atë ditë.
Daja Garip i thotë, “...or daxhë, sillu mirë bre daxhë a mos të lirojnë ma shpejt, a mos ta falin noj vit burg për hatër të asaj nanës tande e motrës teme...”.
Havzia ia kthen, vrazhdë në sy të policit që ishte i pranishëm me mbykqyrë takimin, “a ke ardhë me më pa a ke ardhë me më dhanë mend...”
Dhe prishet muhabeti e ndenja e tyre në prani të policit...
Ik Havzia nga takimi. Polici habitet. Daja Garip i thotë, kështu është. Havzia len pa marrë cigaret. I merr polici me ia çue dhe Garipi iku pa u përshëndetë prej Havzisë.
Dajes Garip iu kujtua se pasi doli nga burgu Havzia e ai e takoi, i kishte thënë për Mehmetin, “a e kishe lidhë djalin me parti o daxhë a...”.
Pas pothuaj gjysmë ore, sa bënte rruga nga Qendra, te Shtëpia e Oficerave deri në Katund të Ri, polici Sahit Ibra, kryetari i kooperatives Mehmet Islami dhe sekretari i partisë Hasan Cupi, rreth orës 5 të mëngjesit hyjnë në dhomën ku ishte Havziu me dajën e vet Hazirin.
Ishin të ulur në divane sejcili. Havziu në divanin nga dritarja.
Sa hyjnë brenda, me qetësi, ashtu pa ulur, në këmbë, rreth 3 metër larg Havzisë, polici i thotë “Vish çorapet dhe çohu”, “hajde me ne”.
Havziu ishte i zbathur, i kishte heqë corapet dhe i kishte aty pranë vetes të lagur, i kishte të lagur pantallonat deri në gju, ishte i lodhur, i zbehtë pas dy netëve udhëve e ferrave e një udhëtimi dy ditor nga Arrni udhë e pa udhë. 
“Vish çorapet dhe çohu”, “hajde me ne”, u dëgjua përsëri si nga një botë tjetër zëri i policit dhe Havziu fillon të veshë çorapet. Po ato ishin të lagura dhe këmbët ishin të lagura e të rrudhura ngaqë kishin qëndruar gjatë në ujë e lagëshgti prrojnave të Defkeve e Brekisë duke u fshehë.
Ndërsa fjalët e policit “Vish çorapet dhe çohu”, “Ngrihu hajde me ne” të thëna shpesh e me nervozizëm të shtuar, derdhëshin nëpër odë dhe rendnin si piskama çjerrëse drejt veshëve të Havziut, ai i ngushtuar edhe nga fakti që nuk po i vishte dot çorapet e lagura në këmbë të lagura, befas fut dorën në brez, në anën e pasme, nxjerr nagantin dhe e shkreh drejt policit se si duket uniforma e erret i shërbeiu si shenjë e dallueshme për shikimin e tij të turbullt. Plumbi fluturon në fytyrën e policit, në faqe dhe shpërthen gjaku, pikat e të cilit fluturuan edhe në supin e Mehmetit. 
E shkreh sërish por nuk shkrep më pistoleta. Dikush thotë e shkrehu me vra veten, dikush thotë qëllon mbi shoqëruesit e policit që në fakt nuk i njihte se kush ishin dhe i merr për punonjës të Degës së Punësve të Brendëshme. 
Ka plot më the e të thashë për këto momente, por pas kalimit të pak sekondave hutim dhe kur u pa se nuk pati shkrepje tjetër plumbi, kur polici e kuptoi se është gjallë, vetëm është plagosë, e ka goditë sa ka mundë Havziun me shqelma dhe e kanë rrëzuar për dyshemeje e ia kanë lidhë duart me mjete rrethanore...
Ende sot e kësaj dite nuk është gjetë plumbi i nagantit të Havzi Nelës që ka plagosë policin Sahit Ibra. Janë lodhë për me e gjetë atë plumb por nuk është gjetë. Ndoshta ka mbetë në tesha në ndonjë dyshek a jorgan të asaj shtëpie, ndoshta ka mbetë në suvatimin e shtëpisë, ndoshta në ndonjë qirish a kepër a dërrasë tavani, por nuk është gjerë kurrë.
Të pranishmit që kanë hyrë brenda e janë shtuar në atë shtëpi ku ndodhi ngjarja e kanë mjekuar sa kanë mundë policin e plagosur me mjete rrethanore që të mos i rridhte gjaku dhe kanë dalë prej shtëpisë së Hazir Islamit e janë nisë drejt qendrës së Brekisë.

Askush nuk e di saktë punën e pistoletës së Havziut. As ku e ka marrë as kur e ka gjetë, si e ka sigurue as ku e ka mbajtë. Edhe hetimi e hetimi gjyqësor nuk janë marrë me këtë gjë përveç se kanë treguar se çfarë pistolete ka qenë dhe në çfarë gjendje ka qenë. Pistoleta e tij ka qenë revolver i markës "ruse" tip "Nagant" model 1901, me kalibër 7.62 mm, që siç provohet me aktin tekniko balistik nr.24, datë 17.6.1988, është plotësisht i përshtatshëm për qitje. Me një armë “plotësisht të papërshtatshme për qitje”, ai plagosi policin, por ajo nuk shkrepi më dhe nga 14 fishekët që kishte 13 i mbetën pa përdorur.

Kur e kanë zbritë nga shtëpia ku ndodhi plagosja e policit dhe mbërriti në qendër të Brekisë, te reparti ushtarak apo shtëpia e oficerave sic e quanin njerzit, kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme që mbërriti aty, pa zbritur nga makina, i drejtohet Havziut duke i thënë 
“Armik...” 
Havziu që ishte në tokë, i rrethuar nga njerzit dhe i lidhur, ia kthen menjëherë 
“Unë jam armik për ty, ti je armik për mua”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat