Rauf Fico, i ardhur përmes kujtesës

Historia

Rauf Fico, i ardhur përmes kujtesës

Nga: Eugen Shehu Më: 7 shtator 2017 Në ora: 19:33
Rauf Fico

I lindur në vjeshtën e vitit 1881,shteti i parë shqiptar do të kalonte përmes privacioneve të mëdha. Turbullirat dhe anarkia e brendshme,kurdoherë të pranishme,por sidomos ndërhyrjet ushtarake nga të katër anët e fqinjëve tanë,rrezikonin jo vetëm shembjen e shtetit por vetë egzistencën e kombit tonë.Atëherë një varg burrash të shquar,duke u vënë gjoksin punëve të mëdha,duke shpërfillur privacionet vështirësitë dhe rreziqet,mundën të drejtonin anijen e fatit shqiptar përmes dallgësh. Rauf Fico,vlen të shihet kurdoherë,në sfond të ngjarjeve kulmore të Shqipërisë.Pikërisht ideja dhe përpjekjet e tij,janë të ngjizura me këto ngjarje duke plotësuar njëra tjetrën.

Lindi në qytetin e Gjirokastrës,në vitin 1881.Qysh herët,prindërit u kujdesën për shkollimin e birit të tyre i cili dallonte ndër moshatarët e vet për urtësinë.Për vetë kushtet familiare,mësimet e para i fillon në qytetin e Shkodrës.Pasi mbaron atje shkollën ruzhdije niset për në Stamboll,në vitin 1895.Mbaron aty plotësisht studimet e mesme dhe pas kësaj ndjek arësimin e lartë në shkollën e Administratës “Mylkije”,e dëgjuar për famën e kësaj në krejt perandorinë osmane.Aty bie në sy cilësitë e larta të moralit dhe etja për dije.Të ndërthurura me këto,nën ndikimin e studentëve shqiptarë më të rritur,shfaqen edhe ndjenjat e para të atdhetarisë.Në Stambollin midis dy shekujve (19 dhe 20) patën nisur të gjallonin idetë e para të rilindjes shqiptare,të përfaqsuara së pari prej vëllezërve Frashëri, e mandej prej patriotëve të tjerë.

Nën ndikimin e këtyre ideve,Rauf Fico,kërkon të shkojë pas kryerjes shkëlqyeshëm të studimeve të larta,në trevat e atdheut të vet.Fillimisht, në vitin 1902,ai emërohet nga administrata turke në detyrën e ndihmës administratorit pranë valium të Janinës.Dy vjet më vonë,falë aftësive të mira në punët e administratës,vendoset në detyrën e nënprefektit të Janinës dhe ruan raporte krejt korekte,si me shqiptarët (bashkëkombas) ashtu edhe me disa të paktë grekë,që tundnin fort flamurin e ortodoksisë.Më pas,kryen funksione të tjera administrative në Himarë,Konicë,Margalliç dhe Janinë,ndërsa në vitin 1907 është nënprefekti i Kërçovës,në viset shqiptarë të aneksuara padrejtësisht prej Serbisë në vitin 1913.Këtu ka ndejtur plot 15 muaj dhe ka jetuar shpërthimin e lëvizjes kombëtare shqiptare që merrte  jetë prej komitetit të fshehtë të Manastirit.Si funksionar i administratës osmane,Fico,nuk  e pranoi aspak përhapjen e lëvizjes autonomiste vetëm në Kërçovë.Për më tej,ai ndihmonte trimat e malësive të Kërçovës,të vendosnin lidhjet e tyre me patriotët shqiptar në Shkup e Manastir,duke nxitur për aksione  autonomiste banorët e atyre trevave.Kështu që në verën e vitit 1913,atëherë kur me qindra burra të Shqipërisë lanë karrierën e tyre në perandorinë osmane,për t’iu përgjigjur kërkesave të atdheut të tyre,Rauf Fico do të ishte ndër të parët,së bashku me Namik Delvinën,Isuf Vrionin,Myfid bej Libohovën dhe disa kapedanë të Çamërisë,ai ndikonte drejtëpërsëdrejti në lëvizjen autonomiste në Jugun e shtetit amë.Çetat e vullnetarëve shqiptar në Delvinë,Gjirokastër e Kolonjë,do të merrnin zjarr prej fjalëve të Rauf Ficos,i cili linte detyrat e rëndësishme të Stambollit,duke u endur nëpër qytetet dhe fshatrat shqiptare,për të shpërndarë dritë disurie dhe forcë vetmohimi.Në të parin shtet shqiptar,të formuar pas ngritjes së flamurit kuqezi në Vlorë,Rauf Fico emërohet në detyrën e këshilltarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.I sprovuar në veprimtari organizzative,vetëm dy javë pas marrjes së kësaj detyre Fico u drejtohet kufijve jugorë të Shqipërisë,atje ku ishin vendosur mijëra ushtarë grek,duke kryer edhe masakra ndaj banorëve të pafajshëm.Ai shkon nëpër fshatra të Skraparit,Vlorës,Mallakastrës dhe Tepelenës,organizon batalione vullnetarësh,i armatos ata me ato të pakta armë që dispononte qeveria dhe viret vet në krye të kufijve,së bashku me ushtrinë e rregullt kombëtare,të komanduar prej Mehmet Pashë Derallës.Në një telegram që i dërgonte ministrit Mufid bej Libohova,në këtë kohë,pos të tjerave i shkruante ; “Do të bëjmë çmos t’i hedhim grekët sa më poshtë e të lehtësojmë edhe çamërit tanë”.(Arkivi qendror i shtetit Tiranë.Fondi Qeveria e Përkohshme, dosja 4 ).

  Unë do të thoshja se ishte gati emblematike,sjellja e tij,dashuria e tij ndaj krahinës së Çamërisë. Kështu në qershor të vitit 1913,kur po diskutohej në Londër problemi i kufijve të rinj shqiptar,një grup atdhetarësh shkuan në Romë për të marrë kontakte me diplomacinë e lartë italiane.Në këtë grup të atdhetarëve shqiptar,bënte pjesë edhe Rauf Fico.Në pritjen që organizzi Segretari i shtetit për punët e jashtme,Princi Scalea,burrat shqiptarë u zhgënjyen nga qëndrimi shpërfillës i diplomatit për problemin e Çamërisë.Atëherë Rauf Fico,bëri një gjest tejet mëmëdhetar.Ai i ulur në gjunjë duke iu drejtuar Skaleas me fjalët ; “Shkëlqesë,ju lutemi na e shpëtoni Çamërinë!”.

  Në vitet 1913-1919,Rauf Fico punon si prefekt në Berat,Vlorë dhe si zv.prefekt në Tiranë. Organizator i spikatur,krahas detyrave aq të  vështira me të cilat përballej,ai do të ndikonte në rrethet përparimtare të kohës,me shqiptarizmën e kulluar të tij.Një letërkëmbim i vazhdueshëm,me Faik Konicën,Ismail Qemalin,Namik Delvinën apo patriotë të shquar të Çamërisë,hedh dritë mbi ëndrrën e vetme të këtij burri,Shqipërinë Etnike.Në fillim të viteve 20,të shekullit të kaluar,si funksionar i lartë në Ministrinë e Punëve të brendshme,Rauf Fico do të ndërmerrte një varg inkursionesh në qytete dhe fshatrat pranë kufijve greke e sllavomaqedonase,duke vendosur në mjaft prej reparteve të kufirit,burra jo vetëm të aftë profesionalisht por edhe të njohur në rrafsh të ideve kombëtare.Ishin pikërisht këta atdhetarë,sidomos në vijën kufitare në jug të Shqipërisë,të cilët pritën dhe strehuan bujarisht,mijëra banorë të Çamërisë,të dëbuar me dhunë prej bandave greke.

Ngase ka mbajtur kurdoherë qëndrim atdhetar,ngase ka qenë i papajtueshëm me çdo servilizëm apo megalomani të kohës,në vitin 1925,Rauf Fico,zgjidhet për të dytën herë deputet në parllamentin shqiptar.Veçanërisht 20 qershori i vitit 1925,do të mbetej e shënuar për burrin dhe politikanin e madh.Në sencën e pasditës,të Paralamentit,ai do të betohej në mënyrë soleme ; “Betohem në emër të perëndisë e mbi nderin tem,se kam për të ruajtur besnikërisht mëvehtësinë toksore të Shqipërisë, se kam për t’i ndenjur besnik atdheut e Republikës dhe për t’u dalun zot statutit e lëvizjeve të shtetit dhe se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithshme pa u penguem aspak prej interesash të veçanta,a krahine”.(Arkivi i shtetit – Tiranë. Bisedimet e dhomës së deputetëve,legjislatura e parë e vitit 1925 ).

  Gjatë gjithë kohës së tij si deputet i prefekturës së Tiranës,Rauf Fico do të udhëhiqej sidomos prej virtytit të ndershmërisë.Janë me dhjetra e dhjetra fjalë të tij në të cilat,përmes një logjike të plotë,hidhen dritë rreth problemeve të mëdha që kalonte Shqipëria e atyre viteve.Pamvarsisht prej pozitës së tij,Fico nuk u kthye askurrë në kritizer të sëmurë,duke tentuar të përgojojë njerëzit.Edhe në ato raste kur flitej për fakte reale,ai gjithmonë kërkonte të ngritej mbi problemet dhe vogëlsitë teknike,duke spjeguar gjendjen i prirur si politikan,dhe kurdoherë tregohet zemërgjërë me kolegët e tij,mandej u  jep krahë e besim atyre.Në shtatorin e vitit 1925,duke votuar qeverinë e re shqiptare pos të tjerave,Fico kumton : “Kabineti i sotëm po trashigon fuqinë nga një Severi që për fat të keq,nga shkaku i disa miqve të saj e solli shtetin në shkatërim,që Shqipnija nuk ka qenë kurrë në këtë pikpamje demoralizimi që shifet sot… Prandaj ju lutem zotërinjëve që këto pika ti marrim parasysh dhe për abuzimet qi jan ba,të marrim masat e duhura për sigurimin e nderit të shtetit,të Parlamentit,të Qeverisë dhe ne të gjithëve. Sot në krye të shtetit kemi një president që ka një fuqi morale e një zotësi të veçantë dhe me këtë fuqi mund të realizohen të gjitha ato pika që keni shënue në program.Ju duhet të keni vetëm një vullnet të fort,baraz me vullnetin që ka presidenti ynë për të mirën dhe përparimin e kësaj Shqipnije.Zoti kjoftë faqebardh dhe une me gjithë gëzim e jap votën e besimit”.(A.Q.i shtetit-Tiranë.Bisedimet e dhomës së deputetëve.Legislatura e parë,fq 632).

  Një vështrim i hollësishëm në veprimtarinë e atdhetarit Rauf Fico,si deputet mund të na binde për thellësinë e ideve,qartësinë e pikpamjeve si dhe guximin e fjalës.Por akoma më shumë vlen të shihet tek ky burrë,përputhja e plotë e fjalëve me veprat.Fico askurrë nuk u dallua për fjalë të bukura.por për fjalë që lidheshin kurdoherë me vepra,cilatdo qofshin këto.Mendoj se do të mbetet proverbiale,fjala e tij në parllament më 4 shkurt 1924,kur i kërkoi kryetarit të parlamentit që pa filluar të diskutohej rendi i ditës,të mbahej një minut zi për vdekjen e presidentit të Amerikës Uillson.Ndryshe nga çështë thënë e shkruar deri më tash,se kinse parllamenti shqiptar paska mbajtur zi për Leninin,studimi i asaj seance,na bind plotësisht se mjaft prej parlamentarëve shqiptar mbajtën zi për Uillsonin dhe u tallën me emrin e Leninit.

  Më 20 janar 1926,me dekret të veçantë të Mbretit Zog,Rauf Fico emërohet ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Ankara dhe Sofje.Marëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë sidomos në vitin 1928 ishin tejet të ndera për shkak se Mustafa Qemal Ataturku,Kryetari i Republikës Turke nuk donte ta  njihte zyrtarisht Mbretërinë shqiptare.Diplomacia turke mendoi se me emrin e Rauf Ficos,Ahmet Zogu kërkonte të bënte konçesione.Por ky nga ana e tij,duke dëshmuar cilësitë më të vyera të një diplomati,ruajti kurdoherë një qëndrim të matur e dinjitoz,në çdo marëdhënie.Në mjaft momente,Rauf Fico u kujtonte diplomatëve turq se vendi i tij,ndonëse i vogël,ka nxjerrë burra që patën drejtuar vetë perandorinë otomane.Ata e dijnë natyrisht se ç’far regjimi i shkon për shtat Shqipërisë dhe kërkojnë që Turqia t’u bashkangjitet shteteve të tjera evropiane,të cilët e njohën Mbretërinë shqiptare që në momentet e para të shpalljes së saj.Madje i ftuar nga diplomacia turke,në një pritje për nder të delegacionit italian,Fico kumtoi zyrtarisht se nuk do të shkonte aty,pasi “po përgaditem për t’u larguar përfundimisht nga Turqia”.( Arkivi Qendror i shtetit- Tiranë. Fondi 251 , dokumenti 463 , fleta 24 ).

 Pas largimit nga kjo detyrë,Fico shkon në Tiranë ku pritet veç të tjerave edhe nga Mbreti i Shqiptarëve ,Ahmet Zogu.Fico i bën një ekspoze të gjërë marëdhënieve turko shqiptare dhe pas kësaj kërkon të shlodhet disa ditë në gjirin familjar.Dy javë më pas,po me dekret mbretëror,Rauf Fico emërohet në funksionin e ambasadorit të shqipërisë në Beograd.Edhe në këtë detyrë,Fico do të shpaloste maturinë dhe diplomacinë e hollë,duke dashur të bëjë ç’ishte e mundur sidomos për shqiptarët që vuanin nën zgjedhën serbosllave.Në mjaft takime zyrtare të lartë të Beogradit,Fico do të shpallte botërisht se konstitucioni i ri që e shpallte Ahmet Zogun si Mbret i Shqiptarëve, evinte mbretërinë përballë angazhimesh e përgjegjsisë shumë më të mëdha.Ai kishte rënë në sy nga qarqet shovene serbe e ato italiane,për angazhimet e tija dhe sidomos për interesimin  e mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare.Ndaj dhe kariera e tij diplomatike nuk do të zgjaste shumë në Beograd

Thirret në Titanë dhe emërohet më 14 janar,të vitit 1929,me dekret mbretëror,Ministër i Jashtëm i Mbretërisë Shqiptare.Merret lehtë me mend se vendosja e Rauf Ficos në ate detyrë,pikërisht kur marëdhëniet me Italinë nuk po shkonin sipas parashikimeve të Romës,donte të thoshte që Ahmet Zogu,të kishte një mburoje të fortë për shtetin e ri shqiptar,kundër ndërhyrjes italiane.Janë një varg fjalimesh,udhëzimesh dhe urdhërash të kësaj kohe,që mbajnë nënshkrimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë,Ficos,ku shihet qartë,pa snjë ekuivok,qëndrimi i tij atdhetar.Për sa kohë që drejtoi këtë dikaster,Fico u shqua jo vetëm për antiitalianizmin e tij,por sidomos për përpjekjet e vazhdueshme me qarqet e diplomacisë evropiane,për t’i dhënë Shqipërisë,vendin që merritonte në gjirin e kombeve të qytetëruar.

  Në prillin e vitit 1930,Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu dhe Ministri i Punëve të Jashtme Rauf Fico,dëshmuan edhe një herë se në marëdhëniet me shtetin Italian,jo vetëm që nuk ishin të ndërvarur por përkundrazi patën kërkuar kurdoherë edhe do të kërkonin repsekt reciprok dhe bashkëpunim të sinqertë pa koncesione politike në mes.Ky realitet u dëshmua më 5 prill 1930,pikërisht në ditën kur ministri i jashtëm Italian,Dino Grandi, do të zhvillonte një vizitë zyrtare në Tiranë.Duke pandehur se do të pritej me nderime të veçanta,Dino Grandi,mbërriti në Tiranë,në datën e lartëpërmendur,i rrethuar nga një grup gazetarësh dhe reporterësh italianë.Po për çudinë e tyre të madhe,populli i Tiranës vazhdonte jetën e zakonshme,pa ndonjë mobilizim të veçantë dhe në hyrje të Tiranës u panë vetëm disa magjupë të vegjël,të cilët thërrisnin duke u tallur ;Rroftë Duçja !.

Sa për autoritete e larta shqiptare,Fico i tha kolegut të tij italian,se ata ishin të zënë me punët e tyre të zakonshme.Grandi e kuptoi se diplomacia shqiptare ishte shprehje e drejtëpërsëdrejti e qëndrimit të matur të Mbretit Zog.Ndonëse Mbreti i zhgënjyer nga qëndrimi i Romës zyrtare,ai u përpoq të hynte sa më thellë në labirintet e politikës midis dy shteteve,në një takim zyrtar që bëri me Ruf Ficon.Por edhe në këtë takim,Dino Grandi u bind se me shqiptarët nuk mund të luhej gjatë politikisht.Ata kishin dashur edhe donin ende bashkëpunim të bazuar në repsekt reciprok dhe pa ndërhyrje në çështjet e brendshme të njëri tjetrit.Më 7 prill 1930,Grandi niste një telegram Duçes,ku pos të tjerave shkruante “Ajo që na dëmton më shumë është atmosfera e mosbesimit që po krijohet gjithnjë e më shumë në popull,si edhe tek udhëheqësit shqiptarë ndaj nesh”.( Arkivi qendror i shtetit – Tiranë.Fondi Ministria e Punëve të Jashtme,dosja 148 , fleta 30 ).

  Nga të katër anët prej Italie shkonin në Tiranë ankesa të shumta për Ficon.Qarqet diplomatike italiane me propagandën e tyre po përpiqeshin të krijonin idenë se ishte pikërisht Fico ai që pengonte zhvillimet e më tejshme italo shqiptare.Emri i tij nis të lakohet në disa gazeta italiane por edhe në Tiarnë,përkrahës të Italisë,nisën ta shohin si pengesë,atdhetarin Rauf Fico.Pikërisht në këtë klimë të acaruar politike,duke mos dashur të mbajë mbi shpatulla hamendësime nga më paranojake,Fico jep dorëheqjen,duke dëshmuar me këtë rast jo vetëm atdhetarinë dhe diplomacinë,por edhe gjestin qytetar të dorëheqjes.Për shumë atdhetar të asaj kohe,gjesti i dorheqjes së Ficos,do të konsiderohej si humbje e madhe e diplomacisë  dhe politikës shqiptare.Ndërsa i shquari Faik Konica,do të shkruante tekstualisht ; “Z.Rauf Fico,ishte ministër më i mirë i punëve të jashtme që ka pasur Shqipëria.Mund të jap shumë prova por kënaqem vetëm me një.Zoti Fico është i vetmi që ka kuptuar se kryedetyra e një përfaqsuesi diplomatik,është të ndrite mendjen e botshme në vendin e dërguar,duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me qarqet e shkrimtarëve,gazetave e shoqërisë.Para tij përfaqsuesit diplomatik ngarkoheshin me punë të cilat u përkisnin konsujve.Z.Rauf Fico gjeti përqyes e çmonjës  nder shum të huej,të paanshëm,që kanë vizituar shqipërinë,por veçanërisht nder amerikanët”.(Gazeta “Dielli “,Boston më 14 nëndor 1930 ).

  Pas dorëheqjes si ministër i punëve të Jashtme,Fico shkon sërish në gjirin e familjes,pranë gruas Sanijes,nga dera e shquar e Stërmasëve të Tiranës dhe fëmijëve të vet.Por kur nuk do të rrije gjatë me ta.Thirret personalisht nga Mbreti Zog dhe i jepet urdhëri për të shkuar në beograd si ministër fuqiplotë i Shqipërisë.Duke ndjekur me cilësinë e një diplomati të pjekur zhvillimet në Shqipëri,Ballkan e më gjërë,Fico u përpoq të mbajë në shkallën më të lartë interesat e vendit të tij.Zotërues i shtatë gjuhëve,ai u shëndrrua në Beograd,në zëdhënësin e interesave të mbarë kombit shqiptar,brenda shtetit amë dhe jashtë tij,duke dhënë intervista,tek korrespondentë të gazetave të mëdha Evropiane,me seli në Beograd.Për më tej,ai do të ndiqte sidomos fatin e shqiptarëve të Çamërisë duke ngritur zërin lart kundër dhunës dhe terrorit sistematik që shteti grek ushtronte ndaj shqiptarëve të pafajshëm.Madje me një pasion të veçantë,Fico mundi të ndërkombëtarizojë tragjedinë çame përpara diplomacisë evropiane, e cila e përfshirë në vorbullën e luftës në shpërthim,i kishte mbyllur sytë përpara këtij gjenocidi etnik të skajshëm.

  Ndërsa në marsin e vitit 1938,Rauf Fico,emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Berlin,në legatën shqiptare të sapoformuar.Në paraqitjen e letrave kredinciale,elokuenca e Ficos kishte bërë përshtypje tek kancelari gjerman Adolf Hitler.Ishte pikërisht Hitleri,i cili pas takimeve me përfaqsuesit diplomatik i ishte shprehur sekretarit të tij,Shlajderit : “Nga të gjithë diplomatët që takova më bënë përshtypje vetëm dy prej tyre.Ai i shtetit më të madh dhe ai i shtetit më të vogël”. Me shtetin më të madh Hitleri nënkuptonte Japoninë,ndërsa me shtetin më të vogël Shqipërinë.

  Pushtimi fashist italian,Fico do ta priste me urrejtje si krejt atdhetarët shqiptarë.Ai do t’i kërkonte ministrit të jashtëm gjerman,Ribentrop,ndërhyrjen  e Hitlerit duke shpresuar tek simpatia e këtij të fundit për shqiptarët.Por rrjedha e ngjarjeve në Evropë po merrte trajtat e luftrave të pashmangshme.Politikat globale nuk llogarisnin asesi,fatet e kombeve të vegjël.Në qershorin e vitit 1939 Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë u shkri.Tanimë ishte Italia që vendoste mbi diplomacinë shqiptare,qarqet italiane të pushtimit,duke njohur aftësitë diplomatike të Ficos, eftuan këtë të bashkëpunonte duke i afruar poste me rëndësi në qeverinë  shqiptare.Shqiptari i madh nuk pranoi asnjërën prej tyre.Ai u  tërhoq plotësisht nga jeta politike,duke jetuar si gjithë shqiptarët e tjerë pranë gjirit të familjes.Punët,veprimtaria,jeta e kaluar midis preokupacioneve të mëdha,kishin bërë të tyren i lodhur i drobitur me brengën e madhe të pushtimit të athdeut të tij,mbylli sytë në Tiranë më 23 janar 1944,kur ishte 63 vjeç.Tirana dhe krejt Shqipëria e përcuallën me nderime birin e tyre për në banesën e fundit.Ceremonia mortore u organizua nga qeveria shqiptare dhe posaçërisht kryeministri Rexhep Mitrovica.Patrioti Dhimitër Berati në fjalën e tij të rastit do të kumtonte pos të tjerave; “Me vdekjen e Rauf Ficos të gjithë humbasim një burrë me kuptimin e naltë të fjalës... Kudo ai ia zbardhi faqen atdheut me seriozitetin dhe urtësinë që e karaterizonte,me mirësjelljen e bujarinë me kthjelltësinë me të cilën ai dinte t’i shtronte dhe t’i mbante interesat e vendit të vet “.Pas këtyre fjalëve lamtumirëse mbetet  vepra e tij si shembull për diplomacinë e sodit,se si i shërbehet më së miri Kombit dhe Atdheut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat