Tahir Sinani- Krenaria e Shqiptarisë

Historia

Tahir Sinani- Krenaria e Shqiptarisë

Nga: Bedri Tahiri Më: 29 korrik 2017 Në ora: 19:16
Tahir Sinani- Krenaria e Shqiptarisë

Tropoja. Një emër lavdie e krenarie që nëpër shekuj e breza, nderoi kombin e atdheun. Tropoja e besës, e burrërisë, e traditës, e trimërisë, e këngës dhe e bujarisë.

Kjo traditë atdhetarie kurrë nuk u shua në këto vatra derëhapura e sofërshtruara për miq e për dashamirë. Kjo më së miri u dëshmua në luftën e fundit çlirimtare, kur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkëngjitën shumë tropojanë, ca prej të cilëve ia falën edhe jetën lirisë së Kosovës, si: Arif Shpend Dautaj, Bylbyl Hazir Breçani, Qazim Hazir Dautaj, Ramiz Ramë Memia, Tahir Ramë Memia, Fatmir Rexhep Hasandoçi, Hazir Avdyl Malaj, Mehmet Ramë Dizdari, Hysen Mella, Tahir Hoxha, Hysni Adem Hajdarmataj, Hyrë Mehmet Demiri, Xhemile Makel Sallahi, Mon Arif Sallahi, Ramë Rexhep Sallahi, Adem Bajram Selmani…

Në mesin e tyre, kurorë e mbi kurorë, qëndroi luftëtari i paepur, Tahir Sinani- “TROPOJA”, i cili  shkriu jetën për bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare.

Stërnipi i Mic Sokolit

Në mes Bujanit dhe Geghysenit, aty ku Valbona mbretëreshë gurgullon hareshëm, shtrihet gjer e gjatë një fshat i bukur me emrin GRI. O Zot, çfarë pasurish natyrore ka GRIA! Mjafton të përmendet blloku i pandarë i gështenjave (i lanë për bijat e martuara që të vjelin fruta), i cili paraqet një raritet në gjithë vendin. Paskëtaj ka dy monumente kulturore-natyrore: Blinin e Grisë dhe Gështenjën e Bajram Currit.

Banorët e Grisë janë pasardhës të Hysen Vatës, vëlla i Gjon e Pap Vatës, nga të cilët rrjedhin banorët e Bujanit. Oxhak i njohur i këtij fisi të madh të Krasniqes qe edhe dera SINANAJ, e krijuar dhjetë breza më parë.

Tjerrë hollë e hollë, filli i kësaj familjeje të flaktë atdhetare të shpjerë larg e larg në rrënjët e drurit gjenealogjik të katundit Gri. Babai i tij, Mala, u lind në mal, rrugës, në të ikur para barabarisë serbe, në vitin 1916. Emrin e pati të gatshëm, Mal. Ishte biri i Halilit dhe i Shkurte Sadriut, bijës së Mizës së Mic Sokolit. Edhe pse djalë hasreti, ai kurrë nuk i lëshoi armët nga dora. Luftoi e luftoi, hiç pa u ndalur, për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, duke vajtur deri në Sanxhak. Me vrullin luftarak, mençurinë në biseda dhe fjalën e rëndë si guri, Malë Halili do të respektohej në vitet e Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në fshatin Gri, por edhe me gjerë- shkruan Eugen Shehu.

Kështu, me vepra e jo me fjalë, i edukoi dhe i frymëzoi edhe nëntë fëmijët e tij: Sahitin, Nijaziun, Canin. Rizanë, Agimin, Tahirin, Skënderin, Besnikun dhe Feriden.

Tahir Sinani erdhi në këtë botë, më 25 maj 1964. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Gri, ndërsa të mesmet, drejtimi i agronomisë, në qytetin pitoresk Bajram Curri. Ishte i zgjuar dhe shumë i interesuar për historinë e të parëve. Qysh si fëmijë, kur me babanë shëtiste dhe kulloste bagëtinë nëpër kodra e male, ku shihte ushtarë të armatosur, duke ruajtur kufirin midis vëllezërish, në shpirtin e tij njomëzak i pat lindur ideja e rrafshimit të atyre gurëve ndarës dhe e bashkimit të trojeve etnike.

-Një njeri, madje edhe një komb, që nuk e njeh historinë e tij është i destinuar që të bëjë gabime të rënda. Njeriu duke e ditur prejardhjen e tij, duke njohur mirë të parët e vet, nxjerr mësimet nga e kaluara, vendos objektivat e tij për jetën- shkruan ai në një historik të shkurtër të familjes së tij, një dokument origjinal, i shkruar me dorë, të cilin ma siguroi në familjen  e tij, atdhetari dhe veprimtari i palodhur, Isa Breçani.

Duke u nisur nga të gjitha këto, djaloshi hafif, por shtatlartë e me zemër sa  Majat e Hekurta, që herët u përcaktua në rrugën e madhe të lavdisë, në rrugën e babait, i cili kishte lënë edhe amanet që, herdokur, nëse pëlcet lufta në Kosovë, ndonjëri nga djemtë e tij të shkonte në mbrojtje të saj...

Pasi mbaroi shkollën e mesme, Tahiri kishte vetëm një ëndërr: ta studionte artin luftarak! Kështu, pasi u konsultua edhe me të atin, u regjistrua në shkollën ushtarake, në Zall- Herr (qendër stërvitore në veri të Tiranës), në drejtimin e Mbrojtjes nga Armët Kimike dhe Biologjike. Dhe, kur ekziston dashuria, nuk mungon as suksesi. Ishte kadeti më i mirë dhe më i suksesshmi i gjeneratës.

Vërtet, shumë shpejt arriti të bëhej mjeshtër i përsosur i përdorimit të të gjitha llojeve të armëve. Më 1986, me sukses shumë të lartë, mbaron studimet ushtarake dhe menjëherë emërohet instruktor i stërvitjeve në Divizionin Ushtarak të qytetit Bajram Curr. Ama, ai nuk mjaftohej me kaq. Për çdo ditë përparonte në profesionin e tij që e donte shumë. Siç tregojnë kolegët, ai ishte i rreptë, i ashpër dhe i përpiktë, si ushtarak, por i dashur, i sinqertë dhe i afërt me ushtarët, në çastet e lira. Duke u bazuar në talentin dhe aftësitë e tij e emërojnë Shef të Sektorit për Intervenime të Shpejta.

Dhe, ngjarjet rridhnin rrokullimë. Edhe  damllaja, mbledhur me vite e dekada, shpërtheu si vullkan i pashuar në Kosovë. Ushtarakut sypatrembur, sakaq, iu kujtua amaneti i të atit dhe i gufoi zemra e tij e bardhë dëborë.  Kontaktet me personalitetet e njohura të UÇK-së, si me Azem Sylën, Bislim Zyrapin, Agim Çelajn, Xhelal Hjaden-TONI etj. ia shtuan edhe më  ndjenjën e atdhedashurisë dhe të luftës për lirinë e gjithmbarshme shqiptare. Kur plasi lufta e hapur në Kosovë, ai pa u hamendur, me tërë qenien, u vu në shërbim të saj. Ah, sa me vullnet e me gëzim e priti emërimin e tij si oficer në Kampin e Stërvitjeve në Tropojë!

Në krye të luftëtarëve të lirisë

Pasi kishte ushtruar dhe përgatitur mirë e mirë, shumë guerilasë dhe luftëtarë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre edhe dëshmorët: Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Ilir Konushevci (Komandant “MËRGIMI”) etj. Tahir Sinani mësyu këndej, ku i rrinte mendja e shpirti, drejt Kosovës, drejt zjarrit të luftës, drejt logut ku matej burrëria. I la të gjitha mënjanë, la edhe gruan, Shpresë Osmanin, la edhe fëmijët e dashur: djemtë Rugovën (1993) e Rrezartin (1996) dhe vajzën Rrezarta (1997).

Ishte gjysma e vitit 1998, kur bashkë me trimat e lirisë, ata që vetë i kishte mësuar e përgatitur, shaluan Pashtrikun krenar dhe zbritën në Divjakë të Kosovës martire. Madje, që në aksionin e parë, në Qafën e Pagarushës, ku vetëm për më pak se dy orë luftimesh, falë strategjisë së tij, do të asgjësohet një bandë prej nëntëmbëdhjetë vetash, të paramilitarëve serbë, të cilët për disa ditë rresht i kishin terrorizuar banorët e atyre anëve. Aty, me vendim të SHP të UÇK-së, ku edhe vetë ishte anëtar, i besohet detyra e instruktorit të Stërvitjeve dhe ajo e komandimit të Njësisë Speciale “Arbëri”.

Komandanti i komandantëve

Qendra Stërvitore në Divjakë shpejt u shndërrua në një Akademi të vërtetë ushtarake. Aty, tashmë, vepronin edhe oficerët e tjerë të UÇK-së: Bislim Zyrapi, Sali Veseli, Naim Maloku etj. Madje, kushtrimit të Tahir Sinanit iu kishin përgjigjur edhe shumë oficerë shqiptarë, si: Adem Shehu, Bardhyl Tahiri, Shpëtim Golemi, Spiro Butko etj.

Nëse ata që e kanë lexuar romanin “Mic Sokoli” të Sulejman Krasniqit dhe kanë pasur ca mëdyshje në rrëfimet për heroin, i cili në pikë të dimrit pastrohej me dëborë, tashmë u bindën në vërtetësinë e tyre, sepse, edhe stërnipi i tij, Tahir Sinani, vepronte njësoj. Ai, natën e ditën, në borë e në shi, në acar e në të ftohtë, ushtronte e ushtronte. Ushtarët e tij, në fillim e kishin të vështirë, por me kohë e kuptonin rëndësinë e tyre dhe korrnin suksese. Ai shumë shpejt u bë legjendë e gjallë, u bë komandant i komandantëve...

Pos tjerash, ai ka merita të mëdha edhe për suksesin e operacionit të planifikuar nga SHP i UÇK-së me emrin e koduar “Shigjeta” në Pashtrik. Sipas planit të këtij operacioni parashihej që lufta guerile e deriatëhershme të shndërrohej në një luftë frontale përgjatë kufirit Kosovë- Shqipëri. Faza e parë e këtij operacioni ishte sulmi për hapjen e korridorit të Koshares, i cili u kurorëzua me sukses, ndërsa faza e dytë parashihte luftën e rregullt në frontin e Pashtrikut...

Provat e vështira si instruktor i stërvitjes së trupave dhe i kuadrove, si komandant i njësitit special, si komandant i Brigadës, ishin të mjaftueshme për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta emëruar Tahir Sinanin, Komandant të Zonës Operative të Pashtrikut.

Pra, siç u pa dhe u vërtetua më vonë, aftësia, trimëria, vendosmëria dhe sy çeltësia e komandant Tahir Sinanit, bënë që  të mbesin të parealizuara ëndrrat e kriminelëve serbë;  Sheshelit e Ojdaniqit, për të pirë kafe e për të lozur futboll në Malet e Berishës. Jo, ore jo, se aty ishte Tahir Tropoja, i cili kishte urdhëruar preras: Me asnjë çmim qoftë edhe me çmimin e jetës së ushtarëve, serbët nuk do t’i lejojmë të depërtojnë te popullata!

Tahir Kosova, me bashkëluftëtarët e tij besnikë, më 12 qershor 1999, hyn fitimtar në Prizren.

Drejt luftërave të reja

Dhe, më në fund, edhe në Kosovën e gjymtuar, pas natës njëqindvjeçare serbosllave, agoi ditë e bardhë. Përkundër atyre që nuk përmbaheshin nga gëzimi, Tahir Kosova, siç e quanin tashti trimin tropojan, ende nuk ishte i kënaqur dhe fytyra e tij ishte e zymtuar.

- Shpirti im nuk qetësohet përderisa edhe cepi më i skajshëm i trojeve shqiptare lëngon nën thundrën e huaj!

Kështu tha dhe, një ditë, pasi u çmall me anëtarët e familjes, mblodhi krahët e dragoit e mori fluturim për në Luginën e Preshevës...

Të mos harrojmë se ky luftëtar i madh i lirisë, që kur ishte komandant i TMK-së, në Qendrën e Stërvitjes dhe të Doktrinës në Nashec, në nëntor të vitit 1999, kishte vënë lidhje me krerët kryesorë të UÇPMB-së si me Shefqet Musliun, Ridvan Qazimin (Lleshin), Jonuz Musliun etj. Pasi i mblodhi edhe disa petritë, që vetë i kishte përgatitur më parë, iu përvesh betejave në Dobrasin, Konçul e në Bujanoc. Edhe atje bëri nam dhe fitoi një emër të ri: Tahir Presheva!

Po kur u nënshkrua Marrëveshja edhe për çmobilizimin e UÇPMB-së, ç’bëri Tahir burri?!

Ai, sërish u nis drejt fronteve të reja të luftës. Kësaj here në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. As atje, në Luginën e Vardarit, nuk vajti i vetëm. Jo, jo, atë e ndiqnin pas bashkëluftëtarët e pandashëm, ata që ua kishte mësuar mirë artin luftarak...

Për çudi, ku ishte Tahiri, ishte mirësia, ishte burrëria, ishte trimëria, ishte shqiptaria. Pas komandantit shkonin edhe luftëtarët e tij. Edhe ata të Preshevës e të Bujanocit kaptuan majat e Korabit kryelartë dhe shkëlqyen në Tanushë të Gostivarit, ku po komandonte, siç po quanin tashti, Tahir Tetova.

Pra, Tahir Sinani-Tetova, komandanti i Brigadës 116 “Xhemë Gostivari” ishte largpamës që nuk mund t’ia hidhte dot askush. Kur qeveria shovene maqedonase, e shtyrë nga diplomacia amerikane, karshi botës,  bëri një lloj amnistie për luftëtarët e UÇK-së, zëri i tij kumboi mbi shkrepat e Sharrit plak: ”Vëllezër, ne s’kemi bërë krime që të na gëzoi amnistia e Lubo Gjeorgjevskit. Një shekull kemi durua veç krimet e tyre në shpinë. Të mos i mbyllim sytë përpara kësaj paqeje të rreme!

Lotët e Tanushës

Dhe, luftërat e betejat vazhdonin.

Edhe korriku përcëllues po i numëronte ditët. Ishte data 29 korrik 2001. Tahir Tetova, me trimat e trimëreshat, që vdekjen e shikon në sy dhe i thoshin ku je, nuk do të ndaleshin pa i çliruar cep më cep trojet, ku bukës i thoshin bukë e ujit ujë. Atë ditë kishin ndarë mendje të bënin minimin e territorit të armikut. Dhe, ecnin me këngë në gojë, për t’u shndërruar edhe vetë në këngë: Tahir Sinani- TETOVA, Hyrë Emini -MIRA, Brahim Ademi (TT), Naser Ademi dhe Hisa Fazliu. Po, po, dhe mu atë ditë i mori me vete përjetësia! Tanusha e bukur, mu si e dashura e Halil kreshnikut, ishte kapluar nga zymtësia dhe, për herë të parë në jetën e saj, i ngrinë pika loti në qepallë.

Dhe, po atë ditë, me dhembje e krenari, përzier tok, trupat e atyre burrave të mëdhenj të kombit, u paqëtuan në Kukël- Zabel të Tanushës së Gostivarit. Të shtënat e nderit u përzien me krismat e lirisë që vazhdonin betejat...

Emri dhe vepra e tij nuk harrohen për jetë të jetëve. Për të thuren vargje e këndohen këngë. Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake…Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, posmortum e gradoi Gjeneralbrigade.

Edhe më ka Mirënjohje, Dekorata e Lëvdata, qoftë për dëshmorin, qoftë për familjen e tij, por  nuk është nevoja të përmenden të gjitha. Pra, me këto pak fjalë, sepse kjo figurë madhore meriton shumë më shumë, ky ishte:

Tahir Sinani- TROPOJA!

Tahir Kosova!

Tahir Presheva!

Tahir Tetova!

Tahir Shqipnia!

Një popull që lind të tillë burra, kurrë nuk duhet të frikohet nga zhbërja! 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat