Robert d'Angely: Skënderbeu, Aleksandri i madh, Bonaparti - Kapedanë shqiptarë

Historia

Robert d'Angely: Skënderbeu, Aleksandri i madh, Bonaparti - Kapedanë shqiptarë

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 16:36
Skënderbeu

Lexuesi nuk duhet të çuditet dhe të mos e shohë si të pasaktë mendimin që Aleksandri i Madh ka imituar kapedanin e Ekspeditës së parë të ariasve në fillim të mijëvjeçarit të tretë para Krishtit. Përkundrazi, ai duhet ta shohë këtë gjë si normale dhe krejt të natyrshme, sepse historia na mëson, që gjithnjë gjithë kapedanët e mëdhenj kanë kërkuar të kopjojnë të tjerët udhëheqës të mëdhenj, paraardhës të tyre.

Në fakt ne do të thoshim se Aleksandri ka imituar komandantin e Ekspeditës së parë të ariasve: prova më e mirë është se ushtarët, që arritën në brigjet e lumenjve të Indisë, kundërshtuan të shkonin më tej në thellësi të territorit të Indisë, duke thënë se nuk donin të shkonin të humbisnin atje, ashtu si Ekspedita e parë.

Ndonëse ka një ndërkohë prej rreth 2500 vjetësh që i ndan argët ose ariasit prej maqedonasve, domethënë prej stërgjyshëve të pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, na del se këta të fundit e ruanin për bukuri kujtimin e Ekspeditës së parë dhe ne mund të themi gjithashtu, se Aleksandri duhej ta njihte më mirë në vija të trasha mënyrën se si ishte zhvilluar ajo ekspeditë.

Image
Aleksandri i madh

Rreth 2000 vjet pas ekspeditës së Aleksandrit të Madh, një kapedan tjetër shqiptar, domethënë i së njëjtës racë me Aleksandrin e Madh ose pasardhës i tij, i famshmi Ushtar i Krishtit dhe Mbret i Shqipërisë GJERGJ KASTRIOTI, i mbiquajtur me të drejtë SKËNDERBE nga sulltanët turq MURATI II dhe mbi të gjithë MUHAMETI II Ngadhënjyesi, që e njihnin shumë mirë, atë dhe taktikën e tij, sepse gjatë gjithë rinisë së tyre dhe viteve të burrërisë deri në 40 vjeç u rritën e jetuan së bashku në oborrin e sulltanit në Adrianopojë, ky Skënderbe në sajë të taktikës së tij, që imitonte atë të Aleksandrit të Madh, homonimit të tij, - sepse SKËNDERBEJ do të thotë: princi-kalorës Aleksandër, - ka luftuar pa pushim gjatë njëzet e pesë vjetëve kundër ushtrive të shkëlqyera të sulltanit, që arrinin deri në 80.000 e 140.000 burra, dhe e ka bërë vetëm me një grusht shqiptarësh, që i kishte ushtruar e stërvitur vetë. Kur sulmonte, - jo shpesh, natyrisht, dhe kur nuk kishte rrugë tjetër, ushtrinë e panumërt të sulltanit, ai e përshkonte me gjithë shpejtësinë dhe e ndante më dysh, pa lejuar që grupi i tij i vogël të shtrihej e të shpërndahej, por të rrinte i bashkuar dhe të formonte një grusht kompakt dhe të pashkatërrueshëm.

Së fundi, vetëm pas 350 vjetëve NAPOLEONI I, kapedani i madh i kohëve të reja zbatoi po të njëjtën strategji të rrufeshme, si të dy paraardhësit dhe po ashtu, mund të themi si bashkatdhetarët e tij. Çfarëdo që është shkruar e thënë për origjinën e vërtetë të emrit dhe të familjes së BONAPARTIT, ajo nuk ka qenë as italiane, as greke, por sigurisht shqiptare, dhe për ta thënë më me përpikëri: shqiptare toske.

A nuk vinte familja Bonaparti nga TOSKANA në Itali? Por toskët e Toskanisë së Shqipërisë së jugut a nuk janë po ajo popullsi si toskanët e Toskanisë italiane, nga të cilët një pjesë, - më e dalluara në popullsi, - për shkak të turbullirave në fundin e Republikës, rreth vitit 50 para Krishtit dhe për shkak të dëbimeve masive të asaj epoke kapërceu kanalin e Otrantos dhe vajti të banonte, siç thotë Nicolas FRERET në veprën “Observations”, në Epir, në territoret që Paul Emili në vitin 168 para Krishtit i kishte shkretuar e rrafshuar duke marrë 150.000 skllevër në Itali, të cilët ende nuk ishin zëvendësuar plotësisht? Si rrjedhim, familja Bonaparti, ose toskane ka qenë ipso facto shqiptare. Dhe Napoleoni sigurisht që nuk mund të mos e dinte, sepse në Marsejë dhe kudo gjetkë kishte dëshirë t’u bënte vizita gjithnjë familjeve korsikane-shqiptare, greke-shqiptare dhe toskane-shqiptare, ashtu siç ishte gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur gjithë luftëtarët greko-shqiptarë, që kishte kërkuar të viheshin nën urdhrat e tij.

A nuk krijoi ai “Provincat Ilire”, sepse interesohej për këto provinca si shqiptare që ishin? A nuk interesohej gjithashtu ai për ato të jugut të Shqipërisë, ku në të vërtetë mbretëronte i famshmi ALI pasha TEPELENA me nam të rëndë, me të cilin pavarësisht nga të gjitha, ai kishte letërkëmbim dhe do ta kishte ndihmuar me të vërtetë, po të kishte qenë një princ i krishterë?

Image
Bonaparti

 

Për më tepër, etimologjia e vërtetë e emrit: BUONAPARTE, mbështet mendimin tonë për origjinën shqiptare të Napoleonit; kështu mbiemri Buonaparte, që u bë më vonë një lalgap, nuk mund të jetë aspak përkthim i: kali meris, kalimeris, kalomeris, kalo meros, etj., që nuk janë formime greke dhe nuk kanë asnjë arsye të jenë për rastin e përdorimit si lalgap për një person; përkundrazi ai është një lalgap shqip: Kalëmiri, me një formim gramatikor të përsosur, që fare mirë mund t’i vihet një njeriu, që zotëron ose që shalon një ”kalë të mirë” ose ”kalë të bukur”.

Veç kësaj, ka edhe etimologji të tjera të ngjashme, që mund të afrohen ose të krahasohen me këtë të “Kalëmirit”; ka, për shembull, Kalëbardhi = ai që zotëron ose që shalon një kalë të bardhë, dhe që ka sjellë lindjen e emrit: GARIBALDI = Biancavallo në gjuhën italiane. Kemi edhe Kalëmadhi = Magnocavallo, domethënë njeriu me “kalë të madh”, një emër familjeje shumë i njohur. Ka gjithashtu: Kalëluani: njeriu që zotëron ose që shalon një kalë të bukur e të fortë si një luan; emër familjeje i njohur mirë në Itali: Leoncavallo, një përkthim shumë i saktë.

Po me këtë mënyrë arsyetimi ka: Gurakuqi: gur i kuq, mbiemër familjeje shqiptare që italianët dhe grekët e kanë marrë gjithashtu; ata e kanë përkthyer me shumë përpikëri: Pietrarossa dhe Petrokokiros; KryeziuI: mbiemër familjeje në Greqi i përdorur po njësoj: Kriezis (emri i një kryeministri grek, natyrisht shqipfolës dhe që është vrarë kohët e fundit); italianët, duke e përkthyer, e kanë bërë: Testanera dhe një familje greke, me siguri me origjinë shqiptare, e ka bërë: Mavrokefalos = Kokëziu; (duhet të përmendim këtu se autorët e lashtë grekë e kanë përkthyer mbiemrin: Kokëdemi, të cilin maqedonasit ia kishin ngjitur në maqedonishten ose pellazgjishten, pra në shqipen, kalit që vetëm Aleksandri, kur ishte fare i ri, mundi ta shalonte me lejen e babait të vet, Filipit, duke e bërë: Boukefalos; Dorëgjati: me dorë të gjatë, siç ka qenë mbiquajtur zakonisht ARTAKSERKSI, dhe që autorët grekë, në vend që ta jepnin ashtu siç ishte, e kanë përkthyer në përshtatje me zakonin e tyre, duke e bërë Makroxeir; sot është një emër familjeje mjaft i njohur në Shkodër (Shqipëri).

Me një fjalë, mbiemri i vërtetë Kalëmiri është marrë gabimisht për: kalomeros, kalimeris etj., dhe është përkthyer jo me saktësi si [i]Buonaparte, në vend që të jepej me anë të Buoncavallo: kalë i mirë, i bukur, që është kuptimi i vërtetë i tij./Përmblodhi e përktheu: Xhevat Lloshi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat