Pabesia e Enver Hoxhës/ Si e shiti çetën “Çamëria” tek grekët me ndërmjetësimin e serbëve

Historia

Pabesia e Enver Hoxhës/ Si e shiti çetën “Çamëria” tek grekët me ndërmjetësimin e serbëve

Më: 4 qershor 2017 Në ora: 07:13
Hoxha, Mugosha

E krijuar  më 2 shkurt 1943, në fshatin Markat të rrethit të Sarandës, çeta partizane “Çamëria” ishte formacioni i parë luftarak në Jug të Shqipërisë. Ishte bërthama e parë e grupit të katërt partizan të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Më vonë,  ky informacion mori emrin brigada e 19 sulmuse. Komandanti dhe krijuesi i çetës partizane Çamëria ishte patrioti çam Haki Rushiti. Aktivitetet luftarake të Çetës Çamëria kundër okupatorëve italo-gjermanë mbulonin gjithë Jugun e Shqipërisë. Lufta e Konispolit ishte lufta më e ashpër dhe më e pabarabartë ku çeta Çamëria me heroizëm të pashoq, i bëri ballë për më shumë se një muaj fuqisë ushtarake gjermane që vinte nga Greqia dhe kërkonte të hynte nëpërmjet Qafë- Botës në Jug të Shqipërisë.

Beteja filloi më 5 gusht 1943 dhe vazhdoi deri më 11 shtator 1943. Në këtë betejë të pabarabartë që vazhdoi dhe trup më trup, u vranë më shumë se 200 gjermanë, kurse nga ana e partizanëve të çetës Çamëria mbetën të vrarë 12 partizanë dhe u plagosën 17 të tjerë. Pas kësaj beteje ndodhi e papritura. Shtabi i Përgjithshëm me Enver Hoxhën në krye e coptuan këtë formacion luftarak. I ndërruan emrin nga çeta “Çamëria”, në çeta “Thanas Ziko” dhe më vonë e mori emrin “Lefter Talo”. Komandatët e çetës si Haki Rushiti dhe drejtuesit e tjerë, u ndoqën dhe persekutuan dhe si përfundim identiteti dhe përpjekjet e kësaj çete u zhdukën plotësisht nga historia e Shqipërisë.

Enver Hoxha dhe komunistët e shkatërruan këtë njësit luftarak, mohuan luftën dhe sakrificat për liri të çamëve, duke arritur deri në tradhëti të interesave kombëtare dhe në shërbim të interesave greke. Kontrolli i çetës “Çamëria” dhe shpërbërja e saj, nuk qe e rastësishme, por e programuar qartë nga Enver Hoxha dhe miqtë e tij jugosllavë në marrëveshje të plotë me grekët.

Serbi Dushan Mugosha ishte orakulli i Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm, ishte ndërlidhësi mes Athinës dhe Tiranës, ishte truri dhe ideatori i platformës politike antikombëtare kundër Çamërisë dhe patriotëve çamë. Enver Hoxha si një shërbëtor besnik i “Boshtit të Djallit” e vuri në zbatim këtë platformë antishqiptare të sugjeruar nga miqtë e tij jugosllavë dhe me 12 mars të vitit 1944, nisi zbatimin e saj. Në letrën që do të lexoni më poshtë, shihet fare qartë kjo platformë anti-kombëtare dhe anti-çame. Në këtë letër porosi sekrete, Enver Hoxha i drejtohet Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë- Gjirokastër dhe iu jep porositë e para të “Boshtit të Djallit”. Sugjeron se si duhej të veprohej kundër Çamërisë me qëllim që më vonë të përgatiste një kasaphanë të paparë ndonjëherë mes shqiptarëve. Ashtu ndodhi.

Ja dhe letra që dokumenton tradhëtinë e Envër Hoxhës dhe shokëve të tij komunistë  ndaj Çamërisë, kundër interesave kombëtare shqiptare:

-12 Mars 1944-

Udhëzim i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Komisarit Politik Enver Hoxha drejtuar Zonës së I Operative Vlorë-Gjirokastër në lidhje me tërheqjen e misionit anglez për të mos prishur rrugën Sarandë-Vlorë, për organizimin e brigadës së VIII- sulmuese, si dhe me punën që duhet të bëjmë me popullin çam në “Çamërinë e jashtme” (kështu e quante diktatori Çamërinë e okupuar)…Çamëria është me rëndësi të posaçme për luftën tonë. “Çamëria e jashtme” mund të bëhet një thikë për kurrizin tonë. Ajo mund të bëhet një urë bashkimi për të dy popujt tanë (greko-shqiptarë) ose një faktor që mund të sabotojë bashkëpunimin e dy popujve tanë fqinjë. Në “Çamërinë e jashtme”,  Ju në lidhje me regjimentin 25 grek, mund të futeni ushtarakisht për propagandë dhe agjitacione, të ngrini popullatat shqiptare në luftën kundër armikut të njëjtë që është gjermani okupator dhe luftëtarët shqiptarë çamë të organizojnë çetat e tyre dhe të vihen nën komandën e shtabit të Ushtrisë Çlirimtare greke. T’u shpjegohet popullatave të “Çamërisë së jashtme” se lirinë ata do ta fitojnë vetëm duke luftuar me armët që kanë në dorë, në luftën e paprerë që do të bëjnë kundër okupatorit gjerman dhe në bashkëpunim të plotë me luftën nacionalçlirimtare greke, e me ndihmën që do t’u japë lufta nacionalçlirimtare, shqiptarët, nesër do të jenë të lirë të vetëvendosin për fatin e tyre. Të ndihmojmë nga ana tjetër “çamët e jashtëm” me shokë që punojnë në terren, por të ruhemi e mos të dërgojmë njeri që të “mos dije vijën politike” dhe të na ngatërrojë çështjen e minoriteteve që është sa delikate dhe e koklavitur. Shokëve grekë t’u japim të kuptojnë dhe atyre rëndësinë e punës në atë sektor, në mënyrë që edhe ata të kenë parasysh se Çamëria e jashtme mund të bëhet një rrezik si për në ashtu edhe për ata.

Komisari Politik Enver Hoxha.

V.F.L.P.

Marrë me shkurtime nga artikulli i shkruar nga Arber Thesproti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat